Rrethprerja shenjë burrërie?
NË SHUMË pjesë të botës, rrethprerja u bëhet djemve kur janë foshnja, për arsye shëndetësore. Në pjesë të tjera të botës, nuk është një zakon që meshkujt të rrethpriten. Për disa, si hebrenjtë dhe myslimanët, syneti ose rrethprerja nuk bëhet vetëm për arsye shëndetësore, por ka edhe domethënie fetare.
Mirëpo, në disa kombe, kur një djalë arrin moshën e burrit, kryhet një rit rrethprerjeje. Për këtë, zakonisht djalin e dërgojnë në një shkollë tradicionale, ku rrethpritet dhe mbahet larg shoqërisë për disa javë, derisa ta marrë veten nga operacioni. Gjatë kësaj kohe, djali duhet të ndjekë disa rite specifike dhe të mësojë të jetë burrë. A është e nevojshme kjo lloj rrethprerjeje për të treguar se një djalë është bërë burrë? Le të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla për pikëpamjen e Perëndisë.—Proverbat 3:5, 6.
Pikëpamja e Perëndisë për rrethprerjen
Disa popuj në kohët e lashta, siç ishin egjiptianët, e praktikonin rrethprerjen, domethënë prerjen e mishit të lafshës së organit mashkullor. Por Abrahami nuk lindi në një kulturë të tillë. Në fakt, pjesën më të madhe të jetës së tij, Abrahami e kaloi i parrethprerë. Për më tepër, edhe pse i parrethprerë, Abrahami ishte një burrë trim. Me një numër të vogël burrash, ai ndoqi dhe mundi ushtritë e katër mbretërve që kishin zënë rob nipin e tij, Lotin. (Zanafilla 14:8-16) Rreth 14 vjet më pas, Perëndia e urdhëroi Abrahamin të rrethpritej vetë e të rrethpriste gjithë burrat e shtëpisë së vet. Pse e dha Perëndia këtë urdhër?
Sigurisht që kjo nuk ishte shenjë se Abrahami kishte kaluar nga djalëria në moshën e burrit. Në atë kohë ai ishte 99 vjeç! (Zanafilla 17:1, 26, 27) Perëndia e tregoi arsyen pse e dha këtë urdhër: «Të rrethpritni mishin e lafshës dhe kjo të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe jush.» (Zanafilla 17:11) Kjo besëlidhje abrahamike përfshinte premtimin e Perëndisë se nëpërmjet Abrahamit, bekime të mëdha do të vinin së fundi për «gjithë kombet e tokës». (Zanafilla 12:2, 3) Kështu, në sytë e Perëndisë rrethprerja s’kishte të bënte fare me burrërinë. Ajo bëhej për të treguar se dikush u përkiste pasardhësve izraelitë të Abrahamit, të cilët ishin të privilegjuar, sepse «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë».—Romakëve 3:1, 2.
Me kalimin e kohës, kombi i Izraelit nuk ishte më i denjë për besimin që iu tregua, sepse e hodhi poshtë Farën e vërtetë të Abrahamit, Jezu Krishtin. Prandaj Perëndia nuk i miratoi më dhe rrethprerja e tyre nuk kishte më asnjë domethënie në sytë e tij. Megjithatë, në shekullin e parë të erës sonë, disa të krishterë ngulnin këmbë se rrethprerja ishte ende kërkesë e Perëndisë. (Veprat 11:2, 3; 15:5) Për shkak të kësaj, apostulli Pavël dërgoi Titin ‘që të ndreqte gjërat me të meta’ në disa kongregacione. Për njërën nga këto të meta, Pavli i shkroi Titit: «Ka shumë njerëz të pashtruar, llafazanë të padobishëm dhe mashtrues të mendjes së të tjerëve, sidomos ata që i rrinë besnikë rrethprerjes. Është e nevojshme që këtyre njerëzve t’u mbyllet goja, sepse vazhdojnë të minojnë shtëpi të tëra, duke u mësuar ato që nuk duhet, për fitim të pandershëm.»—Titit 1:5, 10, 11.
Këshilla e Pavlit zbatohet ende sot. Pa dyshim, do të ishte në kundërshtim me Shkrimet që një i krishterë i vërtetë të thotë se fëmija i dikujt duhet rrethprerë. Në vend që ‘të futë hundët në punët e të tjerëve’, një i krishterë e di se këto vendime personale u takojnë prindërve të fëmijës. (1 Pjetrit 4:15) Për më tepër, Pavli u frymëzua të shkruante për rrethprerjen që bëhej sipas Ligjit të Moisiut: «A është thirrur ndonjë i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. A është thirrur ndonjë i parrethprerë? Le të mos rrethpritet. Rrethprerja s’do të thotë gjë dhe parrethprerja s’do të thotë gjë, kurse mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë, po. Secili të mbetet në atë gjendje që u thirr.»—1 Korintasve 7:18-20.
Po «shkollat e rrethprerjes»?
Po nëse disa prindër që janë Dëshmitarë të Jehovait vendosin që fëmijët e tyre meshkuj të rrethpriten? A do të ishte në përputhje me Biblën t’i dërgonin djemtë në të ashtuquajturat shkolla të rrethprerjes, që u përshkruan më sipër? Në këto shkolla nuk përfshihet vetëm rrethprerja si një ndërhyrje kirurgjike. Për disa javë, ai që ndjek ato do të jetojë në shoqëri me djem e mësues që nuk janë adhurues të Jehovait. Shumë gjëra që mësohen në këto shkolla janë në kundërshtim me normat e larta morale të Biblës. Bibla paralajmëron: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Korintasve 15:33.
Gjithashtu, ndjekja e këtyre shkollave po përfshin gjithnjë e më tepër rreziqe fizike. Në vitin 2003, Revista mjekësore e Afrikës së Jugut (anglisht) paralajmëronte: «Edhe këtë vit janë raportuar rezultate të tmerrshme për rrethprerjet dhe lajmet për vdekje e gjymtime po botohen në tërë botën, nga të gjitha agjencitë kryesore të lajmeve. . . . Me pak fjalë, shumë nga të ashtuquajturat ‘shkolla të rrethprerjes’ sot janë mashtrime dhe vdekjeprurëse.»
Përveç rrezikut të mundshëm që një i ri të dëmtojë shëndetin për shkak të një gjymtimi, ekziston edhe një rrezik më i madh për sa i përket marrëdhënies së tij me Perëndinë. Mësimet dhe praktikat në shkollat e rrethprerjes lidhen ngushtë me spiritizmin dhe me adhurimin e të parëve që kanë vdekur. Për shembull, në vend që të pranojnë se fajin për gjymtimet gjenitale e kanë kirurgët e pakujdesshëm dhe kushtet johigjienike, shumë besojnë se shkaktar për këto tragjedi është magjia ose pakënaqësia e të parëve të vdekur. Për sa u përket lidhjeve me fenë e rreme, Bibla urdhëron: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse, ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’.» (2 Korintasve 6:14-17) Duke pasur parasysh këtë këshillë, do të ishte vërtet e pamend që prindërit e krishterë t’i dërgonin djemtë e tyre në një shkollë rrethprerjeje.
Çfarë e bën burrëror një të krishterë?
Të qenët i rrethprerë apo i parrethprerë, nuk ndikon fare në burrërinë e një të krishteri. Interesimi kryesor i të krishterëve të vërtetë është që t’i pëlqejnë Perëndisë, jo «të duken tërheqës në mish».—Galatasve 6:12.
Për t’i pëlqyer Perëndisë, një i krishterë duhet ‘të rrethpresë zemrën’. (Ligji i përtërirë 10:16; 30:6; Mateu 5:8) Kjo nuk bëhet me thikë a bisturi, por duke hequr nga zemra dëshirat e gabuara dhe mendimet krenare, siç është besimi se duke qenë i rrethprerë në mish, dikush është më lart se të tjerët. Duke qëndruar në sprova dhe duke qenë ‘i patundur në besim’, një i krishterë tregon se është burrëror, pavarësisht nëse është apo jo i rrethprerë.—1 Korintasve 16:13; Jakovi 1:12.