Shpallni kudo virtytet e Jehovait
1. Çfarë na shtyn të shpallim kudo virtytet e Jehovait?
1 «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja.» (1 Kron. 29:11) Si ndikon te ne dashuria dhe vlerësimi për Jehovain? Na shtyjnë që ‘të shpallim kudo virtytet e atij që na thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjet. 2:9) Nuk mund të reshtim së foluri për Perëndinë tonë madhështor. Gjatë muajve mars, prill dhe maj, do të kemi raste të shkëlqyera për të shpallur virtytet e Jehovait.
2. Çfarë fushate speciale po planifikohet me rastin e Përkujtimit dhe kush mund të marrë pjesë?
2 Fushatë speciale me rastin e Përkujtimit: Të hënën, më 2 prill, do ta përqendrojmë vëmendjen te virtytet e Jehovait me anë të kremtimit të Darkës së Zotërisë. Për këtë rast të rëndësishëm, duke filluar nga 17 marsi e deri më 2 prill, në mbarë botën do të shpërndahet një ftesë e veçantë. Të gjithë janë të inkurajuar të marrin pjesë sa më shumë në këtë fushatë. Kjo do të ishte një kohë e shkëlqyer për të rinjtë që kualifikohen si lajmëtarë për të shpallur lajmin e mirë. Nëse keni studentë biblikë ose fëmijë që mund të kualifikohen, merrni iniciativën të flisni me pleqtë.
3. Çfarë mund të themi kur i ftojmë njerëzit në Përkujtim?
3 Kjo fushatë do të jetë e ngjashme me atë që u bë për Kongresin Krahinor «Çlirimi është afër!» Nëpër kongregacione do të dërgohet një numër i konsiderueshëm ftesash në mënyrë që çdo lajmëtar të ketë 50 copë dhe çdo pionier 150 copë. Prezantojeni shkurt, ndoshta duke thënë: «Kjo është ftesa juaj për një ngjarje të rëndësishme vjetore që po afron. Jeni të mirëpritur. Për të ditur më shumë mund të lexoni ftesën.» Sigurisht, nëse i zoti i shtëpisë ka pyetje, përgjigjuni. Për këtë mund t’ju ndihmojë shtojca për Darkën e Zotërisë që gjendet në faqen 206 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Në fundjavë bashkë me ftesën do të ofrojmë edhe revistat e muajit. Mbani shënim çdo të interesuar dhe merrni masat për t’u kthyer sërish.
4. Si do të shpërndahen ftesat e veçanta të Përkujtimit?
4 Kur është e mundur, kjo ftesë e veçantë t’i jepet në dorë të zotit të shtëpisë. Prandaj, mbani shënim shtëpitë ku nuk gjeni njeri dhe përpiquni të ktheheni përsëri. Kongregacionet që u ka mbetur një numër i konsiderueshëm ftesash, mund tˈi lënë ato në shtëpitë ku nuk gjejnë njeri javën e fundit para Përkujtimit, por jo përpara kësaj jave. Sigurohuni që të ftoni edhe ata që rivizitoni, studentët biblikë, të afërmit, shokët e punës, fqinjët dhe të njohur të tjerë.
5. Pse duhet të fillojmë të planifikojmë që tani për të shërbyer si pionierë ndihmës?
5 Shërbimi si pionier ndihmës: A mund t’i shpallni më plotësisht virtytet e Jehovait duke shërbyer si pionierë ndihmës gjatë muajve mars, prill dhe maj? Kjo ndoshta kërkon ca rregullime në programin tuaj të përditshëm. (Efes. 5:15-17) Mund të jeni të sigurt se, nëse përpiqeni për të bërë më shumë në shërbim të Jehovait, kjo do t’ju sjellë gëzim, si dhe bekimin e Tij. (Prov. 10:22) Meqenëse periudha e Përkujtimit po afron, tani është koha të fillojmë të bëjmë plane.—Prov. 21:5.
6. Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e një motre 90-vjeçare që vjet shërbeu si pioniere ndihmëse?
6 Vjet, një motër 90-vjeçare pati privilegjin të shërbente si pioniere ndihmëse. Ajo tha: «Edhe pse vdes për kopshtarinë dhe doja të filloja mbjelljet e stinës, e kuptova që duhet t’i jepja përparësi gjërave më të rëndësishme. Me dëshirën për të vendosur interesat e Mbretërisë në vend të parë, vendosa të shërbeja si pioniere ndihmëse në mars.» A u shpërblyen përpjekjet e saj? Ajo thotë: «Tani ndihem më shumë pjesë e kongregacionit, dhe kjo më ka afruar më tepër me Jehovain.» A mund t’i analizojmë përparësitë tona dhe të bëjmë rregullime të tilla nëse ka nevojë?
7. A është e vështirë të shërbesh si pionier ndihmës?
7 Të bësh 50 orë në shërbim, aq sa kërkohet nga një pionier ndihmës, mund të mos jetë aq e vështirë sa mendohet. Lutuni dhe shqyrtoni veprimtarinë tuaj të përditshme, bëni një program dhe pastaj shtojeni në programin tuaj teokratik. Ju i dini më mirë rrethanat tuaja. Në qoftë se keni probleme me shëndetin dhe nuk keni rezistencë, ndoshta mund të dilni në shërbim rreth dy orë çdo ditë. Nëse keni një punë 8-orëshe ose shkoni në shkollë, mund të shërbeni si pionierë duke dalë në shërbim në mbrëmje ose në fundjavë.
8. Çfarë e ndihmoi një çift që të shërbenin si pionierë ndihmës?
8 Shumë lajmëtarë kanë arritur të shërbejnë si pionierë ndihmës si familje. Vite më parë, një çift ngurronte ta bënte kërkesën për pionierë ndihmës, sepse ata mendonin se nuk i lejonin rrethanat. Po si ia bënë? «Iu lutëm Jehovait të na ndihmonte të arrinim atë që e kishim dëshiruar për aq kohë.» Me një planifikim të mirë e arritën synimin. Pastaj shtuan: «Ishte e mrekullueshme. Bekimet që morëm ishin të shumta. Këshilla jonë është: provojeni! Përderisa ne ia dolëm, edhe ju mund t’ia dilni.»
9. Çfarë mund të bëni gjatë studimit të ardhshëm familjar që të përgatiteni për këto muaj të veçantë plot aktivitete?
9 Pse nuk shqyrtoni gjatë studimit të ardhshëm familjar se si të gjithë në familje mund të rritin shërbimin në muajt e ardhshëm? Edhe nëse nuk mund të shërbejnë të gjithë si pionierë ndihmës, ndoshta një prej jush mund ta bëjë me ndihmën dhe bashkëpunimin e pjesëtarëve të tjerë. Nëse jo, ndoshta mund të vini si synim që të dilni më shumë në shërbim gjatë këtyre muajve të veçantë plot aktivitete.
10. Pse duhet të flasim me të tjerët për dëshirën që kemi për të shërbyer si pionier ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit?
10 Të ndihmojmë njëri-tjetrin: Entuziazmi është ngjitës. Flisni për dëshirën tuaj për të shërbyer si pionier ndihmës. Kjo mund t’i inkurajojë edhe të tjerët që të bëjnë kërkesë. Përveç kësaj, ata që kanë shërbyer si pionierë në të kaluarën, mund t’ju japin këshilla se si të rregulloni punët tuaja dhe të bëni një program që do t’ju ndihmojë të arrini synimin që keni. (Prov. 15:22) Nëse keni mundësi të shërbeni si pionier ndihmës, pse nuk ftoni një lajmëtar tjetër, ndoshta që është në rrethana të ngjashme me tuajat, që të bashkohet me ju në këtë shërbim të këndshëm?
11. Si mund të nxitin pleqtë entuziazmin për shërbimin si pionier ndihmës gjatë muajve të ardhshëm?
11 Shumë pleq bëjnë rregullimet e nevojshme për të marrë pjesë në këtë formë shërbimi. (Hebr. 13:7) Kjo është vërtet inkurajuese për kongregacionin. Pleqtë, gjithashtu, mund të nxitin entuziazmin gjatë bisedave me të tjerët. Vetëm disa fjalë inkurajuese ose disa sugjerime praktike, mund të jenë pikërisht ato që duhen për ta nxitur dikë që të shërbejë si pionier ndihmës. Ndoshta mbikëqyrësi i shërbimit do të organizojë mbledhje të tjera për shërbim në mënyrë që të gjithë të mund të dalin në grup, madje edhe pas orarit të punës ose të shkollës. Këto rregullime duhet të njoftohen rregullisht. Ai do të sigurohet edhe që të gjithë të kenë territor dhe literaturë të mjaftueshme.
12. Çfarë mund të bëni në rast se nuk mund të shërbeni si pionierë ndihmës?
12 Edhe nëse rrethanat nuk ju lejojnë të shërbeni si pionierë ndihmës, mund të inkurajoni ata që bëjnë kërkesën dhe mund të luteni për ta. (Prov. 25:11; Kolos. 4:12) Ndoshta mund t’i rregulloni punët që të dilni me ta në shërbim edhe një herë më shumë gjatë javës ose të qëndroni në shërbim më shumë se zakonisht.
13. Çfarë synimi është vendosur për Shqipërinë dhe si mund të kontribuojë kongregacioni juaj?
13 Synimi për të arritur numrin prej 850 pionierësh ndihmës në prill: Maksimumi i të gjitha kohërave në numrin e pionierëve ndihmës për degën e Shqipërisë që është arritur në prill të vitit 2006, ka qenë 746. Prandaj, një synim realist për prillin e këtij viti është 850 pionierë ndihmës. Mund ta arrijmë këtë synim po qe se mesatarisht në çdo kongregacion shërbejnë si pionierë ndihmës 1 në çdo 4 lajmëtarë. Sigurisht, në disa kongregacione mund të ketë më shumë lajmëtarë që rrethanat i lejojnë të përfshihen në këtë shërbim. Një synim i tillë është i arritshëm për shumicën e kongregacioneve. Imagjinoni gëzimin që do të sjellë kjo në kongregacionin tuaj dhe ndikimin pozitiv që do të ketë në veprën e predikimit në territorin tuaj.
14. Pse prilli është një muaj i shkëlqyer për të shërbyer si pionier ndihmës?
14 Pse prilli është një muaj i shkëlqyer për të shërbyer si pionier ndihmës? Përkujtimi do të jetë në fillim të muajit, kështu që do të kemi mundësi të mira për t’i vizituar ata që do të jenë të pranishëm atë natë. Do t’u ofrojmë revistat me synimin për të lënë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe për të filluar studime biblike. Kështu, shërbimi si pionier gjatë prillit do të krijojë mjaft mundësi për të filluar studime biblike. Në këtë periudhë, në Shqipëri ditët janë më të gjata dhe moti zakonisht zbutet. Përveç kësaj, ky muaj ka pesë të diela dhe disa ditë janë festa shekullare, kështu që ata që shkojnë në punë a në shkollë, do ta kenë më të lehtë të bëjnë kërkesën për pionier.
15. Pse duhet të kemi ndjenjën e urgjencës ndërsa afrohet periudha e Përkujtimit?
15 Çdo Përkujtim që kalon do të thotë që jemi edhe më afër fundit të këtij sistemi. Është shkurtuar koha që mbetet për t’u treguar njerëzve për Perëndinë tonë madhështor. (1 Kor. 7:29) Kur periudha e Përkujtimit të ketë kaluar, mundësitë e çmuara që na dha kjo periudhë për të lëvduar Atin tonë qiellor, nuk do të kthehen më kurrë. Le të përgatitemi që tani të bëjmë gjithçka mundemi gjatë marsit, prillit dhe majit për të shpallur kudo virtytet e Jehovait!
[Kutia në faqen 4]
A mund të jemi 850 pionierë ndihmës në prill?
◼ Analizoni përparësitë tuaja
◼ Diskutoni për synimet si familje
◼ Flitni me të tjerët për planet tuaja