Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Zanafillës—II
QË NGA krijimi i njeriut të parë, Adamit, e deri me vdekjen e Jozefit që ishte i biri i Jakobit, libri i Zanafillës mbulon një periudhë prej 2.369 vjetësh të historisë njerëzore. Dhjetë kapitujt e parë, si edhe nëntë vargjet e para të kapitullit të 11-të, të cilët flitnin për krijimin e për gjithë periudhën deri me ndërtimin e kullës së Babelit, u trajtuan në numrin e mëparshëm të kësaj reviste.a Ky artikull shqyrton pikat kryesore nga pjesa tjetër e librit të Zanafillës, që tregojnë për marrëdhëniet e Perëndisë me Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe Jozefin.
ABRAHAMI BËHET MIKU I PERËNDISË
Rreth 350 vjet pas Përmbytjes, në linjën gjenealogjike të Semit, djalit të Noesë, lind një njeri që bëhet shumë i veçantë për Perëndinë. E quajnë Abram, emër që më vonë i ndryshohet në Abraham. Me urdhër të Perëndisë, Abrami largohet nga Uri, qytet kaldeas, dhe fillon të banojë në tenda në një vend që Jehovai premton se do t’ia japë atij dhe pasardhësve të tij. Për shkak të besimit dhe të bindjes që tregon, Abrahami quhet «mik i Jehovait».—Jakovit 2:23.
Jehovai ndërmerr veprime kundër banorëve të ligj të Sodomës dhe të qyteteve afër saj, kurse Loti dhe bijat e tij shpëtojnë. Një premtim i Perëndisë përmbushet me lindjen e Isakut, djalit të Abrahamit. Vite më vonë, besimi i Abrahamit vihet në provë kur Jehovai i thotë ta ofrojë të birin si flijim. Abrahami është gati të bindet, por një engjëll e ndalon. Nuk ka dyshim se Abrahami është njeri me besim, prandaj i jepet siguria se nëpërmjet farës së tij do të bekohen të gjitha kombet. Vdekja e gruas së tij të dashur, Sarës, e trishton shumë Abrahamin.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
12:1-3—Kur hyri në fuqi besëlidhja abrahamike dhe për sa kohë? Besëlidhja që bëri Jehovai me Abramin se «te [Abrami] do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës» me sa duket hyri në fuqi kur Abrami kaloi lumin Eufrat ndërsa po shkonte për në Kanaan. Kjo duhet të ketë ndodhur më 14 nisan të vitit 1943 p.e.s., pra 430 vjet para se Izraeli të çlirohej nga Egjipti. (Eksodi 12:2, 6, 7, 40, 41) Besëlidhja abrahamike është «një besëlidhje në kohë të pacaktuar». Mbetet në fuqi derisa të jenë bekuar familjet e tokës dhe të jenë shkatërruar të gjithë armiqtë e Perëndisë.—Zanafilla 17:7, BR; 1 Korintasve 15:23-26.
15:13—Kur përfundoi mundimi i parathënë 400-vjeçar i pasardhësve të Abramit? Kjo periudhë mundimi filloi në vitin 1913 p.e.s., kur Isakun 5-vjeçar e hoqën nga gjiri dhe vëllai i tij nga babai, Ismaeli 19-vjeçar, po «e përqeshte». (Zanafilla 21:8-14, DSF; Galatasve 4:29) Përfundoi me çlirimin e izraelitëve nga skllavëria egjiptiane në vitin 1513 p.e.s.
16:2—A ishte e përshtatshme që Saraja t’i jepte Abramit për grua shërbëtoren e vet, Agarën? Ky veprim i Sarajës ishte në përputhje me zakonin e asaj kohe. Një grua shterpë ishte e detyruar t’i jepte burrit të saj një konkubinë, me qëllim që t’i jepte një trashëgimtar. Praktika e poligamisë u shfaq për herë të parë në linjën e Kainit. Me kalimin e kohës u bë një zakon, të cilin e morën edhe disa adhurues të Jehovait. (Zanafilla 4:17-19; 16:1-3; 29:21-28) Megjithatë, Jehovai nuk e braktisi kurrë normën e tij fillestare të monogamisë. (Zanafilla 2:21, 22) Është e dukshme se Noeja dhe bijtë e tij, të cilëve iu dha urdhri ‘të jenë frytdhënës e të mbushin tokën’ kishin që të gjithë vetëm nga një grua. (Zanafilla 7:7; 9:1; 2 Pjetrit 2:5) Këtë normë të monogamisë e ripohoi Jezu Krishti.—Mateu 19:4-8; 1 Timoteut 3:2, 12.
19:8—A nuk ishte e gabuar që Loti t’u jepte sodomitëve vajzat e tij? Sipas kulturës orientale, i zoti i shtëpisë kishte përgjegjësinë të mbronte mysafirët që ndodheshin në shtëpinë e tij, duke qenë gati edhe të vdiste po të lindte nevoja. Loti ishte gati ta bënte këtë. Me guxim ai doli përpara turmës, mbylli derën pas tij dhe qëndroi i vetëm përballë tyre. Në kohën kur propozoi t’u jepte vajzat e tij, me sa duket Loti e kishte kuptuar se mysafirët ishin lajmëtarë nga Perëndia dhe mund të ketë arsyetuar se Perëndia mund t’i mbronte vajzat e tij siç kishte mbrojtur në Egjipt Sarën, nusen e xhaxhait të vet. (Zanafilla 12:17-20) E me të vërtetë, si rrodhën ngjarjet, Loti dhe vajzat e tij shpëtuan mirë.
19:30-38—A e mbylli një sy Jehovai kur Loti u deh dhe u bë baba i dy djemve nëpërmjet vajzave të tij? Jehovai nuk justifikon as incestin, as dehjen. (Levitiku 18:6, 7, 29; 1 Korintasve 6:9, 10) E vërteta është se Loti brengosej nga ‘veprat e paligjshme’ të banorëve të Sodomës. (2 Pjetrit 2:6-8) Vetë fakti që vajzat e Lotit e dehën atë na tregon se ato e dinin që nuk do të pranonte të kishte marrëdhënie seksuale me to, po të ishte esëll. Por, duke qenë të huaj në atë vend, vajzat e tij ndoshta mendonin se kjo ishte e vetmja mënyrë për të parandaluar zhdukjen e familjes së Lotit. Ky tregim gjendet në Bibël për të treguar ç’lidhje kishin moabitët (pasardhës të Moabit) dhe amonitët (pasardhës të Ben-Amit) me pasardhësit e Abrahamit, izraelitët.
Mësime për ne:
13:8, 9. Sa shembull të mirë dha Abrahami lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve! Nuk duhet t’i sakrifikojmë kurrë marrëdhëniet paqësore për të pasur përfitim material, për preferencat personale ose për hir të krenarisë.
15:5, 6. Kur Abrahami po plakej dhe ende s’kishte djalë, foli me Perëndinë e tij për këtë. Nga ana e vet, Jehovai e qetësoi. Rezultati? Abrahami «i besoi Zotit». Në qoftë se i hapim zemrën Jehovait në lutje, pranojmë sigurinë që na jep nga Bibla dhe i bindemi atij, do të na forcohet besimi.
15:16. Jehovai priti derisa kaluan katër breza para se ta ekzekutonte gjykimin e tij mbi amoritët (ose kananitët). Përse? Sepse është një Perëndi i durueshëm. Priti derisa të mos kishte më shpresë për përmirësim. Ashtu si Jehovai, edhe ne duhet të jemi të durueshëm.
18:23-33. Jehovai nuk i shkatërron njerëzit pa asnjë dallim. Ai i mbron të drejtët.
19:16. Loti «po ngurronte» dhe engjëjve iu desh pothuajse t’i tërhiqnin për krahu për t’i nxjerrë nga Sodoma si familje. Bëjmë mirë të mos e humbasim ndjenjën e urgjencës ndërsa presim fundin e botës së ligë.
19:26. Sa e pamend është të shpërqendrohemi nga ajo që kemi lënë pas në botë, ose të shohim pas me dëshirim!
JAKOBIT I LINDIN 12 DJEM
Abrahami rregullon martesën e Isakut me Rebekën, një grua që ka besim te Jehovai. Ajo lind dy binjakë, Esaun dhe Jakobin. Esau e përbuz të drejtën e tij si i parëlindur dhe ia shet atë Jakobit, i cili më vonë merr bekimin e babait të tij. Jakobi arratiset në Padan-Aram, ku martohet me Lean dhe Rakelën, si edhe kujdeset për kopetë e babait të tyre për afro 20 vjet, para se të largohet bashkë me familjen e tij. Nga Lea, Rakela dhe dy shërbëtoret e tyre, Jakobi ka 12 djem dhe një vajzë. Jakobi përleshet me një engjëll dhe merr bekimin, kështu që i ndryshohet emri në Izrael.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
28:12, 13—Ç’domethënie kishte ëndrra e Jakobit që kishte të bënte me një «shkallë»? Kjo «shkallë», e cila mund të ketë qenë si një shkallë prej guri, tregonte se ka komunikim ndërmjet tokës dhe qiellit. Engjëjt e Perëndisë që ngjiteshin e zbritnin nëpër shkallë treguan se engjëjt shërbejnë në një mënyrë të rëndësishme ndërmjet Jehovait dhe njerëzve që kanë miratimin e tij.—Gjoni 1:51.
30:14, 15—Pse Rakela hoqi dorë nga mundësia për t’u ngjizur në këmbim të ca madërgonave? Në kohët e lashta, fryti i bimës së madërgonës përdorej në mjekësi si narkotike dhe për të parandaluar ose për të lehtësuar dhembjet. Besohej se ky fryt kishte edhe aftësinë për të nxitur dëshirën seksuale dhe për të rritur pjellorinë te njerëzit ose si ndihmë për ngjizje. (Kantiku i Kantikëve 7:13) Ndonëse Bibla nuk e tregon pse e bëri këtë këmbim Rakela, ndoshta ajo mund të ketë menduar se këto fryte do ta ndihmonin të ngjizej dhe t’i jepte fund turpit ngaqë ishte shterpë. Gjithsesi kaluan disa vjet para se Jehovai ‘ta bënte të frytshme’.—Zanafilla 30:22-24.
Mësime për ne:
25:23. Jehovai e ka aftësinë për të dalluar përbërjen gjenetike të dikujt që nuk ka lindur ende dhe të ushtrojë aftësinë për të parashikuar e për të zgjedhur që më përpara dikë për qëllimet e tij. Megjithatë nuk e cakton që më parë të ardhmen përfundimtare të individëve.—Hozea 12:3; Romakëve 9:10-12.
25:32, 33; 32:24-29. Shqetësimi i Jakobit që të merrte të drejtën e të parëlindurit dhe përleshja gjithë natën me një engjëll për të marrë bekimin tregojnë se ai i çmonte vërtet gjërat e shenjta. Jehovai na ka besuar disa gjëra të shenjta, si: marrëdhënien me të dhe me organizatën e tij, shpërblesën, Biblën dhe shpresën e Mbretërisë. Le të jemi si Jakobi e të tregojmë çmueshmëri për to!
34:1, 30. Telashi që ‘solli urrejtje’ mbi Jakobin filloi sepse Dina zuri shoqëri me njerëz që nuk e donin Jehovain. Duhet t’i zgjedhim me mençuri shoqëritë tona.
JEHOVAI E BEKON JOZEFIN NË EGJIPT
Xhelozia i shtyn djemtë e Jakobit ta shesin si skllav Jozefin, vëllanë e tyre. Në Egjipt, Jozefin e burgosin sepse me besnikëri e me guxim u përmbahet normave morale të Perëndisë. Me kalimin e kohës e nxjerrin nga burgu që të shpjegojë ëndrrat e faraonit, ku parathuhen shtatë vjet me bollëk e më pas shtatë vjet zi buke. Pastaj Jozefi bëhet administratori i ushqimit për Egjiptin. Vëllezërit e tij vijnë në Egjipt për të kërkuar ushqim, për shkak të zisë së bukës. Familja ribashkohet dhe vendoset me banim në tokën pjellore të Goshenit. Në shtratin e vdekjes, Jakobi bekon djemtë e tij dhe thotë një profeci që jep shpresë të sigurt për bekimet e mëdha në shekujt që do të vijnë. Trupi i Jakobit çohet në Kanaan për t’u varrosur. Kur Jozefi vdes në moshën 110-vjeçare, trupi i tij balsamoset, për t’u transportuar së fundi në Tokën e Premtuar.—Eksodi 13:19.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
43:32—Pse për egjiptianët ishte gjë e neveritshme të hanin bashkë me hebrenjtë? Kryesisht kjo mund të ketë qenë për shkak të paragjykimit fetar ose të krenarisë raciale. Gjithashtu, egjiptianët i urrenin barinjtë. (Zanafilla 46:34) Pse? Ndoshta barinjtë vinin aty afër rangut të fundit në sistemin egjiptian të shoqërisë. Ose ndoshta ngaqë toka bujqësore ishte e paktë, egjiptianët i përçmonin ata që kërkonin kullota për kopetë e tyre.
44:5—A përdorte vërtet Jozefi një kupë për të parathënë të ardhmen? Kupa e argjendtë dhe fjalët që u thanë duket se ishin pjesë e një plani. Jozefi ishte adhurues besnik i Jehovait. Ai nuk e përdorte në të vërtetë kupën për të parathënë të ardhmen, ashtu si Beniamini në të vërtetë nuk e kishte vjedhur atë.
49:10—Ç’kuptim ka «skeptri» dhe «bastuni i komandantit»? Skeptri është një shkop që e mbante në dorë mbreti si simbol të pushtetit e të sundimit të tij. Bastuni i komandantit është një shkop i gjatë që tregon fuqinë e tij për të komanduar. Fakti që Jakobi foli për këto tregonte se nga fisi i Judës do të kishte njerëz me autoritet dhe pushtet mjaft të madh, derisa të vinte Shilohu. Ky pasardhës i Judës është Jezu Krishti, ai të cilit Jehovai i ka dhënë sundim qiellor. Krishti ka pushtetin mbretëror dhe fuqinë për të komanduar.—Psalmi 2:8, 9; Isaia 55:4; Danieli 7:13, 14.
Mësime për ne:
38:26. Juda veproi gabim me Tamarën, nusen e djalit e cila kishte mbetur vejushë. Megjithatë, kur u gjend përball përgjegjësisë për shtatzëninë e saj, me përulësi e pranoi gabimin. Edhe ne duhet t’i pranojmë menjëherë gabimet që bëjmë.
39:9. Përgjigjja që i dha Jozefi gruas së Potifarit tregon se ai mendonte ashtu si Perëndia për çështjet morale dhe se ndërgjegjja e tij udhëhiqej nga parimet hyjnore. A nuk duhet të përpiqemi edhe ne të arrijmë të njëjtën gjë, ndërsa rritemi në njohurinë e saktë të së vërtetës?
41:14-16, 39, 40. Jehovai mund t’i ndryshojë rrethanat për ata që i frikësohen atij. Kur lindin vështirësi, bëjmë mirë t’i besojmë Jehovait dhe t’i mbetemi besnikë atij.
Patën besim të patundur
Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jozefi ishin vërtet njerëz me besim dhe me frikë Perëndie. Tregimet për jetën e tyre, që gjenden në librin e Zanafillës, na e forcojnë besimin dhe na japin shumë mësime të vlefshme.
Mund të nxirrni dobi nga këto tregime kur bëni leximin javor të Biblës për Shkollën e Shërbimit Teokratik. Shqyrtimi i pjesës së mësipërme do t’ju ndihmojë që këto tregime t’ju bëhen të gjalla.
[Shënimi]
a Shih artikullin «Fjala e Jehovait është e gjallë: Pika kryesore nga libri i Zanafillës—I», në Kullën e Rojës, 1 janar 2004.
[Figura në faqen 26]
Jehovai e bekoi Jozefin
[Figura në faqen 26]
Abrahami ishte njeri me besim
[Figura në faqen 26]
Loti i drejtë dhe vajzat e tij shpëtuan
[Figura në faqen 29]
Jakobi i çmonte gjërat e shenjta. Po ju?