Kini besim në fjalën profetike të Perëndisë!
«Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt.»—2. PJETRIT 1:19, BR.
1, 2. Cila ishte profecia e parë e dokumentuar dhe cila ishte një nga pyetjet që ngriti ajo?
JEHOVAI ishte Burimi i profecisë së parë të dokumentuar. Pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Perëndia i tha gjarprit: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:1-7, 14, 15) Do të kalonin shekuj para se këto fjalë profetike të kuptoheshin plotësisht.
2 Kjo profeci e parë ofronte shpresë të vërtetë për njerëzimin mëkatar. Më vonë, Shkrimet e identifikuan Satana Djallin si «gjarpri origjinal». (Zbulesa 12:9, BR) Por, kush do të ishte Fara e premtuar e Perëndisë?
Në kërkim të Farës
3. Si ushtroi besim Abeli në profecinë e parë?
3 Ndryshe nga i ati, Abeli i perëndishëm ushtroi besim në profecinë e parë. Me sa duket, Abeli e kuptoi se për të mbuluar mëkatin do të ishte e nevojshme të derdhej gjak. Prandaj, besimi e shtyu të ofronte një flijim kafshe që u pranua nga Perëndia. (Zanafilla 4:2-4) Gjithsesi, identiteti i Farës së premtuar mbeti një mister.
4. Cilin premtim i dha Perëndia Abrahamit dhe çfarë tregoi ky premtim për Farën e premtuar?
4 Rreth 2000 vjet pas kohës së Abelit, Jehovai i dha patriarkut Abraham premtimin profetik: «Me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit . . . Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu [fara jote, BR].» (Zanafilla 22:17, 18) Këto fjalë e lidhnin Abrahamin me përmbushjen e profecisë së parë. Ato treguan se Fara nëpërmjet së cilës do të asgjësoheshin veprat e Satanait do të shfaqej në linjën e Abrahamit. (1. Gjonit 3:8) «[Abrahami] nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë» e, po ashtu, nuk dyshuan as dëshmitarët e tjerë të Jehovait në kohën para krishterimit, të cilët «nuk morën përmbushjen e premtimit». (Romakëve 4:20, 21; Hebrenjve 11:39, BR) Në vend të kësaj, ata e mbajtën besimin në fjalën profetike të Perëndisë.
5. Te cili u përmbush premtimi i Perëndisë për Farën dhe përse përgjigjeni kështu?
5 Apostulli Pavël e identifikoi Farën e premtuar të Perëndisë kur shkroi: «Premtimet iu dhanë Abrahamit dhe farës së tij. Nuk thuhet ‘dhe farërave’ si në rastin e shumë të tillave, por si në rastin e një të vetmeje: ‘Dhe farës sate’, e cila është Krishti.» (Galatasve 3:16, BR) Fara, nëpërmjet së cilës do të bekoheshin kombet, nuk përfshinte gjithë pasardhësit e Abrahamit. Pasardhësit e birit të tij, Ismaelit, dhe të bijve që pati nga Keturahu, nuk u përdorën për të bekuar njerëzimin. Fara e bekimit erdhi nëpërmjet birit të tij, Isakut, dhe nipit, Jakobit. (Zanafilla 21:12; 25:23, 31-34; 27:18-29, 37; 28:14) Jakobi tregoi se «popujt» do t’i bindeshin Shilohut nga fisi i Judës, por Fara më vonë u kufizua në linjën e Davidit. (Zanafilla 49:10; 2. Samuelit 7:12-16) Judenjtë e shekullit të parë pritnin një person që të vinte si Mesia ose Krishti. (Gjoni 7:41, 42) E, në fakt, profecia e Perëndisë për Farën u përmbush te Biri i tij, Jezu Krishti.
Shfaqet Mesia!
6. (a) Si duhet ta kuptojmë profecinë e 70 javëve? (b) Kur dhe si i ‘dha fund mëkatit’ Jezui?
6 Profeti Daniel dokumentoi një profeci thelbësore mesianike. Në vitin e parë të medit Dar, ai kuptoi se shkretimit 70-vjeçar të Jerusalemit po i afrohej fundi. (Jeremia 29:10; Danieli 9:1-4) Ndërsa Danieli po lutej, engjëlli Gabriel erdhi dhe i zbuloi se ‘shtatëdhjetë javë ishin caktuar për t’i dhënë fund mëkatit’. Mesia do të këputej në mes të javës së 70-të. «Shtatëdhjetë javët vjetore» filluan në vitin 455 p.e.s., kur mbreti pers Artakserksi I ‘nxori fjalën që të rindërtohej Jerusalemi’. (Danieli 9:20-27, Moffatt; Nehemia 2:1-8) Mesia do të vinte pas një periudhe 7 javë plus 62 javë. Këta 483 vjet filluan në vitin 455 p.e.s. dhe mbaruan në vitin 29 të e.s., kur Jezui u pagëzua dhe Perëndia e mirosi si Mesi ose Krisht. (Luka 3:21, 22) Jezui i ‘dha fund mëkatit’, duke e dhënë jetën si shpërblesë në vitin 33 të e.s. (Marku 10:45) Sa arsye të vlefshme kemi për të besuar në fjalën profetike të Perëndisë!a
7. Duke përdorur Shkrimet, tregoni se si i përmbushi Jezui profecitë mesianike.
7 Besimi në fjalën profetike të Perëndisë na bën të mundur të identifikojmë Mesinë. Nga profecitë e shumta mesianike të dokumentuara në Shkrimet Hebraike, një sërë prej tyre shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke ia aplikuan drejtpërdrejt Jezuit. Ta ilustrojmë: Jezuin e lindi një virgjëreshë në Bethlehem. (Isaia 7:14; Mikea 5:2; Mateu 1:18-23; Luka 2:4-11) U thirr nga Egjipti dhe pas lindjes së tij u vranë foshnjat. (Jeremia 31:15; Osea 11:1; Mateu 2:13-18) Jezui mbajti sëmundjet tona. (Isaia 53:4; Mateu 8:16, 17) Siç ishte parathënë, ai hyri në Jerusalem hipur mbi një kërriç gomareje. (Zakaria 9:9; Gjoni 12:12-15) Fjalët e psalmistit u përmbushën pasi e vunë në shtyllë Jezuin, kur ushtarët i ndanë midis tyre rrobat e tij dhe hodhën short për veshjen e tij të brendshme. (Psalmi 22:18; Gjoni 19:23, 24) Edhe fakti që Jezuit nuk iu thyen kockat dhe që e shpuan, përmbushi profecitë. (Psalmi 34:20; Zakaria 12:10; Gjoni 19:33-37) Këta janë vetëm disa shembuj profecish mesianike që shkrimtarët biblikë të frymëzuar në mënyrë hyjnore ia aplikuan Jezuit.b
Të brohorasim për Mbretin Mesianik!
8. Kush është i Lashti i Ditëve dhe si u përmbush profecia e dokumentuar te Danieli 7:9-14?
8 Në vitin e parë të mbretit babilonas Belshazar, Jehovai i dha profetit të tij Daniel një ëndërr dhe vizione të jashtëzakonshme. Fillimisht profeti pa katër bisha të stërmëdha. Engjëlli i Perëndisë i identifikoi ato si «katër mbretër», duke treguar kështu se simbolizonin fuqi botërore të njëpasnjëshme. (Danieli 7:1-8, 17) Më pas, Danieli pa Jehovain, ‘Të Lashtin e Ditëve’, të ulur si një mbret i lavdishëm. Duke i gjykuar bishat në mënyrë të pafavorshme, ai ua hoqi sundimin dhe e shkatërroi bishën e katërt. Pastaj, sundimi i përhershëm mbi «popujt, kombet dhe gjuhët» iu dha ‘dikujt që i ngjante një Biri njeriu’. (Danieli 7:9-14) Sa profeci e mrekullueshme për kurorëzimin e ‘Birit të njeriut’, Jezu Krishtit, në qiej në vitin 1914!—Mateu 16:13.
9, 10. (a) Çfarë tregonin pjesët e ndryshme të shëmbëlltyrës së ëndrrës? (b) Si do ta shpjegonit përmbushjen e Danielit 2:44?
9 Danieli e dinte se Perëndia «i ul mbretërit dhe i larton». (Danieli 2:21) Me besim te Jehovai, i cili është «Zbuluesi i sekreteve», profeti zbërtheu domethënien e ëndrrës që pa mbreti babilonas Nabukodonosor për një shëmbëlltyrë tejet të madhe. Pjesët e ndryshme të saj tregonin ngritjen dhe rënien e fuqive të tilla botërore, si Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma. Gjithashtu, Perëndia e përdori Danielin për të treguar ngjarjet botërore edhe për ditët tona e më tej.—Danieli 2:24-30.
10 «Në ditët e atyre mbretërve,—thoshte profecia,—Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të çohet kurrë në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalojë ndonjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.» (Danieli 2:44, BR) Në vitin 1914, kur përfunduan «kohët e caktuara të kombeve», Perëndia vendosi Mbretërinë qiellore me Krishtin në krye. (Luka 21:24; Zbulesa 12:1-5) Atëherë, me anë të fuqisë hyjnore, «guri» i Mbretërisë Mesianike u shkëput nga «mali» i sovranitetit universal të Perëndisë. Në Harmagedon, ky gur do të godasë shëmbëlltyrën dhe do ta thërrmojë copë e çikë. Si një mal qeveritar që ndikon mbi «tërë tokën», Mbretëria Mesianike do të qëndrojë përgjithmonë.—Danieli 2:35, 45; Zbulesa 16:14, 16.c
11. Vizion i çfarë gjëje ishte shpërfytyrimi i Jezuit dhe çfarë ndikimi pati ai vizion te Pjetri?
11 Duke pasur ndër mend sundimin e Mbretërisë së tij, Jezui u tha dishepujve: «Disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.» (Mateu 16:28) Gjashtë ditë më vonë, Jezui e çoi Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin në një mal të lartë, ku u shpërfytyrua para tyre. Ndërsa një re e ndritshme i mbuloi apostujt, Perëndia deklaroi: «Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!» (Mateu 17:1-9; Marku 9:1-9) Çfarë pamjeje paraprake e lavdisë së Mbretërisë së Krishtit! Nuk habitemi që Pjetri iu referua atij vizioni mahnitës dhe tha: «Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt.»—2. Pjetrit 1:16-19, BR.d
12. Përse kjo është veçanërisht koha për të shfaqur besimin tonë në fjalën profetike të Perëndisë?
12 ‘Fjala profetike’, me sa duket, përfshin jo vetëm profecitë e Shkrimeve Hebraike për Mesinë, por edhe pohimin e Jezuit se ai do të vinte «me fuqi dhe lavdi të madhe». (Mateu 24:30) Shpërfytyrimi e verifikoi fjalën profetike për ardhjen e lavdishme të Krishtit në fuqinë e Mbretërisë. Shumë shpejt, zbulimi i tij me lavdi do të nënkuptojë shkatërrim për të pabesët dhe bekime për ata që ushtrojnë besim. (2. Thesalonikasve 1:6-10) Përmbushja e profecive biblike provon se këto janë «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5, 16, 17; Mateu 24:3-14) Si Kryeekzekutuesi i Jehovait, Mikaeli, i cili është Jezu Krishti, është gati t’i sjellë fundin këtij sistemi të lig gjërash gjatë «mjerimit të madh». (Mateu 24:21, BR; Danieli 12:1) Pra, kjo është patjetër koha për të treguar se kemi besim në fjalën profetike të Perëndisë.
Ta ruajmë besimin në fjalën profetike të Perëndisë
13. Çfarë mund të na ndihmojë që ta ruajmë dashurinë për Perëndinë dhe ta mbajmë të gjallë besimin në fjalën e tij?
13 Patjetër, u entuziazmuam kur mësuam fillimisht për përmbushjet e fjalës profetike të Perëndisë. Por, a na është zvogëluar besimi që nga ajo kohë dhe a na është ftohur dashuria? Mos u bëfshim kurrë si të krishterët në Efes, të cilët ‘e lanë dashurinë e tyre të parë’! (Zbulesa 2:1-4) Pavarësisht se nga sa kohë i kemi shërbyer Jehovait, mund të pësojmë një humbje të tillë, po të mos ‘vazhdojmë të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij’, në mënyrë që të mbledhim thesare në qiell. (Mateu 6:19-21, 31-33, BR) Studimi i zellshëm i Biblës, pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet e krishtere dhe aktiviteti i zellshëm i predikimit të Mbretërisë do të na ndihmojnë ta ruajmë dashurinë për Jehovain, për Birin e tij dhe për Shkrimet. (Psalmi 119:105; Marku 13:10; Hebrenjve 10:24, 25) Nga ana e vet, kjo do të na e mbajë gjallë besimin në fjalën e Perëndisë.—Psalmi 106:12.
14. Si shpërblehen të krishterët e mirosur për besimin e tyre në fjalën profetike të Jehovait?
14 Pikërisht ashtu si u përmbush në të kaluarën fjala profetike e Perëndisë, mund të kemi besim edhe në atë që parathotë ajo për të ardhmen. Për shembull, prania e Krishtit në lavdinë e Mbretërisë tani është një realitet dhe të krishterët e mirosur që qenë besnikë deri në vdekje kanë përjetuar përmbushjen e premtimit profetik: «Kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.» (Zbulesa 2:7, 10; 1. Thesalonikasve 4:14-17) Jezui u jep këtyre personave fitimtarë privilegjin të ‘hanë nga pema e jetës’ në ‘parajsën qiellore të Perëndisë’. Kur ringjallen dhe me anë të Jezu Krishtit, ata marrin pjesë në pavdekësinë dhe në mosprishjen që u ka dhënë Jehovai, «Mbreti i përjetësisë, i paprishshëm, i padukshëm, Perëndia i vetëm». (1. Timoteut 1:17; BR; 1. Korintasve 15:50-54; 2. Timoteut 1:10) Sa shpërblim madhështor për dashurinë e tyre të pashuar për Perëndinë dhe për besimin e patundur në fjalën e tij profetike!
15. Te cilët u hodh themeli i «tokës së re» dhe cilët janë shokët e tyre?
15 Pak kohë pasi të mirosurit besnikë që kishin vdekur u ringjallën në ‘parajsën [qiellore] të Perëndisë’, mbetja e Izraelit frymor në tokë u çlirua nga «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 14:8; Galatasve 6:16) Me ta, u hodh themeli i «tokës së re». (Zbulesa 21:1) Në këtë mënyrë lindi «një vend» dhe u shndërrua në një parajsë frymore, e cila sot lulëzon në mbarë tokën. (Isaia 66:8) Që tani, «në pjesën përfundimtare të ditëve», aty po vërshojnë turmat e shumta të shokëve ngjashëm deleve të Izraelit frymor.—Isaia 2:2-4; Zakaria 8:23; Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9.
Në fjalën profetike të Perëndisë është parathënë e ardhmja e njerëzimit
16. Çfarë perspektivash kanë mbështetësit besnikë të të mirosurve?
16 Cilat janë perspektivat e mbështetësve besnikë të të mirosurve? Edhe ata kanë besim në fjalën profetike të Perëndisë dhe mbajnë shpresa për të hyrë në Parajsën tokësore. (Luka 23:39-43) Atje, do të pinë nga ‘lumi i ujit të jetës’, i cili mbështet jetën, dhe do të gjejnë shërim nga «gjethet e drurit [pemëve, BR]» të mbjella përgjatë këtij lumi. (Zbulesa 22:1, 2) Nëse keni këtë shpresë të mrekullueshme, vazhdofshi të shfaqni dashuri të thellë për Jehovain dhe besim në fjalën e tij profetike! Qofshi ndër ata që do të përjetojnë gëzimin e pakufishëm të jetës së përhershme në Parajsën tokësore!
17. Çfarë bekimesh do të përfshijë jeta në Parajsën tokësore?
17 Njerëzit e papërsosur nuk arrijnë dot ta përshkruajnë plotësisht jetën në Parajsën e ardhshme tokësore, por fjala profetike e Perëndisë na jep mendjehollësi për bekimet që e presin atëherë njerëzimin e bindur. Kur Mbretëria e Perëndisë të sundojë pa kundërshtarë dhe kur të bëhet vullneti i tij në tokë siç është bërë në qiell, asnjë njeri i lig, madje as edhe kafshët nuk do të ‘bëjnë asnjë të keqe, asnjë shkatërrim’. (Isaia 11:9; Mateu 6:9, 10) Tokën do ta banojnë të butët dhe «do të gëzojnë një paqe të madhe». (Psalmi 37:11) Nuk do të ekzistojnë turma njerëzish që vdesin urie, sepse «do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve [do të ketë vërshim, BR]». (Psalmi 72:16) Nuk do të derdhen më lot hidhërimi. Sëmundjet do të kenë kaluar e madje edhe vdekja nuk do të jetë më. (Isaia 33:24; Zbulesa 21:4) A mund ta imagjinoni: një botë pa mjekë, pa ilaçe, pa spitale ose institute psikiatrike, pa funerale! Sa perspektiva të shkëlqyeshme!
18. (a) Për çfarë gjëje iu dha siguri Danielit? (b) Cila do të jetë ‘trashëgimia’ e Danielit?
18 Edhe varri i njerëzimit do të boshatiset, ndërsa vdekjet ia lënë vendin ringjalljeve. Njeriu i drejtë Job kishte një shpresë të tillë. (Jobi 14:14, 15) Po kështu edhe profeti Daniel, sepse engjëlli i Jehovait i dha sigurinë ngushëlluese: «Ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve.» (Danieli 12:13) Danieli i shërbeu me besnikëri Perëndisë deri në fund të jetës. Tani po prehet në vdekje, por do të ‘ngrihet’ në ‘ringjalljen e të drejtëve’ gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. (Luka 14:14) Cila do të jetë ‘trashëgimia’ e Danielit? E pra, në përmbushjen që ka në Parajsë, profecia e Ezekielit tregon se i gjithë populli i Jehovait do të ketë një vend, e madje toka do të ndahet në mënyrë të drejtë e të rregullt. (Ezekieli 47:13–48:35) Prandaj, Danieli do të ketë një vend në Parajsë, por trashëgimia e tij atje do të përfshijë më shumë sesa tokën. Do të përfshijë vendin e tij në qëllimin e Jehovait.
19. Çfarë kërkohet për të jetuar në Parajsën tokësore?
19 Ç’të themi për ju dhe për trashëgiminë tuaj? Nëse keni besim në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, ka shumë të ngjarë që ta dëshironi me zjarr jetën në Parajsën tokësore. Madje, mund ta imagjinoni veten atje, duke u kënaqur me bekimet e shumta, duke u kujdesur për tokën dhe duke mirëpritur me gëzim të vdekurit. Në fund të fundit, Parajsa është vendi të cilit i përket njerëzimi. Perëndia e krijoi çiftin e parë njerëzor për të jetuar në një vend të tillë. (Zanafilla 2:7-9) Ai dëshiron që njerëzit e bindur të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. A do të veproni në harmoni me Shkrimet, me qëllim që të jeni mes miliarda personave që përfundimisht do të jetojnë në Parajsën tokësore? Edhe ju mund të jeni atje, nëse keni dashuri të vërtetë për Atin tonë qiellor, Jehovain, dhe nëse keni besim të qëndrueshëm në fjalën profetike të Perëndisë.
[Shënimet]
a Shiko kapitullin 11 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! dhe «Shtatëdhjetë javët» (Seventy Weeks) në librin Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» (anglisht), faqet 343-344, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
d Shiko artikullin me titull «T’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë», në Kullën e Rojës, 1 prill 2000.
Si do të përgjigjeshit?
• Cila ishte profecia e parë dhe kush ishte Fara e premtuar?
• Cilat ishin disa profeci mesianike që u përmbushën te Jezui?
• Si do të përmbushet Danieli 2:44, 45?
• Cilën të ardhme tregon fjala profetike e Perëndisë për njerëzimin e bindur?
[Figura në faqen 18]
A shpresoni të jetoni në Parajsën tokësore?