«Ushtroni mikpritjen»
«Ndihmoni të krishterët që kanë nevojë, ushtroni mikpritjen.»—ROMAKËVE 12:13, DSF.
1. Cila është një nevojë themelore njerëzore dhe si shfaqet ajo?
NË DITËT e sotme, të ecësh natën vonë në një rrugë të vetmuar të një lagjeje të huaj, mund të jetë një përvojë shqetësuese. Por mund të jetë po aq stresuese, të ndodhesh në mes të një turme dhe të mos njohësh asnjeri apo të mos njihesh nga askush. Në të vërtetë, një pjesë përbërëse e natyrës njerëzore, është nevoja për të ndjerë kujdesin e të tjerëve, për të qenë i dëshiruar dhe i dashur prej tyre. Askush nuk ka dëshirë të trajtohet si një person i huaj apo i jashtëm.
2. Si ka marrë masa Jehovai lidhur me nevojën tonë për shoqëri?
2 Perëndia Jehova, Bërësi dhe Krijuesi i çdo gjëje, është i vetëdijshëm lidhur me nevojën njerëzore për shoqëri. Si Projektues i krijimit të tij njerëzor, që në fillim Perëndia e dinte se «nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm» dhe bëri diçka lidhur me këtë. (Zanafilla 2:18, 21, 22) Bibla është e mbushur me shembuj veprash dashamirësie të Jehovait, që ai ka shprehur ndaj njerëzve dhe shërbëtorëve të tij. Kjo na mundëson të mësojmë se si «të ushtrojmë mikpritjen», për gëzimin dhe kënaqësinë e të tjerëve, si dhe për kënaqësinë tonë.—Romakëve 12:13, DSF.
Dashuria për të huajt
3. Shpjego kuptimin themelor të mikpritjes.
3 Fjala «mikpritje», siç është përdorur në Bibël, është përkthyer nga fjala greke phi·lo·xe·niʹa, e cila është formuar nga dy rrënjë fjalësh, që do të thonë «dashuri» dhe «i huaj». Prandaj, në thelb, mikpritje do të thotë «dashuri për të huajt». Megjithatë, kjo nuk është thjesht një formalitet apo çështje mirësjelljeje. Ajo përfshin ndjenjat dhe dashurinë e përzemërt të një personi. Sipas Xhejms Strong, folja phi·leʹo, do të thotë «të jesh mik i (të duash [një individ apo një objekt]), për shembull të kesh dashuri të përzemërt për (që tregon lidhje personale, si një çështje ndjesie apo ndjenjash)». (Exhaustive Concordance of the Bible) Pra, mikpritja shkon përtej dashurisë së bazuar në parime, e cila bëhet ndoshta për shkak të ndjenjës së detyrës apo detyrimit. Ajo është zakonisht shprehje e dashurisë së vërtetë, dashurisë së përzemërt dhe miqësisë.
4. Kundrejt kujt duhet të tregohet mikpritje?
4 Marrësi i kësaj dashurie dhe ngrohtësie është «i huaji» (greqisht xeʹnos). Kush mund të jetë ky? Përsëri sipas librit të mësipërm të Strong, fjala xeʹnos, përkufizohet si ‘i huaj (fjalë për fjalë i huaj, apo në atë figurativ diçka e re), duke nënkuptuar një mysafir apo (anasjelltas) një të huaj’. Pra mikpritja, siç është dhënë edhe në shembujt biblikë, mund të pasqyrojë dashamirësinë kundrejt dikujt, ndaj të cilit jemi të dashur, madje mund të shtrihet edhe kundrejt një personi krejtësisht të huaj. Jezui shpjegoi: «Nëse ju doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni? A nuk bëjnë kështu edhe taksambledhësit? Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë gjëje të jashtëzakonshme bëni? A nuk bëjnë po kështu edhe popujt e kombeve?» (Mateu 5:46, 47, BR) Mikpritja e vërtetë kapërcen ndarjen dhe diskriminimin e vendosur nga paragjykimi dhe frika.
Jehovai, Mikpritësi i Përsosur
5, 6. (a) Çfarë pati ndër mend Jezui, kur tha: «Ati juaj qiellor është i përsosur»? (b) Si është parë bujaria e Jehovait?
5 Pasi vuri në dukje mungesat në dashurinë që njerëzit i shprehin njëri-tjetrit, siç u citua më lart, Jezui vuri në dukje edhe këtë gjë: «Ju, pra, duhet të jeni të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj qiellor.» (Mateu 5:48, BR) Sigurisht, Jehovai është i përsosur në çdo aspekt. (Ligji i përtërirë 32:4) Megjithatë, Jezui ishte duke theksuar një aspekt të veçantë të përsosmërisë së Jehovait, pasi më parë kishte thënë: «[Perëndia] bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.» (Mateu 5:45) Kur është fjala për të treguar dashamirësi, Jehovai nuk njeh njëanshmëri.
6 Si Krijues, Jehovai është pronari i çdo gjëje. «Të miat janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.»,—thotë Jehovai. (Psalmi 50:10, 11) Megjithatë, ai nuk kursen me egoizëm asgjë. Me bujarinë e tij, ai siguron gjëra për të gjitha krijesat e tij. Psalmisti tha për Jehovain: «Ti hap dorën tënde dhe kënaq dëshirën e çdo gjëje të gjallë.»—Psalmi 145:16, BR.
7. Ç’mund të mësojmë nga mënyra, në të cilën Jehovai trajton të huajt dhe ata në nevojë?
7 Jehovai u jep njerëzve, atë për të cilën ata kanë nevojë, madje ua jep edhe njerëzve, të cilët nuk e njohin, që janë të huaj për të. Pavli dhe Barnaba u kujtuan adhuruesve idhujtarë në qytetin e Listrës se Jehovai «nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiejve dhe stinë të frytshme, duke mbushur plot zemrat tona me ushqim e gëzim». (Veprat 14:17) Jehovai është i mirë e bujar, sidomos ndaj atyre në nevojë. (Ligji i përtërirë 10:17, 18) Ne kemi shumë për të mësuar nga Jehovai lidhur me shfaqjen e mirësisë dhe bujarisë, duke qenë mikpritës ndaj të tjerëve.
8. Si e ka treguar Jehovai bujarinë e tij, në kujdesin për nevojat tona frymore?
8 Përveç sigurimit me bollëk të nevojave materiale të krijesave të tij, Jehovai kujdeset edhe për nevojat e tyre në mënyrë frymore. Jehovai ka vepruar me shumë zemërgjerësi për mirëqenien tonë frymore, madje përpara se ne ta kuptonim që ndodheshim në një gjendje frymore të dëshpëruar. Në Romakëve 5:8, 10, lexojmë: «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne . . . ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij.» Kjo masë sigurimi bën të mundur që njerëzimi mëkatar të ketë një marrëdhënie të lumtur familjare me Atin tonë qiellor. (Romakëve 8:20, 21) Gjithashtu, Jehovai bëri të sigurt në këtë masë të marrë, sigurimin tonë me udhëheqjen dhe drejtimin e duhur, që të mund të kemi sukses në jetë, pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare dhe e papërsosur.—Psalmi 119:105; 2. Timoteut 3:16.
9, 10. (a) Përse mund të themi se Jehovai është mikpritësi i përsosur? (b) Si duhet ta imitojnë adhuruesit e vërtetë Jehovain, lidhur me këtë gjë?
9 Duke pasur parasysh këtë, mund të themi se Jehovai është me të vërtetë mikpritësi i përsosur në shumë drejtime. Atij nuk i shpëton nga syri nevojtari, i shpërfilluri dhe i përuluri. Ai tregon interes të vërtetë dhe përkujdesje për të huajt, madje edhe për armiqtë e tij dhe nuk pret prej tyre ndonjë shpërblim. Nga gjithë kjo që pamë, a nuk është ai shembulli më i madh i një mikpritësi të përsosur?
10 Si Perëndi me një dashamirësi të dashur dhe bujari të tillë, Jehovai dëshiron që adhuruesit e tij ta imitojnë. Në gjithë Biblën, ne shohim shembuj të shkëlqyer, që karakterizojnë këtë cilësi të dashamirësisë. Encyclopaedia Judaica vëren se «në Izraelin e lashtë, mikpritja nuk ishte thjesht një çështje mirësjelljeje, por një rregull moral . . . Zakonet biblike të mirëpritjes së udhëtarit të lodhur dhe të pranimit të të huajit në mes tyre, ishin vatra prej së cilës mikpritja dhe të gjitha aspektet e lidhura me të, u zhvilluan deri në një virtyt lartësisht të vlerësuar në traditën judeje». Më shumë se një shenjë dalluese e ndonjë kombësie të veçantë apo grupi etnik, mikpritja duhet të jetë një karakteristikë e të gjithë adhuruesve të vërtetë të Jehovait.
Mikpritësi i engjëjve
11. Cili shembull i shkëlqyer tregon se mikpritja sjell bekime të papritura? (Shiko, gjithashtu, Zanafillën 19:1-3; Gjykatësit 13:11-16.)
11 Një nga tregimet më të mirënjohura të Biblës lidhur me shfaqjen e mikpritjes, është ai i Abrahamit dhe Sarës kur po fushonin mes pemëve të mëdha të Mamreut, pranë Hebronit. (Zanafilla 18:1-10; 23:19) Pa dyshim, apostulli Pavël kishte ndër mend këtë ngjarje, kur dha këshillën: «Mos harroni mikpritjen, sepse nëpërmjet saj, pa e ditur, disa pritën engjëj.» (Hebrenjve 13:2, BR) Një studim i këtij tregimi, do të na ndihmojë të kuptojmë se mikpritja nuk është thjesht një çështje zakoni apo edukimi që në fëmijëri. Ajo është më tepër një cilësi hyjnore, e cila sjell bekime të mrekullueshme.
12. Si e tregoi Abrahami dashurinë e tij për të huajt?
12 Zanafilla 18:1, 2 tregon se vizitorët ishin të panjohur e nuk priteshin nga Abrahami, njësoj sikur të ishin thjesht tre të huaj të panjohur që po kalonin andej. Sipas disa komentuesve, për popujt e Lindjes ishte zakon që udhëtari në një tokë të huaj, kishte të drejtën për të qenë i mikpritur, edhe nëse nuk njihte asnjë nga vendasit. Por Abrahami nuk priti që të huajt të shfrytëzonin këtë të drejtë; ai e mori vetë iniciativën. Ai «filloi të vrapojë» për të takuar këta të huaj, të cilët ndodheshin disi larg prej tij dhe e gjithë kjo ndodhte në «zhegun e ditës», ndërkohë që Abrahami ishte 99 vjeç! A nuk tregon kjo se përse Pavli e kishte fjalën për Abrahamin, si një model që duhet imituar nga ne? Kjo tregon se ç’do të thotë në thelb mikpritje, dashuri për të huajt, përkujdesje për nevojat e tyre. Ajo është një cilësi pozitive.
13. Përse Abrahami iu «përkul» vizitorëve?
13 Tregimi na thotë, gjithashtu, se pasi u takua me të huajt, Abrahami «filloi të përkulej deri në tokë». T’u përkulej të huajve të përsosur? Një përkulje si ajo që kreu Abrahami, ishte një mënyrë përshëndetjeje për një mik të nderuar apo për dikë që ndodhej në një pozitë të lartë dhe nuk duhet ngatërruar me një akt adhurimi, i cili është i rezervuar vetëm për Perëndinë. (Krahaso Veprat 10:25, 26; Zbulesa 19:10.) Duke u përkulur, pra, duke bërë jo thjesht një përkulje të lehtë të kokës, por duke u përkulur «deri në tokë», Abrahami u dha këtyre të huajve nderimin për rëndësinë që kishin. Ai ishte kreu i një familjeje të gjerë e të lulëzuar patriarkale, e megjithatë ai i shihte këta të huaj si të denjë për një nderim më të madh se ai që i jepte vetvetes. Sa e ndryshme është kjo, nga dyshimi i zakonshëm ndaj të huajve, nga qëndrimi i matur ndaj tyre! Abrahami tregoi me të vërtetë kuptimin e thënies: «Merrni iniciativën në shfaqjen e nderimit ndaj njëri-tjetrit.»—Romakëve 12:10, BR.
14. Çfarë përpjekjeje dhe sakrifice përfshihej në shfaqjen e mikpritjes që Abrahami u bëri të huajve?
14 Pjesa tjetër e tregimit, na tregon se ndjenjat e Abrahamit ishin të vërteta. Ushqimi ishte i jashtëzakonshëm. Edhe në një familje të madhe e me shumë bagëti, «një ka i njomë e mjaft i ri», nuk është ushqimi i përditshëm. Lidhur me zakonet e përhapura të zonës, Xhon Kitë, vërejti: «Kënaqësitë nuk janë plotësuar kurrë, me përjashtim të disa festave apo me ardhjen e një të huaji dhe vetëm në këto raste hahej mish, madje edhe nga ai që kishte tufa e kope të shumta.» (Daily Bible Illustrations) Klima e ngrohtë nuk lejonte që të lihej mënjanë asnjë lloj ushqimi që prishej, kështu që për të përgatitur një drekë të tillë, çdo gjë duhej përgatitur aty për aty. Nuk është për t’u çuditur që në këtë tregim të shkurtër, fjala «nxitoi» apo «duke nxituar» shfaqet tri herë, sepse në fakt Abrahami «vrapoi» për të bërë gati drekën!—Zanafilla 18:6-8.
15. Cila është pikëpamja e duhur për gjërat materiale, lidhur me shfaqjen e mikpritjes, siç u tregua nga shembulli i Abrahamit?
15 Megjithatë, qëllimi nuk është për të bërë thjesht një banket të madh, për të lënë të mahnitur dikë. Megjithëse Abrahami dhe Sara bënë gjithë ato përpjekje për përgatitjen dhe ofrimin e drekës, vëre se si u shpreh më parë për të Abrahami: «Lejoni që t’ju sjellin pak ujë, ju lutem, që të freskoni këmbët tuaja. Pastaj çlodhuni nën pemë. Lejomëni të marr një copë bukë dhe freskoni zemrat tuaja. Pas kësaj, mund të vazhdoni, sepse për këtë keni kaluar këtej, nga shërbëtori juaj.» (Zanafilla 18:4, 5, BR) Ajo «copë bukë» u kthye në një banket me viç të majmë, të shoqëruar nga keku i rrumbullaktë me miell të mirë, gjalpë dhe qumësht, një gosti mbretërore. Cili është mësimi që nxjerrim? Kur tregohet mikpritje, e rëndësishme është, ose duhet theksuar, jo madhështia e ushqimit dhe pijeve, apo se çfarë zbavitjeje do të jetë përgatitur e kështu me radhë. Mikpritja nuk varet nga fakti nëse dikush mund të nxjerrë përpara gjëra të kushtueshme. Përkundrazi, ajo bazohet në një përkujdesje të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve dhe në dëshirën për t’u bërë mirë atyre me aq sa një person ka mundësi. «Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri, se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje»,—thotë një fjalë e urtë biblike dhe në të gjendet çelësi i mikpritjes së vërtetë.—Proverbat 15:17.
16. Si tregoi Abrahami çmueshmëri për gjërat frymore, në atë që bëri për vizitorët?
16 Megjithatë, duhet të vëmë re se në gjithë këtë ngjarje kishte një ngjyrim frymor. Në njëfarë mënyre, Abrahami e dalloi se këta vizitorë ishin lajmëtarë të Jehovait. Kjo tregohet nga fjalët me të cilat ai iu drejtua atyre: «Jehova, nëse tani kam gjetur favor para syve të tu, të lutem mos kalo pa u ndalur tek shërbëtori yt.»a (Zanafilla 18:3, BR; krahaso Daljen 33:20.) Abrahami nuk e dinte që më parë nëse ata kishin një lajm për të nga Jehovai apo nëse thjesht po kalonin andej. Megjithatë, ai çmoi faktin që po ndodhte diçka lidhur me qëllimin e Jehovait. Këta individë ishin të ngarkuar me një mision nga Jehovai. Do të ishte kënaqësia e tij nëse do të mundte të kontribuonte me diçka për të. Ai e kuptoi se shërbëtorët e Jehovait meritonin më të mirën dhe sipas rrethanave të tij, ai do t’u siguronte më të mirën. Duke vepruar kështu, patjetër që do të merrte një bekim frymor, ai ose dikush tjetër. Siç u pa më vonë, Abrahami dhe Sara u bekuan shumë, për shkak të mikpritjes së tyre të sinqertë.—Zanafilla 18:9-15; 21:1, 2.
Një popull mikpritës
17. Çfarë kërkonte Jehovai nga izraelitët lidhur me të huajt dhe nevojtarët mes tyre?
17 Shembulli i shkëlqyer i Abrahamit, nuk duhej të harrohej nga kombi, i cili lindi prej tij. Ligji që Jehovai u dha izraelitëve, përfshinte masat për t’u treguar mikpritje të huajve që ndodheshin në mes tyre. «Banori i huaj, i cili banon si një i huaj me ju, duhet të bëhet për ju si një nga të lindurit tuaj; duhet ta doni atë si veten tuaj, sepse ju u bëtë banorë të huaj në tokën e Egjiptit. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.» (Levitiku 19:34, BR) Populli duhej të kishte një konsideratë të veçantë për ata që kishin nevojë për mbështetje materiale dhe jo t’i largonte lehtësisht nga mendja. Kur Jehovai i bekonte me të korra të bollshme, kur ata gëzonin nëpër festat e tyre, kur çlodheshin nga punët gjatë viteve shtunorë dhe në raste të tjera, njerëzit duhej të kujtonin ata që kishin pësuar fatkeqësi, të vejat, djemtë pa baballarë dhe banorët e huaj.—Ligji i përtërirë 16:9-14; 24:19-21; 26:12,13.
18. Sa e rëndësishme është mikpritja lidhur me marrjen e favorit dhe bekimit të Jehovait?
18 Rëndësia e dashamirësisë, bujarisë dhe mikpritjes ndaj të tjerëve, e veçanërisht ndaj atyre në nevojë, mund të shihet nga mënyra se si i trajtonte Jehovai izraelitët, kur ata linin pas dore ushtrimin e këtyre cilësive. Jehovai e bëri të qartë se dashamirësia dhe bujaria ndaj të huajve dhe atyre në nevojë, janë pjesë e kërkesave për popullin e tij, në mënyrë që ai të marrë bekimet e tij vazhdimisht. (Psalmi 82:2, 3; Isaia 1:17; Jeremia 7:5-7; Ezekieli 22:7; Zaharia 7:9-11) Kur kombi ishte i zellshëm në plotësimin e këtyre kërkesave dhe të të tjerave, ata ecnin përpara dhe gëzonin bollëk material dhe frymor. Kur ata jepeshin pas synimeve të tyre personale egoiste dhe linin pas dore tregimin e këtyre cilësive dashamirëse ndaj atyre në nevojë, ata merrnin dënimin e Jehovait dhe së fundi, një gjykim i pafavorshëm binte mbi ta.—Ligji i përtërirë 27:19; 28:15, 45.
19. Çfarë do të trajtojmë më tej?
19 Sa e rëndësishme është, pra, të shqyrtojmë vetveten dhe të shohim nëse jemi duke jetuar në lartësinë e asaj që Jehovai pret prej nesh lidhur me këtë aspekt! Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, kur marrim parasysh frymën egoiste dhe përçarëse në botë. Si mund të tregojmë mikpritje të krishterë në një botë të përçarë? Kjo është tema që trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Për një trajtim më të plotë të kësaj pike, shih artikullin «A e ka parë ndonjë Perëndinë?» në Kullën e Rojës të 15 majit 1988, faqet 21-23, botuar në anglisht.
A të kujtohet?
◻ Cili është kuptimi i fjalës biblike të përkthyer «mikpritje»?
◻ Në ç’mënyra Jehovai është shembulli i përsosur në shfaqjen e mikpritjes?
◻ Deri në ç’masë ishte mikpritës Abrahami?
◻ Përse të gjithë adhuruesit e vërtetë, duhet të «ushtrojnë mikpritjen»?