Gratë e krishtere besnike—Adhuruese të çmuara të Perëndisë
«Nuri mund të jetë i rremë dhe e kotë mund të jetë bukuria; por gruaja që ka frikë Jehovain do t’i sjellë lëvdim vetes.»—PROVERBAT 31:30, BR.
1. Cila është pikëpamja e Jehovait për bukurinë duke e krahasuar me pikëpamjen që ka bota?
BOTA i jep shumë rëndësi pamjes së jashtme, sidomos në lidhje me gratë. Megjithatë Jehovai interesohet në radhë të parë për njeriun e brendshëm, i cili mund të bëhet edhe më i bukur ndërsa mosha kalon. Prandaj Bibla i nxit gratë: «Stolisja juaj le të mos jetë e jashtme, ajo e gërshetimit të flokëve, e vënies së stolive prej ari ose e veshjes së rrobave, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.»—1 Pjetrit 3:3, 4.
2, 3. Si kontribuan gratë në përhapjen e lajmit të mirë në shekullin e parë? Si ishte parathënë kjo?
2 Një frymë të tillë të denjë për lëvdim shfaqën shumë gra të përmendura në Bibël. Në shekullin e parë disa prej tyre kishin privilegjin që t’i shërbenin Jezuit dhe apostujve të tij. (Luka 8:1-3) Më vonë, disa gra të krishtere u bënë ungjillëzuese të zellshme; të tjera u dhanë një mbështetje të vlefshme burrave të krishterë që merrnin drejtimin, përfshirë apostullin Pavël; dhe disa treguan mikpritje të jashtëzakonshme, madje duke i vënë në dispozicion shtëpitë e tyre për mbledhjet e kongregacionit.
3 Fakti se Jehovai do të përdorte gratë në një mënyrë të fuqishme për realizimin e qëllimit të tij, u paratha në Shkrime. Për shembull, Joeli 2:28, 29 parathoshte se burra e gra, të rinj e të moshuar, do të merrnin frymë të shenjtë dhe do të merrnin pjesë në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Kjo profeci filloi të përmbushej në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Veprat 2:1-4, 16-18) Disa gra të mirosura me frymë morën dhurata të mrekullueshme, si për shembull dhurata për të profetizuar. (Veprat 21:8, 9) Nëpërmjet zellit të tyre në shërbim, kjo ushtri e madhe frymore motrash besnike kontribuoi në përhapjen e shpejtë të krishterimit në shekullin e parë. Në të vërtetë rreth vitit 60 të e.s., apostulli Pavël shkroi se lajmi i mirë ishte ‘predikuar ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell’.—Kolosianëve 1:23.
Të lavdëruara për guximin, zellin dhe mikpritjen
4. Pse Pavli kishte arsye të vlefshme për të lavdëruar disa gra në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?
4 Apostulli Pavël patjetër e çmonte shërbimin që kryenin disa gra në veçanti, ashtu si mbikëqyrësit e krishterë sot e vlerësojnë shërbimin që kryejnë gratë e zellshme. Mes grave që Pavli i përmendi me emër ishin ‘Trifena dhe Trifosa, gra që po punonin pa u lodhur në Zotërinë’ dhe ‘Persida e dashur, sepse u mundua shumë në Zotërinë’. (Romakëve 16:12) Evodia dhe Sintikia, shkroi Pavli, ishin «përpjekur krah për krah me [të] në lajmin e mirë». (Filipianëve 4:2, 3) Edhe Prishila, bashkë me të shoqin, Akuilën, shërbyen përkrah Pavlit. Ajo dhe Akuila madje «vunë kokën e tyre në rrezik» për Pavlin, duke e nxitur atë të shkruante: «U jap falënderime jo vetëm unë, por edhe të gjitha kongregacionet e kombeve.»—Romakëve 16:3, 4; Veprat 18:2.
5, 6. Në cilat mënyra Prishila la një shembull të shkëlqyer për motrat sot?
5 Cila ishte arsyeja e zellit dhe e guximit të Prishilës? Një shpjegim gjendet te Veprat 18:24-26, ku lexojmë se ajo e mbështeti të shoqin që të ndihmonte Apolin, një orator të aftë, që të ishte në një hap me të vërtetën e zbuluar. Duket pra, se Prishila ishte një studiuese e zellshme e Fjalës së Perëndisë dhe e mësimeve të apostujve. Si rrjedhim ajo zhvilloi cilësi të shkëlqyera që e bënë të çmuar për Perëndinë e për burrin dhe një pjesëtare të vlefshme të kongregacionit të hershëm. Po kaq të çmuara janë edhe motrat e shumta të krishtere të palodhura sot, të cilat studiojnë me zell Biblën dhe përvetësojnë ushqimin frymor që Jehovai e siguron nëpërmjet ‘kujdestarit të besueshëm’.—Luka 12:42.
6 Akuila dhe Prishila ishin shumë mikpritës. Pavli qëndroi në shtëpinë e tyre kur punoi me ta në Korint për të bërë tenda. (Veprat 18:1-3) Kur çifti u transferua në Efes e më vonë në Romë, ata vazhduan të shfaqnin mikpritje të krishterë, madje duke e vënë në dispozicion shtëpinë për mbledhjet e kongregacionit. (Veprat 18:18, 19; 1 Korintasve 16:8, 19) Edhe Nimfa dhe Maria, nëna e Gjon Markut, i hapën shtëpitë e tyre për mbledhjet e kongregacionit.—Veprat 12:12; Kolosianëve 4:15.
Një pasuri e çmuar sot
7, 8. Çfarë dëshmie të lavdërueshme të shërbimit të shenjtë kanë shumë motra të krishtere sot? Për çfarë mund të jenë të sigurta ato?
7 Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot motrat e krishtere besnike luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e qëllimit të Perëndisë, sidomos në veprën e ungjillëzimit. Dhe çfarë dëshmie veprash të shkëlqyera që kanë këto motra! Të shqyrtojmë shembullin e Guenës, e cila i shërbeu me besnikëri Jehovait për më tepër se 50 vjet, deri kur vdiq në vitin 2002. Burri i saj thotë: «Zelli i Guenës si ungjillëzuese ishte me famë në qytetin tonë. Për të çdo njeri mund të nxirrte dobi nga dashuria dhe premtimet e Jehovait. Besnikëria e saj ndaj Perëndisë, organizatës dhe familjes sonë, për të mos përmendur inkurajimin e saj të dashur kur ishim të shkurajuar, ka qenë një mbështetje e madhe për mua dhe për fëmijët gjatë gjithë jetës sonë të këndshme e plot aktivitete. E ndiejmë shumë mungesën e saj.» Guena dhe burri i saj ishin të martuar prej 61 vjetësh.
8 Dhjetëra mijë motra të krishtere, beqare ose të martuara shërbejnë si pioniere dhe misionare. Ato janë të kënaqura me gjërat më të nevojshme të jetës, ndërsa përhapin mesazhin e Mbretërisë në territore që shtrihen nga qytetet e zhurmshme e deri në rajonet e veçuara. (Veprat 1:8) Disa kanë hequr dorë të kenë një shtëpi ose fëmijë, me qëllim që t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait. Ka disa të cilat i mbështetin besnikërisht burrat e tyre që shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues, kurse mijëra motra të tjera shërbejnë në shtëpitë Bethel anembanë botës. Pa dyshim këto motra vetëmohuese janë mes ‘gjërave të dëshirueshme të të gjitha kombeve’, të cilat e mbushin shtëpinë e Jehovait me lavdi.—Hageu 2:7, BR.
9, 10. Si kanë shprehur mirënjohje disa pjesëtarë familjesh për shembullin e shkëlqyer që kanë lënë gratë dhe nënat e krishtere?
9 Natyrisht shumë gra të krishtere kanë përgjegjësi në familje, megjithatë ato i mbajnë në vend të parë interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Një motër pioniere e pamartuar shkroi: «Mamaja, falë besimit të patundur dhe shembullit të saj të shkëlqyer, luajti një rol të rëndësishëm që të bëhesha pioniere e rregullt. Në të vërtetë ajo ishte një nga bashkëpunëtoret e mia më të mira pioniere.» Një burrë thotë për të shoqen, nënë e pesë vajzave të rritura: «Shtëpia jonë ka qenë gjithnjë e pastër dhe e rregullt. Boni e ka mbajtur shtëpinë të thjeshtë dhe pa shumë gjëra, në mënyrë që familja të përqendrohej në gjërat frymore. Ndihma e saj në administrimin e kujdesshëm të parave më dha mundësinë që të punoja në kohë të pjesshme për 32 vjet. Kështu mund t’i kushtoja më shumë kohë familjes dhe gjërave frymore. Gjithashtu im shoqe u mësoi fëmijëve vlerën e punës së palodhur. Ajo meriton vetëm lavdërime nga unë.» Sot burrë e grua shërbejnë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait.
10 Një burrë shkroi për të shoqen, nënë fëmijësh të rritur: «Cilësitë që admiroj më shumë te Suzana janë dashuria e zjarrtë për Perëndinë e për njerëzit, si edhe aftësia për t’i kuptuar të tjerët, empatia që shfaq dhe ndershmëria. Gjithmonë ka pasur pikëpamjen se Jehovai meriton më të mirën që mund t’i japim dhe këtë parim ia ka zbatuar vetes edhe si shërbëtore e Perëndisë, edhe si nënë.» Me mbështetjen e gruas, ky burrë ka mundur të pranojë shumë privilegje frymore, ku përfshihen privilegji për të shërbyer si plak, si pionier, si zëvendësmbikëqyrës qarkor dhe si pjesëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet. Sa të çmuara janë këto gra për burrat e tyre, për të bashkëkrishterët dhe më kryesorja, për Jehovain!—Fjalët e urta (Proverbat) 31:28, 30.
Gra të çmuara pa bashkëshort
11. (a) Si e ka treguar Jehovai interesimin e tij për gratë besnike, sidomos për vejushat? (b) Për çfarë mund të jenë të sigurta vejushat e krishtere dhe motrat e tjera besnike që nuk kanë një bashkëshort?
11 Jehovai e shprehu shpesh interesimin e tij për mirëqenien e vejushave. (Ligji i përtërirë 27:19; Psalmi 68:5; Isaia 10:1, 2) Ai nuk ka ndryshuar. Vazhdon të interesohet shumë jo vetëm për vejushat, por edhe për nënat e vetme dhe për motrat që janë të pamartuara sepse kanë vendosur vetë kështu ose ngaqë nuk kanë gjetur një burrë të krishterë të përshtatshëm. (Malakia 3:6; Jakovit 1:27) Nëse je mes atyre që i shërbejnë me besnikëri Jehovait, pa mbështetjen e një bashkëshorti të krishterë, mund të jesh e sigurt se je e çmuar në sytë e Perëndisë.
12. (a) Si e tregojnë disa motra të krishtere besnikërinë ndaj Jehovait? (b) Çfarë ndjenjash përjetojnë disa motra të krishtere?
12 Të shqyrtojmë si shembull motrat tona të krishtere që nuk janë martuar, sepse i binden me besnikëri këshillës së Jehovait për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39; Fjalët e urta 3:1) Fjala e Perëndisë i siguron ato: «Me atë që është besnik [o Jehova] do të veprosh me besnikëri.» (2 Samuelit 22:26, BR) Sidoqoftë, shumë prej tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të pamartuara. Një motër thotë: «Vendosa të martohem vetëm në Zotërinë, por kam qarë shumë herë kur shihja shoqet që martoheshin me burra të krishterë të mrekullueshëm, ndërsa unë vazhdoj të mbetem e vetme.» Një motër tjetër thotë: «I shërbej Jehovait prej 25 vjetësh. Jam e vendosur t’i qëndroj atij besnik, por ndjenjat e vetmisë shpesh më trishtojnë.» Ajo shton: «Motrat si unë kanë shumë nevojë për inkurajim.» Si mund t’i ndihmojmë këto motra besnike?
13. (a) Çfarë mësojmë nga shembulli që lanë ato që vizitonin vajzën e Jefteut? (b) Në cilat mënyra të tjera mund të tregojmë interesimin tonë për motrat e pamartuara që bëjnë pjesë në kongregacionin tonë?
13 Një mënyrë se si mund t’i ndihmojmë e mësojmë nga një shembull i lashtë. Kur e bija e Jefteut hoqi dorë nga mundësia për t’u martuar, njerëzit e kuptuan se ajo po bënte një sakrificë. Çfarë bënë për ta inkurajuar? «Në Izrael u bë zakon që vit për vit bijat e Izraelit të shkonin për të lavdëruar bijën e Jefteut, galaditit, për katër ditë me radhë.» (BR) (Gjyqtarët [Gjykatësve] 11:30-40) Edhe ne duhet t’i lavdërojmë me gjithë zemër motrat e pamartuara që i binden me besnikëri ligjit të Perëndisë.a Cila është një mënyrë tjetër që mund të tregojmë interesimin tonë? Në lutjet tona t’i kërkojmë Jehovait t’i mbështetë këto motra të shtrenjta e besnike që të vazhdojnë me besnikëri në shërbimin e tyre. Ato meritojnë të sigurohen se Jehovai dhe tërë kongregacioni i krishterë kanë për to një dashuri të ngrohtë dhe çmueshmëri të thellë.—Psalmi 37:28.
Si ia dalin mbanë prindërit e vetëm?
14, 15. (a) Pse duhet të kërkojnë ndihmën e Jehovait të krishteret që janë prindër të vetëm? (b) Çfarë mund të bëjnë prindërit e vetëm në përputhje me lutjet e tyre?
14 Edhe gratë e krishtere që janë prindër të vetëm hasin shumë vështirësi. Por ato mund t’i drejtohen Jehovait që t’i ndihmojë t’i rritin fëmijët sipas parimeve biblike. Vërtet, në qoftë se je një prind i vetëm nuk mund të jesh edhe baba, edhe nënë për çdo gjë. Sidoqoftë Jehovai do të të ndihmojë të kujdesesh për përgjegjësitë e tua në rast se i thërret atij me besim. Të bëjmë një shembull. Përfytyro sikur ke një çantë të rëndë me ushqime që duhet ta çosh në apartamentin tënd që ndodhet në katet e sipërme të një pallati shumëkatësh. A do të përpiqeshe të ngjitje shkallët nëse aty pranë do të ishte ashensori? Patjetër që jo. Në të njëjtën mënyrë, mos u përpiq t’i mbash vetëm barrët e rënda emocionale kur mund t’i kërkosh Jehovait që të të ndihmojë. Në të vërtetë ai të fton që ta thërrasësh atë. Psalmi 68:19 thotë: «I bekuar qoftë Zoti, që përditë mbart barrët tona.» Po kështu 1 Pjetrit 5:7 të fton t’i hedhësh të gjitha ankthet e tua mbi Jehovain, ‘sepse ai interesohet për ty’. Kështu kur je e rënduar nga problemet dhe ankthet, zbrazju në lutje Atit tënd qiellor, duke e bërë këtë «pa pushim».—1 Selanikasve 5:17; Psalmi 18:6; 55:22.
15 Për shembull, nëse je nënë, pa dyshim shqetësohesh për ndikimin që mund të kenë te fëmijët bashkëmoshatarët e tyre në shkollë ose për sprovat e besnikërisë që mund të hasin. (1 Korintasve 15:33) Këto shqetësime janë të arsyeshme. Por janë edhe gjëra për të cilat mund të lutesh. Në të vërtetë, pse të mos lutesh për këto gjëra me fëmijët përpara se të ikin në shkollë, ndoshta pasi të keni shqyrtuar bashkë shkrimin e ditës? Lutjet e përzemërta dhe specifike mund të lënë një mbresë të thellë në mendjen e fëmijëve. Përveç kësaj përpiqu me durim të ngulitësh Fjalën e Jehovait në zemrën e fëmijëve, pasi kështu do të marrësh bekimin e tij. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Fjalët e urta 22:6) Mos harro se «sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre».—1 Pjetrit 3:12; Filipianëve 4:6, 7.
16, 17. (a) Çfarë tha një bir për dashurinë që i shfaqte e ëma? (b) Si ndikoi te fëmijët e saj pikëpamja frymore që kishte kjo nënë?
16 Të shqyrtojmë shembullin e Olivias, nënë e gjashtë fëmijëve. Burri i saj jobesimtar e braktisi familjen vetëm pak kohë pas lindjes së fëmijës së fundit, por menjëherë ajo mori përsipër përgjegjësinë për t’i stërvitur fëmijët në udhët e Perëndisë. Biri i Olivias, Dareni, i cili tani është 31 vjeç dhe shërben si plak i krishterë e pionier, në atë kohë ishte rreth 5 vjeç. Ajo që ia shtoi edhe më shumë ankthin Olivias ishte se Dareni pati një problem të rëndë shëndeti që ende e mundon. Duke menduar për fëmijërinë e tij, Dareni shkruan: «Më kujtohet ende kur rrija ulur në shtratin e spitalit, duke pritur me padurim mamanë. Ajo më ulej pranë e më lexonte Biblën çdo ditë. Pastaj këndonte këngën e Mbretërisë ‘Të falënderojmë, o Jehova!’b. Edhe sot e kësaj dite, kjo është kënga e Mbretërisë që pëlqej më shumë.»
17 Besimi dhe dashuria e Olivias për Jehovain kontribuoi që ajo t’ia dilte mbanë me sukses si nënë e vetme. (Fjalët e urta 3:5, 6) Qëndrimi i saj i shkëlqyer pasqyrohej në synimet për të cilat i nxiste fëmijët. Dareni thotë: «Mamaja gjithnjë na inkurajonte që të synonim shërbimin në kohë të plotë. Si rrjedhim, katër nga pesë motrat e mia filluan këtë lloj shërbimi. Por mamaja nuk mburrej kurrë para të tjerëve për këto gjëra. Përpiqem shumë të imitoj cilësitë e saj të mrekullueshme.» Vërtet, jo të gjithë fëmijët kur rriten i shërbejnë Perëndisë ashtu si fëmijët e Olivias. Megjithatë, kur një nënë bën çmos për të jetuar sipas parimeve biblike, ajo mund të jetë e sigurt për udhëheqjen e Jehovait dhe për mbështetjen e tij të dashur.—Psalmi 32:8.
18. Si mund të tregojmë se e çmojmë kongregacionin e krishterë, këtë masë të Jehovait?
18 Perëndia siguron një mbështetje të madhe nëpërmjet kongregacionit të krishterë, me programin e tij të rregullt të ushqimit frymor, vëllazërinë e krishterë dhe ‘dhuratat në njerëz’ frymësisht të pjekur. (Efesianëve 4:8) Pleqtë besnikë punojnë shumë për t’i ndërtuar të gjithë në kongregacion, duke u kushtuar vëmendje të veçantë nevojave të ‘jetimëve dhe vejushave në shtrëngimet e tyre’. (Jakovit 1:27) Prandaj qëndro pranë popullit të Perëndisë, duke mos u veçuar kurrë.—Fjalët e urta 18:1; Romakëve 14:7.
Bukuria e nënshtrimit
19. Pse nënshtrimi i gruas ndaj burrit nuk nënkupton se ajo është më e ulët dhe cili shembull biblik e mbështet këtë?
19 Jehovai e krijoi gruan si një plotësim për burrin. (Zanafilla 2:18) Prandaj, nënshtrimi i gruas ndaj të shoqit nuk nënkupton aspak se ajo është më e ulët. Përkundrazi i jep dinjitet gruas, duke e lejuar atë të përdorë dhuntitë dhe aftësitë e shumta të saj në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Në Fjalët e urta kapitulli 31 përshkruhen veprimtaritë e shumta të një gruaje të aftë në Izraelin e lashtë. Ajo ndihmonte nevojtarët, mbillte vreshta dhe blinte toka. Po, ‘zemra e burrit të saj kishte besim tek ajo dhe do të kishte gjithnjë fitime’.—Vargjet 11, 16, 20.
20. (a) Si duhet t’i shohë një grua e krishterë dhuntitë që i ka dhënë Perëndia? (b) Çfarë cilësish të shkëlqyera shfaqi Estera dhe, për rrjedhojë, si e përdori atë Jehovai?
20 Një grua modeste e me frikë Perëndie nuk ngrihet me ambicie mbi të shoqin ose nuk konkurron me të. (Fjalët e urta 16:18) Ajo nuk kërkon të kënaqë veten kryesisht nëpërmjet veprimtarive joteokratike, por i përdor dhuntitë që i ka dhënë Perëndia në pjesën më të madhe për t’u shërbyer të tjerëve: familjes, të bashkëkrishterëve, fqinjëve dhe mbi të gjitha Jehovait. (Galatasve 6:10; Titit 2:3-5) Të shqyrtojmë shembullin biblik të mbretëreshës Ester. Ndonëse ishte e bukur fizikisht, ajo ishte modeste dhe e nënshtruar. (Estera 2:13, 15) Kur u martua, tregonte respekt të thellë ndaj të shoqit, mbretit Asuer, ndryshe nga gruaja e mëparshme e mbretit, Vashti. (Estera 1:10-12; 2:16, 17) Gjithashtu Estera me respekt iu nënshtrua Mordekait, kushëririt të saj më të moshuar, për çështje të përshtatshme, edhe pasi u bë mbretëreshë. Por ajo nuk kishte një karakter të dobët. Me guxim e demaskoi Hamanin, një burrë me pushtet e të pamëshirshëm që thuri një komplot për të asgjësuar judenjtë. Jehovai e përdori fuqimisht Esterën për të mbrojtur popullin e tij.—Estera 3:8–4:17; 7:1-10; 9:13.
21. Si mund të bëhet një grua e krishterë gjithnjë e më e çmuar për Jehovain?
21 Është e qartë se ashtu si në të kaluarën edhe sot, gratë e perëndishme kanë shfaqur përkushtimin e tyre të plotë ndaj Jehovait dhe adhurimit të tij. Prandaj, gratë me frikë Perëndie janë të çmuara në sytë e Jehovait. Motra të krishtere, lejoni që Jehovai nëpërmjet frymës së tij t’ju modelojë pak nga pak, që të jeni një «enë» gjithnjë e më e dëshirueshme, një enë «e përgatitur për çdo vepër të mirë»! (2 Timoteut 2:21; Romakëve 12:2) Në lidhje me këto adhuruese të çmuara Fjala e Perëndisë thotë: «I jepni frytin e duarve të saj dhe vetë veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.» (Fjalët e urta 31:31) Qoftë kjo e vërtetë për çdonjërën prej jush!
[Shënimet]
a Për të ditur se si të japim një lavdërim të tillë, shih Kullën e Rojës, 15 mars 2002, faqet 26-28.
b Kënga 212 në librin e këngëve Këndojini lavdi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A ju kujtohet?
• Si treguan se ishin të çmuara në sytë e Jehovait disa gra të krishtere në shekullin e parë?
• Në ç’mënyrë shumë motra në kohën tonë kanë treguar se janë të çmuara për Perëndinë?
• Në cilat mënyra i mbështet Jehovai nënat e vetme dhe motrat e tjera që nuk janë të martuara?
• Si mund të tregojë një grua respekt të përzemërt për kryesinë në familje?
[Kutia në faqen 17]
SHEMBUJ PËR TË MEDITUAR
A do të të pëlqente të shqyrtoje disa shembuj të tjerë të grave besnike që përmenden në Bibël? Nëse po, të lutemi të lexosh shkrimet e cituara më poshtë. Ndërsa mediton për individët e ndryshëm që renditen, përpiqu të dallosh parimet që mund të zbatosh në një masë më të madhe në jetën tënde.—Romakëve 15:4.
◆ Sara: Zanafilla 12:1, 5; 13:18a; 21:9-12; 1 Pjetrit 3:5, 6.
◆ Gra izraelite bujare: Eksodi 35:5, 22, 25, 26; 36:3-7; Luka 21:1-4.
◆ Debora: Gjyqtarët 4:1-5:31.
◆ Rutha: Rutha 1:4, 5, 16, 17; 2:2, 3, 11-13; 4:15.
◆ Gruaja e Shunemit: 2 Mbretërve 4:8-37.
◆ Gruaja fenikase: Mateu 15:22-28.
◆ Marta dhe Maria: Marku 14:3-9; Luka 10:38-42; Gjoni 11:17-29; 12:1-8.
◆ Tabita: Veprat 9:36-41.
◆ Katër bijat e Filipit: Veprat 21:9.
◆ Feba: Romakëve 16:1, 2.
[Figura në faqen 15]
A i lavdëroni motrat e pamartuara, të cilat i binden me besnikëri ligjit të Perëndisë?
[Figura në faqen 16]
Çfarë kërkesash specifike mund të përmenden në lutje përpara se fëmijët të ikin në shkollë?