ARTIKULLI I STUDIMIT 12
Njihe më mirë Jehovain nëpërmjet krijimit
«Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse dallohen nga gjërat që ka bërë.»—ROM. 1:20.
KËNGA 6 Qiejt i japin lavdi Perëndisë
PËRMBLEDHJEa
1. Cila ishte një mënyrë si e njohu më mirë Jobi Jehovain?
NGA gjithë bisedat që bëri Jobi gjatë jetës së tij, më mbresëlënësja ishte biseda me Perëndinë Jehova. Që t’i forconte besimin se ka mençuri të pafund dhe se është i aftë t’u sigurojë çdo gjë të nevojshme shërbëtorëve të Tij, Jehovai ia drejtoi vëmendjen te disa gjëra të mrekullueshme që kishte krijuar. Për shembull, Perëndia i kujtoi Jobit se, përderisa u siguronte ushqim kafshëve, patjetër që ishte i aftë të kujdesej edhe për të. (Jobi 38:39-41; 39:1, 5, 13-16) Meditimi për veprat e jashtëzakonshme të krijimit i mësoi shumë Jobit për cilësitë e Perëndisë së tij.
2. Pse ndonjëherë mund të jetë sfidë të vëzhgojmë krijimin e Jehovait?
2 Edhe ne mund të mësojmë më shumë për Perëndinë tonë duke soditur gjërat që ka krijuar. Ama kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Nëse jetojmë në qytet, ndoshta shohim fare pak nga krijimi i tij në jetën e përditshme. Po edhe nëse jetojmë jashtë qytetit, mbase mendojmë se nuk kemi kohë të soditim natyrën. Prandaj le të shohim pse ia vlen të gjejmë kohë dhe të bëjmë përpjekje për të vëzhguar krijimin. Do të shohim si e përdorën krijimin Jehovai dhe Jezui për të mësuar njerëzit dhe çfarë mund të bëjmë ne vetë që të nxjerrim më shumë mësime nga natyra.
PSE DUHET TA VËZHGOJMË KRIJIMIN?
3. Nga e dimë se Jehovai donte që Adami të kënaqej me krijimin?
3 Jehovai donte që njeriu i parë të kënaqej me krijimin e Tij. Kur krijoi Adamin, Perëndia i dha si shtëpi një parajsë me bukuri të virgjër që ta eksploronte dhe i caktoi detyrën ta kultivonte parajsën e të zgjeronte kufijtë e saj. (Zan. 2:8, 9, 15) Imagjino entuziazmin e Adamit ndërsa shihte farat të mbinin dhe lulet të çelnin. Çfarë privilegji kishte—të kujdesej për kopshtin e Edenit! Veç kësaj, Jehovai e ftoi t’u vinte emra kafshëve dhe shpendëve. (Zan. 2:19, 20) Jehovai mund të kishte zgjedhur t’u vinte vetë emra secilës prej tyre, por ia dha Adamit atë detyrë. Pa dyshim që, para se të vendoste si t’i quante, Adami i vëzhgoi me vëmendje ato krijesa, pamjen dhe sjelljen e tyre. Kushedi sa do ta ketë shijuar Adami atë caktim! Me siguri, gjithë ajo përvojë i thelloi çmueshmërinë për mençurinë, mjeshtërinë artistike dhe krijimtarinë e Atit të tij.
4. (a) Cila është një arsye pse duhet ta vëzhgojmë krijimin? (b) Çfarë të kënaq në veçanti nga krijimi i Jehovait?
4 Një arsye pse duhet ta vëzhgojmë krijimin është se Jehovai dëshiron ta bëjmë këtë. «Ngrini sytë drejt qiellit dhe shikoni»,—na fton ai. Pastaj shton: «Kush i krijoi këto gjëra?» Përgjigjja është e qartë. (Isa. 40:26) Jo vetëm qielli, por edhe toka e deti janë plot e përplot me veprat e mahnitshme të Jehovait, nga të cilat mund të mësojmë shumë. (Psal. 104:24, 25) E vetëm të mendojmë për mënyrën si na ka krijuar Perëndia. Që të kënaqemi me mrekullitë e natyrës, ai vuri brenda nesh ndjenjën e së bukurës. Bëri të mundur ta shijojmë krijimin e tij të larmishëm edhe nëpërmjet pesë shqisave—shikimit, dëgjimit, prekjes, shijimit dhe nuhatjes.
5. Sipas Romakëve 1:20, si nxjerrim dobi kur vëzhgojmë krijimin e Jehovait?
5 Bibla na tregon një arsye tjetër të rëndësishme pse duhet ta vëzhgojmë krijimin: ai na mëson për cilësitë e Jehovait. (Lexo Romakëve 1:20.) Për shembull, në natyrë vërejmë gjëra të projektuara për mrekulli nga Jehovai. A nuk flasin ato për mençurinë e tij? Gjithashtu mendo për shumëllojshmërinë e ushqimeve që mund të shijojmë. Kjo është një dëshmi e qartë e dashurisë së tij për njerëzimin. Kur dallojmë personalitetin e Jehovait te gjërat që ka bërë, e njohim më mirë dhe afrohemi më tepër me të. Le të shohim tani disa mënyra si e ka përdorur Jehovai krijimin për t’u dhënë mësime të rëndësishme njerëzve.
PERËNDIA E PËRDOR KRIJIMIN QË TË MËSOJMË PËR TË
6. Ç’mund të mësojmë nga zogjtë shtegtarë?
6 Jehovai ka një kohë të caktuar për çdo gjë. Çdo vit nga fundi i shkurtit deri në mes të majit, izraelitët shihnin në qiell lejlekë që shtegtonin drejt veriut. «Lejleku në qiej i di mirë kohët e tij»,—u tha Perëndia izraelitëve. (Jer. 8:7) Ashtu siç ka vendosur një kohë për shtegtimin e këtyre zogjve, Jehovai ka vendosur edhe një kohë për të ekzekutuar gjykimet e tij. Ndërsa shohim në qiell zogj që shtegtojnë, kjo na kujton se mund të kemi besim që Jehovai ka ‘një kohë të caktuar’ për t’i dhënë fund kësaj bote të ligë.—Hab. 2:3.
7. Për çfarë na siguron fluturimi i zogjve? (Isaia 40:31)
7 Jehovai është burim fuqie për shërbëtorët e vet. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai premton se do t’u japë fuqi shërbëtorëve të Tij që «të fluturojnë lart si me krahët e shqiponjës» kur ndihen të dobët a zemërlëshuar. (Lexo Isainë 40:31.) Izraelitët shihnin shpesh në qiell shqiponja që fluturonin pa i rrahur fare krahët, falë rrymave të ajrit që ngriheshin lart. Çfarë përkujtuesi i mrekullueshëm që Jehovai mund t’u japë fuqi shërbëtorëve të vet, ashtu siç u jep fuqi këtyre zogjve! Kur sheh një shpend të fuqishëm që fluturon lart e më lart thuajse pa i rrahur krahët, kujto që Jehovai mund të të japë forcën të ngrihesh mbi problemet që të mundojnë.
8. Çfarë mësoi Jobi duke medituar për krijimin e Perëndisë, dhe çfarë mund të mësojmë ne?
8 Jehovai është i denjë t’i besojmë. Jehovai e ndihmoi Jobin të kishte më shumë besim tek Ai. (Jobi 32:2; 40:6-8) Gjatë bisedës me Jobin, Perëndia ia drejtoi vëmendjen te shumë vepra të krijimit, si yjet, retë dhe rrufetë. I foli edhe për disa kafshë, si demi i egër dhe kali. (Jobi 38:32-35; 39:9, 19, 20) Të gjitha këto ishin dëshmi jo vetëm e fuqisë së mahnitshme të Perëndisë, por edhe e dashurisë së tij dhe e mençurisë së pakufi. Falë asaj bisede, besimi i Jobit te Jehovai u forcua si kurrë më parë. (Jobi 42:1-6) Meditimi për krijimin na kujton edhe ne sot se Jehovai është jashtëzakonisht më i mençur dhe më i fuqishëm se ne. Ai mund t’u japë fund të gjitha sprovave tona dhe do ta bëjë këtë. Kjo e vërtetë mund të na e forcojë besimin te Perëndia ynë.
JEZUI E PËRDORI KRIJIMIN QË TË NA MËSONTE PËR ATIN E TIJ
9-10. Çfarë na tregojnë për Jehovain dielli dhe shiu?
9 Jezui dinte shumë për natyrën. Si «kryemjeshtër», ai pati privilegjin të punonte përkrah Atit të tij gjatë krijimit të universit. (Prov. 8:30) Më vonë, kur ishte në tokë, Jezui e përdori krijimin që t’u mësonte dishepujve për Atin e tij. Të shohim disa nga mësimet që u dha.
10 Jehovai tregon dashuri për çdo njeri. Në Predikimin në Mal, Jezui ua drejtoi vëmendjen dishepujve te dy aspekte të krijimit që shumë njerëz i shohin si gjëra të zakonshme: dielli dhe shiu. Të dyja këto janë të domosdoshme për jetën. Jehovai mund të kishte vendosur të mos ua jepte këto të mira njerëzve që nuk e meritonin. Në vend të kësaj, ai u dhuron me dashuri të gjithëve diell dhe shi. (Mat. 5:43-45) Jezui e përdori këtë fakt që t’u mësonte dishepujve se Jehovai dëshiron t’i tregojë dashuri çdo njeriu. Sa herë shohim një perëndim magjepsës ose një shi që përtërin natyrën, pse të mos meditojmë për dashurinë e paanshme të Jehovait? Shembulli i tij mund të na frymëzojë të tregojmë të njëjtën dashuri duke i predikuar çdo njeriu.
11. Pse marrim zemër kur vëzhgojmë zogjtë e qiellit?
11 Jehovai na siguron gjërat e nevojshme për të jetuar. Në Predikimin në Mal, Jezui theksoi edhe një pikë tjetër: «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen.» Ndoshta dëgjuesit e tij po shihnin zogjtë që fluturonin në qiell, kur Jezui i pyeti: «A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mat. 6:26) Me sa dashuri na siguroi Jezui se Jehovai do të kujdeset për ne! (Mat. 6:31, 32) Ky mësim nga krijimi vazhdon t’u japë zemër shërbëtorëve të tij besnikë. Një pioniere në moshë të re në Spanjë ndihej e shkurajuar sepse nuk po gjente dot një vend të përshtatshëm për të jetuar. Por një ditë, pa ca zogj që hanin fara e fruta dhe iu lehtësua zemra. Ajo thotë: «Ata zogj më kujtuan se ashtu siç kujdeset për ta, Jehovai do të kujdeset edhe për mua.» Në fakt, s’kaloi shumë dhe motra gjeti shtëpi.
12. Sipas Mateut 10:29-31, çfarë na mësojnë harabelat për Jehovain?
12 Jehovai na çmon si individë. Para se t’i dërgonte apostujt të predikonin, Jezui i ndihmoi të mposhtnin frikën nga kundërshtimi. (Lexo Mateun 10:29-31.) Këtë e bëri duke folur për një nga zogjtë më të përhapur në Izrael: harabelin. Ai zog kishte fare pak vlerë në atë kohë. Megjithatë, Jezui u tha dishepujve: «Asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.» Pastaj shtoi: «Ju vleni më tepër se shumë harabela.» Kështu Jezui i siguroi se Jehovai i vlerësonte si individë, ndaj s’kishte pse t’i trembeshin përndjekjes. Kur shihnin harabela ndërsa predikonin në qytete e fshatra, patjetër që dishepujve u vinin në mendje fjalët e Jezuit. Sa herë të shohësh një zog të vogël, kujto se Jehovai të çmon si individ, sepse edhe ti ‘vlen më tepër se shumë harabela’. Falë mbështetjes së Perëndisë, mund ta përballosh me kurajë çdo kundërshtim.—Psal. 118:6.
SI MUND TË MËSOJMË MË SHUMË PËR PERËNDINË NGA KRIJIMI?
13. Ç’gjë do të na ndihmojë të mësojmë nga krijimi?
13 Mund të mësojmë shumë gjëra të tjera për Jehovain nga krijimi. Si? Së pari, duhet të gjejmë kohë ta vëzhgojmë krijimin. Pastaj duhet të mendojmë se ç’na mëson për Jehovain. Por kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Zheraldina, një motër nga Kameruni, thotë: «Jam rritur në qytet, prandaj më duhej të bëja më shumë përpjekje për të soditur natyrën.» Një plak kongregacioni që quhet Alfonso thotë: «Kam kuptuar se duhet të programoj kohë për të qenë vetëm që të vëzhgoj krijimin dhe të meditoj se çfarë më mëson për Jehovain.»
14. Çfarë kuptoi Davidi nga meditimi për krijimin e Perëndisë?
14 Davidi mendonte thellë për krijimin e Perëndisë. Ai i tha Jehovait: «Kur shoh qiejt, veprën e duarve të tua, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?!» (Psal. 8:3, 4) Pra, ndërsa kundronte qiellin natën, Davidi jo vetëm admironte universin e mahnitshëm, por edhe meditonte se çfarë i mësonin yjet për Perëndinë. Ai kuptoi çfarë Perëndie madhështor është Jehovai. Veç kësaj, Davidi meditoi si ishte zhvilluar trupi i tij në barkun e nënës. E duke i bluar në mendje ato hollësi të mrekullueshme, iu thellua çmueshmëria për mençurinë e Jehovait.—Psal. 139:14-17.
15. Jepni shembuj se si i keni vërejtur cilësitë e Jehovait te krijimi. (Psalmi 148:7-10)
15 Ashtu si Davidi, mjafton të shohësh përreth e do të gjesh diçka në krijimin e Jehovait për të medituar. Kështu mund të dallosh shumë cilësi të Tij. Për shembull, medito për fuqinë e Jehovait kur ndien ngrohtësinë e diellit në lëkurë. (Jer. 31:35) Admiro mençurinë e tij kur të zë syri një zog të vogël që ngre folenë. Mendo për ndjenjën e humorit të Jehovait kur sheh një qenush që përpiqet të kapë bishtin e vet. Falënderoje Jehovain për dashurinë e tij kur sheh një nënë që luan me foshnjën e saj. Kemi mundësi të panumërta të mësojmë për Jehovain, sepse krejt veprat e krijimit—të vogla e të mëdha, afër e larg—i thurin lavdi atij.—Lexo Psalmin 148:7-10.
16. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
16 Mençuria, dhembshuria, mjeshtëria artistike dhe fuqia e Perëndisë tonë nuk njohin kufij. Mjafton të soditim me kujdes natyrën dhe dallojmë këto e plot cilësi të tjera të Perëndisë. Le të jemi të vendosur të gjejmë kohë rregullisht që të kënaqemi me krijimin dhe të mendojmë se ç’na mëson për Jehovain. Kështu do të afrohemi përherë e më shumë me Krijuesin tonë. (Jak. 4:8) Në artikullin tjetër do të shohim si mund ta përdorin krijimin prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët të miqësohen me Jehovain.
KËNGA 5 Veprat mahnitëse të Jehovait
a Krijimi i Jehovait të lë pa fjalë. Që nga fuqia marramendëse e diellit e deri te petalet e brishta të një luleje, veprat e tij na mahnitin. Krijimi mund të na mësojë shumë edhe për personalitetin e Jehovait. Në këtë artikull do të shohim pse duhet të lëmë kohë për ta soditur me vëmendje krijimin dhe si na ndihmon kjo që të afrohemi më shumë me Perëndinë tonë.