SIERRA-LEONE DHE GUINEJA
Diçka më e mirë se diamantet
Tamba Josia
LINDUR: 1948
PAGËZUAR: 1972
TË DHËNA: Punonte në minierat e diamanteve para se të merrte të vërtetën. Sot është anëtar i Komitetit të Degës në Sierra-Leone.
NË VITIN 1970, punoja në një kompani minerare britanike në Tongo-Fillds, një zonë e pasur me diamante në veri të Kenemës. Gjithashtu kërkoja diamante në kohën e lirë. Sa herë që gjeja, vishesha mirë dhe shkoja në Kenemë për t’i shitur e për të bërë qejf.
Në 1972-shin, takova Dëshmitarët e Jehovait dhe fillova të studioja Biblën. Pesë muaj më vonë, u kualifikova për pagëzim. Meqë nuk kisha më ditë pushimi, i kërkova një kolegu të më zëvendësonte që të ndiqja kongresin e të pagëzohesha. Pranoi, vetëm me kusht që t’i jepja pagën e një jave. Pagëzimi ishte më i rëndësishëm se paratë për mua, prandaj pranova menjëherë ofertën e tij. Kur u ktheva nga kongresi, ai më tha t’i mbaja paratë, pasi t’i shërbeja Perëndisë ishte gjëja e duhur. Gjashtë muaj më vonë, lashë punën me rrogë të mirë për të grumbulluar thesare në qiell si pionier special.—Mat. 6:19, 20.
Për 18 vjet shërbeva si pionier special dhe mbikëqyrës qarkor në zona të ndryshme të vendit. Ndërkohë u martova me Kristianën, një bashkëshorte besnike që më ka mbështetur gjithmonë. Më vonë, u bekuam me një vajzë, Linetën.
Dikur ëndërroja të gjeja diamante të mirëfillta, por gjeta diçka shumë më të mirë—pasuri frymore
Gjatë luftës civile në Sierra-Leone, bashkë me Kristianën shërbyem si pionierë në Bou, që ndodhet në një ndër zonat kryesore për nxjerrjen e diamanteve. Atje gjetëm shumë «diamante» frymore, të krishterë të vërtetë. Brenda katër vjetësh, kongregacioni ynë u rrit më se 60 për qind. Sot në Bou ka tri kongregacione që lulëzojnë.
Më 2002, më ftuan të bëhesha anëtar i Komitetit të Degës në Sierra-Leone. Unë dhe Kristiana banojmë afër Bethelit. Bëj vajtje-ardhje çdo ditë për në punë, kurse Kristiana shërben si pioniere speciale. Lineta punon në Bethel në skuadrën e përkthimit për gjuhën krio.
Dikur ëndërroja të gjeja diamante të mirëfillta, por gjeta diçka shumë më të mirë—pasuri frymore. Për më tepër kam zbuluar 18 «diamante» frymore, pra të krishterë të vërtetë. Po, Jehovai më ka bekuar pa masë.