Pse Zoti nuk u përgjigjet të gjitha lutjeve?
Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova, i dëgjon me dëshirë e kënaqësi lutjet tona të sinqerta. Por ka gjëra që e pengojnë Zotin t’u përgjigjet lutjeve tona. Cilat janë ato dhe çfarë të mbajmë parasysh kur lutemi? Ja disa pika orientuese nga Bibla.
«Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra.»—Mateu 6:7.
Jehovai nuk do që të përsëritim lutje të mësuara përmendsh ose t’i lexojmë nga një libër lutjesh. Ai do që të flasim nga zemra. Imagjino sa acaruese do të ishte nëse një mik të thotë të njëjtat fjalë ditë për ditë! Miqtë e mirë janë të hapur e të sinqertë me njëri-tjetrin. Kur i lutemi me fjalët tona, po i tregojmë diçka personale Atit tonë qiellor.
«Edhe kur kërkoni, ju nuk merrni, sepse kërkoni për një qëllim të gabuar.» —Jakovi 4:3.
Sigurisht nuk do të prisnim që Perëndia t’u përgjigjej lutjeve tona, nëse i kërkojmë gjëra që ai nuk do që t’i bëjmë ose t’i kemi. Për shembull, a do t’i përgjigjej Jehovai një bixhozçiu që i lutet për fat dhe pará, kur e ka bërë fare të qartë se është kundër lakmisë dhe besimit supersticioz te fati? (Isaia 65:11; Luka 12:15) Sa e palogjikshme do të ishte të prisnim që Jehovai t’u përgjigjej këtyre lutjeve! Që Zoti t’u përgjigjet lutjeve tona, duhet t’i lutemi në harmoni me kërkesat e tij në Bibël.
«Të pështira janë lutjet e atij që i mbyll veshët para ligjit.»—Proverbat 28:9.
Në kohët e Biblës, Perëndia nuk u përgjigjej atyre që hidhnin poshtë ligjet e tij të drejta. (Isaia 1:15, 16) Ai mendon po njësoj edhe sot. (Malakia 3:6) Në rast se duam që t’u përgjigjet lutjeve tona, duhet të bëjmë çmos të jetojmë sipas ligjeve të tij. Po nëse kemi bërë gabime në të shkuarën? A do të thotë kjo se Jehovai nuk do të na dëgjojë kurrë? Sigurisht që jo! Perëndia do të na falë me dashuri nëse kthejmë rrugë dhe bëjmë më të mirën për ta kënaqur.—Veprat 3:19.