ARTIKULLI I STUDIMIT 25
Pleq—Mësoni nga shembulli i Gideonit
«Nuk do të më dilte koha po të vazhdoja të tregoja për Gideonin.»—HEBR. 11:32.
KËNGA 124 Përherë besnik
PËRMBLEDHJEa
1. Sipas 1 Pjetrit 5:2, çfarë privilegji kanë pleqtë?
PLEQVE të kongregacionit u është besuar detyra të kujdesen për delet e shtrenjta të Jehovait. Këta burra të përkushtuar e çmojnë privilegjin që t’u shërbejnë vëllezërve e motrave dhe përpiqen fort të jenë ‘barinj që i kullotin vërtet’. (Jer. 23:4; lexo 1 Pjetrit 5:2.) Sa mirënjohës ndihemi që kemi vëllezër të tillë në kongregacionet tona!
2. Cilat vështirësi mund të hasin disa pleq?
2 Ndërsa përmbushin përgjegjësitë e tyre, pleqtë hasin plot sfida. Për shembull, të kujdesesh për kongregacionin kërkon goxha punë. Tonit, një plaku në Shtetet e Bashkuara, iu desh të mësonte të ishte më modest në lidhje me sasinë e punës që pranonte. Ai shpjegon: «Në fillim të pandemisë së COVID-19, po merrja përsipër gjithnjë e më tepër punë për të organizuar mbledhjet dhe shërbimin. Mirëpo, sado që bëja, punët sikur shtoheshin vazhdimisht. Dalëngadalë fillova të lija pas dore leximin e Biblës, studimin personal dhe lutjen.» Iliri, një plak në Kosovë, u përball me një sfidë tjetër. Ndërsa jetonte në një zonë lufte, e pati të vështirë t’i bindej një drejtimi nga organizata. Ai thotë: «M’u vu në provë guximi kur zyra e degës më dha një caktim për të ndihmuar vëllezërit e motrat në një zonë të rrezikshme. Kisha frikë, dhe ai drejtim nuk m’u duk edhe aq praktik.» Timi, një misionar në Azi, e kishte të vështirë të mbante ritmin ditë pas dite për të kryer punët e nevojshme. Ai thotë: «Hera-herës ndihesha i sfilitur mendërisht dhe emocionalisht.» Çfarë mund t’i ndihmojë pleqtë që hasin sfida të ngjashme?
3. Si mund të nxjerrim dobi të gjithë nga shqyrtimi i shembullit të gjykatësit Gideon?
3 Pleqtë mund të mësojnë nga shembulli i gjykatësit Gideon. (Hebr. 6:12; 11:32) Ai ishte edhe mbrojtës edhe bari i popullit të Perëndisë. (Gjyk. 2:16; 1 Kron. 17:6) Ashtu si Gideoni, pleqtë kanë si caktim të kujdesen për popullin e Perëndisë në një kohë mjaft të trazuar. (Vep. 20:28; 2 Tim. 3:1) Mund të mësojmë nga modestia, përulësia dhe bindja e Gideonit. Edhe qëndrueshmëria e tij u vu në provë ndërsa kryente caktimet. Pavarësisht nëse shërbejmë si pleq apo jo, të gjithë mund ta thellojmë mirënjohjen për pleqtë tanë. Duam t’i mbështetim këta vëllezër që punojnë me gjithë shpirt për Jehovain.—Hebr. 13:17.
KUR TË SPROVOHEN MODESTIA DHE PËRULËSIA
4. Si shfaqi modesti dhe përulësi Gideoni?
4 Gideoni ishte njeri modest dhe i përulur.b Kur engjëlli i Jehovait i tha se ishte zgjedhur ta shpëtonte Izraelin nga midianitët e fuqishëm, ai burrë i përulur ia ktheu: «Familja ime është më e vogla në Manase dhe unë jam më i parëndësishmi në shtëpinë e babait tim.» (Gjyk. 6:15) Gideoni nuk ndihej i kualifikuar për atë caktim, ama Jehovai e njihte potencialin e tij. E me ndihmën e Jehovait, Gideoni e kreu me sukses caktimin.
5. Si mund të sprovohen modestia dhe përulësia e një plaku?
5 Pleqtë bëjnë çmos të shfaqin modesti dhe përulësi në çdo gjë. (Mik. 6:8; Vep. 20:18, 19) Ata nuk krekosen për aftësitë ose arritjet e tyre; as ndihen të pavlerë për të metat ose gabimet që bëjnë. Por ndonjëherë, përulësia dhe modestia e një plaku mund të sprovohen. Për shembull, ai mund të pranojë shumë caktime dhe pastaj mund ta ketë të vështirë t’i përmbushë të gjitha. Ose mund ta kritikojnë për mënyrën si kreu një caktim a ta lavdërojnë për mënyrën si kreu një tjetër. Si mund t’i ndihmojë pleqtë në situata të tilla shembulli i Gideonit?
6. Si mund të tregojnë pleqtë modesti ashtu si Gideoni? (Shihni edhe figurën.)
6 Kërko ndihmë. Një njeri modest i njeh kufizimet e veta. Gideoni ishte i gatshëm t’u kërkonte ndihmë të tjerëve, e kështu tregoi modesti. (Gjyk. 6:27, 35; 7:24) Një plak i mençur vepron njësoj. Toni i përmendur më lart shpjegon: «Për shkak të mënyrës si jam rritur, kisha prirjen të pranoja më tepër punë nga ç’ishte e arsyeshme. Ndaj vendosa që në adhurimin familjar të flisnim për modestinë dhe i kërkova gruas të më tregonte hapur çfarë mendonte. Gjithashtu pashë edhe një herë në jw.org videon Stërvitini, besojuni dhe jepuni fuqi të tjerëve siç bën Jezui.» Toni filloi t’u kërkonte ndihmë të tjerëve për të përmbushur disa detyra. Rezultati? Toni thotë: «Punët në kongregacion po kryhen më së miri dhe kam më tepër kohë për të forcuar miqësinë time me Jehovain.»
7. Si mund ta imitojnë pleqtë Gideonin nëse i kritikojnë? (Jakovi 3:13)
7 Reago me butësi nëse të kritikojnë. Përulësia dhe modestia e pleqve mund të sprovohen edhe në rast se i kritikojnë. Shembulli i Gideonit mund t’u vijë përsëri në ndihmë. Pa dyshim që ai i njihte të metat e veta, ndaj u foli me butësi efraimitëve kur e kritikuan. (Gjyk. 8:1-3) Gideoni nuk ua ktheu tërë inat. Tregoi përulësi duke i dëgjuar ndërsa shprehën çfarë i shqetësonte dhe duke u folur me takt. Kështu e qetësoi situatën e tensionuar. Një plak i mençur imiton shembullin e Gideonit duke dëgjuar me vëmendje dhe duke reaguar me butësi kur e kritikojnë. (Lexo Jakovin 3:13.) Kështu ndihmon të ruhet paqja në kongregacion.
8. Si duhet të reagojnë pleqtë kur i lavdërojnë? Jepni një shembull.
8 Jepja gjithë lavdinë Jehovait. Kur e nderuan për fitoren mbi Midianin, Gideoni e përqendroi vëmendjen te Jehovai. (Gjyk. 8:22, 23) Si mund ta imitojnë pleqtë shembullin e tij? Duke ia dhënë meritën Jehovait për çdo gjë që arrijnë. (1 Kor. 4:6, 7) Për shembull, nëse e lavdërojnë për mësimdhënien, plaku mund t’ua drejtojë vëmendjen të tjerëve te burimi i mësimit, Fjala e Perëndisë, ose te stërvitja që marrim nga organizata e Jehovait. Herë pas here pleqtë bëjnë mirë të mendojnë nëse po e tërheqin tepër vëmendjen te vetja. Të shohim shembullin e një plaku që quhet Timote. Kur ishte plak i sapoemëruar, i pëlqente shumë të mbante fjalime publike. Ai thotë: «Përgatitja hyrje dhe ilustrime të stërholluara, e shpesh më lavdëronin për to. Por është për të ardhur keq që në qendër të vëmendjes isha unë, jo Bibla ose Jehovai.» Me kalimin e kohës, Timoteu kuptoi se duhej ta ndryshonte mënyrën si mësonte, që të mos tërhiqte vëmendje të tepruar te vetja. (Prov. 27:21) Cili ishte rezultati? Ai shpjegon: «Tani vëllezërit e motrat më thonë herë pas here se fjalimi im i ndihmoi të kapërcenin një vështirësi, të përballonin një sprovë ose të lidheshin më ngushtë me Jehovain. Gëzimi që ndiej nga këto komente s’ka të krahasuar me kënaqësinë që ndieja vite më parë nga lëvdatat.»
KUR TË SPROVOHEN BINDJA DHE GUXIMI
9. Si u sprovuan bindja dhe guximi i Gideonit? (Shihni figurën e kopertinës.)
9 Pasi u emërua gjykatës, bindja dhe guximi i Gideonit u vunë në provë. Jehovai i dha një caktim të rrezikshëm: të shembte altarin e Baalit që kishte babai i tij. (Gjyk. 6:25, 26) Më vonë, pasi mobilizoi një ushtri, Jehovai e udhëzoi dy herë Gideonin ta zvogëlonte ushtrinë. (Gjyk. 7:2-7) Gjithashtu, mori urdhrin të sulmonte kampin armik në mes të natës.—Gjyk. 7:9-11.
10. Si mund të sprovohet bindja e një plaku?
10 Pleqtë duhet të jenë ‘të gatshëm të binden’. (Jak. 3:17) Një plak i bindur i nënshtrohet pa ngurruar asaj që thonë Shkrimet dhe drejtimit që jep organizata e Perëndisë. Kështu lë një shembull të mirë për të tjerët. Por mund të ndodhë që bindja e tij të sprovohet. Për shembull, mund ta ketë të vështirë të ecë në një hap me të gjitha udhëzimet që merr. Në disa raste, mund të vrasë mendjen nëse një drejtim është praktik ose i mençur. A mbase i kërkohet të kryejë një caktim që mund t’i vërë në rrezik lirinë. Si mund ta imitojnë pleqtë Gideonin në situata të tilla?
11. Çfarë mund t’i ndihmojë pleqtë të jenë të bindur?
11 Dëgjoje me kujdes drejtimin dhe zbatoje. Perëndia i tregoi Gideonit si ta shembte altarin e të atit, ku të ndërtonte një altar të ri për Jehovain dhe çfarë kafshe të ofronte si flijim. Gideoni nuk i vuri në dyshim udhëzimet, por i ndoqi pikë për pikë. Sot organizata e Jehovait u jep drejtim pleqve nëpërmjet letrave, njoftimeve dhe udhëzimeve. Ato na ndihmojnë të gjithëve të jemi të mbrojtur dhe ta mbajmë të fortë besimin. I duam shumë pleqtë tanë që ndjekin me besnikëri drejtimin teokratik. Nga kjo nxjerr dobi tërë kongregacioni.—Psal. 119:112.
12. Si mund ta zbatojnë pleqtë Hebrenjve 13:17 nëse organizata kërkon të bëhet ndonjë ndryshim?
12 Ji i gatshëm të përshtatesh. Kujto se Jehovai i kërkoi Gideonit të kthente në shtëpi mbi 99 për qind të ushtarëve. (Gjyk. 7:8) Ai mund të kishte menduar: «A është vërtet i nevojshëm ky ndryshim? A do të funksionojë?» Gjithsesi, Gideoni u bind. Pleqtë sot imitojnë shembullin e Gideonit duke u siguruar të zbatohen ndryshimet që kërkon organizata. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Për shembull, në vitin 2014 Trupi Udhëheqës ndryshoi mënyrën si do të financoheshin projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë dhe të Sallave të Asambleve. (2 Kor. 8:12-14) Kongregacionet s’do të merrnin më një hua që pastaj duhej ta shlyenin. Tani do të përdoreshin dhurimet e kongregacioneve nga mbarë bota për të ndërtuar godina teokratike aty ku kishte nevojë, pavarësisht se sa ishte në gjendje të dhuronte kongregacioni vendës. Kur mori vesh për këtë ndryshim, një vëlla që quhet Hoze në fillim kishte dyshime dhe mendonte: «S’ka për t’u ndërtuar as edhe një Sallë Mbretërie. Nuk funksionojnë kështu gjërat në këtë vend.» Çfarë e ndihmoi Hozenë ta mbështeste këtë drejtim? Ai thotë: «Proverbat 3:5, 6 më kujtuan se duhej të besoja te Jehovai. Dhe rezultatet kanë qenë fantastike! Jo vetëm që po ndërtojmë më shumë Salla Mbretërie, por edhe kemi mësuar të kontribuojmë në mënyra të tjera, që të ketë barazi.»
13. (a) Për çfarë ishte i bindur Gideoni? (b) Si mund ta imitojnë pleqtë Gideonin? (Shihni edhe figurën.)
13 Bëje me guxim vullnetin e Jehovait. Gideoni iu bind Jehovait, edhe kur kishte frike dhe i rrezikohej jeta. (Gjyk. 9:17) Pasi Jehovai i dha siguri, Gideoni ishte plotësisht i bindur se Perëndia do ta mbështeste ndërsa mbronte popullin e Tij. Pleqtë që jetojnë në vende ose zona ku vepra është e ndaluar, imitojnë Gideonin. Plot guxim marrin drejtimin në mbledhje dhe në shërbim, ndonëse rrezikojnë të arrestohen, të hetohen, të humbin punën ose t’i rrahin.c Gjatë shtrëngimit të madh, pleqve do t’u duhet guxim t’u binden udhëzimeve—edhe nëse kjo do të jetë e rrezikshme. Për shembull, mund të marrim udhëzime si të predikojmë një mesazh që godet si breshër dhe si t’i mbijetojmë sulmit të Gogut të Magogut.—Ezek. 38:18; Zbul. 16:21.
KUR TË SPROVOHET QËNDRUESHMËRIA
14. Si u sprovua qëndrueshmëria e Gideonit?
14 Caktimi i Gideonit si gjykatës kërkonte goxha mund e djersë. Kur midianitët ia mbathën natën e betejës, Gideoni i ndoqi nga lugina e Jezrelit deri te lumi Jordan, brigjet e të cilit duhet të kenë qenë plot me shkurre. (Gjyk. 7:22) A u ndal Gideoni kur arriti në Jordan? Aspak! Ndonëse të lodhur, ai dhe 300 luftëtarët e tij e kaluan lumin dhe vazhduan t’i ndiqnin midianitët. Në fund, i kapën e i mundën.—Gjyk. 8:4-12.
15. Kur mund të sprovohet qëndrueshmëria e një plaku?
15 Herë pas here, një plak mund të ndihet i sfilitur fizikisht, mendërisht ose emocionalisht nga gjithë puna që bën për t’u kujdesur për kongregacionin dhe familjen e tij. Si mund ta imitojnë pleqtë Gideonin në rrethana të tilla?
16-17. Çfarë e ndihmoi Gideonin të tregonte qëndrueshmëri, dhe për çfarë mund të jenë të sigurt pleqtë? (Isaia 40:28-31) (Shihni edhe figurën.)
16 Ki besim se Jehovai do të të japë forcë. Gideoni kishte besim se Jehovai do t’i jepte forcë, e nuk mbeti i zhgënjyer. (Gjyk. 6:14, 34) Në një rast, bashkë me luftëtarët e tij, ai po ndiqte në këmbë dy mbretër midianitë, të cilët ka të ngjarë që po udhëtonin me deve. (Gjyk. 8:12, 21) Prapëseprapë, me ndihmën e Jehovait, ata izraelitë që ishin të vendosur të mos dorëzoheshin, triumfuan. Edhe pleqtë sot mund të mbështeten te Jehovai, tek ai që «nuk lodhet e nuk rraskapitet kurrë». Jehovai mund t’u japë forcë sa herë të kenë nevojë.—Lexo Isainë 40:28-31.
17 Të shohim shembullin e Mateut, që është pjesëtar i një Komiteti të Lidhjes me Spitalet. Çfarë e ndihmon të tregojë qëndrueshmëri? Mateu thotë: «Kam provuar sa e vërtetë është ajo që thotë Filipianëve 4:13. Shumë herë kur ndihem i lodhur e pa pikë fuqie, i lutem me zjarr Perëndisë, duke iu përgjëruar të më japë energjinë fizike dhe mendore që më nevojitet për të mbështetur vëllezërit e mi. Në ato momente ndiej se fryma e Jehovait m’i përtërin forcat e më ndihmon të tregoj qëndrueshmëri.» Ashtu si Gideoni, pleqtë e përkushtuar mund të hasin vështirësi ndërsa shërbejnë pa u kursyer si barinj për kopenë. Natyrisht, ata duhet t’i dallojnë kufijtë e tyre fizikë dhe emocionalë dhe t’i respektojnë. Por ndërkohë mund të kenë besim se Jehovai do t’i dëgjojë kërkesat e tyre për ndihmë dhe do t’u japë forcë të qëndrojnë.—Psal. 116:1; Filip. 2:13.
18. Siç kemi parë në këtë artikull, si mund ta imitojnë pleqtë Gideonin?
18 Nga shembulli i Gideonit, pleqtë mund të nxjerrin mësime praktike, që janë me vend sot. Ata duhet të tregojnë modesti dhe përulësi qoftë në sasinë e punës që marrin përsipër, qoftë në mënyrën si reagojnë kur i kritikojnë ose i lavdërojnë. Duhet të tregohen të bindur dhe guximtarë sa më shumë afrohet fundi i këtij sistemi. Dhe duhet të kenë besim se çfarëdo vështirësie të hasin, Perëndia mund t’u japë forcë. Pa diskutim që i çmojmë shumë këta barinj të palodhur dhe ‘vazhdojmë t’i kemi të shtrenjtë’.—Filip. 2:29.
KËNGA 120 Të jemi të butë si Krishti
a Jehovai e caktoi Gideonin që të kujdesej si bari për popullin e Tij dhe ta mbronte gjatë një periudhe goxha të vështirë në historinë e kombit të Izraelit. Gideoni e kreu me besnikëri atë caktim për 40 vjet. Megjithatë ndeshi disa sfida. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i ndihmon pleqtë sot shembulli i tij përballë sprovave të ndryshme.
b Modestia dhe përulësia janë cilësi që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Tregojmë se jemi modestë kur kemi pikëpamjen e duhur për veten dhe jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona. Tregojmë se jemi të përulur kur i respektojmë të tjerët dhe i shohim si më të rëndësishëm. (Filip. 2:3) Zakonisht, një njeri modest është edhe i përulur.
c Shih artikullin «Vazhdo ta adhurosh Jehovain nën ndalim» në Kullën e Rojës të korrikut 2019, f. 10-11, p. 10-13.