TË RINJTË PYESIN
Çfarë të bëj nëse po ngel në shkollë?
«Disa nga shokët e klasës s’i sheh ndonjëherë me libër në dorë. I ke gjithë kohës me kufje në vesh duke dëgjuar muzikë, ndërkohë që mësuesi shpjegon. Për këta nuk habitem që janë keq me mësime. Pastaj ke dhe tipa si puna ime që përpiqen shumë, studiojnë gjithë kohës dhe prapë s’marrim nota të mira në provim. Sinqerisht s’e kuptoj pse. Më vjen inat kur tërë javën rri mbi libra dhe përsëri marr një notë të keqe.»—Jolanda.
A e gjen veten te fjalët e Jolandës? Të themi të drejtën është demoralizuese të marrësh nota të këqija.
Disa të rinj që janë keq me mësime, dorëzohen e s’përpiqen fare të përmirësojnë notat. Ca të tjerë mund edhe ta lënë shkollën. Mirëpo, asnjëra nuk i jep zgjidhje problemit, edhe pse mund të jenë mënyrat më të lehta. Shqyrto 6 sugjerime që të marrësh nota më të mira.
Ç’mund të bësh?
Ndiq çdo orë mësimi. Edhe pse s’do shumë mend për ta kuptuar këtë, nëse lë ca orë mësimi, do të ndikojë për keq te notat e tua.
«Në shkollën time, ata që s’e vritnin mendjen për notat, zakonisht linin orët e mësimit. Kjo ishte në dëm të tyre.»—Methju.
Parim nga Bibla: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Përfito nga çdo orë mësimi. Të jesh në çdo orë mësimi, është një fillim i mbarë. Ama duhet të bësh çmos që të përfitosh sa më shumë. Për shembull, mbaj shënime të qarta. Përpiqu të kuptosh çfarë po shpjegon mësuesi. Madje, nëse të lejohet, bëj pyetje gjatë mësimit.
«Bëj goxha pyetje në klasë, sepse kam parë që mësuesi e shpjegon më mirë diçka nëse vëren që një nxënës nuk e ka kuptuar.»—Olivia.
Parim nga Bibla: «Kushtoni vëmendje si dëgjoni.»—Luka 8:18.
Mos bëj hile. Ka shumë mënyra për të bërë hile në shkollë. Një prej tyre është kopjimi. Kjo jo vetëm që është e pandershme, por edhe s’të ndihmon të mësosh ndonjë gjë.
«Nëse nuk kupton diçka gjatë provimit, mos i kopjo përgjigjet nga një shok tjetër. Kështu veçse po i prish punë vetes. Në vend që të mësosh t’i zgjidhësh vetë problemet, po mëson të jesh i varur nga të tjerët.»—Xhonatani.
Parim nga Bibla: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Jepu përparësi detyrave të shtëpisë. Nëse mundesh, bëji detyrat e shtëpisë para aktiviteteve të tjera, sidomos para zbavitjes.a Kështu, kur t’i kesh mbaruar detyrat e shtëpisë, do të kënaqesh më tepër në kohën e lirë.
«Ngaqë u jepja përparësi detyrave të shtëpisë, merrja nota më të mira. Kur kthehesha nga shkolla, ma kishte qejfi të bëja një sy gjumë ose të dëgjoja muzikë. Por, në fillim përpiqesha të bëja detyrat e pastaj të çlodhesha.»—Kalvini.
Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Kërko ndihmë. Mos ki turp të kërkosh ndihmë. Fol me prindërit ose pyet mësuesin si t’i përmirësosh notat. Ndonjëherë mund të të ndihmojnë edhe kurset private.
«Fol vetë me mësuesin. Kërkoji ndihmë që ta kuptosh më mirë lëndën dhe të përmirësosh notat. Mësuesit do t’i bëjë përshtypje vendosmëria jote dhe do të të mbështetë.»—Davidi.
Parim nga Bibla: «Planet . . . plotësohen me shumë këshilltarë.»—Proverbat 15:22.
Shfrytëzo çdo mundësi për të përmirësuar notat. Në disa vende, provimet kanë pyetje shtesë që të marrësh një notë më të mirë. Ose mund të dalësh vullnetar për projekte ekstra që të përmirësosh notën. Ndërsa po ngele në provim, mund të kërkosh ta përsëritësh.
«Nëse dua të dal më mirë në një lëndë, duhet ta marr unë iniciativën. Zakonisht pyes mësuesin për ndonjë projekt shtesë ose t’i përsëris detyrat për një notë më të lartë.»—Mekenzi.
Parim nga Bibla: «Çdo punë e palodhur sjell dobi.»—Proverbat 14:23.
a Për sugjerime specifike si të studiosh më mirë, lexo artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si t’ia bëj kur kam një mal me detyra?»