‘Të japim dëshmi të plotë’
1. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Pavli në shërbim?
1 «Kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Tim. 4:5) Sigurisht apostulli Pavël kishte liri fjale për t’i dhënë këtë këshillë Timoteut. Në fakt, nga viti 47 deri në vitin 56 të e.s., Pavli bëri tri udhëtime misionare. Libri i Veprave e përmend disa herë që Pavli jepte «dëshmi të plotë». (Vep. 23:11; 28:23) Si ta bëjmë këtë në ditët tona?
2. Si të japim dëshmi të plotë kur të predikojmë shtëpi më shtëpi?
2 Shtëpi më shtëpi: Që t’i gjejmë në shtëpi njerëzit që nuk kanë dëgjuar kurrë për lajmin e mirë, mund të jetë e nevojshme t’u shkojmë në orare të ndryshme. Burrat mund t’i gjejmë në shtëpi në mbrëmje ose në fundjavë. Duhet të përpiqemi të flasim me dikë në çdo shtëpi, duke provuar disa herë te shtëpitë që nuk kemi gjetur njeri. Po në rast se nuk i gjejmë në shtëpi edhe pas këtyre përpjekjeve? Ndoshta një letër ose një telefonatë mund të funksionojë.
3. Çfarë mundësish ke ti që të japësh dëshmi publikisht dhe në mënyrë joformale?
3 Publikisht dhe në mënyrë joformale: Shërbëtorët e Jehovait ua bëjnë të ditur ‘mençurinë e vërtetë’ të gjithë atyre që dëgjojnë. Ndonjëherë kjo ndodh «rrugës» ose «në sheshe». (Prov. 1:20, 21) A synojmë të japim dëshmi gjatë aktiviteteve të përditshme? A mund të themi me plot gojën se jemi ‘tërësisht të zënë me predikimin e fjalës’? (Vep. 18:5) Nëse po, atëherë po e përmbushim detyrimin tonë ‘që të japim dëshmi të plotë’.—Vep. 10:42; 17:17; 20:20, 21, 24.
4. Si na ndihmon lutja dhe meditimi të japim dëshmi të plotë?
4 Por ndonjëherë, për shkak të dobësive personale ose ndrojtjes, mund të ngurrojmë të japim dëshmi. Sigurisht, Jehovai i kupton kufizimet tona. (Psal. 103:14) Megjithatë, në rastet kur e kemi të vështirë të dëshmojmë, mund t’i lutemi që të na japë guxim për të folur. (Vep. 4:29, 31) Për më tepër, gjatë studimit personal dhe meditimit për Fjalën e Perëndisë, të kemi si synim të thellojmë çmueshmërinë për vlerën e pashoqe të lajmit të mirë. (Filip. 3:8) Kjo do të na nxitë të predikojmë me zell.
5. Si mund të kontribuojmë në përmbushjen e profecisë së Joelit?
5 Në profecinë e Joelit thuhej se, para se të vinte dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait, populli i Perëndisë ‘do të vazhdonte’ dhe nuk do të lejonte asgjë ta pengonte të predikonte. (Joe. 2:2, 7-9) Le të përfshihemi plotësisht në këtë vepër predikimi që nuk do të përsëritet më kurrë.