ARTIKULLI I STUDIMIT 10
Çfarë më pengon të pagëzohem?
«Filipi me eunukun zbritën të dy në ujë, dhe ai e pagëzoi.»—VEP. 8:38.
KËNGA 52 Kushtimi i krishterë
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë humbën Adami dhe Eva, dhe cilat ishin pasojat?
SI MENDON, kush duhet t’i vendosë standardet se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe? Kur Adami dhe Eva hëngrën frytin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, dhanë një mesazh të qartë: nuk kishin besim te Jehovai e te standardet e tij. Ata zgjodhën t’i vinin vetë standardet e të mirës dhe të keqes. (Zan. 3:22) Por mendo çfarë humbën. Humbën miqësinë me Jehovain. Si pasojë, humbën edhe mundësinë që të jetonin përgjithmonë dhe u trashëguan mëkatin e vdekjen fëmijëve të tyre. (Rom. 5:12) Zgjedhja e Adamit dhe Evës solli mjerime.
2-3. (a) Si reagoi eunuku etiopas kur i predikoi Filipi? (b) Cilat bekime marrim kur pagëzohemi, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Krahasoje mënyrën si u sollën Adami dhe Eva me mënyrën si reagoi eunuku etiopas kur i predikoi Filipi. Aq shumë e çmonte eunuku atë që kishin bërë për të Jehovai dhe Jezui, sa u pagëzua menjëherë. (Vep. 8:34-38) Kur ia kushtojmë jetën Perëndisë dhe, ashtu si eunuku, pagëzohemi, japim një mesazh të qartë. Tregojmë se e çmojmë atë që kanë bërë për ne Jehovai dhe Jezui. Tregojmë edhe se kemi besim te Jehovai dhe e pranojmë se është ai që duhet të vendosë standardin e të mirës dhe të keqes.
3 Mendo për bekimet që marrim kur i shërbejmë Jehovait. Një bekim është perspektiva që të fitojmë si përfundim gjithë sa humbën Adami dhe Eva, përfshirë edhe mundësinë që të jetojmë përgjithmonë. Falë besimit tonë te Jezu Krishti, Jehovai na fal gabimet dhe na jep një ndërgjegje të pastër. (Mat. 20:28; Vep. 10:43) Veç kësaj, bëhemi pjesë e familjes me shërbëtorë të miratuar të Jehovait dhe na pret një e ardhme e mrekullueshme. (Gjoni 10:14-16; Rom. 8:20, 21) Por, me gjithë këto dobi të pamohueshme, disa që njohin Jehovain hezitojnë të ndjekin shembullin e eunukut etiopas. Çfarë mund t’i pengojë të pagëzohen? Dhe si mund t’i kapërcejnë këto vështirësi?
VËSHTIRËSI QË I PENGOJNË DISA TË PAGËZOHEN
4-5. Cilat vështirësi hasi një i ri që quhet Evëri dhe një vajzë që quhet Hana?
4 Pasiguria te vetja. Prindërit e Evërit janë Dëshmitarë të Jehovait. I ati ka reputacion të shkëlqyer si baba i dashur dhe plak i aftë. Por Evëri ngurronte të pagëzohej. Pse? Ai thotë: «Mendoja se nuk do të isha i zoti të jetoja në lartësinë e reputacionit të babait.» Gjithashtu, s’kishte besim te vetja se mund t’i mbante përgjegjësitë që do të sillte e ardhmja. «Trembesha se mos më kërkonin të lutesha në publik, të mbaja fjalime ose të drejtoja një grup në shërbim.»
5 Hana 18-vjeçare vuante nga një pasiguri e madhe te vetja. Ishte rritur nga prindër që i shërbejnë Jehovait. Prapëseprapë, dyshonte nëse mund t’ia dilte të jetonte sipas standardeve të Jehovait. Pse? Hana kishte zhvilluar një opinion tepër të ulët për veten. Nganjëherë ndihej aq keq sa dëmtonte veten me dashje, e kjo vetëm sa e keqësonte situatën. Ajo thotë: «Nuk fola kurrë me askënd për atë që bëja, madje as me prindërit, dhe mendoja se Jehovai nuk do të më donte kurrë për shkak të asaj që po i bëja vetes.»
6. Çfarë e frenonte Vanesën të pagëzohej?
6 Ndikimi i shoqërisë. Vanesa 22 vjeçe thotë: «Kisha një shoqe të ngushtë që e njihja gati nga një dekadë.» Mirëpo shoqja nuk e mbështeste në synimin për t’u pagëzuar, dhe kjo e lëndonte Vanesën. Ajo thotë: «E kam të vështirë të zë miq dhe kisha merak se po t’i jepja fund asaj miqësie, nuk do të kisha kurrë më një shoqe të ngushtë.»
7. Nga se kishte frikë një vajzë që quhet Makejla, dhe pse?
7 Frika e dështimit. Makejla ishte 5 vjeçe kur vëllai i saj u përjashtua. Ndërsa rritej, shihte sa të lënduar ishin prindërit nga veprimet e të vëllait. Makejla thotë: «Kisha frikë se po të pagëzohesha, do të bëja ndonjë gabim, do të përjashtohesha dhe do t’i trishtoja akoma më shumë prindërit.»
8. Nga çfarë kishte frikë një djalë që quhet Majëlls?
8 Frika nga kundërshtimi. Babai dhe njerka e Majëllsit i shërbejnë Jehovait, por e ëma nuk është Dëshmitare. Ai thotë: «Jetova me mamin për 18 vjet dhe kisha frikë t’i thosha se doja të pagëzohesha. E kisha parë si reagoi kur babi u bë Dëshmitar. Kisha frikë se do të më hapte telashe.»
SI T’I KAPËRCESH VËSHTIRËSITË?
9. Çfarë ka shumë mundësi të ndodhë ndërsa mëson për durimin dhe dashurinë e madhe të Jehovait?
9 Adami dhe Eva zgjodhën të mos i shërbenin Jehovait ngaqë nuk zhvilluan dashuri të fortë për të. Gjithsesi, Jehovai i lejoi të jetonin aq gjatë sa të kishin fëmijë dhe t’i vendosnin vetë standardet se si t’i rritnin. Pasojat e vendimit të Adamit dhe Evës për të qenë të pavarur nga Jehovai, treguan shpejt sa të marrë kishin qenë. Djali i madh vrau vëllanë e pafajshëm, e me kohë në familjen njerëzore mbizotëruan dhuna dhe egoizmi. (Zan. 4:8; 6:11-13) Por ndërkaq, Jehovai kishte një mënyrë për të shpëtuar gjithë fëmijët e Adamit dhe Evës që donin t’i shërbenin. (Gjoni 6:38-40, 57, 58) Ndërsa mëson më shumë për durimin dhe dashurinë e madhe të Jehovait, ka shumë të ngjarë që do të të thellohet dashuria për të. S’do të duash kurrsesi të bësh zgjedhjen e Adamit dhe Evës e do të dëshirosh t’i kushtohesh Jehovait.
10. Pse meditimi për Psalmin 19:7 mund të të ndihmojë t’i shërbesh Jehovait?
10 Vazhdo të mësosh për Jehovain. Sa më shumë mëson për Jehovain, aq më i sigurt do të ndihesh se mund të kesh sukses në shërbimin e tij. Evëri, i përmendur më lart, thotë: «Fitova siguri duke lexuar e medituar për premtimin që gjendet te Psalmi 19:7.» (Lexoje.) Teksa shihte si e plotësonte Jehovai premtimin e tij, i thellohej dashuria për të. Dashuria jo vetëm na forcon sigurinë, por edhe na ndihmon të përqendrohemi te Jehovai dhe te gjërat që do ai. Hana, e përmendur më sipër, thotë: «Nga leximi dhe studimi personal i Biblës, arrita të kuptoja se kur lëndoj veten, lëndoj edhe Jehovain.» (1 Pjet. 5:7) Hana u bë ‘zbatuese e fjalës’ së Perëndisë. (Jak. 1:22) Cili ishte rezultati? Ajo thotë: «Ndërsa shihja si nxirrja dobi kur i bindesha Jehovait, më forcohej dashuria për të. Tani jam e sigurt se Jehovai do të më drejtojë gjithmonë kur të kem nevojë për ndihmë.» Hana ia doli ta mposhtte impulsin për të dëmtuar veten. Ajo ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua.
11. Çfarë bëri Vanesa për të zënë miq të mirë, dhe ç’mund të mësojmë nga kjo?
11 Zgjidhe me mençuri shoqërinë. Vanesa, e përmendur më lart, e kuptoi si përfundim se shoqja e saj po e pengonte t’i shërbente Jehovait. Prandaj i dha fund asaj miqësie. Por nuk e la me kaq. Vanesa bëri shumë përpjekje për të zënë miq të rinj, kësaj here brenda kongregacionit. Ajo tregon se e ndihmoi shembulli i Noesë dhe familjes së tij. «Ata ishin të rrethuar nga njerëz që nuk e donin Jehovain,—thotë ajo,—por gëzonin shoqëri të mirë me njëri-tjetrin.» Pasi u pagëzua, Vanesa u bë pioniere. Tani thotë: «Kjo më ka ndihmuar të zë miq të mirë jo vetëm në kongregacionin tim, por edhe në kongregacione të tjera.» Edhe ti mund të zësh miq të mirë duke u përfshirë sa më shumë në veprën që na ka caktuar Jehovai.—Mat. 24:14.
12. Cilën lloj frike nuk kishin Adami dhe Eva, dhe cila ishte pasoja?
12 Zhvillo llojin e duhur të frikës. Disa lloje frike janë të dobishme. Për shembull, duhet të kemi një frikë të shëndetshme se mos mërzitim Jehovain. (Psal. 111:10) Sikur të kishin zhvilluar këtë lloj frike, Adami dhe Eva s’do të ishin rebeluar kundër Jehovait. Por ata u rebeluan. Pas kësaj, iu hapën sytë, në kuptimin që u bënë plotësisht të vetëdijshëm se ishin mëkatarë. Ata mund t’u trashëgonin fëmijëve të tyre vetëm mëkatin e vdekjen. Ngaqë mund ta shihnin, ose ta kuptonin, gjendjen e tyre, u erdhi turp që ishin lakuriq dhe u mbuluan.—Zan. 3:7, 21.
13-14. (a) Sipas 1 Pjetrit 3:21, pse nuk duhet të kemi frikë të sëmurë nga vdekja? (b) Cilat arsye kemi për ta dashur Jehovain?
13 Ndërkohë që duhet të kemi frikën e shëndetshme se mos mërzitim Jehovain, nuk ka pse të kemi frikë të sëmurë nga vdekja. Jehovai ka siguruar një mënyrë që të fitojmë jetën e pafund. Nëse bëjmë ndonjë mëkat por pendohemi nga zemra, Jehovai do të na i falë gabimet. Ai do të na falë për shkak të besimit tonë te flijimi shpërblyes i Birit të tij. Një mënyrë kryesore si e tregojmë besimin, është duke ia kushtuar jetën Perëndisë e duke u pagëzuar.—Lexo 1 Pjetrit 3:21.
14 Kemi plot arsye që ta duam Jehovain. Ai jo vetëm na dhuron gjërat e mira që gëzojmë çdo ditë, por edhe na mëson të vërtetën për veten e për qëllimet e tij. (Gjoni 8:31, 32) Na ka dhënë kongregacionin e krishterë për të na drejtuar e mbështetur. Jehovai na ndihmon të mbajmë barrët që kemi sot dhe na jep shpresën të jetojmë përgjithmonë në të ardhmen në kushte të përsosura. (Psal. 68:19; Zbul. 21:3, 4) Kur bluajmë në mendje sa shumë ka bërë Jehovai për të treguar se na do, kjo na tërheq e na nxit ta duam. Dhe kur e duam Jehovain, zhvillojmë llojin e duhur të frikës. Kemi frikë mos lëndojmë Atë që e duam kaq shumë.
15. Si e mposhti Makejla frikën nga dështimi?
15 Makejla, e përmendur më sipër, e mposhti frikën nga dështimi kur kuptoi sa i gatshëm është Jehovai të falë. Ajo thotë: «Kuptova se të gjithë jemi të papërsosur e bëjmë gabime. Ama kuptova edhe se Jehovai na do dhe do të na falë në bazë të shpërblesës.» Dashuria për Jehovain e motivoi t’i kushtonte jetën dhe të pagëzohej.
16. Çfarë e ndihmoi Majëllsin të mposhtte frikën nga kundërshtimi?
16 Majëllsi, që kishte frikë se e ëma do t’i kundërvihej vendimit të tij për t’u pagëzuar, kërkoi ndihmë nga mbikëqyrësi qarkor. «Edhe ai ishte rritur në një familje të ndarë nga ana fetare,—thotë Majëllsi.—Më ndihmoi të mendoja ç’mund të thosha që ta bindja mamin se e kisha marrë unë vendimin për t’u pagëzuar dhe se nuk më shtynte babi për këtë.» Mamaja nuk e priti mirë vendimin e tij. Si përfundim, Majëllsit iu desh të ikte nga shtëpia e mamasë, por nuk luajti nga vendimi i tij. Ai thotë: «Kur mësova për gjërat e mira që kishte bërë Jehovai për mua, u preka në zemër. Ndërsa mendoja thellë për flijimin shpërblyes të Jezuit, kuptova sa shumë më do Jehovai. Kjo më shtyu t’i kushtoja jetën e të pagëzohesha.»
MOS LUAJ NGA VENDIMI YT
17. Cilën mundësi kemi?
17 Kur Eva hëngri frytin e asaj peme në Eden, hodhi poshtë Atin e saj. Kur u bashkua me Evën, Adami tregoi se nuk ndiente pikë çmueshmërie për gjithë të mirat që kish bërë Jehovai për të. Secili nga ne ka mundësinë të tregojë se nuk do ta merrte absolutisht vendimin që morën Adami dhe Eva. Kur pagëzohemi, i tregojmë Jehovait se besojmë që ai ka autoritetin të vendosë standardin se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar për ne. Japim prova se e duam Atin tonë dhe kemi besim tek ai.
18. Si mund të kesh sukses në shërbimin e Jehovait?
18 Vështirësia që hasim pas pagëzimit është të jetojmë çdo ditë sipas standardeve të Jehovait, jo tonave. Miliona veta jetojnë kështu vit pas vit. Edhe ti mund të jesh mes tyre nëse vazhdon ta thellosh kuptueshmërinë për Fjalën e Perëndisë, Biblën; të shoqërohesh rregullisht me vëllezërit e motrat; dhe ta predikosh me zell atë që ke mësuar për Atin tënd të dashur. (Hebr. 10:24, 25) Kur merr vendime, vërua veshin këshillave që të jep Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij. (Isa. 30:21) Atëherë do të kesh sukses në çdo gjë që do të bësh.—Prov. 16:3, 20.
19. Çfarë duhet të vazhdosh të dallosh, dhe pse?
19 Ndërsa vazhdon të dallosh sa shumë dobi nxjerr nga drejtimi i Jehovait, do të të shtohet dashuria për të e për standardet e tij. Kështu, asgjë që të ofron Satanai nuk do të ta prishë mendjen që të mos i shërbesh më Jehovait. Imagjino veten pas një mijë vjetësh. Atëherë do ta shohësh vendimin për t’u pagëzuar si vendimin më të shkëlqyer të jetës sate!
KËNGA 28 Të fitojmë miqësinë e Jehovait
a Vendimi më i rëndësishëm që do të marrësh në jetë është nëse do të pagëzohesh apo jo. Pse është kaq i rëndësishëm ky vendim? Artikulli do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Gjithashtu, do t’i ndihmojë ata që mendojnë për t’u pagëzuar të kapërcejnë vështirësitë që ndoshta i frenojnë.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasiguria: Një djalë është në ankth për të komentuar.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Shoqëria: Një vajzë Dëshmitare që ka një shoqe të keqe ndihet në siklet kur sheh Dëshmitare të tjera.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dështimi: Kur i vëllai përjashtohet dhe ikën nga shtëpia, një vajzë ka frikë se mos dështon edhe ajo.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kundërshtimi: Një djalë është në ankth të lutet ndërsa mamaja jobesimtare e sheh.
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasiguria: Një djalë përmirëson studimin personal.
g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Shoqëria: Një vajzë Dëshmitare mëson të ndihet krenare që është Dëshmitare.
h PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dështimi: Një vajzë e rrënjos në zemër të vërtetën dhe pagëzohet.
i PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kundërshtimi: Një djalë i shpjegon me guxim bindjet e tij mamasë jobesimtare.