ARTIKULLI I STUDIMIT 2
Ti mund të jesh «burim i madh ngushëllimi»
«Këta . . . bashkëpunojnë me mua për Mbretërinë e Perëndisë, e për mua ata kanë qenë burim i madh ngushëllimi.»—KOLOS. 4:11, nwt.
KËNGA 90 Inkurajoni njëri-tjetrin
PËRMBLEDHJEa
1. Cilat situata stresuese po kalojnë shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait?
PËRRETH botës, shumë shërbëtorë të Jehovait po kalojnë situata stresuese e madje të dhembshme. A e ke vënë re këtë në kongregacionin tënd? Disa të krishterë po vuajnë nga një sëmundje e rëndë a nga vdekja e një njeriu të dashur. Të tjerëve u ther zemra kur një familjar a mik i ngushtë largohet nga e vërteta. Të tjerë akoma po përballojnë pasojat e katastrofave natyrore. Gjithë këta vëllezër e motra kanë nevojë për ngushëllim. Si mund t’u gjendemi pranë?
2. Pse apostulli Pavël kishte nevojë hera-herës për ngushëllim?
2 Apostulli Pavël e pati shpesh kokën në rrezik. (2 Kor. 11:23-28) Iu desh edhe të përballonte «një gjemb në trup», siç duket një problem shëndetësor. (2 Kor. 12:7, nwt) Gjithashtu mbeti i zhgënjyer kur Dema, dikur bashkëpunëtor i tij, e braktisi «ngaqë donte këtë botë». (2 Tim. 4:10) Pavli ishte një i mirosur i guximshëm që i ndihmonte të tjerët me altruizëm, por hera-herës edhe atë e lëshonte zemra.—Rom. 9:1, 2.
3. Kush i dha Pavlit ngushëllim e mbështetje?
3 Si mori Pavli ngushëllimin dhe mbështetjen që i nevojitej? Me siguri Jehovai përdori frymën e Tij të shenjtë për t’i dhënë forcë. (2 Kor. 4:7; Filip. 4:13) Jehovai e ngushëlloi edhe me anë të bashkëbesimtarëve. Për disa prej tyre, Pavli tha se ishin një «burim i madh ngushëllimi». (Kolos. 4:11, nwt) Ndër ata që përmendi me emër, ishin Aristarku, Tikiku dhe Marku. Ata i dhanë forcë Pavlit të qëndronte në sprova. Cilat cilësi i ndihmuan këta vëllezër të ishin ngushëllues kaq të mirë? Si mund ta imitojmë shembullin e tyre të shkëlqyer ndërsa përpiqemi të ngushëllojmë e të inkurajojmë njëri-tjetrin?
BESNIK SI ARISTARKU
4. Si tregoi Aristarku se ishte mik besnik i Pavlit?
4 Aristarku, një vëlla maqedon nga Selaniku, tregoi se ishte mik besnik i Pavlit. Për Aristarkun lexojmë për herë të parë kur Pavli vizitoi Efesin gjatë udhëtimit të tretë misionar. Ndërkohë që shoqëronte Pavlin, Aristarkun e mori me forcë një turmë. (Vep. 19:29) Kur më në fund e lanë të lirë, ai nuk u përpoq të mbronte kokën, por me besnikëri i qëndroi pranë Pavlit. Ca muaj më vonë, në Greqi, Aristarku ishte ende përkrah tij ndonëse kundërshtarët përsëri kërkonin ta vritnin Pavlin. (Vep. 20:2-4) Rreth vitit 58 të e.s., kur Pavlin e nisën për në Romë si të burgosur, Aristarku e shoqëroi në atë udhëtim të gjatë, dhe së bashku mbijetuan kur anija u shkatërrua në det. (Vep. 27:1, 2, 41) Me të mbërritur në Romë, duket se qëndroi ca kohë me Pavlin në burg. (Kolos. 4:10) S’është çudi që Pavli u inkurajua e u ngushëllua nga një mik kaq besnik!
5. Sipas Proverbave 17:17, si mund të jemi miq besnikë?
5 Si Aristarku, mund të jemi miq besnikë duke u qëndruar pranë vëllezërve e motrave jo vetëm në kohë të mira, por edhe «në ditë të vështira». (Lexo Proverbat 17:17.) Edhe pasi sprova ka kaluar, ata mund të kenë ende nevojë për ngushëllim. Franka,b që humbi të dy prindërit nga kanceri brenda tre muajve, thotë: «Mendoj se sprovat e rënda na shkaktojnë vuajtje për një kohë të gjatë. U jam mirënjohëse miqve besnikë që nuk harrojnë se ende e kam zemrën plagë, edhe pse ka kaluar ca kohë nga vdekja e prindërve.»
6. Për çfarë do të na motivojë besnikëria?
6 Miqtë besnikë bëjnë sakrifica që t’u gjenden pranë vëllezërve e motrave. Për shembull, një vëlla me emrin Piter u diagnostikua me një sëmundje agresive vdekjeprurëse. E shoqja, Katrina, thotë: «Një çift në kongregacion na çoi te takimi me mjekun, ku morëm vesh për sëmundjen e Piterit. Ata vendosën në çast se nuk do të na linin vetëm gjatë këtij rrugëtimi të dhimbshëm dhe na kanë qëndruar pranë sa herë kemi pasur nevojë.» Sa ngushëlluese është të kesh miq të vërtetë që mund të të ndihmojnë t’i përballosh sprovat!
I BESUESHËM SI TIKIKU
7-8. Sipas Kolosianëve 4:7-9, si tregoi Tikiku se ishte i besueshëm?
7 Tikiku, një i krishterë nga provinca romake e Azisë, spikat si mik i besueshëm i Pavlit. (Vep. 20:4) Rreth vitit 55 të e.s., Pavli organizoi mbledhjen e kontributeve për të ndihmuar të krishterët në Jude, dhe Tikiku mund ta ketë ndihmuar në këtë caktim të rëndësishëm. (2 Kor. 8:18-20) Më vonë, kur Pavli ishte për herë të parë i burgosur në Romë, Tikiku shërbeu si lajmëtari i tij. Ai u dërgoi kongregacioneve të Azisë letrat dhe mesazhet inkurajuese të Pavlit.—Kolos. 4:7-9.
8 Tikiku mbeti mik i besuar i Pavlit. (Titit 3:12) Jo të gjithë të krishterët në atë kohë ishin aq të besueshëm sa Tikiku. Rreth vitit 65 të e.s., gjatë burgosjes së dytë, Pavli shkroi se shumë të krishterë në provincën e Azisë i shmangeshin, mbase nga frika e kundërshtarëve. (2 Tim. 1:15) Gjithsesi, Pavli mund të mbështetej te Tikiku, ndaj i dha edhe një caktim tjetër. (2 Tim. 4:12) Me siguri që Pavli e vlerësonte një mik kaq të mirë si Tikiku.
9. Si mund të imitojmë Tikikun?
9 Mund ta imitojmë Tikikun duke qenë miq të besuar. Për shembull, jo vetëm u premtojmë vëllezërve e motrave se do t’i ndihmojmë kur të kenë nevojë, por bëjmë edhe diçka praktike. (Mat. 5:37; Luka 16:10) Kur e dinë se mund të mbështeten te ne, ata ndihen vërtet të ngushëlluar. Një motër shpjegon pse. Ajo thotë: «E ke zemrën të qetë, sepse e di se personi që të ofroi ndihmën, do të vijë në kohë e do ta mbajë fjalën.»
10. Siç thuhet te Proverbat 18:24, kush mund të jetë burim ngushëllimi për ata që po kalojnë ndonjë sprovë a zhgënjim?
10 Ata që po kalojnë ndonjë sprovë a zhgënjim, shpesh ndihen të ngushëlluar kur i hapin zemrën një miku të besuar. (Lexo Proverbat 18:24.) Bixhei, që u zhgënjye shumë kur i biri u përjashtua, tha: «Kisha nevojë t’ia hapja zemrën një miku të besuar.» Karlosi, që humbi një privilegj të çmuar në kongregacion si pasojë e një gabimi, tha: «Kisha nevojë për ‘një ambient të ngrohtë’ ku të flisja hapur pa frikën e paragjykimit.» Karlosi e gjeti këtë ngrohtësi mes pleqve, që e ndihmuan ta përballonte problemin. E kishte zemrën të qetë edhe ngaqë e dinte se pleqtë ishin të matur dhe se do ta mbanin atë çështje konfidenciale.
11. Si mund të jemi miq të besuar?
11 Që të jemi miq të besuar, kemi nevojë të zhvillojmë durimin. Kur e la i shoqi, Zhana u ndie e lehtësuar pasi u hapi zemrën miqve të ngushtë. Ajo thotë: «Ata më dëgjuan me durim, edhe pse përsëritja veten shumë e shumë herë.» Edhe ti mund të jesh mik i mirë nëse je dëgjues i mirë.
I GATSHËM TË NDIHMOSH SI MARKU
12. Kush ishte Marku, dhe si tregoi një frymë të gatshme?
12 Marku, që quhej edhe Gjon, ishte një i krishterë jude nga Jerusalemi. Kushëriri i tij, Barnaba, ishte një misionar i mirënjohur mes vëllezërve. (Kolos. 4:10) Me sa duket, familja e Markut ka qenë në gjendje të mirë. Gjithsesi për Markun gjërat materiale nuk zinin vendin e parë në jetë. Gjatë gjithë jetës, Marku tregoi një frymë të gatshme. Ai u shërbente të tjerëve me kënaqësi. Për shembull, në rrethana të ndryshme shërbeu përkrah apostullit Pavël dhe apostullit Pjetër ndërsa ata përmbushnin përgjegjësitë e tyre. Marku ka të ngjarë të ketë shërbyer si ndihmës duke u kujdesur për nevojat e tyre. (Vep. 13:2-5; 1 Pjet. 5:13) Pavli tha se Marku ishte një nga ata që ‘bashkëpunonin me të për Mbretërinë e Perëndisë’ dhe «një ndihmë fuqizuese».—Kolos. 4:10, 11, shën., nwt.
13. Si tregon 2 Timoteut 4:11 se Pavli e vlerësonte shërbimin besnik të Markut?
13 Marku u bë një nga miqtë e ngushtë të Pavlit. Për shembull, kur ishte i burgosur për herë të fundit në Romë, rreth vitit 65 të e.s., Pavli shkroi letrën e dytë drejtuar Timoteut. Në atë letër, Pavli i kërkoi Timoteut të shkonte në Romë dhe të merrte me vete Markun. (2 Tim. 4:11) Pa dyshim që Pavli e vlerësonte shërbimin që i kishte bërë Marku me besnikëri në të kaluarën, ndaj kërkoi të ishte i pranishëm në atë moment tejet të rëndësishëm. Marku e ndihmoi Pavlin në mënyra praktike, mbase duke i siguruar ushqim dhe rrotullat me bojën. Mbështetja dhe inkurajimi që mori, duket se e ndihmuan Pavlin të përballonte ditët e fundit të jetës para se të ekzekutohej.
14-15. Në përputhje me Mateun 7:12, si mund t’i ndihmojmë të tjerët praktikisht?
14 Lexo Mateun 7:12. Sa shumë i vlerësojmë ata që ofrojnë ndihmë praktike në kohë të vështira! «Kur je duke vuajtur, edhe gjërat e përditshme të duken të pamundura,—thotë Rajani, të cilit i vdiq i ati krejt papritur në një aksident vdekjeprurës.—Ndihma praktike, edhe kur duket e papërfillshme, bën goxha punë.»
15 Ka të ngjarë të gjejmë mënyra praktike për t’i ndihmuar të tjerët nëse jemi të vëmendshëm e vëzhgues. Për shembull, një motër mori iniciativën t’i shoqëronte gjithnjë për te mjeku Piterin dhe Katrinën, të përmendur më sipër. As Piteri e as Katrina nuk i jepnin dot më makinës, prandaj motra bëri një program që, me radhë, vullnetarë nga kongregacioni t’u siguronin transport. A ndihmoi kjo? Katrina thotë: «Ndiem sikur na u hoq një barrë nga shpatullat.» Mos e nënvlerëso kurrë ngushëllimin që mund të sjellin veprimet e tua të dashura e praktike, sado të vogla.
16. Ç’mësim të rëndësishëm nxjerrim nga Marku për sa i përket dhënies së ngushëllimit?
16 Pa dyshim që dishepulli Mark ishte një i krishterë goxha i zënë me punë. Ai kishte caktime të rëndësishme teokratike, si për shembull të shkruante Ungjillin që mban emrin e tij. Gjithsesi Marku gjeti kohë të ngushëllonte Pavlin, dhe Pavli ndihej rehat t’i kërkonte ndihmë. Anxhela, që iu desh të përballonte vdekjen tragjike të një familjari, i vlerësonte ata që ishin po njësoj të gatshëm ta ngushëllonin. «E ke me të lehtë të flasësh me miq që duan vërtet të të ndihmojnë,—thotë ajo.—Ata nuk stepen e nuk kanë frikë të të afrohen.» Mund të pyesim veten: «A njihem si njeri që dua t’i ngushëlloj vëllezërit e motrat në mënyra praktike?»
JI I VENDOSUR T’I NGUSHËLLOSH TË TJERËT
17. Si na motivon meditimi për 2 Korintasve 1:3, 4 të ngushëllojmë të tjerët?
17 Është e lehtë të gjesh vëllezër e motra që kanë nevojë për ngushëllim. Mbase mund t’i ndihmosh me të njëjtat mendime inkurajuese që kanë përdorur të tjerë për të të ngushëlluar ty. Nina, një motër së cilës i vdiq gjyshja, thotë: «Jehovai mund t’i ngushëllojë të tjerët përmes nesh, nëse e lejojmë të na përdorë.» (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) Franka, e përmendur më sipër, thotë: «Sa të vërteta janë fjalët e 2 Korintasve 1:4! Mund t’i ngushëllojmë të tjerët me po atë ngushëllim që kemi marrë.»
18. (a) Pse disa mund të kenë frikë t’i ngushëllojnë të tjerët? (b) Si mund të jemi ngushëllues të efektshëm? Jepni një shembull.
18 Kemi nevojë të marrim iniciativën për t’i ndihmuar të tjerët pavarësisht frikës. Për shembull, mbase kemi frikë se nuk dimë ç’të themi a ç’të bëjmë për dikë që ka nevojë për ngushëllim. Një plak me emrin Pol kujton si e ngushëlluan disa pas vdekjes së babait. Ai thotë: «E dalloja që s’e kishin të lehtë të më afroheshin. Nuk dinin ç’të thoshin. Gjithsesi e vlerësoja dëshirën e tyre për të më ngushëlluar e ndihmuar.» Po njësoj, pas një tërmeti të fuqishëm, një vëlla me emrin Tajon, tha: «Sinqerisht, nuk kujtoj çdo mesazh që mora ditët pas tërmetit, por nuk e harroj sa merak kishin vëllezërit për mua në isha mirë apo jo.» Edhe ne mund të jemi ngushëllues të efektshëm nëse tregojmë merak për të tjerët.
19. Pse je i vendosur të jesh «burim i madh ngushëllimi»?
19 Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, kushtet botërore do të përkeqësohen dhe jeta do të vështirësohet. (2 Tim. 3:13) E do të kemi ende nevojë për ngushëllim, pasi jemi të papërsosur dhe vazhdojmë të bëjmë gabime. Apostulli Pavël ia doli të qëndronte besnik deri në fund të jetës, deri diku falë ngushëllimit që mori nga të bashkëkrishterët. Qofshim besnikë si Aristarku, të besueshëm si Tikiku dhe të gatshëm për të ndihmuar si Marku! Kështu mund t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat të qëndrojnë të patundur në besim.—1 Sel. 3:2, 3.
a Apostulli Pavël kaloi shumë vështirësi në jetë. Në kohë të vështira, disa bashkëpunëtorë i sollën shumë ngushëllim. Në këtë artikull do të flasim për tri cilësi që i ndihmuan këta bashkëpunëtorë të ishin ngushëllues kaq të mirë. Do të shohim edhe si mund të ndjekim shembullin e tyre në mënyra praktike.
b Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.
KËNGA 111 Arsyet e gëzimit tonë
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Aristarku dhe Pavli mbijetuan së bashku kur iu shkatërrua anija.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Tikikut iu besuan letrat e Pavlit për t’ua dërguar kongregacioneve.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Marku e ndihmoi Pavlin në mënyra praktike.