ARTIKULLI I STUDIMIT 41
KËNGA 13 Krishti është modeli ynë
Mësime nga 40 ditët e fundit të Jezuit në tokë
«Ata e panë për 40 ditë, dhe ai u foli rreth Mbretërisë së Perëndisë.»—VEP. 1:3.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si të imitojmë shembullin që la Jezui gjatë 40 ditëve të fundit në tokë.
1-2. Çfarë ndodhi ndërsa dy dishepuj të Jezuit po shkonin në Emaus?
ËSHTË 16 nisan i vitit 33 të e.s. Dishepujt e Jezuit janë të mpirë nga pikëllimi dhe i ka paralizuar frika. Dy prej tyre po shkojnë nga Jerusalemi për në Emaus, një fshat rreth 11 kilometra larg. U janë prerë krahët sepse Jezuin, Mësuesin e tyre, sapo e kanë ekzekutuar. Ata shpresonin që Mesia të bënte gjëra madhështore, por tani shpresat u janë shuar. Mirëpo i pret një surprizë.
2 Një i panjohur u afrohet dhe fillon të ecë me ta. Dishepujt i tregojnë sa të zhgënjyer janë për ato që ndodhën me Jezuin. Atëherë i panjohuri hap një bisedë që do të jetë pikë kthese në jetën e tyre. «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët», ai u shpjegon pse duhej të vuante e të vdiste Mesia. Kur tre burrat mbërrijnë në Emaus, i panjohuri u zbulon kush është—Jezui i ringjallur! Përfytyro gëzimin e dishepujve kur marrin vesh se Mesia është gjallë!—Luka 24:13-35.
3-4. Ç’ndodhi me dishepujt e Jezuit, dhe çfarë do të mësojmë në këtë artikull? (Veprat 1:3)
3 Jezui iu shfaq shumë herë dishepujve gjatë 40 ditëve të fundit në tokë. (Lexo Veprat 1:3.) Në atë periudhë, dishepujt e pikëlluar dhe të frikësuar të Jezuit u shndërruan në një ushtri të gëzuar e të guximshme me lajmëtarë e mësues për Mbretërinë.a
4 Mund të nxjerrim goxha dobi tek shohim më nga afër atë periudhë emocionuese të jetës së Jezuit. Gjatë artikullit do të shqyrtojmë si e përdori Jezui këtë kohë (1) për t’u dhënë zemër dishepujve, (2) për t’i ndihmuar të kuptonin më mirë Shkrimet dhe (3) për t’i stërvitur që të mbanin më tepër përgjegjësi. Në secilin rast do të shohim si mund ta imitojmë Jezuin.
JEPU ZEMËR TË TJERËVE
5. Pse kishin nevojë për inkurajim dishepujt e Jezuit?
5 Dishepujt e Jezuit kishin nevojë për inkurajim. Pse? Disa kishin lënë shtëpinë, familjen dhe punën a biznesin për të ndjekur vazhdimisht Jezuin. (Mat. 19:27) Të tjerëve shoqëria u kishte kthyer kurrizin sepse ishin bërë dishepuj të tij. (Gjoni 9:22) Këto sakrifica i bënë ngaqë besonin se Jezui ishte Mesia i premtuar. (Mat. 16:16) Mirëpo kur Jezuin e vranë, iu prenë në mes shpresat dhe i lëshoi zemra.
6. Çfarë bëri Jezui pasi u ringjall?
6 Pa dyshim, Jezui nuk e pa hidhërimin e dishepujve si një shenjë besimi të dobët, por si reagim normal ndaj një humbjeje të tmerrshme. Prandaj po atë ditë që u ringjall, filloi t’u jepte zemër miqve të tij. Për shembull, iu shfaq Maria Magdalenës ndërsa ajo po qante te varri. (Gjoni 20:11, 16) Iu shfaq edhe dy dishepujve për të cilët folëm në fillim të artikullit. Gjithashtu iu shfaq apostullit Pjetër. (Luka 24:34) Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit? Le të shohim çfarë ndodhi kur iu shfaq Maria Magdalenës.
7. Siç tregon Gjoni 20:11-16, çfarë bëri Maria herët në mëngjesin e 16 nisanit, dhe si veproi Jezui pas asaj që pa? (Shihni edhe figurën.)
7 Lexo Gjonin 20:11-16. Herët në mëngjesin e 16 nisanit, disa gra besnike shkuan te vendi ku kishte qenë trupi i pajetë i Jezuit. (Luka 24:1, 10) Të shohim më nga afër çfarë ndodhi me një prej grave, me Maria Magdalenën. Kur mbërriti te varri, Maria e gjeti të zbrazët. Ajo vrapoi për t’i treguar Pjetrit dhe Gjonit, e pastaj i ndoqi teksa ata vraponin për te varri. Pasi e panë me sytë e tyre se varri ishte bosh, burrat u kthyen në shtëpi. Kurse Maria ndenji aty dhe nisi të qante, ama nuk e dinte se Jezui po e shihte. Ai i vuri re lotët e asaj gruaje besnike dhe u prek thellë. Ndaj iu shfaq Marisë dhe bëri diçka të thjeshtë që e inkurajoi pa masë. Jezui foli me të e i dha një caktim të rëndësishëm—t’i çonte vëllezërve të tij lajmin se ishte ringjallur.—Gjoni 20:17, 18.
8. Si mund ta imitojmë Jezuin?
8 Si mund ta imitojmë Jezuin? Ashtu si Jezui, duhet t’u kushtojmë vëmendje bashkëbesimtarëve që të dimë ç’po heqin dhe që t’u flasim me empati. Kështu i motivojmë që të mos dorëzohen në shërbim të Jehovait. Le të shohim rastin e një motre që quhet Xhoslina, së cilës i vdiq motra në një aksident tragjik. Ajo thotë: «Për muaj të tërë isha zhytur në një pikëllim të thellë.» Në atë kohë, një vëlla me të shoqen e ftuan në shtëpinë e tyre, e dëgjuan plot empati dhe e siguruan se ishte e çmuar për Perëndinë. Xhoslina thotë: «U ndjeva sikur Jehovai i përdori të më tërhiqnin nga një det i errët e plot dallgë në një varkë shpëtimi. Ata më rindezën dëshirën që të vazhdoja t’i shërbeja Jehovait.» Edhe ne mund t’i inkurajojmë të tjerët duke i dëgjuar me vëmendje teksa na hapin zemrën dhe duke u folur me empati, që t’u japim forcë ndërsa i shërbejnë Perëndisë.—Rom. 12:15.
ARSYETO RRETH SHKRIMEVE
9. Çfarë vështirësie kishin dishepujt, dhe si i ndihmoi Jezui?
9 Dishepujt e Jezuit kishin besim te Fjala e Perëndisë dhe përpiqeshin fort ta zbatonin në jetën e përditshme. (Gjoni 17:6) Megjithatë vdekja e Jezuit si kriminel në një shtyllë torture i pështjelloi. Jezui e kuptoi se nga vinin dyshimet e tyre; ata s’kishin zemër të ligë, por nuk i kuptonin mirë Shkrimet. (Luka 9:44, 45; Gjoni 20:9) Prandaj u mësoi si të arsyetonin rreth Shkrimeve. Le të shohim si e bëri këtë kur iu shfaq dy dishepujve rrugës për në Emaus.
10. Si i ndihmoi Jezui dishepujt të kuptonin se ai ishte vërtet Mesia? (Luka 24:18-27)
10 Lexo Lukën 24:18-27. Është interesante që Jezui nuk u tregoi menjëherë atyre burrave se kush ishte. Në vend të kësaj, nisi t’u bënte pyetje. Pse? Mbase donte që të shprehnin çfarë kishin në mendje dhe në zemër. E ashtu ndodhi. Ata i treguan se kishin shpresuar që Jezui ta çlironte Izraelin nga zgjedha romake. Pasi i shprehën gjithë meraqet e tyre, Jezui përdori Shkrimet që t’i ndihmonte të kuptonin ngjarjet që kishin ndodhur.b Më vonë atë mbrëmje, Jezui u kushtoi kohë edhe dishepujve të tjerë që t’ua shpjegonte ato të vërteta. (Luka 24:33-48) Çfarë mund të mësojmë nga kjo ngjarje?
11-12. (a) Ç’mësojmë nga mënyra si ua mësonte Jezui të tjerëve të vërtetat e Biblës? (Shihni edhe figurat.) (b) Si e ndihmoi Nortein mësuesi i Biblës?
11 Si mund ta imitojmë Jezuin? Kur mëson studentët e Biblës, si fillim bëj pyetje me takt që i ndihmojnë të shprehin ç’kanë në mendje e në zemër. (Prov. 20:5) Pasi i ke kuptuar si ndihen, tregoju si të gjejnë shkrime specifike për rrethanat e tyre. Pastaj rezistoji prirjes për t’u thënë çfarë të bëjnë. Më mirë ndihmoji të arsyetojnë rreth Shkrimeve dhe të dallojnë si t’i zbatojnë parimet e Biblës në jetën e tyre. Le të shohim rastin e Norteit, një vëlla në Ganë.
12 Nortei filloi të studionte Biblën kur ishte 16 vjeç. Por s’kaloi shumë dhe familja nisi t’i kundërvihej. Çfarë e ndihmoi të mos hiqte dorë? Mësuesi i tij i Biblës kishte përdorur kapitullin 10 të Mateut që t’i shpjegonte se të krishterët e vërtetë do të hasnin përndjekje. «Prandaj kur filloi përndjekja,—thotë Nortei—isha i bindur se kisha gjetur të vërtetën.» Gjithashtu mësuesi i Biblës e ndihmoi të arsyetonte për Mateun 10:16, që të tregonte kujdes e njëkohësisht respekt kur në familje të diskutoheshin çështje fetare. Pas pagëzimit, Nortei donte të bëhej pionier, ndërsa i ati priste të shkonte në universitet. Në vend që t’i thoshte Norteit çfarë të bënte, mësuesi i tij e ndihmoi me anë të pyetjeve që të arsyetonte cilat parime të Biblës vlenin për të. Rezultati? Nortei vendosi të fillonte shërbimin në kohë të plotë, e si pasojë i ati e dëboi nga shtëpia. Si ndihet Nortei për atë që ndodhi? Ai thotë: «Jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e duhur.» Kur edhe ne lëmë kohë për t’i ndihmuar të tjerët të arsyetojnë rreth Shkrimeve, i ndihmojmë që besimi i tyre të ketë rrënjë të forta.—Efes. 3:16-19.
STËRVITI VËLLEZËRIT QË TË BËHEN «DHURATA NË NJERËZ»
13. Si u sigurua Jezui që të vazhdonte vepra që i kishte besuar Ati? (Efesianëve 4:8)
13 Kur ishte në tokë, Jezui e kreu plotësisht veprën që i kishte caktuar Ati. (Gjoni 17:4) Megjithatë nuk kishte qëndrimin «nëse do që diçka të bëhet siç duhet, bëje vetë». Gjatë 3 viteve e gjysmë që shërbeu në tokë, ai stërviti edhe të tjerë që të bënin atë vepër. Para se të kthehej në qiell, Jezui u besoi dishepujve—disa prej të cilëve mund të kenë qenë te të 20-at—një përgjegjësi me peshë. Ata duhej të kujdeseshin për delet e çmuara të Jehovait dhe të merrnin drejtimin në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Si i përdori Jezui 40 ditët e fundit për t’i stërvitur këta burra të kushtuar, besnikë dhe të palodhur që të bëheshin «dhurata në njerëz»?—Lexo Efesianëve 4:8.
14. Gjatë 40 ditëve të fundit në tokë, si i ndihmoi Jezui dishepujt të bëheshin më të pjekur? (Shihni edhe figurën.)
14 Jezui u jepte dishepujve këshilla të drejtpërdrejta, por të dashura. Për shembull, ai vuri re se disa kishin prirjen të dyshonin, ndaj u dha këshilla. (Luka 24:25-27; Gjoni 20:27) Gjithashtu i nxiti që të merakoseshin më shumë për delet e Jehovait sesa për punën a biznesin. (Gjoni 21:15) Jezui u kujtoi të mos shqetësoheshin tepër për privilegjet që mund të merrnin të tjerët në shërbim të Jehovait. (Gjoni 21:20-22) Gjithashtu u ndreqi disa ide të gabuara që kishin për Mbretërinë dhe i ndihmoi të përqendroheshin te predikimi i lajmit të mirë. (Vep. 1:6-8) Ç’mund të mësojnë pleqtë nga Jezui?
15-16. (a) Në cilat mënyra mund ta imitojnë pleqtë Jezuin? (b) Si nxori dobi nga këshillat Patriku?
15 Si mund ta imitojnë pleqtë Jezuin? Pleqtë duhet t’i stërvitin vëllezërit, duke përfshirë edhe më të rinjtë në moshë, që të kualifikohen për më tepër përgjegjësi.c Ata nuk presin përsosmëri nga vëllezërit që stërvitin. Pleqtë duhet t’i këshillojnë me dashuri këta vëllezër të rinj, në mënyrë që të fitojnë përvojë e të mësojnë të jenë të përulur, të besueshëm dhe gati t’u shërbejnë të tjerëve.—1 Tim. 3:1; 2 Tim. 2:2; 1 Pjet. 5:5.
16 Le të shohim si nxori dobi nga këshillat një vëlla që quhet Patrik. Ai kishte prirjen të fliste ashpër dhe të sillej vrazhdë me të tjerët, madje edhe me motrat. Një plak me përvojë e vuri re këtë pikë të dobët të Patrikut dhe e këshilloi me dashuri, por hapur. Patriku thotë: «Jam i kënaqur që e bëri këtë. Shkurajohesha kur shihja vëllezër të tjerë tek merrnin privilegje shërbimi që i doja edhe unë. Por falë këshillës së atij plaku, kuptova se meraku im kryesor duhej të ishte t’u shërbeja me përulësi vëllezërve e motrave, jo të kisha ndonjë përgjegjësi a privilegj në kongregacion.» Më pas, Patriku u emërua plak kongregacioni kur ishte në fillim të të 20-ave.—Prov. 27:9.
17. Si e tregoi Jezui se kishte besim te dishepujt?
17 Jezui u dha dishepujve përgjegjësinë që jo vetëm të predikonin, por edhe të mësonin të tjerët. Ndoshta dishepujt nuk ndiheshin të kualifikuar për atë caktim. Megjithatë Jezui s’kishte fije dyshimi se mund ta kryenin me sukses veprën dhe ua tha këtë. Jezui e shprehu besimin absolut që kishte te ta me fjalët: «Ashtu si Ati më ka dërguar mua, edhe unë po ju dërgoj ju.»—Gjoni 20:21.
18. Si mund ta imitojnë pleqtë Jezuin?
18 Si mund ta imitojnë pleqtë Jezuin? Pleqtë me përvojë u delegojnë përgjegjësi të tjerëve. (Filip. 2:19-22) Për shembull, pleqtë mund t’i përfshijnë të rinjtë në pastrimin dhe në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Pasi i japin një detyrë një vëllai, mund ta tregojnë besimin tek ai duke e stërvitur e duke qenë të sigurt se do ta bëjë punën siç duhet. Methju, një plak i ri, thotë se u është tejet mirënjohës pleqve me përvojë që e stërvitin me kujdes për të përmbushur një caktim, e pastaj kanë besim se do ta çojë deri në fund. Ai shprehet: «Kam nxjerrë dobi ngaqë ata i kanë parë gabimet e mia si pjesë e procesit të mësimit, e pastaj më kanë ndihmuar të përmirësohem.»d
19. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
19 Jezui i përdori 40 ditët e fundit në tokë për t’u dhënë zemër të tjerëve, për t’i mësuar e për t’i stërvitur. Qofshim të vendosur të ndjekim me kujdes gjurmët e tij. (1 Pjet. 2:21) Ai do të na ndihmojë për këtë, sepse na ka premtuar: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mat. 28:20.
KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!
a Ungjijtë dhe libra të tjerë të Biblës tregojnë se Jezui u shfaq shumë herë pas ringjalljes. Për shembull, iu shfaq Maria Magdalenës (Gjoni 20:11-18); disa grave të tjera (Mat. 28:8-10; Luka 24:8-11); 2 dishepujve (Luka 24:13-15); Pjetrit (Luka 24:34); apostujve, përveç Thomait (Gjoni 20:19-24); apostujve duke përfshirë Thomain (Gjoni 20:26); 7 dishepujve (Gjoni 21:1, 2); më tepër se 500 dishepujve (Mat. 28:16; 1 Kor. 15:6); vëllait të tij, Jakovit (1 Kor. 15:7); të gjithë apostujve (Vep. 1:4) dhe apostujve pranë Betanisë. (Luka 24:50-52) Jezui mund të jetë shfaqur edhe në raste të tjera që nuk janë dokumentuar në Bibël.—Gjoni 21:25.
b Për një listë të profecive mesianike, shih në jw.org artikullin «A provojnë profecitë mesianike se Jezui ishte Mesia?»
c Në disa raste, disa vëllezër mund të kualifikohen të shërbejnë si mbikëqyrës qarkorë kur janë në mes a në fund të të 20-ave. Gjithsesi, së pari duhet të kenë përvojë si pleq kongregacioni.
d Për sugjerime të mëtejshme si t’i stërvitësh vëllezërit më të rinj të kualifikohen për të marrë përgjegjësi, shih Kullën e Rojës të gushtit 2018, f. 11-12, par. 15-17, dhe të 15 prillit 2015, f. 3-13.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi mësuesi i Biblës e ndihmon të arsyetojë rreth Shkrimeve, studenti vendos t’i hedhë zbukurimet e Krishtlindjeve.