INTERVISTË | RAKELA HOLL
Një judeje shpjegon pse e rishqyrtoi besimin e saj
Mamaja e Rakela Hollit ishte izraelite me besim judaik dhe i ati austriak që kishte përqafuar judaizmin. Gjyshërit nga ana e mamasë ishin sionistë që imigruan në Izrael më 1948, vit kur ai u bë shtet i pavarur. Zgjohuni! e pyeti Rakelën se çfarë e nxiti ta peshonte më me kujdes besimin e saj, judaizmin.
Na trego pak për prejardhjen tënde.
Linda më 1979 në Shtetet e Bashkuara. Kur isha 3 vjeçe, prindërit u divorcuan. Mamaja më rriti sipas traditave judaike dhe më çoi në jeshiva, pra në shkollë judaike. Kur mbusha 7 vjeç, u transferuam në Izrael për një vit, dhe ndoqa shkollën në një komunitet judaik, që quhet kibutz. Pastaj, unë dhe mamaja shkuam të jetonim në Meksikë.
Edhe pse në atë zonë s’kishte asnjë sinagogë, i ruajta zakonet judaike. Ndizja qirinj në sabat, lexoja Torën dhe lutesha me anë të një siduri ose libri lutjesh. Në shkollë, shpesh u thosha shokëve të klasës se feja ime ishte feja origjinale. Nuk e kisha lexuar kurrë atë që zakonisht quhet Dhiata e Re, e cila përqendrohet te shërbimi dhe mësimet e Jezu Krishtit. Ç’është e vërteta, mamaja më paralajmëronte të mos e lexoja, se kishte frikë mos ndotesha nga mësimet e saj.
Pse vendose ta lexoje Dhiatën e Re?
Kur mbusha 17 vjeç, u ktheva në Shtetet e Bashkuara që të mbaroja shkollën. Atje, një i njohur, që pohonte se ishte i krishterë, më tha se jeta ime nuk do të ishte e plotë pa Jezuin.
«Ata që besojnë te Jezui janë të humbur»,—ia ktheva.
«Po a e ke lexuar ndonjëherë Dhiatën e Re?»—pyeti ai.
«Jo»,—iu përgjigja.
«Atëherë, a nuk tregon injorancë kur shpreh mendimin për diçka që s’ia ke idenë?»—tha ai.
Më therën fjalët e tij, sepse gjithmonë më është dukur marrëzi të japësh një opinion në tym. Kokulur, duke e kuptuar gabimin, e mora Biblën e tij me vete dhe nisa të lexoja Dhiatën e Re.
Si ndikoi te ti ajo që lexove?
Për çudinë time, zbulova se shkrimtarët e Dhiatës së Re ishin judenj. Pastaj, sa më shumë lexoja, aq më shumë vëreja se Jezui ishte një jude i dashur dhe i përulur, që donte t’i ndihmonte njerëzit, jo t’i shfrytëzonte. Shkova edhe në bibliotekë e mora libra për të. Mirëpo, asnjë nga ata libra nuk më bindi se ishte Mesia. Madje disa e quanin Perëndi—ide që më dukej pa pikë kuptimi. Fundja, kujt i lutej Jezui, vetes?! Për më tepër, Jezui vdiq. Kurse për Zotin Bibla thotë: «Ti nuk vdes.»a
Si i gjete përgjigjet e këtyre pyetjeve?
E vërteta nuk bie ndesh me veten, dhe unë isha e vendosur të gjeja të vërtetën. Kështu, iu luta Zotit me gjithë zemër e me lot në sy dhe, për herë të parë, pa përdorur sidurin. Sapo mbarova lutjen dëgjova një trokitje në derë. Ishin dy Dëshmitare të Jehovait. Më dhanë një nga botimet e tyre për studimin e Biblës. Nga ai botim, si edhe nga bisedat pasuese me Dëshmitarët, m’u mbush mendja se bindjet e tyre i kanë rrënjët në Bibël. Për shembull, Dëshmitarët e pranojnë Jezuin, jo si pjesë të një Triniteti, por si ‘Birin e Perëndisë’b dhe si ‘fillimin e krijimit të Perëndisë’c.
Pak kohë më vonë, u ktheva në Meksikë, ku vazhdova të studioja profecitë mesianike me Dëshmitarët. Mbeta gojëhapur nga numri i madh i këtyre profecive. Sidoqoftë, akoma isha disi skeptike. Thosha me vete: «A ishte vallë Jezui i vetmi që i plotësonte këto profeci?» dhe «Po sikur të ishte thjesht një aktor i shkathët që dinte ta luante rolin?»
Çfarë të bindi se Jezui ishte Mesia?
Dëshmitarët më treguan profeci që asnjë sharlatan nuk mund t’i aktronte. Për shembull, më shumë se 700 vjet para se të ndodhte, profeti Mikea tha se Mesia do të lindte në Betlehem të Judesëd. E kush e ka në dorë se ku lind? Isaia shkroi se Mesinë do ta vritnin si kriminel të përbuzur, por varrin do ta kishte mes të pasurvee. Të gjitha këto parashikime u plotësuan te Jezui.
Dëshmia e fundit kishte lidhje me prejardhjen e Jezuit. Bibla thoshte se Mesia do të ishte pasardhës i mbretit Davidf. Judenjtë e lashtë mbanin regjistrime gjenealogjike personale dhe publike, prandaj, nëse Jezui nuk do të kishte qenë nga linja familjare e Davidit, armiqtë e tij s’do kishin ndenjur pa folur. Por, s’kishin ç’të bënin, sepse lidhja e Jezuit me Davidin ishte e pamohueshme. Madje, turmat e thërritnin ‘Biri i Davidit’.g
Në vitin 70 të e.s., 37 vjet pas vdekjes së Jezuit, ushtria romake shkretoi Jerusalemin dhe regjistrimet gjenealogjike humbën ose u shkatërruan. Kështu, që të vërtetohej linja gjenealogjike, Mesia patjetër duhej të vinte para vitit 70 të e.s.
Si ndikuan te ti këto fakte?
Te Ligji i përtërirë 18:18, 19 ishte parathënë se Perëndia do të nxirrte në Izrael një profet si Moisiu. «Atij që nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, që ky do të thotë në emrin tim, vetë unë do t’i kërkoj llogari»,—tha Perëndia. Nga studimi i thellë i krejt Biblës u binda se ai profet ishte Jezui i Nazaretit.
f Isaia 9:6, 7; Luka 1:30-32. Në kapitullin 1 të Mateut dokumentohet prejardhja e Jezuit nga ana e babait kurse në kapitullin 3 të Lukës, prejardhja nga ana e nënës.