A jam i kualifikuar për të predikuar?
1. Pse nuk duhet të mendojmë se jemi të pakualifikuar për të predikuar?
1 Nëse e ke bërë ndonjëherë këtë pyetje, mos u shqetëso! Ne nuk na kualifikon si shërbëtorë të Perëndisë as arsimi në botë, as aftësitë e veçanta që mund të kemi. Për disa nga dishepujt e hershëm thuhej se ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». Megjithatë, ata ishin predikues të efektshëm të lajmit të mirë, sepse ishin të vendosur të ndiqnin shembullin e Jezuit.—Vep. 4:13; 1 Pjet. 2:21.
2. Cilat ishin disa veçori të mësimdhënies së Jezuit?
2 Si i mësonte njerëzit Jezui? Mësimdhënia e tij ishte e thjeshtë, praktike dhe e lehtë për t’u kuptuar. Pyetjet, ilustrimet dhe hyrjet jo të ndërlikuara që bënte, tërhiqnin vëmendjen e dëgjuesve. (Mat. 6:26) Ai tregonte interes të sinqertë për njerëzit. (Mat. 14:14) Për më tepër, Jezui fliste me siguri dhe autoritet, duke e ditur se Jehovai e kishte caktuar dhe i kishte dhënë forcë për të kryer shërbimin.—Luka 4:18.
3. Si na ndihmon Jehovai të kryejmë shërbimin?
3 Jehovai na ndihmon: Nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij, Mësuesi ynë i Madh na siguron stërvitjen që na nevojitet për të predikuar me sukses lajmin e mirë. (Isa. 54:13) Meqë Jehovai ruajti një dokumentim të mënyrës si mësonte Jezui, kemi mundësi të analizojmë dhe të imitojmë metodat e tij. Jehovai na jep frymën e tij të shenjtë dhe na stërvit me anë të mbledhjeve të kongregacionit. (Gjoni 14:26) Përveç kësaj, ai na siguron lajmëtarë me përvojë, të cilët mund të na ndihmojnë të bëhemi më të efektshëm.
4. Pse kemi çdo arsye të ndihemi të kualifikuar për t’u dhënë lajmin e mirë të tjerëve?
4 Kemi çdo arsye të ndihemi të kualifikuar për të predikuar, pasi «kualifikimi ynë siç duhet vjen nga Perëndia». (2 Kor. 3:5) Teksa mbështetemi te Jehovai dhe i shfrytëzojmë mirë masat e tij të dashura, ‘do të jemi krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.—2 Tim. 3:17.