Jehovai është një Perëndi i besëlidhjeve
«Do të përfundoj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës.»—JEREMIA 31:31, BR.
1, 2. (a) Cilin kremtim nisi Jezui natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s.? (b) Cilës besëlidhje, që kishte të bënte me vdekjen e tij, iu referua Jezui?
NATËN e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui kremtoi Pashkën me 12 apostujt e tij. Meqenëse e dinte se kjo do të ishte hera e fundit që hante me ta dhe se së shpejti do të vdiste në duart e armiqve të vet, Jezui shfrytëzoi rastin për t’u shpjeguar dishepujve të tij më të ngushtë shumë çështje të rëndësishme.—Gjoni 13:1–17:26.
2 Ky ishte momenti që, pasi bëri të dilte jashtë Judë Iskarioti, Jezui themeloi të vetmen ceremoni vjetore fetare të urdhëruar për të krishterët: Përkujtimin e vdekjes së tij. Tregimi thotë: «Ndërsa ata vazhdonin të hanin, Jezui mori një bukë dhe pasi tha një bekim, e theu dhe duke ua dhënë dishepujve, tha: ‘Merrni, hani. Kjo do të thotë trupi im.’ Gjithashtu, mori një kupë dhe pasi falënderoi ua dha atyre, duke thënë: ‘Pini prej saj, të gjithë ju, sepse kjo do të thotë “gjaku im i besëlidhjes”, i cili duhet derdhur në dobi të shumë vetave, për falje mëkatesh.’» (Mateu 26:26-28, BR) Ithtarët e Jezuit duhej ta përkujtonin vdekjen e tij në një mënyrë të thjeshtë dhe dinjitoze. Gjithashtu, Jezui iu referua një besëlidhjeje, që kishte të bënte me vdekjen e tij. Në tregimin e librit të Lukës, kjo është quajtur «besëlidhja e re».—Luka 22:20.
3. Cilat pyetje ngrihen në lidhje me besëlidhjen e re?
3 Cila është besëlidhja e re? Nëse është besëlidhje e re, a do të thotë se ekziston një besëlidhje e vjetër? A ka besëlidhje të tjera që janë të lidhura me të renë? Këto janë pyetje të rëndësishme, pasi Jezui tha se gjaku i besëlidhjes do të derdhej «për falje mëkatesh». Të gjithë ne kemi jashtëzakonisht shumë nevojë për një falje të tillë.—Romakëve 3:23.
Një besëlidhje me Abrahamin
4. Cili premtim i lashtë na ndihmon ta kuptojmë besëlidhjen e re?
4 Për të kuptuar besëlidhjen e re, na duhet të kthehemi prapa pothuajse 2000 vjet përpara shërbimit tokësor të Jezuit, në kohën kur Terahu dhe familja e tij, ku përfshihej Abrami (më vonë, Abrahami) dhe gruaja e Abramit, Saraj (më vonë, Sarah), bënë një udhëtim rraskapitës nga Uri i begatë i kaldeasve për në Haran, në Mesopotaminë Veriore. Ata qëndruan atje deri në vdekjen e Terahut. Pastaj, me urdhër të Jehovait, Abrahami 75-vjeçar përshkoi lumin Eufrat dhe udhëtoi për në jugperëndim, drejt vendit të Kanaanit, që të bënte një jetë shtegtuese nëpër tenda. (Zanafilla 11:31–12:1, 4, 5; Veprat 7:2-5) Kjo ndodhi në vitin 1943 p.e.s. Ndërkohë që Abrahami ishte ende në Haran, Jehovai i kishte thënë: «Unë do të bëj një komb të madh prej teje, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd; tregohu një bekim. Unë do të bekoj ata që të bekojnë e do të mallkoj atë që thërret të ligën të bjerë mbi ty dhe të gjitha familjet e dheut do të bekohen sigurisht me anën tënde.» Më vonë, pasi Abrahami kishte kaluar në Kanaan, Jehovai shtoi: «Farës sate do t’ia jap këtë vend.»—Zanafilla 12:2, 3, 7, BR.
5. Me cilën profeci historike lidhet premtimi që Jehovai i bëri Abrahamit?
5 Premtimi që iu bë Abrahamit ishte i lidhur me një prej premtimeve të tjera të Jehovait. Në të vërtetë, ai e bëri Abrahamin një figurë kyçe në historinë njerëzore, një hallkë lidhëse në përmbushjen e profecisë së parë të regjistruar ndonjëherë. Pasi Adami dhe Eva mëkatuan në kopshtin e Edenit, Jehovai shpalli gjykimin mbi të dy ata, dhe në të njëjtin rast, iu drejtua Satanait, i cili kishte mashtruar Evën, duke thënë: «Unë do të vendos armiqësi midis teje dhe gruas dhe midis farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën dhe ti do t’i shtypësh thembrën.» (Zanafilla 3:15, BR) Besëlidhja e Jehovait me Abrahamin tregoi se Fara nëpërmjet së cilës veprat e Satanait do të shkonin në hiç, do të shfaqej në linjën e atij patriarku.
6. (a) Nëpërmjet kujt do të përmbushej premtimi i Jehovait bërë Abrahamit? (b) Cila është besëlidhja abrahamike?
6 Përderisa premtimi i Jehovait ishte i lidhur me një farë, Abrahami kishte nevojë për një bir, përmes të cilit të mund të vinte Fara. Por ai dhe Sara ishin në moshë të thyer dhe ende nuk kishin fëmijë. Megjithatë, më në fund, Jehovai i bekoi, duke rigjallëruar në mënyrë të mrekullueshme aftësitë e tyre për të lindur dhe Sara i lindi Abrahamit një bir, Isakun, duke e mbajtur kështu të gjallë premtimin për një farë. (Zanafilla 17:15-17; 21:1-7) Vite më vonë, pasi e kishte vënë në provë besimin e Abrahamit, madje duke vënë në provë gatishmërinë e tij për ta ofruar birin e vet të dashur, Isakun, si flijim, Jehovai ia përsëriti premtimin e vet Abrahamit: «Me siguri do të të bekoj dhe sigurisht që do ta shumëzoj farën tënde si yjet e qiejve dhe si kokrrizat e rërës që ndodhen në bregdet; fara jote do të marrë në zotërim portën e armiqve të saj. Me anë të farës sate do të bekohen me siguri të gjitha kombet e tokës, për shkak të faktit se ke dëgjuar zërin tim.» (Zanafilla 22:15-18, BR) Ky premtim i zgjeruar është quajtur shpesh besëlidhja abrahamike dhe besëlidhja e re e mëvonshme do të ishte e lidhur ngushtë me të.
7. Si filloi të rritej në numër fara e Abrahamit dhe cilat rrethana i çuan ata të ishin banorë në Egjipt?
7 Me kalimin e kohës, Isaku pati dy djem binjakë, Esaun dhe Jakobin. Jehovai e zgjodhi Jakobin të ishte paraardhësi i Farës së Premtuar. (Zanafilla 28:10-15; Romakëve 9:10-13) Jakobi pati 12 djem. Qartë, tani ishte koha që fara e Abrahamit të fillonte të rritej. Kur bijtë e Jakobit ishin të rritur, shumë prej tyre me familjet e veta, një zi buke i detyroi të gjithë të zbritnin në Egjipt, ku me anë të një drejtimi përkujdesës hyjnor, biri i Jakobit, Jozefi, kishte përgatitur udhën. (Zanafilla 45:5-13; 46:26, 27) Pas disa vitesh, zija e bukës në Kanaan u lehtësua. Por familja e Jakobit qëndroi në Egjipt; fillimisht si mysafirë, por më vonë si skllevër. Vetëm në vitin 1513 p.e.s., 430 vjet pasi Abrahami kishte përshkuar Eufratin, Moisiu i udhëhoqi pasardhësit e Jakobit jashtë Egjiptit në liri. (Dalja [Eksodi] 1:8-14; 12:40, 41; Galatasve 3:16, 17) Tani Jehovai do t’i kushtonte vëmendje të veçantë besëlidhjes së tij me Abrahamin.—Dalja 2:24; 6:2-5.
«Besëlidhja e vjetër»
8. Çfarë përfundoi Jehovai me pasardhjen e Jakobit në Sinai dhe ç’kishte të bënte kjo me besëlidhjen abrahamike?
8 Kur Jakobi dhe bijtë e tij u transferuan në Egjipt, ata ishin një familje e zgjeruar, por pasardhësit e tyre u larguan nga Egjipti si një trup i madh fisesh të populluara. (Dalja 1:5-7; 12:37, 38) Përpara se Jehovai t’i çonte në Kanaan, i drejtoi për në jug, në këmbët e një mali të quajtur Horeb (ose Sinai) në Arabi. Atje, bëri me ta një besëlidhje. Kjo u quajt «besëlidhja e vjetër», në krahasim me «besëlidhjen e re». (2. Korintasve 3:14) Me anë të besëlidhjes së vjetër, Jehovai administroi në mënyrë ilustruese përmbushjen e besëlidhjes së tij me Abrahamin.
9. (a) Cilat janë katër gjërat që premtoi Jehovai nëpërmjet besëlidhjes abrahamike? (b) Çfarë perspektivash të mëtejshme hapi besëlidhja e Jehovait me Izraelin dhe me çfarë kushti?
9 Jehovai i shpjegoi Izraelit kushtet e kësaj besëlidhjeje: «Nëse do t’i bindeni rreptësisht zërit tim dhe do ta mbani me të vërtetë besëlidhjen time, atëherë do të bëheni me siguri prona ime e veçantë nga të gjithë popujt e tjerë, sepse e gjithë toka më përket mua. Ju vetë do të më bëheni një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Dalja 19:5, 6) Jehovai kishte premtuar se fara e Abrahamit (1) do të bëhej një komb i madh, (2) do t’i jepej fitorja mbi armiqtë e vet, (3) do të trashëgonte tokën e Kanaanit dhe (4) do të ishte një kanal për bekimet ndaj kombeve. Tani ai zbuloi se ata vetë mund t’i trashëgonin këto bekime si popull i veçantë i tij, Izraeli, «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë», nëse do t’u bindeshin urdhrave të tij. A qenë dakord izraelitët të hynin në këtë besëlidhje? Ata u përgjigjën njëzëri: «Të gjithë atë që ka thënë Jehovai, ne jemi të gatshëm ta bëjmë.»—Dalja 19:8, BR.
10. Si i organizoi Jehovai izraelitët në një komb dhe çfarë priste prej tyre?
10 Kështu, Jehovai i organizoi izraelitët në një komb. Ai u dha atyre ligje, që rregullonin adhurimin dhe jetën civile. Ai siguroi, gjithashtu, një tabernakull (më vonë, një tempull në Jerusalem) dhe një priftëri, që do të kryente shërbim të shenjtë në tabernakull. Të mbaje besëlidhjen do të thoshte t’u bindeshe ligjeve të Jehovait dhe sidomos të adhuroje vetëm atë. I pari nga të Dhjetë Urdhërimet, që ishin bërthama e këtyre ligjeve, ishte: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllevërve. Nuk duhet të kesh perëndi të tjera kundër fytyrës sime.»—Dalja 20:2, 3, BR.
Bekime nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit
11, 12. Në ç’mënyra u përmbushën premtimet në besëlidhjen e vjetër ndaj Izraelit?
11 A u përmbushën ndaj Izraelit premtimet në besëlidhjen e Ligjit? A u bë Izraeli «një komb i shenjtë»? Si pasardhës të Adamit, izraelitët ishin mëkatarë. (Romakëve 5:12) Megjithatë, nën Ligj, për të mbuluar mëkatet e tyre, ofroheshin flijime. Në lidhje me flijimet e ofruara Ditën e Shlyerjes vjetore, Jehovai tha: «Në këtë ditë, për ju do të bëhet shlyerja, që ju të shpalleni të pastër. Ju do të jeni të pastër nga të gjitha mëkatet tuaja para Jehovait.» (Levitiku 16:30, BR) Prandaj, kur qe besimplotë, Izraeli ishte një komb i shenjtë, i pastruar për shërbimin e Jehovait. Por kjo gjendje e pastër varej nga bindja e tyre ndaj Ligjit dhe nga ofrimi vazhdimisht i flijimeve.
12 A u bë Izraeli një «mbretëri priftërinjsh»? Që nga fillimi, ai ishte një mbretëri, me Jehovain si Mbret qiellor. (Isaia 33:22) Më tej, besëlidhja e Ligjit përfshiu sigurime për një mbretërim njerëzor, kështu që më vonë Jehovai u përfaqësua nga mbretër, që sundonin në Jerusalem. (Ligji i përtërirë 17:14-18) Por a ishte Izraeli një mbretëri priftërinjsh? Mirë pra, ai kishte një priftëri që bënte shërbim të shenjtë në tabernakull. Tabernakulli, (më vonë, tempulli) ishte qendra e adhurimit të pastër për izraelitët dhe, gjithashtu, për joizraelitët. Kombi ishte kanali i vetëm i së vërtetës së zbuluar për njerëzimin. (2. Kronikave 6:32, 33; Romakëve 3:1, 2) Të gjithë izraelitët besimplotë, jo vetëm priftërinjtë levitikë, ishin «dëshmitarë» të Jehovait. Izraeli ishte «shërbëtori» i Jehovait, i formuar për të ‘treguar lavdinë e tij’. (Isaia 43:10, 21) Shumë të huaj të përulur panë fuqinë e Jehovait në dobi të popullit të tij dhe u tërhoqën ndaj adhurimit të kulluar. Ata u bënë prozelitë. (Josiu 2:9-13) Por faktikisht vetëm ata të një fisi shërbenin si priftërinj të mirosur.
Prozelitët në Izrael
13, 14. (a) Pse mund të thuhet se prozelitët nuk ishin pjesëmarrës në besëlidhjen e Ligjit? (b) Si u vunë prozelitët nën besëlidhjen e Ligjit?
13 Cila ishte pozita e prozelitëve të tillë? Kur Jehovai bëri besëlidhjen e tij, ajo u bë vetëm me Izraelin; ata të «shoqërisë së madhe të përzierë», ndonëse të pranishëm, nuk u quajtën pjesëmarrës. (Dalja 12:38, BR; Da 19:3, 7, 8) Të parëlindurit e tyre nuk u morën parasysh, kur u llogarit çmimi i shpërblerjes për të parëlindurit e Izraelit. (Numrat 3:44-51) Dekada më vonë, kur vendi i Kanaanit u nda ndërmjet fiseve izraelite, për besimtarët joizraelitë nuk u hoq asgjë mënjanë. (Zanafilla 12:7; Josiu 13:1-14) Pse? Sepse besëlidhja e Ligjit nuk ishte bërë me prozelitët. Por burrat prozelitë, në bindje ndaj Ligjit, ishin rrethprerë. Ata zbatuan rregullimet e tij dhe përfituan nga sigurimet e tij. Prozelitët, ashtu si izraelitët, u vunë nën besëlidhjen e Ligjit.—Dalja 12:48, 49; Numrat 15:14-16; Romakëve 3:19.
14 Për shembull, nëse një prozelit vriste pa dashje dikë, ai mundte, ashtu si një izraelit, të ikte në një qytet strehimi. (Numrat 35:15, 22-25; Josiu 20:9) Ditën e Shlyerjes, ofrohej një flijim «në emër të të gjithë kongregacionit të Izraelit». Si pjesë e kongregacionit, prozelitët merrnin pjesë në procedurë dhe mbuloheshin nga flijimi. (Levitiku 16:7-10, 15, 17, 29; Ligji i përtërirë 23:7, 8) Kaq ngushtë ishin të lidhur prozelitët me Izraelin nën Ligj, saqë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ku u përdor i pari ‘çelës i mbretërisë’ në dobi të judenjve, përfituan edhe prozelitët. Si rezultat, ‘Nikolla, prozelit nga Antiokia’, u bë i krishterë dhe qe mes ‘shtatë burrave të vërtetuar’, të emëruar që të kujdeseshin për nevojat e kongregacionit të Jerusalemit.—Mateu 16:19; Veprat 2:5-10; 6:3-6; 8:26-39.
Jehovai bekon farën e Abrahamit
15, 16. Si u përmbush premtimi i Jehovait bërë Abrahamit, nën besëlidhjen e Ligjit?
15 Pasardhësit e Abrahamit, të organizuar si një komb nën Ligj, Jehovai i bekoi në përputhje me premtimin e tij, që i kishte bërë patriarkut. Në vitin 1473 p.e.s., pasuesi i Moisiut, Josiu, e futi Izraelin në Kanaan. Ndarja e mëpasme e vendit mes fiseve, përmbushi premtimin e Jehovait për t’ia dhënë vendin farës së Abrahamit. Kur Izraeli ishte besimplotë, Jehovai përmbushi premtimin e tij për t’i dhënë fitoren mbi armiqtë. Kjo qe sidomos e vërtetë gjatë sundimit të mbretit David. Në kohën e birit të Davidit, Solomonit, u përmbush një aspekt i tretë i besëlidhjes abrahamike. «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë, ashtu si kokrrizat e rërës që janë me shumicë anës detit; hanin, pinin dhe gëzonin.»—1. Mbretërve 4:20, BR.
16 Por, si do të bekoheshin kombet nëpërmjet Izraelit, farës së Abrahamit? Siç është përmendur tashmë, Izraeli ishte populli i veçantë i Jehovait, përfaqësuesi i tij mes kombeve. Pak përpara se Izraeli të hynte në Kanaan, Moisiu tha: «Jini të gëzuara, ju kombe, me popullin e tij.» (Ligji i përtërirë 32:43, BR) Shumë të huaj u përgjigjën. «Një shoqëri e madhe e përzierë» tashmë i kishte shkuar pas Izraelit kur doli nga Egjipti, kishte qenë dëshmitare e fuqisë së Jehovait në shkretëtirë dhe kishte dëgjuar ftesën e Moisiut për të gëzuar. (Dalja 12:37, 38) Më vonë, moabitja Rutha u martua me izraelitin Boaz dhe u bë një paraardhëse e Mesisë. (Rutha 4:13-22) Keniti Jehonadab dhe pasardhësit e tij, si dhe etiopasi Ebed-melek u dalluan, duke iu përmbajtur parimeve të drejta, kur shumë izraelitë natyrorë nuk ishin besimplotë. (2. Mbretërve 10:15-17; Jeremia 35:1-19; 38:7-13) Nën perandorinë persiane, shumë të huaj u bënë prozelitë dhe luftuan bashkë me Izraelin kundër armiqve të tij.—Estera 8:17, shënimi BR.
Nevojitej një besëlidhje e re
17. (a) Pse Jehovai hodhi poshtë mbretërinë veriore dhe jugore të Izraelit? (b) Ç’gjë çoi në hedhjen poshtë përfundimisht të judenjve?
17 Megjithatë, që të merrte përmbushjen e plotë të premtimit të Perëndisë, kombi i veçantë i Perëndisë duhej të ishte besimplotë. Ai nuk qe i tillë. Vërtet, kishte izraelitë me një besim të jashtëzakonshëm. (Hebrenjve 11:32–12:1) Megjithatë, në shumë raste, kombi iu drejtua perëndive pagane, duke shpresuar për përfitim material. (Jeremia 34:8-16; 44:15-18) Disa individë e zbatuan keq Ligjin apo thjesht e shpërfillën. (Nehemia 5:1-5; Isaia 59:2-8; Malakia 1:12-14) Pas vdekjes së Solomonit, Izraeli u nda në një mbretëri veriore dhe në një jugore. Kur mbretëria veriore doli kryekëput rebele, Jehovai shpalli: «Meqenëse njohuria është ajo që ke hedhur poshtë ti vetë, edhe unë do të të hedh ty poshtë nga shërbimi që më bën si prift.» (Hozea 4:6, BR) Edhe mbretëria jugore u ndëshkua rreptë, sepse doli e rremë ndaj besëlidhjes. (Jeremia 5:29-31) Kur judenjtë e hodhën poshtë Jezuin si Mesia, ngjashëm Jehovai hodhi poshtë ata. (Veprat 3:13-15; Romakëve 9:31–10:4) Së fundi, Jehovai bëri një rregullim të ri për të administruar përmbushjen e plotë të besëlidhjes abrahamike.—Romakëve 3:20.
18, 19. Cilin rregullim të ri bëri Jehovai, që besëlidhja abrahamike të përmbushej në mënyrë të plotë?
18 Ky rregullim i ri ishte besëlidhja e re. Jehovai e kishte parathënë këtë, kur tha: «‘Ja! Po vijnë ditë,—është thënia e Jehovait,—dhe unë do të përfundoj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës . . . Kjo është besëlidhja që do të përfundoj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—është thënia e Jehovait.—Do ta vendos ligjin tim në ta dhe do ta shkruaj në zemrën e tyre. Unë do të bëhem Perëndia i tyre dhe ata vetë do të bëhen populli im’.»—Jeremia 31:31-33, BR.
19 Kjo është besëlidhja e re, së cilës iu referua Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s. Në atë rast, ai zbuloi se së shpejti besëlidhja e premtuar do të përfundohej ndërmjet dishepujve të tij dhe Jehovait, me Jezuin si ndërmjetës. (1. Korintasve 11:25; 1. Timoteut 2:5; Hebrenjve 12:24) Nëpërmjet kësaj besëlidhjeje të re, premtimi që Jehovai i kishte bërë Abrahamit, do të kishte një përmbushje më të lavdishme e më të qëndrueshme, siç do ta shohim në artikullin vijues.
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë premtoi Jehovai në besëlidhjen abrahamike?
◻ Si e administroi Jehovai ndaj Izraelit mishor përmbushjen e besëlidhjes abrahamike?
◻ Si përfituan prozelitët nga besëlidhja e vjetër?
◻ Pse nevojitej një besëlidhje e re?
[Figura në faqen 9]
Nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit, Jehovai administroi një përmbushje paraprake të besëlidhjes abrahamike