Kapitulli 3
Çfarë thotë Zanafilla?
1. (a) Cili është qëllimi i këtij diskutimi mbi Zanafillën dhe çfarë duhet mbajtur parasysh? (b) Si tregohen ngjarjet në kapitullin e parë të Zanafillës?
SI ÇDO gjë që është keqinterpretuar apo keqkuptuar, kapitulli i parë i Biblës meriton të paktën të shqyrtohet sinqerisht dhe pa paragjykime. Në këtë mënyrë mund të përfundojmë nëse Bibla përputhet me faktet e njohura dhe të mos e vendosim atë thjesht në një kornizë teorike. Gjithashtu, duhet mbajtur parasysh se Zanafilla nuk është shkruar që të tregojë se si është bërë krijimi. Më tepër, ajo përshkruan progresivisht ngjarjet madhore, duke treguar se çfarë u krijua, radhën e krijimit të tyre dhe intervalin kohor, apo «ditën» në të cilën u realizua secili krijim.
2. (a) Nga ç’këndvështrim përshkruhen ngjarjet në Zanafillë? (b) Si e tregon këtë këndvështrim përshkrimi i trupave qiellorë?
2 Kur shqyrtohet rrëfimi i Zanafillës, është me vlerë të mbahet parasysh se ai i tregon gjërat nga këndvështrimi i njerëzve në tokë. Pra, ai i përshkruan ngjarjet sikur ato të ishin vrojtuar nga shikues njerëzorë që kanë qenë të pranishëm në to. Kjo gjë mund të dallohet nga mënyra se si trajtohen ngjarjet e «ditës» së katërt të Krijimit. Atje, Dielli dhe Hëna përshkruhen si trupa qiellorë më të mëdhenj se yjet. Por, shumë yje janë më të mëdhenj se Dielli ynë, ndërsa Hëna nuk mund të krahasohet fare me to. Por, nuk është ashtu edhe për një vrojtues tokësor. I parë nga Toka, Dielli duket si «një ndriçues më i madh që sundon ditën» dhe Hëna si «ndriçues më i vogël që sundon natën».—Zanafilla 1:14-18.
3. Si është përshkruar Toka para «ditës» së parë?
3 Pjesa e parë e Zanafillës tregon se Toka ka ekzistuar miliarda vjet para «ditës» së parë të Krijimit, por aty nuk thuhet se sa më parë. Megjithatë, aty për-shkruhen kushtet në të cilat ndodhej Toka pikërisht para se të fillonte «dita» e parë: «Tani toka rezultoi se ishte pa formë dhe e shkretë dhe ishte errësirë mbi sipërfaqen e ujërave të thella; dhe forca vepruese e Perëndisë lëvizte ngado mbi sipërfaqen e ujërave.»—Zanafilla 1:2.
Sa e gjatë është një «ditë» e Zanafillës?
4. Si tregon vetë tregimi mbi krijimin se fjala «ditë» nuk shpreh vetëm një periudhë kohore 24-orëshe?
4 Shumë njerëz kanë mendimin se fjala «ditë» e përdorur në Zanafillë, në Zn kapitullin 1, ka kuptimin e ditës 24-orëshe. Por, në Zanafillën 1:5, vetë Perëndia thotë se e ka ndarë ditën në një interval më të vogël kohe, duke quajtur pikërisht këtë interval të dritës ditore «ditë». Në Zanafillën 2:4, të gjitha periudhat e krijimit quhen një «ditë». «Kjo është një histori e qiejve dhe e tokës në kohën kur ato u krijuan, në ditën [të gjashtë periudhat e krijimit së bashku] që Perëndia Jehova bëri tokën dhe qiellin.»
5. Cili është një nga kuptimet e fjalës hebreje «ditë», që tregon se me këtë fjalë mund të kuptohen periudha kohore më të gjata se ajo 24-orëshe?
5 Fjala hebreje yohm, që është përkthyer «ditë», mund të shprehë periudha të ndryshme kohëzgjatjeje. Në librin Studimet e fjalëve të Dhiatës së Vjetër, të Uilljam Uillson, midis kuptimeve të ndryshme të mundshme përfshihen këto: «Një ditë—shpeshherë kjo përdoret për të shprehur kohën në përgjithësi, apo për një kohëzgjatje të madhe; për një periudhë të tërë kohe për të cilën flitet . . . Fjala ditë përdoret edhe për të përcaktuar një stinë të caktuar apo një periudhë të veçantë kohore që lidhet me ndodhjen e një ngjarjeje të caktuar.»1 (Old Testament Word Studies) Kjo fjali e fundit duket se u përshtatet «ditëve» të krijimit, sepse sigurisht ato ishin periudha kohore në të cilat përshkruhen ngjarje të caktuara, të jashtëzakonshme. Kjo fjali, gjithashtu, pranon kohëzgjatje shumë më të mëdha nga ajo 24-orëshe.
6. Pse përdorimi i fjalëve «mbrëmje» dhe «mëngjes» nuk kufizohet vetëm në domethënien e «ditës» 24-orëshe?
6 Në Zn kapitullin 1 I të Zanafillës përdoren edhe shprehjet «mbrëmje» dhe «mëngjes», në lidhje me periudhat e krijimit. A mos tregon kjo se ditët ishin 24-orëshe? Jo medoemos. Në disa vende, shpesh jeta e një njeriu quhet si «dita» e tij. Njerëzit përdorin shprehjet «në ditët e tim eti» apo «në ditët e Shekspirit». Ata mund t’i ndajnë këto ditë të jetës, duke thënë «në agimin (mëngjesin) e jetës së tij» apo «në muzgun (mbrëmjen) e jetës së tij». Kështu, fjalët «mbrëmje» dhe «mëngjes» në kapitullin e 1-rë të Zanafillës 1 nuk e kufizojnë domethënien në një ditë 24-orëshe të vërtetë.
7. Cilat përdorime të tjera të kësaj fjale tregojnë se «dita» mund të jetë më e gjatë se 24 orë?
7 Fjala «ditë», ashtu siç është përdorur në Bibël, mund të përfshijë verë e dimër, disa stinë. (Zaharia 14:8) «Dita e të korrave» përfshin shumë ditë. (Krahaso Proverbat 25:13 dhe Zanafillën 30:14.) Një mijë vjet janë të ngjashëm me një ditë. (Psalmi 90:4; 2. Pjetrit 3:8, 10) «Dita e gjyqit» kap shumë vite. (Mateu 10:15; 11:22-24) Do të ishte e drejtë që të mendohej se «ditët» e Zanafillës përfshijnë periudha të gjata kohore—miliona vjet. Por, çfarë ndodh, pra, gjatë këtyre epokave të krijimit? A është shkencor tregimi i Biblës për to? Më tej bëhet një rishikim i këtyre «ditëve», ashtu siç tregohen në Zanafillë.
«Dita» e parë
8, 9. Çfarë ndodhi në «ditën» e parë dhe a tregon Zanafilla se Dielli dhe Hëna u krijuan në këtë kohë?
8 «‛Le të bëhet dritë.’ Dhe u bë dritë. Dhe Perëndia dritën filloi ta quante Ditë, ndërsa errësirën e quajti Natë. Dhe u bë mbrëmje e u bë mëngjes, një ditë e parë.»—Zanafilla 1:3, 5.
9 Natyrisht që Dielli dhe Hëna kanë qenë në hapësirën kozmike shumë kohë para kësaj «dite» të parë, por drita e tyre nuk arrinte në sipërfaqen e tokës, që të mund të shihej nga një vrojtues tokësor. Në këtë kohë, drita e bë e dukshme në Tokë pikërisht në «ditën» e parë dhe Toka që rrotullohej filloi të kishte ditë dhe natë që ndërronin njëra-tjetrën.
10. Në ç’mënyrë mund të jetë krijuar kjo dritë dhe si duhej të ishte?
10 Është e qartë se drita erdhi nëpërmjet një procesi gradual që zgjat për një periudhë të gjatë kohe dhe jo në çast, siç ndodh kur shtypim çelësin elektrik. Zanafilla e përkthyer nga J. W. Uots shpreh këtë gjë kur thotë: «Dhe gradualisht u bë dritë.» (A Distinctive Translation of Genesis) Kjo dritë vinte nga Dielli, i cili nuk mund të shihej përmes errësirës. Kështu, drita që arriti Tokën ishte «dritë e mjegullt», siç tregohet në një koment të Roterhem-it, në Empha-sised Bible, për rreshtin 3 të Zanafillës.—Shiko shënimin b për rreshtin 14.
«Dita» e dytë
11, 12. (a) Çfarë thuhet se u bë në «ditën» e dytë? (b) Si është përkthyer ndonjëherë gabimisht fjala hebreje për këtë ngjarje dhe ç’do të thotë ajo në të vërtetë?
11 « ‛Le të bëhet një shtrirje midis ujërave e le të ndodhë një ndarje midis ujërave dhe ujërave. Pastaj Perëndia vazhdoi të bënte shtrirjen e të bënte një ndarje midis ujërave që duhej të ishin poshtë shtrirjes dhe ujërave që duhej të ishin sipër shtrirjes. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia filloi ta quante shtrirjen Qiell.»—Zanafilla 1:6-8.
12 Disa përkthime, në vend të fjalës «shtrirje» përdorin fjalën «kupë qiellore». Nga kjo është nxjerrë argumenti, se tregimi i Zanafillës anon nga mitet e krijimit që e paraqesin këtë «kupë qiellore» si një kupë metalike. Por edhe versioni i Biblës King James, që përdor fjalën «kupë qiellore», ka në anëshkrim fjalën «shtrirje». Kjo ndodh sepse fjala hebreje raqìa‛, e përkthyer «shtrirje», do të thotë të shtrish, të hapësh, të përhapësh.
13. Në ç’mënyrë duket se ka ndodhur shtrirja?
13 Tregimi i Zanafillës thotë se Perëndia e bëri këtë, por ai nuk tregon se si. Por, sido që të jetë bërë kjo ndarje, duket sikur «ujërat sipër» u larguan prej tokës. Edhe për zogjtë, më vonë thuhet se fluturonin «në shtrirjen e qiejve», siç deklaron Zanafilla 1:20.
«Dita» e tretë
14. Si përshkruhet «dita» e tretë?
14 « ‛Le të mblidhen së bashku në një vend ujërat që janë nën qiejt dhe le të shfaqet dheu i thatë!’ Dhe ashtu u bë. Dhe Perëndia filloi ta quante dheun e thatë Tokë, ndërsa ujërat e bashkuara i quajti Det.» (Zanafilla 1:9, 10) Si zakonisht, tregimi nuk e përshkruan se si u bë kjo. Pa dyshim që duhet të kenë ndodhur lëvizje të tmerrshme të tokës, që formuan kështu zonat e tokës së thatë. Gjeologët do ta shpjegonin një përmbysje të tillë si katastrofë. Por Zanafilla tregon drejtim dhe kontroll nga një Krijues.
15, 16. (a) Çfarë argumentesh iu përmendën Jobit në lidhje me tokën? (b) Sa thellë futen rrënjët e kontinenteve dhe të maleve dhe ç’gjë është e ngjashme me «gurin e qoshes» në Tokë?
15 Në rrëfimin biblik që përshkruan se si Jobi pyet Perëndinë në lidhje me tokën, janë përshkruar një sërë ngjarjesh rreth historisë së tokës: përmasat e saj, veshja e saj me re, detet e saj dhe se si kufizohen valët e tyre me tokën e thatë—pra, përgjithësisht mjaft gjëra mbi krijimin, i cili zgjat për periudha kohore të mëdha. Midis këtyre përshkrimeve, duke e krahasuar tokën me një ndërtesë, Bibla tregon se si Perëndia e pyeti Jobin: «Ku janë zhytur piedestalet e saj me zgavra ose kush e vuri gurin e qoshes?»—Jobi 38:6.
16 Është interesant se korja e tokës, ashtu si «piedestalet me zgavra», është shumë e trashë në kontinente dhe akoma më e trashë në vargmale, duke u futur thellë në shtresën që ndodhet poshtë saj, ashtu si rrënjët e pemëve në dhe. «Ideja se malet dhe kontinentet kanë rrënjë, është shqyrtuar shpesh dhe duket si e vërtetë»,—thotë Putnam’s Geology.2 Korja tokësore nën oqeanet është vetëm rreth 8 km e trashë, ndërsa rrënjët e kontinenteve futen rreth 32 km thellë dhe ato të maleve rreth dy herë më thellë. Të gjitha shtresat e tokës ushtrojnë presion mbi qendrën e saj, nga të gjitha drejtimet, duke e bërë atë të ngjashme me një «gur qosheje të madh», që shërben si mbështetje.
17. Cila gjë është me rëndësi në lidhje me formimin e dheut të thatë?
17 Në çfarëdo mënyre që të jetë formuar dheu i thatë, çështja më me rëndësi këtu është se si Bibla, ashtu edhe shkenca, e njohin këtë proces si një nga epokat e formimit të tokës.
Bimët e tokës në «ditën» e tretë
18, 19. (a) Ç’gjëra të tjera u krijuan në «ditën» e tretë, përveç dheut të thatë? (b) Çfarë nuk përmend tregimi i Zanafillës?
18 Rrëfimi biblik shton: « ‛Le të nxjerrë jashtë toka bar, bimë që bëjnë fara, pemë frutore që prodhojnë fruta sipas llojeve të tyre, fara e të cilave është në to, mbi tokë.’ Dhe ashtu u bë.»—Zanafilla 1:11.
19 Pra, afër fundit të kësaj periudhe të tretë krijimi, u krijuan tri kategori të mëdha të bimëve tokësore. Në këtë kohë, drita e mjegullt duhet të jetë bërë mjaft e fuqishme, e mjaftueshme për procesin e fotosintezës, i cili është thelbësor për zhvillimin e bimëve të gjelbra. Tregimi këtu nuk përmend secilin «lloj» të bimëve që u krijuan. Organizmat mikroskopikë, bimët e ujit dhe bimë të tjera që nuk përmenden një për një, në mënyrë të ngjashme u krijuan në këtë «ditë».
«Dita» e katërt
20. Cilat ndarje kohore u bënë të mundura nga shfaqja në hapësirë e trupave ndriçues?
20 « ‛Le të bëhen trupa ndriçues në shtrirjen e qiejve, që të bëjnë një ndarje midis ditës dhe natës; dhe ata duhet të shërbejnë si shenja dhe për stinët dhe për ditët dhe për vitet. Dhe ata duhet të shërbejnë si trupa ndriçues në shtrirjen e qiejve, për të shkëlqyer mbi tokë.’ Dhe ashtu u bë. Dhe Perëndia vazhdoi të bënte dy trupat e mëdhenj ndriçues, trupin më të madh ndriçues për të sunduar ditën dhe trupin më të vogël ndriçues për të sunduar natën, gjithashtu edhe yjet.»—Zanafilla 1:14-16; Psalmi 136:7-9.
21. Si ndryshon drita e «ditës» së katërt nga ajo e «ditës» së parë?
21 Më parë, në «ditën e parë», është përdorur shprehja «le të bëhet dritë». Fjala hebreje e përdorur atje për të shprehur «dritën» është ’ohr që do të thotë dritë në kuptimin e përgjithshëm. Por, «ditën» e katërt, fjala hebreje ndryshohet në ma·’ohrʹ fjalë e cila shpreh burimin e dritës. Roterhem, në Emphasised Bible, në një shënim për fjalët «trupat ndriçues» thotë: «Në vargun 3, fjala ’ôr [’ohr] do të thotë dritë e mjegullt.» Pastaj ai vazhdon të tregojë se fjala hebreje ma·’ohrʹ në vargun 14 do të thotë diçka që «jep dritë». Në «ditën» e parë, drita e mjegullt depërtoi përmes reve që mbështillnin tokën, por burimet e saj nuk mund të shiheshin prej një vrojtuesi tokësor, për shkak të shtresave të reve që akoma mbështillnin Tokën. Tani, në këtë «ditë» të katërt, situata ndryshoi dukshëm.
22. Cili zhvillim i ngjarjeve në «ditën» e katërt mund të ketë kontribuar në shfaqjen e jetës së kafshëve?
22 Një atmosferë e pasur fillimisht me dyoksid karboni, mund të ketë shkaktuar një klimë të nxehtë në të gjithë globin. Por rritja e bollshme e bimësisë gjatë periudhës së tretë e të katërt të krijimit, do të ketë thithur një pjesë të mbulesës nxehtësimbajtëse prej dyoksidi karboni. Në këmbim, bimët do të kenë çliruar oksigjenin—një element i domosdoshëm për jetën e kafshëve.
23. Çfarë ndryshimesh të mëdha përshkruhen në këtë kohë?
23 Po të kishte në atë kohë një vrojtues tokësor, ai do të kishte mundur të dallonte Diellin, Hënën dhe yjet, të cilët do të ‘shërbenin si shenja për stinët, për ditët dhe për vitet’. (Zanafilla 1:14) Hëna do të tregonte zgjatjen e muajit hënor dhe dielli zgjatjen e vitit diellor. Stinët që «u bënë» tashmë në «ditën» e katërt, pa dyshim duhet të kenë qenë më të buta nga ç’janë tani.—Zanafilla 1:15; 8:20-22.
«Dita» e pestë
24. Çfarë lloje krijesash u krijuan në «ditën» e pestë dhe brenda cilëve kufij mund të riprodhohen ato?
24 « ‘Le të gëlojnë ujërat nga një gëlim me shpirtëra të gjallë dhe përmbi tokë të fluturojnë krijesa fluturuese, në faqen e shtrirjes së qiejve.’ Dhe Perëndia vazhdoi të krijonte përbindëshat e mëdhenj të detit dhe çdo shpirt të gjallë që lëviz përreth, prej të cilëve ujërat mizërojnë sipas llojeve të tyre dhe çdo krijesë fluturuese me krahë sipas llojeve të tyre.»—Zanafilla 1:20, 21.
25. Si u quajtën krijesat që u shfaqën në «ditën» e pestë?
25 Është me interes të vërehet se edhe krijesat jonjerëzore, të cilat do të gëlonin nëpër ujëra, janë quajtur «shpirtëra të gjallë». Ky term përdoret edhe për ‘krijesat fluturuese [që] fluturojnë përmbi tokë, në faqen e shtrirjes’. Ky term përfshin edhe format jetësore të detit e të ajrit, mbetjet fosile të të cilave janë zbuluar kohët e fundit nga shkencëtarët.
«Dita» e gjashtë
26-28. Çfarë ndodhi në «ditën» e gjashtë dhe çfarë duhet dalluar në veprën e fundit të krijimit?
26 « ‘Le të nxjerrë toka shpirtëra të gjallë sipas llojeve të tyre, kafshë shtëpiake dhe kafshë që lëviz dhe bisha të egra të tokës, sipas llojit të tyre.’ Dhe ashtu u bë.»—Zanafilla 1:24.
27 Pra, në «ditën» e gjashtë u shfaqën kafshët e tokës, të cilësuara si të egra dhe shtëpiake. Por, kjo «ditë» e fundit nuk mbaroi me kaq. Do të krijohej edhe një «lloj» tjetër, i fundit:
28 «Dhe Perëndia vazhdoi të thoshte: ‛Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, sipas ngjashmërisë sonë dhe le të kenë në nënshtrim peshqit e detit dhe krijesat fluturuese të qiejve dhe kafshët shtëpiake dhe të gjithë tokën dhe çdo kafshë që lëviz e bredh mbi tokë.’ Dhe Perëndia vazhdoi të krijonte njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; mashkull e femër i krijoi.»—Zanafilla 1:26, 27.
29, 30. Si mund të kuptohet ndryshimi midis kapitujve 2 dhe 1 të Zanafillës?
29 Kapitulli 2 i Zanafillës me sa duket shton disa detaje. Sidoqoftë, ai nuk është siç përfundojnë disa, një tregim tjetër mbi krijimin, që bie në kundërshtim me tregimin e kapitullit të 1-rë. Ai vazhdon pikërisht në një pikë të «ditës» së tretë, pasi u krijua toka e thatë, por para se të krijoheshin bimët e tokës dhe shton hollësi që lidhen drejtpërdrejt me ardhjen e njerëzve—Adamit, shpirtit të gjallë, me krijimin e kopshtit që do t’i shërbente si shtëpi, Edenit dhe me krijimin e gruas, shoqes së Adamit, Evës.—Zanafilla 2:5-9, 15-18, 21, 22.
30 Këto që thamë na ndihmojnë të kuptojmë atë që tregon Zanafilla. Ky rrëfim tregon me realizëm se proceset e krijimit vazhduan jo vetëm për një periudhë të vërtetë 144-orëshe (6 × 24), por për një periudhë prej shumë miliona vjetësh.
Si e dinte shkrimtari i Zanafillës?
31. (a) Si e keqinterpretojnë disa tregimin e Zanafillës? (b) Çfarë tregon se përfundimet e tyre janë të pasakta?
31 Shumë njerëz e kanë vështirë ta pranojnë këtë tregim mbi krijimin. Ata pohojnë se ky tregim është nxjerrë nga mitet e krijimit të popujve të lashtë e në radhë të parë nga ato të Babilonisë së lashtë. Por, ashtu siç vëren një fjalor biblik bashkëkohor, «nuk është gjetur akoma ndonjë mit që i referohet qartësisht krijimit të universit» dhe mitet «dallohen për politeizëm dhe nga luftërat e perëndive për supremaci, në dallim të dukshëm nga monoteizmi i hebrenjve në [Zanafillën] 1-2».3 Për legjendat babilonase të krijimit, kujdestarët e Muzeut Britanik thanë: «Konceptet themelore të rrëfimeve babilonase dhe të atyre hebreje, janë esencialisht të ndryshme.»4
32. Çfarë e bën thellësisht shkencor tregimin e Zanafillës për krijimin?
32 Nga sa kemi shqyrtuar, del se tregimi i Zanafillës mbi krijimin përbën një dokument të thellë shkencor. Ai zbulon grupet më të mëdha të bimëve dhe të kafshëve, me varietetet e tyre të shumta që riprodhohen vetëm «sipas llojit të tyre». Provat fosile e vërtetojnë këtë. Në fakt, ato tregojnë se çdo «lloj» u shfaq papritur, pa forma të vërteta ndërkalimtare që ta lidhin atë me ndonjë «lloj» paraardhësi, siç kërkohet nga teoria e evolucionit.
33. Vetëm prej kujt mund të vinte informacioni që përmban tregimi i Zanafillës mbi krijimin?
33 Gjithë dijet e njerëzve të mençur të Egjiptit nuk do të mund t’i jepnin Moisiut, shkrimtarit të Zanafillës, ndonjë çelës për procesin e krijimit. Mitet e krijimit të popujve të lashtë nuk kanë fare ngjashmëri me ato që ka shkruar Moisiu në Zanafillë. Atëherë, ku i mësoi Moisiu gjithë këto gjëra? Është e qartë, prej dikujt që ekzistonte tashmë gjatë procesit të krijimit.
34. Cilat dëshmi të tjera theksojnë saktësinë e ngjarjeve që për-mblidhen në Zanafillë?
34 Shkenca e probabilitetit matematik jep prova të forta se tregimi i Zanafillës mbi krijimin duhet të ketë ardhur nga një burim që i njihte këto ngjarje. Tregimi numëron 10 etapa kryesore, me këtë renditje: (1) një fillim; (2) një tokë primitive në errësirë dhe e mbështjellë nga një shtresë e trashë gazesh dhe uji; (3) dritë; (4) një shtrirje ose atmosferë; (5) zona të mëdha me tokë të thatë; (6) bimët e tokës; (7) Dielli, Hëna dhe yjet të dallueshëm në qiell dhe fillimi i stinëve; (8) krijesa të detit dhe të qiellit; (9) kafshë të egra dhe të buta, gjitarët; (10) njeriu. Shkenca pajtohet se këto etapa janë realizuar përgjithësisht në këtë renditje. Atëherë, cilat janë mundësitë që shkrimtari i Zanafillës të parashikonte me hamendje, pra, ta fantazonte këtë renditje? Është njësoj sikur të nxjerrësh me sy mbyllur numrat 1 deri 10 nga një kuti dhe pastaj t’i renditësh ata në radhë, njërin pas tjetrit. Mundësia që kjo të ndodhë qysh në orvatjen e parë është 1 në 3.628.800! Pra, të thuash se shkrimtari mundi t’i rendiste ngjarjet e parandodhura në renditjen e duhur, pa i marrë faktet nga dikush, do të thotë të mos jesh realist.
35. Cilat pyetje lindin dhe ku shqyrtohen përgjigjet?
35 Megjithatë, teoria e evolucionit nuk e pranon një Krijues që ndodhej atje gjatë krijimit, që i dinte faktet dhe që ua zbuloi ato njerëzve. Përkundrazi, ajo ia atribuon shfaqjen e jetës në Tokë lindjes spontane të organizmave të gjallë nga elementet kimike inorganike. Por, a mund të çonin në krijimin e jetës reaksionet e padrejtuara kimike në mënyrë thjesht të rastësishme? A janë vetë shkencëtarët të bindur se mund të ndodhte kjo? Të lutemi, lexo kapitullin vijues.
[Diçitura në faqen 25]
Tregimi i Zanafillës është dhënë nga pikëpamja e një vëzhguesi mbi tokë
[Diçitura në faqen 36]
Provat fosile vërtetojnë riprodhimin vetëm «sipas llojeve të tyre»
[Kutia në faqen 35]
Ja edhe miti i Babilonisë për krijimin, nga i cili disa pretendojnë se është marrë baza për tregimin e Zanafillës mbi krijimin:
Perëndia Apsu dhe perëndesha Tiamat lindën perëndi të tjera.
Pastaj, Apsu u hidhërua me këto perëndi dhe u përpoq t’i vriste, por ai vetë u vra nga perëndia Ea.
Tiamati kërkoi të hakmerrej, duke vrarë Ean, por ajo u vra nga Marduku, djali i Eas.
Marduku e copëtoi trupin e saj në dy gjysma, prej njërës bëri qiellin dhe prej tjetrës bëri tokën.
Pastaj Marduku, me ndihmën e Eas, bëri njerëzimin nga gjaku i një perëndie tjetër, Kingu.a
A të duket se kjo lloj përralle ka ndonjë ngjashmëri me tregimin e Zanafillës për krijimin?
[Kutia në faqen 36]
Një gjeolog i njohur ka pohuar në lidhje me tregimin e Zanafillës për krijimin:
«Nëse unë si gjeolog, do të ftohesha për t’i shpjeguar shkurtimisht idetë tona moderne mbi origjinën e tokës dhe zhvillimin e jetës mbi të një populli të thjeshtë blegtorësh, sikundër ishin fiset, të cilave u drejtohet Libri i Zanafillës, zor se do ta bëja këtë gjë më mirë, sesa duke ndjekur nga afër shumicën e shprehjeve të kapitullit të parë të Zanafillës.»b Ky gjeolog, Uolles Prat, vëren se edhe renditja e ngjarjeve—që nga origjina e oqeaneve, dalja e tokës, shfaqja e jetës në ujë e pastaj e zogjve dhe e gjitarëve—është në thelb e njëjtë me ndarjet kryesore të periudhave gjeologjike.
[Figura në faqen 27]
Dita e 1-rë: «Le të bëhet dritë»
[Figura në faqen 28]
Dita e 2-të: «Le të bëhet një shtrirje»
[Figura në faqen 29]
Dita e 3-të: «Le të shfaqet dheu i thatë»
[Figura në faqen 30]
Dita e 3-të: «Le të nxjerrë jashtë toka bar»
[Figurat në faqen 31]
Dita e 4-ët: ‘Le të bëhen trupa ndriçues në shtrirje, trupi më i madh ndriçues për të sunduar ditën dhe trupi më i vogël ndriçues për të sunduar natën’
[Figura në faqen 32]
Dita e 5-të: ‘Le të gëlojnë ujërat me shpirtëra të gjallë dhe përmbi tokë të fluturojnë krijesa fluturuese’
[Figura në faqen 33]
Dita e 6-të: ‘Kafshë shtëpiake dhe bisha të egra sipas llojit të tyre’
[Figura në faqen 34]
Dita e 6-të: «Mashkull e femër i krijoi»
[Figura në faqen 37]
Mundësia që kjo të ndodhë qysh në orvatjen e parë është 1 në 3.628.800