ARTIKULLI I STUDIMIT 36
Populli i Jehovait e do drejtësinë
«Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë.»—MAT. 5:6.
KËNGA 9 Jehovai është Mbreti ynë!
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë sprove hasi Jozefi, dhe si veproi?
JOZEFI, djali i Jakobit, u gjend para një sprove të vështirë. Gruaja e zotërisë së tij, Potifarit, i tha: «Fli me mua!» Por ai e refuzoi propozimin e saj. Mbase dikush mund të pyesë: «Pse i rezistoi Jozefi tundimit?» Potifari nuk ishte aty. Për më tepër, Jozefi ishte skllav në atë shtëpi, dhe kjo grua me siguri mund t’ia nxinte jetën nëse ai nuk pranonte. Prapëseprapë, Jozefi nuk u dorëzua para presionit të saj të vazhdueshëm. Pse? Ai tha: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?»—Zan. 39:7-12.
2. Nga e dinte Jozefi se kurorëshkelja ishte mëkat në sytë e Perëndisë?
2 Nga e dinte Jozefi se Perëndia e konsideronte një «të keqe të madhe» kurorëshkeljen? Ligji i Moisiut që urdhëronte qartë «mos kryej kurorëshkelje», do të shkruhej rreth 200 vjet më vonë. (Eks. 20:14) Por Jozefi e njihte aq mirë Jehovain, sa të kuptonte si ndihej për sjelljen imorale. Për shembull, Jozefi e dinte mirë se Jehovai e krijoi martesën si një lidhje mes një burri dhe një gruaje. E pa dyshim kishte dëgjuar se si ndërhyri Jehovai në dy raste për të mbrojtur stërgjyshen e tij, Sarën, kur rrezikonte t’i cenohej nderi. Në një mënyrë të ngjashme, Perëndia ndërhyri që të mbronte edhe gruan e Isakut, Rebekën. (Zan. 2:24; 12:14-20; 20:2-7; 26:6-11) Ndërsa Jozefi arsyetonte për këto gjëra, arriti të kuptonte çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar në sytë e Perëndisë. Ngaqë e donte Perëndinë, donte edhe standardin e Jehovait për drejtësinë dhe ishte i vendosur të jetonte në harmoni me të.
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 A e do drejtësinë? Patjetër që po. Por të gjithë jemi të papërsosur dhe, po nuk bëmë kujdes, mund të ndikohemi kollaj nga pikëpamja e botës për drejtësinë. (Isa. 5:20; Rom. 12:2) Prandaj do të shqyrtojmë çfarë është drejtësia dhe si na përmirësohet jeta kur bëjmë atë që është e drejtë. Pastaj do të shohim tre hapa që na ndihmojnë të forcojmë dashurinë për standardet e Jehovait.
ÇFARË ËSHTË DREJTËSIA?
4. Çfarë tiparesh nuk shfaqin njerëzit e drejtë?
4 Shumë njerëz që e mbajnë veten për të drejtë janë krenarë, kritikues dhe u duket vetja më të mirë se të tjerët. Por Perëndisë nuk i pëlqejnë fare këto tipare. Kur ishte në tokë, Jezui i kritikoi ashpër krerët fetarë ngaqë vendosnin standardin e vet për drejtësinë. (Ekl. 7:16; Luka 16:15) Kush bën atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, nuk e sheh kurrë veten më lart se të tjerët.
5. Sipas Biblës, çfarë është drejtësia? Jepni shembuj.
5 Drejtësia është një cilësi e bukur. Me pak fjalë do të thotë të bësh atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë Jehova. Në Bibël, fjalët që përdoren për «drejtësinë» nënkuptojnë të jetosh në përputhje me standardet me të larta—standardet e Jehovait. Për shembull, Jehovai i urdhëroi tregtarët të përdornin ‘pesha të drejta’. (Ligj. 25:15) Prandaj, një i krishterë që dëshiron të jetë i drejtë para Perëndisë, duhet të jetë plotësisht i ndershëm në të gjitha marrëdhëniet e biznesit. Gjithashtu, kush e do drejtësinë nuk duron dot kur sheh dikë të trajtohet padrejtësisht. Dhe ‘që t’i pëlqejë plotësisht Jehovait’, një person i drejtë merr parasysh mendimin e Perëndisë për vendimet që merr.—Kolos. 1:10.
6. Pse mund të kemi besim te standardi i Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën? (Isaia 55:8, 9)
6 Bibla e përshkruan Jehovain si Burimin e drejtësisë. Ja pse e quan edhe ‘vatra e drejtësisë’. (Jer. 50:7) Si Krijuesi, vetëm Jehovait i takon të përcaktojë standardin për të drejtën dhe të gabuarën. Ngaqë është i përsosur, pikëpamja e Tij për të drejtën dhe të gabuarën është ku e ku më lart se pikëpamja jonë, që shpesh shtrembërohet nga papërsosmëria dhe mëkati. (Prov. 14:12; lexo Isainë 55:8, 9.) Megjithatë, ne jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë, ndaj është e mundur të jetojmë sipas standardit të tij të drejtësisë. (Zan. 1:27) Sa na pëlqen kjo! Dashuria për Atin tonë na motivon të bëjmë çmos për ta imituar.—Efes. 5:1.
7. Pse na duhen standarde të besueshme? Ilustrojeni.
7 Nxjerrim dobi kur jetojmë sipas standardit të Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën. Pse e themi këtë? Imagjino çfarë do të ndodhte nëse çdo bankë vendoste standardin e saj për të përcaktuar vlerën e valutës. Ose sikur çdo firmë ndërtimi të vendoste vetë standardet për ndërtimin. Kjo do të sillte një kaos të vërtetë. Dhe, nëse personeli mjekësor nuk ndjek disa standarde të përcaktuara për trajtimin e pacientëve, mund të shkaktojë vdekjen e ndonjë pacienti. Pra kuptohet, standardet e besueshme janë mbrojtje. Po njësoj, standardi i Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën na mbron.
8. Çfarë bekimesh i presin ata që duan të bëjnë ç’është e drejtë?
8 Jehovai i bekon ata që përpiqen të jetojnë në harmoni me standardet e tij. Ai premton: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psal. 37:29) A e përfytyron dot unitetin, paqen dhe lumturinë që do të gëzojë njerëzimi, kur të gjithë të ndjekin standardet e Jehovait? Ai dëshiron të shijojmë jetën në kushte të tilla. Pa diskutim, secili nga ne ka arsye të forta për ta dashur drejtësinë. Si mund ta shtojmë dashurinë për këtë cilësi? Le të shohim tre hapa.
FORCOJE DASHURINË PËR STANDARDET E JEHOVAIT
9. Çfarë do të na ndihmojë ta duam drejtësinë?
9 Hapi 1: Duaje Personin që vendos standardet. Që ta duam drejtësinë, duhet të thellojmë dashurinë për Atë që ka vendosur standardin për të drejtën dhe të gabuarën. Sa më shumë ta duam Jehovain, aq më shumë do të dëshirojmë të jetojmë sipas standardeve të tij të drejta. Për shembull, nëse Adami dhe Eva do ta kishin dashur Jehovain, nuk do ta kishin shkelur kurrë ligjin e tij të drejtë.—Zan. 3:1-6, 16-19.
10. Si e njohu më mirë Abrahami Jehovain?
10 Natyrisht nuk dëshirojmë të bëjmë të njëjtin gabim si Adami dhe Eva. E shmangim këtë gabim nëse vazhdojmë të mësojmë për Jehovain, të çmojmë cilësitë e tij dhe të përpiqemi të kuptojmë mënyrën si mendon ai. Kështu do të na rritet dashuria për Jehovain. Mendo për Abrahamin. Ai e donte shumë Jehovain. Madje, edhe kur e kishte të vështirë t’i kuptonte vendimet e Tij, Abrahami nuk u rebelua. Përkundrazi u përpoq ta njihte më mirë Jehovain. Për shembull, kur mori vesh vendimin e Jehovait për të shkatërruar Sodomën dhe Gomorrën, në fillim Abrahami kishte merak se mos «Gjykatësi i gjithë tokës» do të shfaroste të drejtin bashkë me të ligun. Kjo ishte e paimagjinueshme për Abrahamin, prandaj plot përulësi i bëri disa pyetje Jehovait. Me durim, Jehovai iu përgjigj të gjitha pyetjeve. Në fund, Abrahami e kuptoi se Jehovai shqyrton çdo zemër dhe nuk e ndëshkon kurrë fajtorin bashkë me të pafajshmin.—Zan. 18:20-32.
11. Si e tregoi Abrahami se e donte Jehovain dhe se kishte besim tek ai?
11 Biseda që bëri me Jehovain për qytetet e Sodomës dhe Gomorrës ndikoi thellë te Abrahami. Pa diskutim që iu shtua dashuria dhe respekti për Atin e tij. Por vite më vonë, Abrahamit iu sprovua besimi si kurrë më parë. Jehovai i kërkoi të flijonte birin e tij të shtrenjtë, Isakun. Mirëpo, tani Abrahami e njihte më mirë Perëndinë e tij, ndaj kësaj here nuk i bëri asnjë pyetje. Abrahami thjesht nisi të bënte atë që i kërkoi Jehovai. Imagjino sa i therte në zemër ndërsa përgatitej të flijonte të birin! Abrahami duhet të ketë menduar thellë rreth asaj që kishte mësuar për Jehovain. E dinte se Ai s’do të bënte kurrë diçka të padrejtë dhe mizore. Sipas apostullit Pavël, Abrahami arsyetoi se Jehovai kishte fuqinë ta ringjallte Isakun, birin e tij të dashur. (Hebr. 11:17-19) Fundja, Jehovai kishte premtuar se nga Isaku do të vinte një komb, dhe deri në atë moment, Isaku nuk kishte fëmijë. Abrahami e donte Jehovain, prandaj ishte i sigurt se Ati i tij do të vepronte me drejtësi. Ai iu bind plot besim, ndonëse ishte tepër e vështirë.—Zan. 22:1-12.
12. Si mund ta imitojmë Abrahamin? (Psalmi 73:28)
12 Si mund ta imitojmë Abrahamin? Duhet të vazhdojmë të mësojmë për Jehovain. Kështu do t’i afrohemi më shumë e do ta duam më fort. (Lexo Psalmin 73:28.) Do ta stërvitim ndërgjegjen që të pasqyrojë mënyrën si mendon Perëndia. (Hebr. 5:14) Si rezultat, kur dikush të na tundojë për diçka të gabuar, do ta refuzojmë. Madje edhe vetëm mendimi se do të lëndojmë Atin tonë dhe do të dëmtojmë miqësinë me të, do të na ngjallë neveri. Në cilat mënyra të tjera tregojmë se e duam drejtësinë?
13. Si mund ta kërkojmë me ngulm drejtësinë? (Proverbat 15:9)
13 Hapi 2: Përpiqu çdo ditë ta forcosh dashurinë për drejtësinë. Mund ta forcojmë dashurinë për standardin e Jehovait për drejtësinë ashtu siç forcojmë një muskul—nëpërmjet përpjekjeve të rregullta dhe sistematike. Këto përpjekje duhet të jenë të përditshme. Jehovai është i arsyeshëm dhe kurrë nuk pret nga ne më tepër se ç’mund të bëjmë. (Psal. 103:14) Ai na siguron se «e do njeriun që kërkon me ngulm drejtësinë». (Lexo Proverbat 15:9.) Kur kemi një synim në shërbim të Jehovait, përpiqemi me të gjitha forcat për ta arritur. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë kur kërkojmë me ngulm drejtësinë. Jehovai do të na ndihmojë me durim që të përparojmë e të përmirësohemi dita-ditës.—Psal. 84:5, 7.
14. Çfarë është ‘parzmorja e drejtësisë’, dhe pse kemi nevojë për të?
14 Me përzemërsi, Jehovai na kujton se të veprosh me drejtësi nuk është barrë. (1 Gjon. 5:3) Përkundrazi është një mbrojtje për të cilën kemi nevojë çdo ditë. Apostulli Pavël foli për armaturën që jep Perëndia. (Efes. 6:14-18) Cila pjesë e armaturës mbronte zemrën e një të krishteri? ‘Parzmorja e drejtësisë’ që përfaqëson standardet e drejta të Jehovait. Ashtu si një parzmore mbron zemrën e mirëfilltë, po njësoj standardet e drejta të Jehovait mund të mbrojnë zemrën e figurshme, ku përfshihen ndjenjat, dëshirat dhe mendimet. Prandaj, sigurohu që armaturës tënde të mos i mungojë parzmorja e drejtësisë!—Prov. 4:23.
15. Si mund ta veshësh parzmoren e drejtësisë?
15 Si mund ta veshësh parzmoren e drejtësisë? Duke mbajtur parasysh standardet e Perëndisë në vendimet që merr përditë. Kur vendos çfarë të flasësh, çfarë muzike të dëgjosh, çfarë programesh të shohësh ose çfarë librash të lexosh, në fillim pyet veten: «Me çfarë do ta ushqej zemrën time? A do ta miratonte Jehovai këtë zbavitje? Apo kjo zbavitje reklamon gjëra të padrejta në sytë e Jehovait, si imoraliteti, dhuna, lakmia dhe egoizmi?» (Filip. 4:8) Nëse vendimet e tua përputhen me vullnetin e Jehovait, po lejon standardet e tij të drejta të të mbrojnë zemrën.
16-17. Si na siguron Isaia 48:18 se është e mundur të jetojmë gjithmonë në harmoni me standardet e Jehovait?
16 A të bren ndonjëherë meraku se mos me kalimin e kohës nuk do të jetosh dot sipas standardeve të drejta të Jehovait? Të shqyrtojmë një ilustrim që përdori Jehovai tek Isaia 48:18. (Lexoje.) Jehovai premton se drejtësia jonë do të jetë «si valët e detit». Imagjino sikur je ulur buzë një deti të paanë, duke parë valët që ndjekin njëra-tjetrën pareshtur dhe përqafojnë bregun. Mes këtij peizazhi të qetë, a do të merakoseshe se në një moment valët do të mbaronin? Jo. Ti e di se valët në atë breg nuk kanë reshtur për mijëra vjet dhe me siguri nuk kanë për të ndalur ndonjëherë.
17 Drejtësia jote mund të jetë tamam si valët e detit. Në ç’mënyrë? Kur je para një vendimi, në fillim shqyrto çfarë dëshiron Jehovai që të bësh. Pastaj vepro ashtu. Sado i vështirë të jetë vendimi, Ati yt i dashur gjithmonë do të të japë forcë e do të të ndihmojë të jetosh ditë pas dite sipas standardeve të tij të drejta.—Isa. 40:29-31.
18. Pse nuk duhet t’i gjykojmë të tjerët sipas standardeve tona?
18 Hapi 3: Lëre gjykimin në dorë të Jehovait. Ndërsa përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të Jehovait, nuk duhet të gjykojmë të tjerët dhe ta mbajmë veten për të drejtë. Kështu, në vend që t’i shohim të tjerët si më të ulët, duke menduar se kemi të drejtën t’i gjykojmë në bazë të standardeve tona, duhet të mbajmë parasysh se Jehovai është «Gjykatësi i gjithë tokës». (Zan. 18:25) Jehovai nuk na ka caktuar ne të gjykojmë. Në fakt, Jezui urdhëroi: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.»—Mat. 7:1.b
19. Si tregoi Jozefi se kishte besim te gjykimi i Jehovait?
19 Të shohim përsëri shembullin e Jozefit, që ishte njeri i drejtë. Ai nuk i gjykoi të tjerët, madje as ata që e trajtuan keq. Vëllezërit e tij e sulmuan, e shitën si skllav dhe i mbushën mendjen babait se Jozefi kishte vdekur. Vite më vonë, Jozefi u bashkua me familjen. Tani, si një udhëheqës i fuqishëm, mund t’i kishte gjykuar ashpër dhe të hakmerrej kundër tyre. Këtë kishin frikë edhe vëllezërit e Jozefit, ndonëse ishin penduar sinqerisht për gabimin e tyre. Por, Jozefi i siguroi me fjalët: «Mos kini frikë. Mos jam Perëndia unë?!» (Zan. 37:18-20, 27, 28, 31-35; 50:15-21) Me përulësi, Jozefi ia la gjykimin atij që i takonte, Jehovait.
20-21. Si tregojmë se nuk e mbajmë veten më të drejtë se të tjerët?
20 Ashtu si Jozefi, edhe ne e lëmë gjykimin në dorë të Jehovait. Për shembull, nuk pretendojmë se i dimë motivet që qëndrojnë pas veprimeve të vëllezërve dhe motrave. Ne s’mund të lexojmë zemrat; vetëm ‘Jehovai i shqyrton motivet’. (Prov. 16:2) Ai i do të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prejardhja dhe kultura. E Jehovai na nxit ‘t’i hapim plotësisht dyert e zemrës’. (2 Kor. 6:13) Prandaj duhet të përpiqemi fort t’i duam të gjithë vëllezërit e motrat, dhe jo t’i gjykojmë.
21 Gjithashtu nuk duhet të gjykojmë as ata që nuk janë pjesë e kongregacionit. (1 Tim. 2:3, 4) A do ta gjykoje një të afërm që nuk është Dëshmitar duke thënë: «Ai s’ka për ta marrë ndonjëherë të vërtetën.» Jo, sepse kështu do të vepronim me arrogancë dhe do ta mbanim veten si më të drejtë se të tjerët. Jehovai po u jep akoma një mundësi për t’u penduar «të gjithë njerëzve kudo qofshin». (Vep. 17:30) Mos harro kurrë: kush mendon se është më i drejtë se të tjerët, është i padrejtë në sytë e Perëndisë.
22. Pse je i vendosur ta duash drejtësinë?
22 Urojmë që dashuria jonë për standardin e Jehovait për drejtësinë të jetë burim gëzimi, si edhe t’i motivojë të tjerët të afrohen me ne dhe me Perëndinë tonë. Qofshim gjithmonë «të uritur dhe të etur për drejtësinë». (Mat. 5:6) Ji i sigurt se Jehovai u kushton vëmendje përpjekjeve të tua dhe se është përherë i kënaqur me përparimin që bën. Ndërsa njerëzit në këtë botë bëhen gjithnjë e më të padrejtë, merr zemër! Mos harro kurrë se «Jehovai i do të drejtët»!—Psal. 146:8.
KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re
a Është e vështirë të gjesh njerëz të drejtë në këtë botë të ligë. E megjithatë, miliona veta po ndjekin një rrugë të drejtë. Pa dyshim ti je një prej tyre. Po ecën në këtë rrugë sepse do Jehovain, dhe Ai e do drejtësinë. Si mund ta shtojmë dashurinë për këtë cilësi të bukur? Në këtë artikull do të shqyrtojmë çfarë është drejtësia dhe si na përmirësohet jeta kur bëjmë ç’është e drejtë. Do të shohim edhe cilat hapa duhet të bëjmë që ta shtojmë dashurinë për këtë cilësi.
b Me raste, pleqtë e kongregacionit duhet të gjykojnë çështje që lidhen me mëkate serioze dhe me pendimin. (1 Kor. 5:11; 6:5; Jak. 5:14, 15) Megjithatë, me përulësi mbajnë në mendje se nuk mund të lexojnë zemrat dhe se po gjykojnë për Jehovain. (Krahaso 2 Kronikave 19:6.) Ata zbatojnë me merak standardin e drejtësisë së Perëndisë, që është i ekuilibruar dhe i mëshirshëm.