SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Isaia 41:10—«Mos ki frikë, sepse unë jam me ty»
«Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj, do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»—Isaia 41:10, Përkthimi Bota e Re.
«Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.»—Isaia 41:10, Diodati i Ri.
Kuptimi i Isaisë 41:10
Perëndia Jehovaa i siguron adhuruesit e tij besnikë se do t’i ndihmojë në çfarëdo problemi të hasin.
«Unë jam me ty.» Jehovai u jep adhuruesve të tij një arsye se pse nuk duhet të kenë frikë—ata nuk janë vetëm. Ai e sheh çfarë heqin dhe i dëgjon lutjet e tyre, prandaj është njëlloj sikur të ishte aty, krah tyre.—Psalmi 34:15; 1 Pjetrit 3:12.
«Unë jam Perëndia yt.» Jehovai i qetëson adhuruesit e tij duke u kujtuar se është Perëndia i tyre në çfarëdolloj rrethane dhe se ata kanë miratimin e tij. Ndaj, mund të jenë të sigurt se nuk ka asnjë rrethanë që mund ta pengojë Perëndinë të veprojë në dobi të tyre.—Psalmi 118:6; Romakëve 8:32; Hebrenjve 13:6.
«Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj, do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» Duke përdorur tri shprehje që përcjellin të njëjtin mendim, Jehovai thekson se ndihma e tij është e sigurt. Ai përdor një ilustrim për të treguar si reagon kur shërbëtorët e tij janë në vështirësi. Nëse dikush bie, Perëndia i zgjat dorën e tij të djathtë që ta ngrejë.—Isaia 41:13.
Një nga mënyrat kryesore si Perëndia i forcon dhe i ndihmon adhuruesit e tij është me anë të Fjalës së tij, Biblës. (Josiu 1:8; Hebrenjve 4:12) Për shembull, Fjala e Perëndisë jep këshilla praktike për ata që vuajnë nga varfëria, sëmundjet ose vdekja e një personi të dashur. (Proverbat 2:6, 7) Perëndia mund të përdorë edhe frymën e shenjtë, ose forcën e tij aktive, që t’u japë shërbëtorëve të tij forcën e duhur mendore dhe emocionale për të përballuar sprovat.—Isaia 40:29; Luka 11:13.
Konteksti i Isaisë 41:10
Këto fjalë u dhanë ngushëllim judenjve besnikë që më vonë i morën robër në Babiloni. Jehovai kishte parathënë se nga fundi i periudhës së mërgimit të judenjve, do të dilnin fjalë se do të vinte një pushtues që do të shkretonte kombet përreth dhe do të kërcënonte Babiloninë. (Isaia 41:2-4; 44:1-4) Ndërkohë që Babiloninë dhe kombet përreth do t’i zinte frika kur ta dëgjonin këtë, judenjtë nuk kishin pse të shqetësoheshin sepse do të kishin mbrojtjen e Jehovait. Ai i siguroi tri herë me fjalët ‘mos kini frikë’.—Isaia 41:5, 6, 10, 13, 14.
Edhe pse fillimisht këto fjalë u drejtoheshin judenjve besnikë që ishin në mërgim, Perëndia Jehova i ruajti fjalët e Isaisë 41:10 që t’u jepnin ngushëllim të gjithë adhuruesve të tij. (Isaia 40:8; Romakëve 15:4) Ai i ndihmon shërbëtorët e tij sot, njëlloj siç bëri në të kaluarën.
Lexo kapitullin 41 të Isaisë bashkë me shënimet shpjeguese dhe referimet.
a Jehova është emri personal i Perëndisë.—Psalmi 83:18.