Ata bënë vullnetin e Jehovait
Duke gjetur një grua për Isakun
BURRI i shkuar në moshë, që ishte ulur pranë pusit, ishte i rraskapitur. Ai dhe shoqëruesit e tij bashkë me dhjetë devetë e tyre, kishin bërë me mundim gjithë rrugën, që nga afërsia e Beer-Shebës deri në Mesopotaminë veriore, një largësi prej më shumë se 800 km.a Tani që kishin arritur në destinacion, ky udhëtar i lodhur ndaloi për të menduar thellë mbi misionin e tij të vështirë. Kush ishte ky njeri dhe përse kishte ndërmarrë këtë udhëtim të mundimshëm?
Burri ishte shërbëtori i Abrahamit, ‘më i moshuari i shtëpisë së tij’. (Zanafilla 24:2) Ndonëse nuk përmendet me emër në këtë tregim, me sa duket ky ishte Eliezeri, të cilit dikur Abrahami i ishte drejtuar si ‘bir i shtëpisë së tij’, i cili doli se ishte në radhë pas tij, për ‘ta ndjekur si trashëgimtar’. (Zanafilla 15:2, 3, BR) Natyrisht, kjo ndodhi kur Abrahami dhe Sara ishin pa fëmijë. Tani djali i tyre, Isaku, kishte mbushur të 40-at dhe megjithëse Eliezeri nuk ishte më trashëgimtari kryesor i Abrahamit, ai ishte ende shërbëtor i tij. Kështu, ai e plotësoi kërkesën e vështirë që i bëri Abrahami. Cila ishte ajo?
Një mision i vështirë
Në ditët e Abrahamit, martesa nuk ndikonte vetëm mbi familjen, por edhe mbi gjithë fisin apo komunitetin patriarkal. Për këtë arsye, ishte zakon që prindërit të zgjidhnin një bashkëshort për fëmijët e tyre. Megjithatë, në gjetjen e një gruaje për të birin, Isakun, Abrahami gjendej përpara një dileme. Rrugët e paperëndishme të kanaanitëve lokalë e kishin kthyer martesën me një prej tyre në një gjë, për të cilën as që mund të bëhej fjalë. (Ligji i përtërirë 18:9-12) Edhe pse ishte zakon që burri të martohej brenda fisit të vet, të afërmit e Abrahamit jetonin qindra kilometra larg, në Mesopotaminë veriore. Ai nuk mund ta çonte Isakun atje për të jetuar, sepse Jehovai i kishte premtuar Abrahamit: «Unë do t’ua jap këtë vend pasardhësve të tu [farës sate, BR]», vendin e Kanaanit. (Zanafilla 24:7) Kështu, Abrahami i tha Eliezerit: «Do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun.»—Zanafilla 24:4.
Në përfundim të udhëtimit të gjatë, Eliezeri qëndroi pranë pusit, ndërsa mendonte mbi misionin e tij. Ai e kuptoi se së shpejti gratë do të vinin tek pusi, për të nxjerrë ujë për natën. Prandaj, ai iu lut Jehovait: «Bëj që vajza së cilës do t’i them: ‘Ah, ule shtambën tënde që unë të pi’ dhe do të më përgjigjet: ‘Pi dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve të tua’, të jetë ajo që ti ia ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi [dashuri besnike, BR] ndaj zotërisë tim.»—Zanafilla 24:14.
Ndërsa ishte akoma duke u lutur, u afrua një vajzë tërheqëse me emrin Rebeka. «Lermë të pi pak ujë nga shtamba jote»,—i tha asaj Eliezeri. Rebeka i dha e më pas, tha: «Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen me ujë.» Kjo ishte një ofertë bujare, pasi një deve e etur mund të pijë mbi 95 litra ujë, vetëm brenda dhjetë minutash. Ishin apo jo kaq të etura devetë e Eliezerit, Rebeka duhet ta ketë ditur se shërbimi që u ofrua të bënte, do të ishte i mundimshëm. Në fakt, ajo «me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri tek burimi për të mbushur ujë për të gjitha devetë e tij».—Zanafilla 24:15-20.
Duke e ndjerë drejtimin e Jehovait, Eliezeri i dha Rebekës një unazë floriri për hundën dhe dy byzylykë floriri, që me vlerën e sotme kushtonin 1.400.000 lekë. Kur Rebeka i tha se ishte mbesë e Nahorit, vëllait të Abrahamit, Eliezeri i bëri një lutje falënderimi Perëndisë. «Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim»,—tha ai. (Zanafilla 24:22-27) Eliezeri shkoi në familjen e Rebekës. Me kohë, Rebeka u bë gruaja e Isakut dhe pati privilegjin që të bëhej një paraardhëse e Jezuit, Mesisë.
Mësime për ne
Jehovai e bekoi përpjekjen me lutje që bëri Eliezeri, për të gjetur një bashkëshorte me frikë Perëndie për Isakun. Por, mos harro se martesa e Isakut lidhej drejtpërdrejt me qëllimin e Perëndisë, për të sjellë një farë përmes Abrahamit. Prandaj, ky tregim nuk duhet të na çojë në përfundimin se kushdo që lutet për një bashkëshort, do ta gjejë si me mrekulli. Megjithatë, nëse u përmbahemi ngushtësisht parimeve të Jehovait, ai do të na japë forcën, për të qenë të qëndrueshëm ndaj sfidave, që vijnë në çdo rrethanë të jetës, qoftë në martesë apo në beqari.—1. Korintasve 7:8, 9, 28; krahaso Filipianëve 4:11-13.
Eliezerit iu desh të bënte shumë përpjekje, për t’i bërë gjërat në mënyrën e Jehovait. Edhe ne shohim se përshtatja me normat e Jehovait nuk është gjithmonë e lehtë. Për shembull, mund të jetë e vështirë gjetja e një pune që nuk mbyt aktivitetin teokratik, e një bashkëshorti me frikë Perëndie, e shoqërive që janë ndërtuese, e zbavitjes që nuk është poshtëruese. (Mateu 6:33; 1. Korintasve 7:39; 15:33; Efesianëve 4:17-19) Gjithsesi, Jehovai mund të mbështesë ata, që nuk pranojnë të kompromentojnë parimet biblike. Bibla premton: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Proverbat 3:5, 6.
[Shënimi]
a Duke marrë parasysh shpejtësinë mesatare të deveve, mund të jenë dashur më shumë se 25 ditë për të përfunduar udhëtimin.