Jehovai bën gjithmonë atë që është e drejtë
«Jehovai është i drejtë në të gjitha udhët e tij.»—PSALMI 145:17, BR.
1. Si ndihesh kur dikush nxjerr një përfundim të gabuar për ty dhe çfarë mund të mësojmë nga një përvojë e tillë?
A TË ka ndodhur ndonjëherë që dikush ka nxjerrë një përfundim të gabuar për ty, ndoshta ka vënë në dyshim veprimet ose motivet e tua, pa i ditur të gjitha faktet? Në qoftë se të ka ndodhur, me siguri që je lënduar, dhe kjo është e kuptueshme. Nga kjo mësojmë diçka të rëndësishme: është më mirë të mos nxitohemi për të nxjerrë përfundime, kur nuk i dimë të gjitha gjërat.
2, 3. Si reagojnë disa ndaj tregimeve biblike që nuk janë dhënë me aq hollësi, sa t’u përgjigjen çdo pyetjeje? Por, çfarë na thotë Bibla për Jehovain?
2 Duhet ta mbajmë parasysh këtë mësim kur është fjala për të nxjerrë përfundime për Perëndinë Jehova. Pse e themi këtë? Sepse ka disa tregime biblike që në fillim mund të duken të vështira për t’u kuptuar. Këto tregime, që ndoshta kanë të bëjnë me veprimet e disa adhuruesve të Perëndisë ose me disa gjykime që ka dhënë ai në të kaluarën, mund të mos jenë kaq të hollësishme, sa t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve tona. Është për të ardhur keq, por disa i kritikojnë këto tregime, e madje vënë në dyshim drejtësinë e Perëndisë. Mirëpo, Bibla na thotë se «Jehovai është i drejtë në të gjitha udhët e tij». (Psalmi 145:17, BR) Fjala e tij na siguron se ai «nuk kryen të keqen». (Jobi 34:12; Psalmi 37:28) Kështu që mendo si duhet të ndihet ai kur të tjerët nxjerrin përfundime të gabuara për të!
3 Le të shqyrtojmë pesë arsye se përse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai. Pastaj, duke mbajtur në mendje këto arsye, do të analizojmë dy tregime biblike që disa e kanë të vështirë t’i kuptojnë.
Pse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai?
4. Pse duhet të jemi të përulur kur analizojmë veprimet e Perëndisë? Ilustroje.
4 Së pari, sepse Jehovai i njeh të gjitha faktet për diçka, kurse ne jo. Prandaj duhet të jemi të përulur kur analizojmë veprimet e Perëndisë. Le të bëjmë një ilustrim. Mendo për një gjykatës, të cilin të gjithë e njohin mirë se jep vendime të drejta e të paanshme, që tani ka dhënë një vendim në një gjyq. Çfarë do të mendoje sikur një njeri, pa i ditur të gjitha faktet ose pa i kuptuar vërtet ligjet që zbatoheshin në atë rast, të kritikonte vendimin e gjykatësit? Do të ishte e pamend që dikush të kritikonte diçka, pa qenë plotësisht i informuar për të. (Fjalët e urta [Proverbat] 18:13) Aq më shumë do të ishte e pamend që njerëzit të kritikonin ‘Gjykatësin e tërë tokës’!—Zanafilla 18:25.
5. Çfarë nuk duhet të harrojmë kur lexojmë tregime biblike për gjykimin që ka dhënë Perëndia ndaj disa individëve?
5 Një arsye e dytë pse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Perëndia është se, ndryshe nga njerëzit, ai mund të lexojë zemrat. (1 Samuelit 16:7) Në Fjalën e tij thuhet: «Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.» (Jeremia 17:10) Prandaj, kur lexojmë tregime biblike që flasin për gjykimin që ka dhënë Perëndia ndaj disa individëve, të mos harrojmë se, meqë sheh gjithçka, në atë gjykim ai ka marrë parasysh mendimet, motivet dhe qëllimet e fshehta, të cilat nuk janë dokumentuar në Fjalën e tij.—1 Kronikave 28:9.
6, 7. (a) Si e ka treguar Jehovai se u përmbahet normave të tij të drejta, edhe kur kjo i kushton shumë? (b) Çfarë duhet të mbajmë mend, nëse lexojmë në Bibël diçka që na bën të dyshojmë se Perëndia nuk ka vepruar drejt?
6 Ja një arsye e tretë pse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai: Ai u përmbahet normave të tij të drejta, edhe kur kjo i kushton shumë. Të marrim një shembull. Kur e dha Birin e tij si shpërblesë për ta çliruar njerëzimin e bindur nga mëkati e nga vdekja, Jehovai plotësoi normat e tij të drejta. (Romakëve 5:18, 19) Por me siguri, ai duhet të ketë ndier një dhembje të papërshkrueshme duke parë Birin e tij të vuante e të vdiste në një shtyllë torture! Çfarë na thotë kjo për Perëndinë? Lidhur me ‘shpërblesën që pagoi Krishti Jezu’, Bibla thotë: «Kjo u bë për të treguar drejtësinë e [Perëndisë].» (Romakëve 3:24-26) Në një përkthim tjetër, Romakëve 3:25 thotë: «Kjo tregoi se Perëndia bën gjithmonë atë që është e drejtë.» (New Century Version) Pra, kur mendojmë deri ku ishte gati të shkonte Jehovai për të siguruar shpërblesën, kjo tregon se e vlerëson jashtë mase «atë që është e drejtë».
7 Kështu, në qoftë se lexojmë në Bibël diçka për të cilën disa dyshojnë se Perëndia nuk ka vepruar drejt, duhet të mbajmë në mendje këtë: për t’i qëndruar besnik normave të tij të drejtësisë, Jehovai nuk kurseu as Birin e tij, por lejoi që të vdiste në një mënyrë që i shkaktoi shumë dhembje. A ka kuptim që t’i shkelte ato norma në çështje të tjera? E vërteta është se Jehovai kurrë nuk i shkel normat e tij të drejta. Prandaj, kemi shumë arsye për të qenë të bindur se ai bën gjithmonë atë që është e drejtë.—Jobi 37:23.
8. Pse do të ishte e papajtueshme që njerëzit të mendonin se drejtësia e Jehovait nuk është e plotë?
8 Të shqyrtojmë një arsye të katërt pse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai: ai i bëri njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:27) Prandaj njerëzit kanë cilësi të ngjashme me ato të Perëndisë, ku përfshihet edhe ndjenja e drejtësisë. Do të ishte e papajtueshme sikur ndjenja jonë e drejtësisë të na bënte të mendonim se kjo cilësi nuk është e plotë te Jehovai. Në qoftë se na trazon ndonjë tregim i Biblës, duhet të kemi parasysh se, për shkak të mëkatit që kemi trashëguar, ndjenja jonë e së drejtës është e papërsosur. Kurse drejtësia e Perëndisë Jehova, sipas shëmbëlltyrës së të cilit jemi bërë, është e përsosur. (Ligji i përtërirë 32:4) Edhe vetëm mendimi që njerëzit mund të jenë më të drejtë se Perëndia do të ishte absurd!—Romakëve 3:4, 5; 9:14.
9, 10. Pse Jehovai nuk është i detyruar të shpjegojë ose të justifikojë veprimet e tij para njerëzve?
9 Një arsye e pestë pse duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai është se ai është «Shumë i Larti mbi gjithë dheun». (Psalmi 83:18) Si i tillë, nuk është i detyruar t’i shpjegojë ose t’i justifikojë veprimet e tij para njerëzve. Ai është Poçari i Madh, kurse ne jemi argjila së cilës i ka dhënë formë dhe i ka bërë enë që mund t’i përdorë si të dojë. (Romakëve 9:19-21) Kush jemi ne, enë argjile në dorën e tij, që të vëmë në dyshim vendimet ose veprimet e tij? Kur patriarku Job i keqkuptoi veprimet e Perëndisë ndaj njerëzve, Jehovai ia ndreqi mendimet, duke e pyetur: «A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?» Më vonë, kur kuptoi se kishte folur pa menduar mirë, Jobi u pendua. (Jobi 40:8; 42:6) Mos bëfshim kurrë këtë gabim që të bëjmë me faj Perëndinë!
10 Është e qartë se kemi arsye të forta për të besuar që Jehovai bën gjithmonë atë që është e drejtë. Duke i pasur këto arsye si themel për të kuptuar mënyrën si vepron Jehovai, le të shqyrtojmë dy tregime biblike që disave u duken të vështira. Tregimi i parë ka të bëjë me veprimet e një adhuruesi të Perëndisë, kurse tjetri është një gjykim që dha Perëndia ndaj një individi.
Pse Loti do t’i nxirrte vajzat e tij para një turme të zemëruar?
11, 12. (a) Trego çfarë ndodhi kur Perëndia dërgoi në Sodomë dy engjëj që kishin marrë trupa njerëzorë. (b) Ç’pyetje u kanë lindur disave nga ky tregim?
11 Në kapitullin e 19-të të Zanafillës lexojmë se çfarë ndodhi kur Perëndia dërgoi në Sodomë dy engjëj, të cilët kishin marrë trupa njerëzorë. Loti nguli këmbë që vizitorët të qëndronin në shtëpinë e tij. Mirëpo, atë natë, shtëpinë e rrethoi një turmë burrash nga qyteti, që kishin qëllime imorale, dhe i kërkuan Lotit të nxirrte jashtë vizitorët. Loti u përpoq të arsyetonte me turmën, por më kot. Në përpjekjet e tij për të mbrojtur mysafirët, Loti tha: «Vëllezër të mi, mos u sillni kaq keq! Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t’i nxjerr jashtë dhe bëni ç’të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime.» Turma s’donte t’ia dinte për këtë, e për pak sa nuk e shpërtheu derën e shtëpisë. Së fundi, engjëjt që kishin ardhur si vizitorë e goditën me verbëri atë turmë të çmendur.—Zanafilla 19:1-11.
12 Është e arsyeshme që disave u kanë lindur pyetje lidhur me këtë tregim. Ata pyesin: ‘Si ka mundësi që Loti donte të mbronte mysafirët duke ia dhënë vajzat e tij një turme të degjeneruar? A s’ishte ky një veprim i pavend, madje burracak?’ Duke u nisur nga ky tregim, pse Perëndia e frymëzoi Pjetrin që ta quante Lotin njeri ‘të drejtë’? A veproi Loti me miratimin e Perëndisë? (2 Pjetrit 2:7, 8) Le të arsyetojmë për këtë tregim, që të mos nxjerrim një përfundim të gabuar.
13, 14. (a) Çfarë duhet vërejtur në tregimin biblik lidhur me veprimet e Lotit? (b) Nga duket se Loti nuk veproi si burracak?
13 Si fillim, duhet thënë se Bibla vetëm sa raporton çfarë ndodhi, as i miraton e as i dënon veprimet e Lotit. Gjithashtu, Bibla nuk na thotë se çfarë po mendonte Loti ose çfarë e shtyu të vepronte ashtu. Kur të kthehet në ‘ringjalljen e të drejtëve’, ndoshta do të tregojë hollësitë e kësaj ngjarjeje.—Veprat 24:15.
14 Loti nuk u tregua burracak. Por u gjend në situatë të vështirë. Me këto fjalë, pra që vizitorët ishin ‘nën mbrojtjen e shtëpisë së tij’, Loti tregoi se ndihej i detyruar t’u siguronte mbrojtje dhe strehë. Por kjo s’do të ishte e lehtë. Jozefi, një historian jude, thotë se sodomitët ishin «të pabesë me njerëzit dhe pa respekt fare për Perëndinë . . . Ata i urrenin të huajt, dhe merreshin me praktika imorale sodomike». E megjithatë, Loti nuk u spraps para asaj turme të urryer, por përkundrazi, doli dhe u përpoq të arsyetonte me ata burra të inatosur. Madje «e mbylli portën pas tij».—Zanafilla 19:6.
15. Pse mund të thuhet që Loti ndoshta ka vepruar i nxitur nga besimi?
15 ‘Po prapëseprapë, pse Loti duhej të nxirrte vajzat e tij para turmës?’—mund të pyesin disa. Në vend që të mendojmë se kishte motive të këqija, pse të mos shqyrtojmë disa mundësi? Në radhë të parë, Loti fare mirë mund të ketë vepruar i nxitur nga besimi. Pse e themi këtë? Pa dyshim që ai e dinte se si e kishte mbrojtur Jehovai Sarën, gruan e xhaxhait të tij, Abrahamit. Ngaqë Sara ishte shumë e bukur, Abrahami i kishte kërkuar të thoshte që ai ishte i vëllai, përndryshe atë mund ta vritnin për t’i marrë gruan.a Si pasojë, Sarën e çuan në shtëpinë e faraonit. Por Jehovai ndërhyri, duke mos lejuar që faraoni të dhunonte Sarën. (Zanafilla 12:11-20) Ndoshta Loti kishte besim se edhe vajzat e tij do të mbroheshin në mënyrë të ngjashme. Është domethënëse edhe që Jehovai vërtet ndërhyri, me anë të engjëjve të tij, duke i mbrojtur vajzat.
16, 17. (a) Pse mund të themi që ndoshta Loti po përpiqej t’i shtangte ose t’i hutonte burrat e Sodomës? (b) Cilido qoftë arsyetimi i Lotit, për çfarë mund të jemi të sigurt?
16 Të mendojmë për një mundësi tjetër. Ndoshta Loti po përpiqej t’i shtangte ose t’i hutonte ata burra. Mund të ketë menduar se turma nuk do t’i dëshironte vajzat e tij, sepse sodomitët ishin të njohur për degjenerimin homoseksual. (Juda 7) Përveç kësaj, vajzat ishin fejuar me djem të atij qyteti, kështu që ndoshta në turmë kishte të afërm, shokë e ortakë të dhëndurëve të tij të ardhshëm. (Zanafilla 19:14) Loti mbase ka shpresuar që, për shkak të këtyre lidhjeve, disa burra nga turma do të dilnin për të mbrojtur vajzat e tij. Një turmë e përçarë në këtë mënyrë nuk do të ishte edhe aq e rrezikshme.b
17 Cilatdo qofshin arsyetimet dhe motivet e Lotit, për një gjë mund të jemi të sigurt: meqë Jehovai gjithmonë bën atë që është e drejtë, duhet të ketë pasur arsye të forta për ta konsideruar Lotin një njeri ‘të drejtë’. E duke gjykuar nga veprimet e turmës së çmendur të sodomitëve, a mund të ketë ndonjë dyshim se Jehovai nuk ishte plotësisht i justifikuar kur solli gjykimin e tij mbi banorët e atij qyteti të lig?—Zanafilla 19:23-25.
Pse Jehovai shkaktoi vdekjen e Uzahut?
18. (a) Çfarë ndodhi kur Davidi u përpoq ta çonte Arkën në Jerusalem? (b) Çfarë pyetjesh lindin nga ky tregim?
18 Një tregim tjetër që mund t’i lërë në mëdyshje disa, ka të bëjë me përpjekjet e Davidit për ta çuar arkën e besëlidhjes në Jerusalem. Arkën e vunë në një qerre, të cilën e drejtonin Uzahu dhe vëllai i tij. Bibla thotë: «Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt arkës së Perëndisë dhe e mbajti atë, sepse qetë u penguan. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Uzahut dhe Perëndia e goditi për fajin e tij [për veprimin pa respekt, BR]; ai vdiq në atë vend pranë arkës së Perëndisë.» Disa muaj më vonë u përpoqën përsëri e kësaj radhe ia dolën mbanë, pasi Arkën e transportuan në mënyrën që kishte caktuar Perëndia, pra mbi supet e levitëve kehathitë. (2 Samuelit 6:6, 7; Numrat 4:15; 7:9; 1 Kronikave 15:1-14) Disa mund të pyesin: ‘Pse Jehovai reagoi me kaq zemërim? Uzahu vetëm sa po përpiqej ta shpëtonte Arkën.’ Që të mos nxjerrim një përfundim të gabuar, le të vërejmë disa hollësi të dobishme.
19. Pse është e pamundur që Jehovai të veprojë padrejtësisht?
19 Duhet ta kemi të qartë në mendje se është e pamundur që Jehovai të veprojë padrejtësisht. (Jobi 34:10) Një veprim i tillë do të ishte mungesë dashurie, dhe, nga studimi i Biblës në tërësi, ne e dimë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Veç kësaj, Shkrimet na thonë se «drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit [të Perëndisë]». (Psalmi 89:14) A mund të imagjinohet, pra, që Jehovai të veprojë padrejtësisht? Po të vepronte kështu, do të lëkundte vetë themelet e sovranitetit të tij.
20. Për cilat arsye Uzahu duhej t’i kishte ditur mirë ligjet që kishin të bënin me Arkën?
20 Të mos harrojmë që Uzahu duhej ta kishte ditur se ky veprim ishte i gabuar. Arka simbolizonte praninë e Jehovait. Në Ligj ishte thënë qartë se ajo nuk duhej prekur nga individë të paautorizuar dhe ishte dhënë hapur paralajmërimi se ata që vepronin kështu do të ndëshkoheshin me vdekje. (Numrat 4:18-20; 7:89) Prandaj, transferimi i kësaj arke të shenjtë nuk duhej marrë si diçka e zakonshme. Nga sa duket, Uzahu ishte levit (ndonëse s’ishte prift), prandaj duhej ta kishte njohur mirë Ligjin. Veç kësaj, vite më parë Arka ishte transferuar në shtëpinë e babait të tij, për ta ruajtur. (1 Samuelit 6:20–7:1) Kishte qëndruar atje rreth 70 vjet, derisa Davidi vendosi ta hiqte prej andej. Kështu, që nga fëmijëria, me siguri Uzahu i kishte ditur ligjet që kishin të bënin me Arkën.
21. Pse është e rëndësishme që, në rastin e Uzahut, të mbajmë në mendje se Jehovai sheh motivet që kemi në zemër?
21 Siç u përmend më parë, Jehovai mund të lexojë zemrën. Meqë në Fjalën e tij veprimi i Uzahut quhet një ‘veprim pa respekt’, Jehovai mund të ketë parë ndonjë motiv egoist që nuk është shprehur hapur në tregimin e dokumentuar. Mos ndoshta Uzahu ishte një njeri me guxim të tepruar dhe kishte prirjen t’i kalonte caqet? (Fjalët e urta 11:2) Mos vallë ngaqë po e shikonin të gjithë tek drejtonte qerren me Arkën që familja e tij e kishte ruajtur në fshehtësi, i dha një ndjenjë të tepruar krenarie? (Fjalët e urta 8:13) Mos vallë Uzahut i mungonte kaq shumë besimi, sa mendoi që Jehovai s’ndërhynte dot për ta mbajtur arkën e shenjtë që simbolizonte praninë e Tij? Sido që të ketë qenë, mund të jemi të sigurt se Jehovai bëri atë që ishte e drejtë. Me siguri që ai pa në zemrën e Uzahut diçka që e bëri të jepte menjëherë gjykim të pafavorshëm ndaj tij.—Fjalët e urta 21:2.
Një bazë e fortë për të qenë të sigurt
22. Si shihet mençuria e Jehovait në faktin që nganjëherë në Fjalën e tij nuk përmenden disa hollësi?
22 Mençuria e pakrahasueshme e Jehovait shihet edhe ngaqë në Fjalën e tij nganjëherë nuk përmenden disa hollësi. Në këtë mënyrë Jehovai na jep mundësi të tregojmë se kemi besim tek ai. A nuk është e qartë nga ajo që shqyrtuam, se kemi arsye të forta për t’i pranuar gjykimet e Jehovait? Po, kur studiojmë Fjalën e Perëndisë me zemër të sinqertë e me mendje të hapur, mësojmë rreth Jehovait aq sa na duhet për t’u bindur se ai bën gjithnjë atë që është e drejtë. Prandaj, kur lexojmë një tregim të Biblës dhe na lindin pyetje për të cilat nuk gjejmë dot menjëherë përgjigje të qarta, le të kemi siguri të plotë se Jehovai ka bërë atë që është e drejtë.
23. Çfarë sigurie mund të kemi për veprimet që do të bëjë Jehovai në të ardhmen?
23 Të njëjtën siguri mund të kemi për veprimet që do të bëjë Jehovai në të ardhmen. Kështu, mund të jemi të sigurt se, kur të vijë për të ekzekutuar gjykimin në shtrëngimin e madh që po afrohet, ai nuk ‘do ta zhdukë të drejtin së bashku me të paudhin’. (Zanafilla 18:23) Dashuria që ka për drejtësinë nuk do ta lejojë kurrë që të bëjë këtë. Po ashtu, mund të jemi plotësisht të sigurt se në botën e re që po vjen, ai do t’i plotësojë të gjitha nevojat tona në mënyrën më të mirë që ekziston.—Psalmi 145:16.
[Shënimet]
a Frika e Abrahamit ishte me vend, sepse në një papirus të lashtë tregohet për një faraon që dërgoi disa burra të armatosur të kapnin një grua të bukur dhe t’i vritnin të shoqin.
b Për komente të tjera, shih Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1979, faqja 31, anglisht.
A ju kujtohet?
• Për cilat arsye duhet t’i pranojmë gjykimet që jep Jehovai?
• Çfarë mund të na ndihmojë të mos nxjerrim një përfundim të gabuar për ngjarjen kur Loti donte të nxirrte vajzat e tij para një turme të zemëruar?
• Cilët faktorë na ndihmojnë të kuptojmë pse Jehovai shkaktoi vdekjen e Uzahut?
• Çfarë sigurie mund të kemi për veprimet që do të bëjë Jehovai në të ardhmen?