Afrojuni Perëndisë
Prova më e madhe e dashurisë së Perëndisë
ABRAHAMI, një patriark besnik, e donte Perëndinë. E donte dhe Isakun, djalin e pleqërisë. Por, kur Isaku ishte rreth 25 vjeç, Abrahami u përball me një sprovë që shkonte kundër ndjenjave të natyrshme të një babai: Perëndia i tha t’i flijonte të birin. Megjithatë, historia nuk mbaron me vdekjen e Isakut. Në çastin kulmor, Perëndia ndërhyri me anë të një engjëlli. Ky tregim biblik, i dokumentuar te Zanafilla 22:1-18, parathoshte në një masë të vogël deri ku do të shkonte dashuria e Perëndisë për ne.
Në vargun e parë thuhet: «Perëndia i vërtetë e vuri Abrahamin në provë.» Abrahami ishte njeri me besim, por tani ky besim do të sprovohej si kurrë më parë. Perëndia i tha: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe . . . flijoje si një blatim të djegur në malin që do të të tregoj.» (Vargu 2) S’duhet të harrojmë se Perëndia nuk lejon që shërbëtorët e tij të sprovohen përtej asaj që mund të mbajnë. Prandaj, kjo sprovë tregoi besimin e tij tek Abrahami.—1 Korintasve 10:13.
Abrahami u bind pa e bërë fjalën dysh. Lexojmë: «Abrahami u çua herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit dhe mori dy shërbëtorë dhe të birin, Isakun. Çau edhe drutë për blatimin e djegur dhe pastaj u ngrit e mori udhën.» (Vargu 3) Me sa duket, ai i mbajti për vete hollësitë e sprovës.
Udhëtimi zgjati tri ditë, pra kishin kohë për të medituar thellë. Por Abrahamit nuk iu lëkund vendosmëria. Fjalët që tha, tregojnë besimin e tij. Kur pa nga larg malin e zgjedhur për flijimin, u tha shërbëtorëve: «Ju rrini këtu . . . , ndërsa unë dhe im bir po shkojmë atje që të adhurojmë Perëndinë, dhe pastaj do të kthehemi.» Kur Isaku e pyeti ku ishte delja për blatimin, ai ia ktheu: «Perëndia do ta sigurojë vetë delen.» (Vargjet 5, 8) Abrahami besonte se do të kthehej prapë me të birin. Përse? «Ishte i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte [Isakun] edhe nga të vdekurit.»—Hebrenjve 11:19.
Si u ngjitën në mal, Abrahami «mori kamën që të vriste të birin», por një engjëll ia frenoi dorën. Më pas Perëndia i siguroi një dash me brirët e ngatërruar te një shkurre, që Abrahami ta flijonte «në vend të të birit». (Vargjet 10-13) Në sytë e Perëndisë, zëre se Isaku ishte flijuar vërtet. (Hebrenjve 11:17) «Para Perëndisë,—shpjegon një studiues,—gatishmëria u llogarit njësoj si veprimi.»
Besimi i Jehovait tek Abrahami u shpërblye. Por edhe besimi i Abrahamit te Jehovai u shpërblye, sepse Ai i përsëriti dhe e zgjeroi besëlidhjen që kishte bërë me të, e cila premtonte bekime për njerëz të të gjitha kombeve.—Vargjet 15-18.
Në fund, Perëndia i kurseu Abrahamit flijimin që nuk do t’ia kursente vetes. Gatishmëria e Abrahamit për të flijuar të birin, paraqiti atë që bëri Perëndia me Birin e tij të vetëmlindur, Jezuin, të cilin e flijoi për mëkatet tona. (Gjoni 3:16) Flijimi i Krishtit është prova më e madhe e dashurisë së Jehovait për ne. Meqë Ai bëri një sakrificë të tillë për ne, duhet të pyesim veten: «Çfarë sakrificash jam gati të bëj për t’i pëlqyer Perëndisë?»