ARTIKULLI I STUDIMIT 41
Ti mund të jesh vërtet i lumtur!
«Lum kush nderon thellësisht Jehovain dhe ecën në udhët e tij!»—PSAL. 128:1.
KËNGA 110 «Gëzimi i Jehovait është kalaja jonë»
PËRMBLEDHJEa
1. Pse lumturia jonë lidhet ngushtë me faktin që ‘kemi nevojë për Perëndinë’?
LUMTURIA e vërtetë nuk është thjesht një ndjenjë hareje kalimtare. Ajo mund ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës. Po si arrihet kjo? Jezui e shpjegoi në Predikimin në Mal, kur tha: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë!» (Mat. 5:3) Me fjalë të tjera, Jezui e dinte se njerëzit janë krijuar me dëshirën e zjarrtë që të njohin dhe të adhurojnë Krijuesin e tyre, Perëndinë Jehova. E përderisa Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’, edhe ata që e adhurojnë mund të jenë të lumtur.—1 Tim. 1:11.
2-3. (a) Cilët përmendi Jezui ndër ata që mund të jenë vërtet të lumtur? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?
2 A duhet ta kemi jetën fushë me lule për të qenë të lumtur? Jo. Në Predikimin në Mal, Jezui tha diçka të çuditshme: «Ata që vajtojnë»—ose ngaqë ndihen të dërrmuar për shkak të gabimeve të tyre, ose ngaqë përballojnë probleme stresuese—mund të jenë të lumtur. Jezui shtoi se edhe «ata që përndiqen për hir të drejtësisë» ose që ‘i poshtërojnë’ ngaqë janë dishepuj të tij mund të jenë të lumtur. (Mat. 5:4, 10, 11) Por si është e mundur të jesh vërtet i lumtur në rrethana të tilla?
3 Jezui po mësonte se lumturia nuk vjen kur kemi rrethanat ideale, por kur e kuptojmë se kemi nevojë për Perëndinë dhe afrohemi me Të. (Jak. 4:8) Si mund ta plotësojmë këtë nevojë? Tani do të shohim tri hapa të rëndësishëm që mund të na ndihmojnë të jemi vërtet të lumtur.
USHQEHU NGA FJALA E PERËNDISË
4. Cili është hapi i parë drejt lumturisë së vërtetë? (Psalmi 1:1-3)
4 HAPI 1: Që të jemi vërtet të lumtur, duhet të ushqehemi nga Fjala e Perëndisë. Njerëzit dhe kafshët kanë nevojë për ushqim fizik që të jetojnë. Por vetëm njerëzit mund të ushqehen nga Fjala e Perëndisë. E është jetësore ta bëjnë këtë. Ja pse Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mat. 4:4) Prandaj nuk duhet të lëmë të kalojë asnjë ditë pa u ushqyer nga Fjala e çmuar e Perëndisë, Bibla. Psalmisti tha: ‘Lum njeriu që gjen ëndje në ligjin e Jehovait dhe e lexon nën zë ditë e natë.’—Lexo Psalmin 1:1-3.
5-6. (a) Çfarë mësojmë nga Bibla? (b) Si mund të na ndihmojë leximi i Biblës?
5 Nga dashuria që ka për ne, Jehovai na ka dhënë në Bibël informacione jetësore si të bëjmë një jetë të lumtur. Prej saj mësojmë çfarë qëllimi ka për ne. Mësojmë si mund të afrohemi me Perëndinë dhe ç’duhet të bëjmë që të na i falë gabimet. Gjithashtu mësojmë çfarë shprese të mrekullueshme na ka dhënë për të ardhmen. (Jer. 29:11) Këto të vërteta që zbulojmë gjatë studimit të Biblës na e mbushin zemrën me gëzim.
6 Veç kësaj, Bibla është plot me këshilla praktike për jetën e përditshme. Zbatimi i këtyre këshillave mund të na bëjë të lumtur. Sa herë të lëshon zemra nga hallet e jetës, kushtoji më shumë kohë leximit të Fjalës së Jehovait dhe meditimit rreth saj. Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:28.
7. Si mund ta shijosh sa më shumë leximin e Fjalës së Perëndisë?
7 Ndërsa lexon Fjalën e Perëndisë, merre shtruar, që ta shijosh atë që lexon. Sa për ta ilustruar, a të ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë: dikush gatuan një nga ushqimet e tua të preferuara. Por ti ndoshta e ke me nxitim ose të ziejnë njëqind mendime në kokë, ndaj ha shpejt e shpejt pa e shijuar tamam. Pasi mbaron, e kupton se hëngre tepër shpejt dhe do të doje ta kishe shijuar çdo kafshatë me ngadalë. Po njësoj, ndonjëherë mund ta lexojmë Biblën aq nxitimthi, sa nuk arrijmë ta shijojmë mesazhin që përcjell ajo. Prandaj lër kohë të kënaqesh me leximin e Fjalës së Perëndisë. Përfytyroje atë që po ndodh, dëgjo tingujt e zërat dhe bluaji në mendje gjërat që lexove. Nëse vepron kështu, do të ndihesh më i lumtur.
8. Si po e përmbush rolin e tij «skllavi besnik dhe i mençur»? (Shih edhe shënimin.)
8 Jezui emëroi ‘skllavin besnik dhe të mençur’ për të siguruar ushqim në kohën e duhur, dhe ne kemi me bollëk ç’na nevojitet për ta mbajtur besimin të fortë.b (Mat. 24:45) Shkrimet e frymëzuara janë përbërësi kryesor i ushqimit që siguron skllavi besnik. (1 Sel. 2:13) Ky ushqim na ndihmon të kuptojmë mënyrën si mendon Jehovai, e cila zbulohet në Bibël. Ja pse lexojmë revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe artikujt në jw.org, përgatitemi për mbledhjen e mesjavës e atë të fundjavës, si edhe shohim programin mujor në JW Broadcasting®. Nëse ushqehemi mirë nga Fjala e Perëndisë, do të jemi në gjendje të hedhim hapin e dytë drejt lumturisë së vërtetë.
JETO SIPAS STANDARDEVE TË JEHOVAIT
9. Cili është hapi i dytë drejt lumturisë së vërtetë?
9 HAPI 2: Që të jemi vërtet të lumtur, duhet të jetojmë sipas standardeve të Jehovait. Psalmisti shkroi: «Lum kush nderon thellësisht Jehovain dhe ecën në udhët e tij!» (Psal. 128:1) Nderimi i thellë për Jehovain na nxit të mos bëjmë asgjë që i shkakton pakënaqësi. (Prov. 16:6) Prandaj përpiqemi pareshtur të jetojmë sipas standardeve të Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën, të cilat na i ka bërë të qarta në Bibël. (2 Kor. 7:1) Nëse bëjmë ato gjëra që Jehovai i do dhe rrimë larg atyre që i urren, do të jemi të lumtur.—Psal. 37:27; 97:10; Rom. 12:9.
10. Sipas Romakëve 12:2, cila është përgjegjësia jonë?
10 Lexo Romakëve 12:2. Dikush mund ta dijë se Jehovai ka autoritetin të vendosë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, ama duhet edhe t’i respektojë standardet e Tij. Ta ilustrojmë: dikush mund ta dijë se qeveria ka të drejtën të vendosë kufij shpejtësie në autostradë. Por mbase nuk do që t’i respektojë ato kufij, prandaj i jep makinës më shpejt nga sa duhet. Po njësoj, mënyra si sillemi tregon nëse e besojmë vërtet se të jetosh sipas standardeve të Jehovait është rruga më e bukur në jetë. (Prov. 12:28) Davidi ishte i bindur për këtë, prandaj tha për Jehovain: «Ti më tregon shtegun e jetës; pranë teje mbushem me gëzim; në të djathtën tënde gjej përherë lumturi.»—Psal. 16:11.
11-12. (a) Për çfarë duhet të bëjmë kujdes kur jemi të shqetësuar ose të shkurajuar? (b) Si mund të na ndihmojnë fjalët e Filipianëve 4:8 kur zgjedhim zbavitjet?
11 Kur jemi të shqetësuar ose të shkurajuar, mbase duam të zbavitemi në ndonjë mënyrë që ta heqim mendjen nga problemet. Kjo është normale, por ndërkohë duhet të bëjmë kujdes të mos devijojmë duke bërë diçka që Jehovai e urren.—Efes. 5:10-12, 15-17.
12 Në letrën që u shkroi filipianëve, apostulli Pavël na nxit që të vazhdojmë të mendojmë për gjëra ‘të drejta, të dëlira, të dashura dhe të virtytshme’. (Lexo Filipianëve 4:8.) Ndonëse nuk po fliste në mënyrë specifike për argëtimin, ajo që shkroi Pavli duhet të ndikojë te zbavitjet që zgjedhim. Provo këtë: sa herë që lexon në këtë varg fjalën «gjë», zëvendësoje me fjalën «këngë», «filma», «romane» ose «videolojëra». Kjo mund të të ndihmojë të dallosh cilat nga këto zbavitje mund të jenë të pranueshme për Perëndinë dhe cilat jo. Duam që jeta jonë të jetë gjithmonë në harmoni me standardet e larta të Jehovait. (Psal. 119:1-3) Kështu mund të hedhim me ndërgjegje të pastër hapin tjetër drejt lumturisë së vërtetë.—Vep. 23:1.
MBAJ NË VEND TË PARË ADHURIMIN E JEHOVAIT
13. Cili është hapi i tretë drejt lumturisë së vërtetë? (Gjoni 4:23, 24)
13 HAPI 3: Sigurohu që adhurimi i Jehovait të zërë vendin e parë në jetën tënde. Si Krijuesi ynë, Jehovai e meriton plotësisht ta adhurojmë. (Zbul. 4:11; 14:6, 7) Prandaj gjëja më e rëndësishme në jetën tonë duhet të jetë ta adhurojmë në mënyrën që miraton ai, «me frymë dhe të vërtetë». (Lexo Gjonin 4:23, 24.) Kur e adhurojmë, duam të na udhëheqë fryma e tij e shenjtë, që adhurimi ynë të jetë në harmoni me të vërtetat e Fjalës e tij. Adhurimi i Jehovait duhet të zërë vendin e parë në jetën tonë edhe nëse jetojmë në një vend ku vepra është e kufizuar ose e ndaluar. Sot, mbi 100 vëllezër e motra janë në burg vetëm ngaqë janë Dëshmitarë të Jehovait.c Prapëseprapë, ata shfrytëzojnë me gëzim çdo mundësi që të luten, të studiojnë e t’u flasin të tjerëve për Perëndinë dhe Mbretërinë e tij. Kur na fyejnë ose na përndjekin, jemi të sigurt se Jehovai është përkrah nesh dhe se do të na shpërblejë, e kjo na bën të lumtur.—Jak. 1:12; 1 Pjet. 4:14.
NJË HISTORI REALE
14. Çfarë ndodhi me një vëlla të ri në Taxhikistan, dhe pse?
14 Kemi shumë shembuj realë që tregojnë se po të bëjmë tri hapat që shqyrtuam, mund të jemi vërtet të lumtur pavarësisht nga rrethanat. Të mendojmë për atë që ndodhi me një vëlla 19-vjeçar nga Taxhikistani, Jovidon Bobodzhonovin, i cili refuzoi të bënte ushtrinë. Më 4 tetor 2019, atë e morën me forcë nga shtëpia, e burgosën për muaj të tërë dhe e trajtuan si kriminel. Ajo padrejtësi tërhoqi vëmendjen e mediave në nivel ndërkombëtar. U raportua se Jovidonin e rrahën për ta detyruar të bënte betimin ushtarak dhe të vishte uniformën e ushtarit. Pas kësaj, e dënuan dhe e dërguan në një kamp pune, derisa përfitoi amnistinë nga presidenti e u lirua. Gjatë gjithë asaj sprove të rëndë, Jovidoni e ruajti integritetin dhe gëzimin. Si ia doli? Duke mos harruar kurrë se kishte nevojë të qëndronte i lidhur ngushtë me Jehovain.
15. Si ushqehej nga Fjala e Perëndisë Jovidoni kur ishte në burg?
15 Ndërsa ishte në burg, Jovidoni ushqehej nga Fjala e Perëndisë edhe kur nuk kishte Biblën ose ndonjë nga botimet tona. Po si? Kur i çonin ushqime, vëllezërit dhe motrat i shkruanin shkrimin e ditës në qesen e ushqimeve. Kështu, çdo ditë mund ta lexonte Biblën e të meditonte për të. Pasi u lirua nga burgu, u dha këtë këshillë atyre që nuk kanë kaluar ende sprova të rënda: «Është jetësore ta përdorni plotësisht lirinë që të thelloni njohurinë për Jehovain, duke lexuar Fjalën e tij dhe botimet tona.»
16. Te cilat gjëra e mbante mendjen Jovidoni?
16 Vëllai ynë vazhdoi të jetonte sipas standardeve të Jehovait. Në vend që ta mbante mendjen te dëshirat e gabuara dhe të bënte gjëra të këqija, u përqendrua te Jehovai dhe te gjërat që vlerëson Ai. Jovidoni mahnitej me bukurinë e krijimit të Perëndisë. Çdo mëngjes zgjohej me cicërimat dhe këngët e zogjve. Natën sodiste hënën e yjet. Ai tha: «Këto dhurata nga Jehovai ma mbushnin zemrën me gëzim dhe me forcë.» Kur jemi mirënjohës për dhuratat që na ka bërë Jehovai për të jetuar e për të pasur besim të fortë, na gufon zemra nga gëzimi, dhe ky gëzim mund të jetë burim force përballë vështirësive.
17. Kur hasim situatë të ngjashme me atë të Jovidonit, pse mund të jemi të gëzuar? (1 Pjetrit 1:6, 7)
17 Veç kësaj, Jovidoni e mbajti në vend të parë adhurimin e Jehovait. Ai e dinte sa rëndësi ka të ruajmë integritetin ndaj Perëndisë së vërtetë. Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Shumë komandantë dhe ushtarë donin që Jovidoni të hiqte dorë nga besimi i tij. Por ai i përgjërohej çdo ditë e çdo natë Jehovait dhe i kërkonte ta ndihmonte që të mos dorëzohej e të mos bënte kompromis me besimin. Me gjithë padrejtësitë që duroi, Jovidoni nuk bëri kurrë kompromis. Si rezultat, tani është shumë i lumtur pasi zotëron diçka që nuk e kishte para se ta arrestonin, ta rrihnin dhe ta burgosnin—një besim të sprovuar.—Lexo 1 Pjetrit 1:6, 7.
18. Si mund të jemi të lumtur në çfarëdo situate?
18 Jehovai e di ç’na duhet për të qenë vërtet të lumtur. Po të ndjekësh tri hapat që shqyrtuam, do të jesh vërtet i lumtur edhe në situata të vështira. Atëherë mund të thuash edhe ti me gjithë shpirt: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»—Psal. 144:15.
KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi
a Shumë njerëzve sikur u rrëshqet nga duart lumturia e vërtetë, sepse e kërkojnë në mënyrë të gabuar, duke rendur pas kënaqësive, pasurisë, famës ose pushtetit. Megjithatë, Jezui u tregoi njerëzve si ta gjenin lumturinë e vërtetë kur erdhi në tokë. Në këtë artikull do të shohim tri hapa që mund të na ndihmojnë të jemi vërtet të lumtur.
b Shih artikullin «A po merr ‘ushqim në kohën e duhur’?» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2014.
c Për të ditur më shumë, shih në jw.org serinë «Burgosen për shkak të besimit».
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në këtë inskenim të një ngjarjeje reale, vëllezërit e motrat po mbështetin një vëlla që e kanë arrestuar dhe po e çojnë në gjykatë.