SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS
Marku 11:24—«Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni»
«Prandaj po ju them: për gjithçka që luteni dhe kërkoni, kini besim sikur ta keni marrë tashmë, dhe do ta merrni.»—Marku 11:24, Përkthimi Bota e Re.
«Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.»—Marku 11:24, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.
Kuptimi i Markut 11:24
Me këto fjalë, Jezui u tregon dishepujve të tij sa e rëndësishme është të kenë besim të fortë te fuqia e lutjes. Ai i siguron se Perëndia jo vetëm i dëgjon lutjet e tyre, por edhe u përgjigjet. Një person që lutet me gjithë zemër dhe në përputhje me vullnetin e Perëndisë, mund të jetë i sigurt se lutja e tij do të realizohet pa diskutim. Është sikur lutja tashmë të ketë marrë përgjigje.
Jezui thekson sa e rëndësishme është të lutemi me besim. Ai shpjegon se kush lutet, nuk duhet të ketë «pikë dyshimi në zemër», por duhet të ketë «besim se ajo që thotë, do të ndodhë». (Marku 11:23) Pse? Sepse kush dyshon, nuk mund ‘të pretendojë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai’.a—Jakovi 1:5-8.
Një njeri me besim lutet shpesh. (Luka 11:9, 10; Romakëve 12:12) Në këtë mënyrë, ai tregon se ka vërtet nevojë për atë që po lutet dhe se beson me gjithë zemër se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të tij. Sigurisht, ai e pranon edhe se Zoti mund të zgjedhë t’i përgjigjet në një mënyrë a në një kohë tjetër nga ç’pret ai.—Efesianëve 3:20; Hebrenjve 11:6.
Sidoqoftë, fjalët e Jezuit nuk nënkuptojnë se të gjithë pa përjashtim mund të marrin çdo gjë që kërkojnë në lutje. Jezui po u drejtohej dishepujve të tij, burra plot besim që po bënin çmos ta adhuronin Perëndinë Jehova ashtu siç dëshiron Ai. Veç kësaj, Bibla thotë se Jehovai dëgjon vetëm ato lutje që janë në harmoni me vullnetin e tij. (1 Gjonit 5:14) Ai i mbyll veshët para lutjeve të njerëzve që i shpërfillin me dashje normat e tij dhe që bëjnë të këqija pa u penduar. (Isaia 1:15; Mikea 3:4; Gjoni 9:31) Që të mësosh më shumë se çfarë lutjesh dëgjon Perëndia, shih këtë video të shkurtër.
Konteksti i Markut 11:24
Ditët e fundit të shërbimit të tij në tokë, Jezui u shpjegoi dishepujve sa e rëndësishme ishte të tregonin besim të patundur te Perëndia. Ai e përforcoi këtë mësim me anë të një ilustrimi. Ndërsa udhëtonte për në Jerusalem, vuri re një pemë fiku që i kishte lëshuar gjethet herët. Mirëpo, pema nuk kishte asnjë kokërr, prandaj Jezui e mallkoi. (Marku 11:12-14) Pamja mashtruese e asaj peme ilustronte kombin e lashtë të Izraelit i cili, ndonëse dukej sikur adhuronte Perëndinë, në të vërtetë nuk kishte fare besim. (Mateu 21:43) Pak pas kësaj, pema e fikut u tha, dhe kjo tregonte se çfarë do të ndodhte së shpejti me izraelitët pa besim.—Marku 11:19-21.
Megjithatë, Jezui ishte i bindur se dishepujt e tij mund të zhvillonin besimin që u duhej për të kapërcyer sfidat dhe për të realizuar gjëra të jashtëzakonshme. (Marku 11:22, 23) Këshilla e tij për lutjet ishte fiks në kohën e duhur për dishepujt, sepse pas pak besimi i tyre do të vihej në provë. Do t’u duhej të përballonin vdekjen e Jezuit dhe kundërshtimet ndaj shërbimit të tyre, që do të shtoheshin gjithnjë e më shumë. (Luka 24:17-20; Veprat 5:17, 18, 40) Edhe sot, dishepujt e Jezuit mund të përballojnë situata të vështira kur shfaqin besim te Perëndia dhe te fuqia e lutjes.—Jakovi 2:26.
Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Markut.
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»