Të kemi besim të patundur te Mbretëria
«Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara.» —HEBR. 11:1.
1, 2. Ç’do të na e forcojë bindjen se Mbretëria do të përmbushë qëllimin e Perëndisë për njerëzimin, dhe pse? (Shih figurën hapëse.)
SI Dëshmitarë të Jehovait, shpesh themi se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për gjithë problemet tona, dhe me kënaqësi ua drejtojmë vëmendjen njerëzve te kjo e vërtetë biblike jetësore. Gjithashtu, na ngroh zemrën shpresa që kemi falë Mbretërisë. Megjithatë, sa të sigurt jemi se Mbretëria është reale dhe se do ta përmbushë qëllimin e Perëndisë? Mbi ç’bazë mund të kemi besim të patundur te Mbretëria?—Hebr. 11:1.
2 Mbretëria mesianike është një masë që e ka marrë vetë i Plotfuqishmi. Nëpërmjet saj, do të realizojë qëllimin që ka për njerëzimin. Mbretëria ka një themel të patundshëm—e drejta absolute e Jehovait për të qeverisur. Aspekte të rëndësishme të Mbretërisë—mbreti i saj, bashkëqeveritarët dhe shtrirja e sundimit të tyre—janë themeluar ligjërisht me anë të besëlidhjeve. Këto janë kontrata a marrëveshje ligjore, ku njëra nga palët është ose Perëndia, ose Biri i tij, Jezu Krishti. Nga meditimi për këto besëlidhje do të kuptojmë më mirë pse qëllimi i Perëndisë do të përmbushet se s’bën dhe do të shohim qartë sa e qëndrueshme është kjo Mbretëri.—Lexo Efesianëve 2:12.
3. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë që vijon?
3 Bibla flet për gjashtë besëlidhje kryesore që lidhen me Mbretërinë mesianike me në krye Krishtin Jezu. Ato janë: (1) besëlidhja abrahamike, (2) besëlidhja e Ligjit, (3) besëlidhja davidike, (4) besëlidhja për një prift si Melkisedeku, (5) besëlidhja e re dhe (6) besëlidhja për Mbretërinë. Le të shohim si lidhet çdo besëlidhje me Mbretërinë dhe ç’rol luan në qëllimin e Perëndisë për tokën e për njerëzimin.—Shih tabelën «Si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij».
NJË PREMTIM ZBULON SI DO TË PLOTËSOHET QËLLIMI I PERËNDISË
4. Siç tregon Zanafilla, cilat dekrete nxori Jehovai për njerëzit?
4 Pasi e bëri gati për t’u banuar planetin tonë të bukur, Jehovai nxori këto tri dekrete për njerëzit: (1) Perëndia do t’i krijonte njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij, (2) ata do ta shtrinin Parajsën anekënd globit e do ta mbushnin tokën me pasardhës të drejtë dhe (3) njerëzit s’duhej të hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zan. 1:26, 28; 2:16, 17) Nuk nevojitej asgjë më shumë. Pasi u krijua njeriu, gjithë sa duhej për t’u plotësuar qëllimi i Perëndisë ishte respektimi i dy dekreteve të tjera. Po pse vallë lindi nevoja për besëlidhje?
5, 6. (a) Si u orvat Satanai të pengonte qëllimin e Perëndisë? (b) Si iu kundërpërgjigj Jehovai sfidës së Satanait në Eden?
5 Në një orvatje kriminale për të penguar qëllimin e Perëndisë, Satana Djalli nxiti një rebelim. E bëri këtë duke u përqendruar te dekreti ku mund të ndikonte më kollaj, ai që kërkonte bindje nga njeriu. E tundoi gruan e parë, Evën, të mos i bindej urdhrit që i ndalonte të hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zan. 3:1-5; Zbul. 12:9) Kështu, Satanai sfidoi të drejtën e Perëndisë për të qeverisur krijesat e Tij. Veç kësaj, më vonë Satanai u veshi motive egoiste shërbëtorëve besnikë të Perëndisë.—Jobi 1:9-11; 2:4, 5.
6 Si do t’i kundërpërgjigjej Jehovai sfidës së Satanait në Eden? S’diskutohet, shfarosja e rebelëve do t’i jepte fund rebelimit të tyre. Por ama, kështu do të mbetej pa u plotësuar qëllimi i shpallur nga Perëndia që toka të mbushej me pasardhësit e bindur të Adamit dhe Evës. Prandaj, në vend që t’i asgjësonte në çast rebelët, Krijuesi i mençur u kundërpërgjigj me një profeci të thellë, premtimin edenik. Me të garantoi se fjala e tij do të plotësohej gjer më një.—Lexo Zanafillën 3:15.
7. Çfarë sigurie na jep premtimi edenik për gjarprin dhe pasardhjen e tij?
7 Me anë të premtimit edenik, Jehovai shpalli dënimin kundër gjarprit dhe farës (pasardhjes) së tij, pra kundër Satana Djallit dhe tërë atyre që do të merrnin anën e tij në çështjen e të drejtës së Perëndisë për të qeverisur. Autoritetin për të shkatërruar Satanain, Perëndia i vërtetë ia dha farës (pasardhjes) së gruas së tij qiellore. Kështu, premtimi edenik theksonte se do të asgjësohej nxitësi i rebelimit në kopshtin e Edenit bashkë me gjithë të zezat e veprimit të tij. Gjithashtu, tregon si do të bëhet kjo.
8. Ç’mund të thuhet për identitetin e gruas dhe të pasardhjes së saj?
8 Kush do të ishte pasardhja e gruas? Meqë do t’i shtypë kokën gjarprit, pra ‘do të asgjësojë’ krijesën frymore Satana Djall, edhe pasardhja duhet të jetë krijesë frymore. (Hebr. 2:14) Po ashtu, gruaja që e lindi duhet të jetë frymore. Mirëpo, ndërsa pasardhja e gjarprit shtohej shumë, identiteti i gruas dhe i pasardhjes së saj mbeti mister për thuajse 4.000 vjet pas premtimit të Jehovait në Eden. Ndërkaq, Jehovai bëri disa besëlidhje të cilat identifikojnë pasardhjen e gruas. Ato i sigurojnë shërbëtorët e Perëndisë se nëpërmjet saj ai do të zhbëjë katastrofën që i solli Satanai familjes njerëzore.
NJË BESËLIDHJE IDENTIFIKON PASARDHJEN
9. Çfarë është besëlidhja abrahamike, dhe kur hyri në fuqi?
9 Rreth dy mijë vjet pasi shpalli dënimin kundër Satanait, Jehovai e urdhëroi patriarkun Abraham të largohej nga shtëpia e tij në Ur të Mesopotamisë, e të shkonte në Kanaan. (Vep. 7:2, 3) Jehovai i tha: «Largohu nga vendi yt, nga farefisi yt dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë do të bëj nga ti një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd. Ji një bekim për të tjerët! Do t’i bekoj ata që të bekojnë dhe do ta mallkoj atë që të mallkon. Gjithë kombet e tokës do të arrijnë të marrin bekime nëpërmjet teje.» (Zan. 12:1-3) Ky është tregimi më i hershëm i dokumentuar për besëlidhjen abrahamike—besëlidhja që bëri Perëndia Jehova me Abrahamin. Nuk dihet saktësisht kur e bëri për herë të parë Jehovai besëlidhjen me Abrahamin. Gjithsesi, ajo hyri në fuqi në vitin 1943 p.e.s. kur Abrahami 75-vjeçar iku nga Harani dhe kaloi lumin Eufrat.
10. (a) Si shfaqi Abrahami besim të patundur te premtimet e Perëndisë? (b) Çfarë hollësish dha avash-avash Jehovai për pasardhjen e gruas?
10 Jehovai e përsëriti disa herë premtimin që i bëri Abrahamit, duke i shtuar hollësira. (Zan. 13:15-17; 17:1-8, 16) E kur Abrahami shfaqi besim të patundur te premtimet e Perëndisë duke u treguar i gatshëm të flijonte birin e vetëm, Jehovai e përforcoi besëlidhjen abrahamike me një premtim të pakushtëzuar. (Lexo Zanafillën 22:15-18; Hebrenjve 11:17, 18.) Pasi hyri në fuqi kjo besëlidhje, avash-avash Jehovai dha hollësi të rëndësishme për pasardhjen e gruas. Ajo do të vinte nga Abrahami, do të ishte e shumtë në numër, do të kishte funksion mbretëror, do të shfaroste tërë armiqtë dhe do të ishte bekim për mjaft veta.
11, 12. Si e tregojnë Shkrimet se besëlidhja abrahamike ka një përmbushje më të rëndësishme? Ç’do të thotë kjo për ne?
11 Ndonëse besëlidhja abrahamike u përmbush në kuptim të mirëfilltë për pasardhësit e Abrahamit kur trashëguan Tokën e Premtuar, Shkrimet tregojnë se aspektet e kësaj besëlidhjeje kanë edhe një përmbushje frymore. (Gal. 4:22-25) I frymëzuar nga Perëndia, apostulli Pavël shpjegoi se në këtë përmbushje më të rëndësishme, pjesa kryesore e pasardhjes së Abrahamit është Krishti dhe pjesa dytësore janë 144.000 të krishterët e mirosur. (Gal. 3:16, 29; Zbul. 5:9, 10; 14:1, 4) Gruaja që lind pasardhjen është «Jerusalemi lart», pjesa qiellore e organizatës së Perëndisë, e përbërë nga krijesa frymore besnike. (Gal. 4:26, 31) Siç premtohej në besëlidhjen abrahamike, pasardhja e gruas do t’i sillte bekime njerëzimit.
12 Besëlidhja abrahamike lidhet me Mbretin dhe bashkëqeveritarët e tij në Mbretërinë e Perëndisë, si edhe është baza ligjore për këtë Mbretëri qiellore. (Hebr. 6:13-18) Për sa kohë do të mbetet në fuqi kjo besëlidhje? Sipas Zanafillës 17:7 është «një besëlidhje brez pas brezi», pra e përhershme. Do të mbetet në fuqi derisa Mbretëria mesianike të shkatërrojë armiqtë e Perëndisë dhe të bekohen tërë familjet e tokës. (1 Kor. 15:23-26) Faktikisht, dobitë që do të shijojnë banorët e tokës do të jenë të përhershme. Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin tregon se Jehovai është i vendosur ta plotësojë qëllimin e tij që njerëzit e drejtë ‘të mbushin tokën’.—Zan. 1:28.
NJË BESËLIDHJE GARANTON SE MBRETËRIA DO TË QËNDROJË PËRHERË
13, 14. Çfarë garanton besëlidhja davidike për qeverisjen e Mesisë?
13 Premtimi edenik dhe besëlidhja abrahamike vërtetojnë këtë fakt jetësor: sovraniteti i Jehovait, i përfaqësuar nga Mbretëria mesianike, bazohet patundshmërisht te normat e Tij të drejta. (Psal. 89:14) A do të korruptohet ndonjëherë qeveria mesianike? A do të jetë e nevojshme të zëvendësohet? Një tjetër besëlidhje ligjore garanton se kjo s’ka për të ndodhur kurrë.
14 Të mendojmë për atë që i premtoi Jehovai mbretit David të Izraelit të lashtë nëpërmjet besëlidhjes davidike. (Lexo 2 Samuelit 7:12, 16.) Jehovai e bëri këtë besëlidhje me Davidin kur ai mbretëronte në Jerusalem, dhe i premtoi se Mesia do të ishte pasardhës i tij. (Luka 1:30-33) Pra, Jehovai e ngushtoi më tej vijën gjenealogjike të pasardhjes dhe tregoi qartë se një trashëgimtar i Davidit do të kishte «të drejtën ligjore» të hipte në fronin e Mbretërisë mesianike. (Ezek. 21:25-27) Nëpërmjet Jezuit, mbretërimi i Davidit «do të jetë i patundur përjetë». Pasardhja e Davidit «do të mbetet në jetë të jetëve, . . . froni i tij do të jetë si dielli». (Psal. 89:34-37) Vërtet, qeverisja e Mesisë nuk do të korruptohet kurrë dhe do të sjellë dobi të përhershme.
NJË BESËLIDHJE PLOTËSON NEVOJËN PËR NJË PRIFTËRI
15-17. Sipas besëlidhjes për një prift si Melkisedeku, ç’rol tjetër do të luante pasardhja, dhe pse?
15 Besëlidhja abrahamike dhe ajo davidike garantojnë se pasardhja e gruas do të ketë funksion mbretëror. Megjithatë ky rol nuk mjafton që të bekohen njerëz të të gjitha kombeve. Që të ndodhë vërtet kjo, duhet të lirohen nga gjendja mëkatare e të pranohen në familjen universale të Jehovait. Prandaj, pasardhja duhet të kryejë edhe funksion priftëror. Krijuesi i mençur mori masa për këtë me një marrëveshje tjetër ligjore, besëlidhjen për një prift si Melkisedeku.
16 Jehovai tregoi nëpërmjet mbretit David se do të bënte me Jezuin një besëlidhje personale me qëllim të dyfishtë: që Jezui ‘të ulet në të djathtën [e Perëndisë]’ derisa të nënshtrojë armiqtë e tij dhe që ai të jetë «prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut». (Lexo Psalmin 110:1, 2, 4.) Në ç’kuptim «sipas mënyrës së Melkisedekut»? Ngaqë Melkisedeku, mbret i Salemit, shërbeu si «prift i Perëndisë Më të Lartë» shumë kohë para se ndonjë pasardhës i Abrahamit të trashëgonte Tokën e Premtuar. (Hebr. 7:1-3) Emërimi i tij vinte drejtpërdrejt nga Jehovai. Melkisedeku është i vetmi i përmendur në Shkrimet Hebraike që shërbeu edhe si mbret, edhe si prift. Për më tepër, nuk është dokumentuar asnjë pararendës ose pasues i tij, prandaj mund të quhet «prift në amshim», ose përgjithmonë.
17 Jezui është emëruar drejtpërdrejt si prift me anë të kësaj besëlidhjeje personale që bëri Jehovai me të, dhe do të mbetet «prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut». (Hebr. 5:4-6) Kjo tregon qartë se Jehovai e ka vënë veten nën detyrimin ligjor të përdorë Mbretërinë mesianike për të arritur qëllimin që kishte në fillim për njerëzimin.
BESËLIDHJET—BAZË LIGJORE PËR MBRETËRINË
18, 19. (a) Çfarë tregojnë për Mbretërinë besëlidhjet që shqyrtuam deri tani? (b) Çfarë do të shqyrtohet më tej?
18 Kur mendojmë për besëlidhjet e saposhqyrtuara, kuptojmë si lidhen me Mbretërinë mesianike dhe si mbështetet fort Mbretëria në kontrata ligjore. Nga premtimi edenik, Jehovai është nën detyrimin ligjor të plotësojë qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzimin nëpërmjet pasardhjes së gruas. Kush do të ishte pasardhja, dhe ç’rol do të luante ajo? Besëlidhja abrahamike shërben si bazë e tërë kësaj.
19 Besëlidhja davidike e ngushton më tej vijën gjenealogjike të pjesës kryesore të pasardhjes dhe i jep të drejtën të qeverisë tokën, në mënyrë që Mbretëria të sjellë dobi të përhershme. Besëlidhja për një prift si Melkisedeku siguron bazën që pasardhja të kryejë edhe rol priftëror. Megjithatë, Jezui nuk do të jetë vetëm kur ta çojë njerëzimin drejt përsosmërisë. Edhe të tjerë janë mirosur të shërbejnë si mbretër dhe priftërinj. Nga do të vinin këta? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.