Bibla të ndryshon jetën
SI GJETI qëllim të vërtetë në jetë një e re që s’kishte interes për Perëndinë dhe që gëzonte një karrierë premtuese? Çfarë mësoi një i ri katolik për vdekjen që ia ndryshoi drejtimin e jetës? Dhe, ç’mësime për Perëndinë e nxitën një të ri të zhgënjyer nga jeta të bëhej predikues i krishterë? Lexoni përvojat e tyre.
«Për vite të tëra pyesja veten: ‘Pse ekzistojmë?’»—ROZALINDA XHONI
LINDUR: 1963
VENDI I LINDJES: BRITANIA
MË PARË: GËZONTE NJË KARRIERË PRESTIGJOZE
E KALUARA IME:
Linda në Krojdon, në Londrën Jugore, dhe isha fëmija i gjashtë në një familje me nëntë fëmijë. Prindërit ishin me origjinë nga Shën-Vinsenti, një ishull i Karaibeve. Nëna shkonte në kishën metodiste. Mua nuk më interesonte të mësoja për Perëndinë, edhe pse kisha etje të pashuar për njohuri. Pushimet e shkollës shpesh i kaloja pranë liqenit duke lexuar librat e shumtë që kisha marrë hua në bibliotekë.
Ca vjet pasi mbarova shkollën, kuptova se doja të ndihmoja njerëzit nevojtarë. Nisa të punoja me të pastrehët dhe me ata që kishin kufizime fizike e çrregullime në të mësuar. Më pas bëra një kurs universitar për shkenca mjekësore. Pasi u diplomova, çuditërisht zura një sërë postesh prestigjoze dhe bëja jetë gjithnjë e më luksoze. Isha këshilluese e pavarur për administrimin e firmave dhe merresha me studime sociale, prandaj kompjuteri portativ dhe Interneti ishin gjithçka më duhej për punë. Udhëtoja jashtë shtetit me avion ku rrija disa javë çdo herë, qëndroja në hotelin tim të preferuar, shijoja ambientin e bukur përreth dhe shfrytëzoja llixhat e palestrat për të mbajtur trupin në formë. Mendoja vërtet se jetoja për së mbari. Por asnjëherë s’e humba merakun për të shtypurit.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Për vite me radhë pyesja veten: «Pse ekzistojmë dhe cili është qëllimi i jetës?» Por nuk u përpoqa kurrë t’i gjeja përgjigjet nga Bibla. Një ditë në vitin 1999, motra e vogël, Margareta, e cila ishte bërë Dëshmitare e Jehovait, erdhi të më takonte bashkë me një shoqe Dëshmitare që tregoi interes personal për mua. Çuditërisht pranova të studioja Biblën me shoqen e sime motre, por përparoja mjaft ngadalë ngaqë karriera dhe jeta që bëja më merrnin shumë kohë.
Në verën e vitit 2002, u transferova në Anglinë Jugperëndimore. Atje nisa një kurs pasuniversitar për studime sociale, me synimin që në fund të merrja doktoraturën. Nisa të shkoja më rregullisht në Sallën e Mbretërisë, bashkë me djalin e vogël. Ndonëse kisha arsim të lartë, studimi i Biblës po më jepte më tepër kuptueshmëri për problemet e jetës dhe për zgjidhjen e tyre. Kuptova sa të vërteta ishin fjalët te Mateu 6:24 që thotë se nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve. Duhet t’i shërbejmë o Perëndisë, o pasurisë. E dija se duhej të vendosja cilat ishin përparësitë në jetën time.
Një vit më parë, shkoja shpesh në një grup studimi të Biblës që mbahej në një shtëpi, ku Dëshmitarët studionin librin A ka një Krijues që interesohet për ju?a U binda se vetëm Krijuesi ynë, Jehovai, ka zgjidhjen për problemet e njerëzimit. Kurse në universitet më kishin mësuar se domethënia e jetës nuk kishte të bënte me besimin te një Krijues. U indinjova tej mase. Pas dy muajsh, hoqa dorë nga kursi universitar dhe vendosa të harxhoja më shumë kohë për t’iu afruar më tepër Perëndisë.
Shkrimi biblik që më nxiti të ndryshoja mënyrën e jetesës ishte Proverbat 3:5, 6, që thotë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» Të mësoja për Perëndinë tonë të dashur ishte më shpërblyese se çdo pasuri materiale dhe pozitë që mund të sillte doktoratura. Sa më shumë mësoja për qëllimin e Jehovait për tokën dhe për rolin e Jezuit që flijoi jetën për ne, aq më shumë doja t’ia kushtoja jetën Krijuesit tonë. U pagëzova në prill të vitit 2003. Më pas, e thjeshtova jetën gradualisht.
DOBITË:
Miqësia ime me Jehovain s’ka të çmuar. Ngaqë tani e njoh atë, kam fituar paqe të brendshme dhe gëzim të vërtetë. Gjithashtu ndihem shumë e lumtur që shoqërohem me adhurues të vërtetë të Perëndisë.
Ajo që mësoj nga Bibla dhe në mbledhjet e krishtere vazhdon të ma shuajë më së miri etjen për njohuri. Kënaqem kur u flas të tjerëve për besimin tim. Kjo është bërë karriera ime, me anë të së cilës mund t’i ndihmoj vërtet njerëzit të kenë një jetë më të mirë tani dhe shpresën e mrekullueshme për jetën në botën e re. Që nga qershori i vitit 2008 predikoj në kohë të plotë e s’kam qenë kurrë kaq e lumtur. Kam gjetur qëllimin e vërtetë të jetës dhe për këtë i jam sinqerisht mirënjohëse Jehovait.
«Vdekja e shokut më tronditi.»—ROMAN IRNESBERGU
LINDUR: 1973
VENDI I LINDJES: AUSTRIA
MË PARË: BIXHOZÇI
E KALUARA IME:
U rrita në qytetin e vogël të Braunaut, Austri. Zona ishte e begatë dhe krimi i rrallë. Familja ime ishte katolike dhe u brumosa me bindjet e kësaj feje.
Një ngjarje në fëmijëri ndikoi thellë tek unë. Në vitin 1984, kur isha rreth 11 vjeç, më kujtohet që po luaja futboll me një nga shokët e ngushtë. Po atë pasdite, ai vdiq në një aksident me makinë. Vdekja e shokut ndikoi tmerrësisht tek unë. Edhe vite pas aksidentit, pyesja veten çfarë ndodh me ne kur vdesim.
Kur e lashë shkollën, punova si elektricist. Edhe pse e bëra zakon bixhozin dhe luaja për shuma të majme, nuk kisha probleme ekonomike. Gjithashtu kaloja shumë kohë në sporte dhe më hyri në zemër dashuria për muzikën heavy metal dhe punk rock. E gjithë jeta ime ishte disko e festa. Bëja jetë imorale dhe rendja pas kënaqësive, por ndihesha shumë bosh.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Në vitin 1995, në derë më trokiti një Dëshmitar i moshuar i cili më ofroi një libër që trajtonte përgjigjen e Biblës për pyetjen: «Çfarë ndodh pas vdekjes?» Më trazonte ende vdekja tragjike e shokut tim kur ishte fare i ri, prandaj e pranova librin. E lexova të gjithë librin, jo vetëm kapitullin për vdekjen.
Ajo që lexova i dha përgjigje pyetjeve që kisha për vdekjen. Por mësova shumë më tepër se kaq. Ngaqë isha rritur si katolik, besimi im e kishte themelin te Jezui. Sidoqoftë, studimi i kujdesshëm i Biblës më ndihmoi ta bëja mik të ngushtë Atin e Jezuit, Perëndinë Jehova. U mahnita kur mësova se Jehovai nuk është i fshehtë e i largët, por u bëhet krejtësisht i njohur atyre që e kërkojnë. (Mateu 7:7-11) Mësova se Jehovai ka ndjenja. Po ashtu, mësova se e mban gjithnjë fjalën. Falë kësaj m’u rrit interesi për profecitë biblike dhe për të shqyrtuar si janë përmbushur. Ajo që zbulova ma forcoi besimin te Perëndia.
Shpejt kuptova se Dëshmitarët e Jehovait ishin të vetmit që interesoheshin seriozisht për t’i ndihmuar njerëzit të kuptonin Biblën. Shkrimet në botimet e Dëshmitarëve i kërkoja në Biblën time katolike. Sa më shumë rrëmoja, aq më shumë e kuptoja se kisha gjetur të vërtetën.
Studimi i Biblës më mësoi se Jehovai priste të jetoja sipas normave të tij. Nga ajo që lexova tek Efesianëve 4:22-24 e kuptova se duhej ta çrrënjosja «personalitetin e vjetër», i cili ishte modeluar sipas ‘mënyrës së mëparshme të sjelljes’ sime dhe se duhej të vishja «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë». Kështu që e braktisa jetesën imorale. Gjithashtu e pashë të nevojshme të hiqja dorë nga bixhozi, pasi ky zakon nxit materializmin dhe lakminë. (1 Korintasve 6:9, 10) E dija se për të bërë këto ndryshime do të më duhej të ndërpritja shoqërinë me shokët e vjetër dhe të kërkoja shokë të rinj me të njëjtat norma si unë.
Këto ndryshime s’ishin të lehta. Por nisa të shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve në Sallën e Mbretërisë dhe fillova të zija miq të rinj në kongregacionin vendës. Gjithashtu vazhdova të bëja vetë një studim të kujdesshëm të Biblës. Këto hapa më ndihmuan të ndryshoja shijet për muzikën, të vija synime të tjera në jetë dhe të përmirësoja paraqitjen. Në vitin 1995, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
DOBITË:
Tani kam një pikëpamje të ekuilibruar për paratë dhe për gjërat materiale. Dikur isha gjaknxehtë, por jam bërë më i butë. Po ashtu, nuk jam më në ankth të tepërt për të ardhmen.
Më pëlqen shumë që jam pjesë e një grupi ndërkombëtar njerëzish që i shërbejnë Jehovait. Mes tyre shoh njerëz që luftojnë me probleme, e prapëseprapë i shërbejnë me besnikëri Perëndisë. Jam kaq i lumtur që tani e shpenzoj gjithë kohën dhe energjitë, jo për të plotësuar dëshirat e mia, por për të adhuruar Jehovain e për t’u bërë mirë të tjerëve.
«Më në fund, jeta ime ka një qëllim!»—JAN KINGU
LINDUR: 1963
VENDI I LINDJES: ANGLIA
MË PARË: I ZHGËNJYER NGA JETA
E KALUARA IME:
Linda në Angli, por rreth moshës 7-vjeçare, familja u shpërngul në Australi. U vendosëm në Bregun e Artë, një vend turistik në Kuinsland, Australi. Megjithëse familja s’ishte e pasur, gjërat e nevojshme nuk na mungonin asnjëherë.
Ndonëse u rrita rehat, kurrë s’isha vërtet i lumtur. U zhgënjeva krejtësisht nga jeta. Babai im pinte rëndshëm. Asnjëherë s’ndjeva ndonjë përzemërsi të madhe për të, kryesisht ngaqë pinte dhe ngaqë s’e trajtonte mirë nënën. Vetëm më vonë e kuptova pse sillej ashtu, kur mora vesh ç’kishte përjetuar si ushtar në Malakë (tani Malajzi).
Gjatë shkollës së mesme, nisa të pija rëndshëm. Kur isha 16 vjeç, e lashë shkollën dhe hyra në marinë. Iu futa drogave të ndryshme dhe rashë në vesin e duhanit. Përveç kësaj, u bëra gjithnjë e më i varur ndaj alkoolit. Në fillim pija rëndshëm vetëm në fundjavë, por më pas çdo ditë.
Në fund të adoleshencës dhe në fillim të të 20-ave, nisa të dyshoja për ekzistencën e Perëndisë. Arsyetoja: «Nëse Perëndia ekziston vërtet, pse i lejon njerëzit të vuajnë e të vdesin?» Madje shkrova edhe poezi ku e fajësoja Perëndinë për gjithë ligësitë në botë.
U largova nga marina kur isha 23 vjeç. Më pas, bëra punë të ndryshme, dhe madje lundrova në vende të tjera për një vit, por asgjë s’ma largoi zhgënjimin. S’kisha fare dëshirë të vija synime ose të arrija diçka. Asgjë s’më tërhiqte. Më dukej pa pikë kuptimi të kisha një shtëpi, një punë të sigurt e të ngrihesha në përgjegjësi. E vetmja «rehati» vinte nga alkooli dhe muzika.
E kujtoj me saktësi momentin kur ndjeva dëshirën më të fortë për të gjetur një qëllim në jetë. Isha në Poloni dhe po vizitoja kampin famëkeq të përqendrimit në Aushvic. Kisha lexuar për kasaphanat atje. Por, kur i pashë me sytë e mi përmasat e stërmëdha të kampit, u preka thellë në shpirt. S’arrija ta kuptoja si mund të tregoheshin njerëzit kaq mizorë ndaj njëri-tjetrit. Kujtoj që ecja përreth kampit me lot në sy dhe pyesja: «Pse?»
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Në vitin 1993, pasi u ktheva nga udhëtimet në det, fillova të lexoj Biblën në kërkim të përgjigjeve. S’kaloi shumë dhe dy Dëshmitare të Jehovait më trokitën në derë dhe më ftuan në një kongres që po mbahej te një stadium aty afër. Vendosa të shkoja.
Disa muaj më parë kisha ndjekur një ndeshje tek ai stadium, por ky kongres ndryshonte si nata me ditën. Dëshmitarët ishin të respektueshëm e të veshur këndshëm, dhe fëmijët e tyre silleshin mirë. Ngela pa fjalë nga ajo që pashë në pushimin e drekës. Qindra Dëshmitarë hëngrën drekë në fushë, por kur u kthyen në auditor, as edhe një mbeturinë e vogël s’kishte mbetur në fushë. Mbi të gjitha, këta njerëz dukeshin të kënaqur e në paqe, diçka që e dëshiroja me zjarr. Nuk i kujtoj fjalimet që u mbajtën atë ditë, por sjellja e Dëshmitarëve më la mbresa të thella.
Atë mbrëmje mendova për kushëririn tim që lexonte Biblën dhe studionte fe të ndryshme. Vite më parë, ai më tregoi fjalët e Jezuit se feja e vërtetë do të njihej nga fryti i saj. (Mateu 7:15-20) Mendova se të paktën duhej të shqyrtoja çfarë i bën kaq të ndryshëm Dëshmitarët. Për herë të parë në jetë, ndjeva njëfarë optimizmi dhe shprese.
Javën pasuese u kthyen dy Dëshmitaret që më kishin ftuar në kongres. Më ofruan studim biblik dhe pranova. Gjithashtu, nisa të ndiqja mbledhjet e krishtere me to.
Teksa studioja Biblën, pikëpamja për Perëndinë më ndryshoi krejtësisht. Mësova se ai nuk është shkaku i ligësisë e i vuajtjeve, dhe se lëndohet kur njerëzit bëjnë gjëra të këqija. (Zanafilla 6:6; Psalmi 78:40, 41) Vendosa që të përpiqesha fuqimisht të mos e lëndoja më Jehovain. Doja t’ia gëzoja zemrën. (Proverbat 27:11) E lashë pijen dhe duhanin, si edhe jetën imorale. Në mars të vitit 1994, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
DOBITË:
Tani jam vërtet i lumtur. Nuk i drejtoj më sytë tek alkooli për të zgjidhur problemet. Në vend të kësaj, kam mësuar që çdo barrë t’ia hedh Jehovait.—Psalmi 55:22.
Kam dhjetë vjet që jam martuar me një Dëshmitare të mrekullueshme që quhet Karen, e cila ka një vajzë të shkëlqyer, Nelën. Të tre kënaqemi që e kalojmë një pjesë të mirë të kohës në shërbimin e krishterë, duke i ndihmuar të tjerët të mësojnë të vërtetën për Perëndinë. Më në fund, jeta ime ka një qëllim!
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.