A është Jezui Perëndia?
SHUMË njerëz e konsiderojnë Trinitetin si «doktrinën qendrore të fesë së krishterë». Sipas kësaj doktrine, Ati, Biri dhe fryma e shenjtë, janë tre persona në një Perëndi të vetëm. Kardinali Xhon O’Konor tha për Trinitetin: «E dimë se ky është një mister shumë i thellë, të cilit s’arrijmë t’ia gjejmë dot as fillin.» Pse është kaq e vështirë të kuptohet Triniteti?
Fjalori The Illustrated Bible Dictionary, jep një arsye. Duke folur për Trinitetin, ky botim pranon: «Nuk është një doktrinë biblike, në kuptimin që nuk mund të gjendet asnjë formulim i tij në Bibël.» Ngaqë Triniteti «nuk është një doktrinë biblike», përkrahësit e tij kanë kërkuar me çdo mënyrë vargje biblike, madje i kanë shtrembëruar ato, që të gjenin një bazë për doktrinën e tyre.
Një varg që mbështet Trinitetin?
Gjoni 1:1 është shembull i një vargu biblik që shpesh keqpërdoret. Në përkthimin Diodati i Ri, në këtë varg thuhet: «Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë [greqisht, ton theón] dhe Fjala ishte Perëndi [theós].» Ky varg përmban dy forma të emrit grek theós (perëndi). E para paraprihet nga ton, një formë e nyjës shquese greke, dhe në këtë rast fjala theón i referohet Perëndisë së Plotfuqishëm. Por, në rastin e dytë, fjala theós nuk ka nyje shquese. Mos ndoshta nyja nuk u vendos gabimisht?
Pse është kaq e vështirë të kuptohet doktrina e Trinitetit?
Ungjilli i Gjonit u shkrua në koine ose në greqishten e thjeshtë, e cila ka rregulla specifike në lidhje me përdorimin e nyjës shquese. Studiuesi biblik A. T. Robertson pranon që, nëse edhe kryefjala, edhe kallëzuesi kanë nyje, «të dy janë të shquar, trajtohen si identikë, si një i vetëm dhe të ndërkëmbyeshëm». Robertsoni merr si shembull Mateun 13:38, ku thuhet: «Ara [greqisht, ho agrós] është bota [greqisht, ho kósmos].» Gramatika na ndihmon të kuptojmë se bota është edhe ara.
Por, po sikur kryefjala të ketë nyjë shquese, ndërsa kallëzuesi jo, si te Gjoni 1:1? Duke e cituar këtë varg si shembull, studiuesi Xhejms Alen Hjuët thekson: «Në një ndërtim të tillë, kryefjala dhe kallëzuesi nuk janë të njëjtë, të barabartë, identikë ose diçka e ngjashme.»
Për ta ilustruar, Hjuëti përdor 1 Gjonit 1:5, ku thuhet: «Perëndia është dritë.» Në greqisht fjala «Perëndia» këtu është ho theós, pra ka një nyjë shquese. Por fjala phos e përkthyer «dritë», nuk ka përpara ndonjë nyjë. Hjuëti thekson: «Gjithmonë mund . . . të thuhet për Perëndinë se Ai karakterizohet nga drita, por nuk mund të thuhet gjithmonë për dritën se është Perëndia.» Shembuj të ngjashëm gjenden te Gjoni 4:24, «Perëndia është Frymë», dhe te 1 Gjonit 4:16, «Perëndia është dashuri». Në të dyja këto vargje, kryefjalët kanë nyja shquese, por kallëzuesit «Frymë» dhe «dashuri» nuk kanë. Prandaj, kryefjalët dhe kallëzuesit nuk janë të ndërkëmbyeshëm. Këto vargje nuk mund të kenë kuptimin «Fryma është Perëndi» ose «dashuria është Perëndi».
Kush është «Fjala»?
Shumë studiues të greqishtes dhe përkthyes biblikë, pranojnë se Gjoni 1:1 nuk thekson identitetin, por një cilësi të ‘Fjalës’. Përkthyesi biblik Uilliam Barkli thotë: «Ngaqë nuk ka [vënë apostulli Gjon] nyjë shquese para fjalës theós, ajo konsiderohet një përshkrim. . . . Gjoni nuk po thotë këtu se Fjala është Perëndia. Për ta shprehur thjesht, ai nuk po thotë se Jezui ishte Perëndia.» Po ashtu, studiuesi Xhejson Dejvid Bedun thotë: «Në greqisht, po të mos vendosësh nyjën para fjalës theós në një fjali si ajo te Gjoni 1:1, atëherë lexuesit do të mendojnë se ajo ka kuptimin ‘një perëndi’. . . . Mungesa e nyjës bën që fjala theós të jetë krejt ndryshe nga fjala e shquar ho theós, po aq e ndryshme sa është fjala ‘një perëndi’ nga fjala ‘Perëndia’.» Beduni shton: «Te Gjoni 1:1, Fjala nuk është Perëndia, i cili është një dhe i vetëm, por është një perëndi ose qenie hyjnore.» Ose për ta thënë me fjalët e Xhozef Henri Thejërit, një studiues që punoi në përkthimin e Biblës American Standard Version: «Logosi [ose Fjala] ishte hyjnor, por jo vetë Hyjnori.»
Jezui bëri një dallim të qartë midis vetes dhe Atit të tij
A duhet të jetë identiteti i Perëndisë «një mister shumë i thellë»? Për Jezuin nuk ishte kështu. Në lutjen drejtuar Atit, Jezui bëri një dallim të qartë midis vetes dhe Atit, kur tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Nëse besojmë te Jezui dhe kuptojmë mësimin e qartë të Biblës, do ta respektojmë Jezuin për atë që është: Biri hyjnor i Perëndisë. Gjithashtu, do të adhurojmë Jehovain si «të vetmin Perëndi të vërtetë».