Fati
Përkufizimi: Përfundim i pashmangshëm dhe shpesh i pafavorshëm. Fatalizmi është bindja se të gjitha ngjarjet janë vendosur nga vullneti hyjnor ose nga ndonjë forcë më e fuqishme se njeriu, dhe se çdo ngjarje duhet të ndodhë ashtu si ndodh, sepse është paracaktuar. Ky mësim nuk është biblik.
A i është paracaktuar secilit «një kohë për të vdekur»?
Kjo bindje ishte e zakonshme midis grekëve dhe romakëve. Sipas mitologjisë pagane greke, Moirat ishin tri hyjnesha që tirrnin fillin e jetës së njeriut, vendosnin sa i gjatë do të ishte dhe e pritnin.
Eklisiastiu 3:1, 2 flet për «një kohë për të vdekur». Por, duke treguar se ky nuk është një çast fiks i paracaktuar për individin, Eklisiastiu 7:17 këshillon: «Mos ji i lig së tepërmi, as mos u bëj i marrë. Përse të vdesësh, kur s’e ke kohën?» Proverbat 10:27 thotë: «Vitet e të ligjve do të shkurtohen.» Kurse Psalmi 55:23 shton: «Njerëzit që janë fajtorë gjaku dhe mashtrues nuk do të jetojnë as gjysmën e ditëve të tyre.» Atëherë, cili është kuptimi i Eklisiastiut 3:1, 2? Aty vetëm sa flitet për ciklin e vazhdueshëm të jetës e të vdekjes në këtë sistem të papërsosur. Ka një kohë kur njerëzit lindin dhe një kohë kur vdesin—zakonisht jo më shumë se në moshën 70 ose 80 vjeç, por disa herë më shpejt dhe disa herë më vonë.—Psal. 90:10; shih edhe Eklisiastiun 9:11.
Nëse çasti dhe mënyra e vdekjes do të ishin caktuar tashmë në kohën e lindjes ose më parë, nuk do të duhej të shmangnim rrethana të rrezikshme ose të kujdeseshim për shëndetin. Po ashtu masat parandaluese nuk do t’i ndryshonin përqindjet e vdekjeve. A mendoni se një fushë beteje gjatë një lufte është po kaq e sigurt sa një shtëpi që ndodhet shumë larg nga zona e luftës? A kujdeseni për shëndetin tuaj ose a i çoni fëmijët te mjeku? Pse ata që pinë duhan, vdesin mesatarisht tre ose katër vjet më të rinj se ata që nuk pinë? Pse ka më pak aksidente vdekjeprurëse kur pasagjerët vendosin rripin e sigurimit dhe kur shoferët u binden rregullave të trafikut? Është e qartë pra, se të marrësh masa parandaluese, është një gjë e dobishme.
A është «vullneti i Perëndisë» për çdo gjë që ndodh?
2 Pjet. 3:9: «Jehovai . . . është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (Por jo të gjithë i përgjigjen mirë durimit të tij. Sigurisht që nuk është «vullneti i Perëndisë» kur dikush nuk pendohet. Krahaso Zbulesën 9:20, 21.)
Jer. 7:23-26: «U dhashë këtë urdhër [Izraelit]: ‘Bindjuni zërit tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, e ju do të bëheni populli im. Ecni në të gjitha udhët që do t’ju urdhëroj, që t’ju vejë mbarë.’ Por ata nuk dëgjuan. . . . Unë dërgova vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët, duke u çuar herët e duke i dërguar ata çdo ditë. Por ky popull nuk më dëgjoi dhe as e ktheu veshin nga unë. Ata e ngurtësuan qafën.» (Natyrisht ligësia që po ndodhte në Izrael, nuk ishte «vullneti i Perëndisë».)
Mar. 3:35: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.» (Në qoftë se çfarëdo gjëje që të bënte një person, do të ishte «vullneti i Perëndisë», atëherë të gjithë do të kishin me Jezuin atë lloj marrëdhënieje që përshkroi ai këtu. Por Jezui u tha disave: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli.»—Gjoni 8:44.)
Si shpjegohen shumë gjëra, në dukje të çuditshme, që ndodhin?
Ekl. 9:11: «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.» (Pra, dikush mund të bëhet viktimë e rrethanave të pafavorshme rastësisht, dhe jo për shkak se ishte paracaktuar.)
A janë përgjegjës njerëzit për shumë nga vuajtjet e tyre apo të të tjerëve?
Rom. 5:12: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Papërsosmërinë, përfshirë edhe prirjet për të bërë keq, e kemi trashëguar të gjithë nga Adami.)
Ekl. 8:9: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»
Prov. 13:1: «Një bir është i mençur kur i ati e disiplinon.» (Gjërat që bëjnë prindërit, kanë një ndikim të madh në jetën e fëmijëve.)
Gal. 6:7: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Shih edhe Proverbat 11:17; 23:29, 30; 29:15; 1 Korintasve 6:18.)
A ka edhe forca mbinjerëzore që u shkaktojnë mjerim njerëzve?
Zbul. 12:12: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Shih edhe Veprat 10:38.)
A e di Perëndia çdo gjë që më përpara dhe a e paracakton atë?
Isa. 46:9, 10: «Unë jam Hyjnori dhe . . . s’ka Perëndi tjetër, as ndonjë të ngjashëm me mua; Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur; Ai që thotë: ‘Qëllimi im do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që më pëlqen.’» (Ai e bën të njohur qëllimin e tij, paracakton disa gjëra që lidhen me realizimin e këtij qëllimi dhe është i gjithëpushtetshëm që të sigurojë përmbushjen e vullnetit të tij.)
Isa. 11:1-3: «Nga cungu i Jeseut do të dalë një degëz dhe nga rrënjët e tij një filiz që do të jetë i frytshëm. [Jezui lindi nga linja e Jeseut.] Tek ai do të prehet fryma e Jehovait. . . . Frika nga Jehovai do të jetë kënaqësia e tij.» (Jehovai mundi t’i parathoshte me siguri këto gjëra për Birin e tij, sepse kishte vërejtur qëndrimin dhe sjelljen e tij në qiej që nga fillimi i krijimit.) (Në lidhje me ekzistencën paranjerëzore të Jezuit, shih faqen 196, te tema «Jezu Krishti».)
Ligj. 31:20, 21: «Do t’i çoj [kombin e Izraelit] në tokën që u jam betuar paraardhësve të tyre, atje ku rrjedh qumësht e mjaltë, e ata do të hanë, do të ngopen dhe do të majmen e pastaj do të shkojnë te perënditë e tjera. Ata do t’u shërbejnë atyre, ndërsa mua do të më përbuzin dhe do ta prishin besëlidhjen që bënë me mua. Kur mbi ta të kenë rënë shumë të zeza e vuajtje, kjo këngë [që tregon se si vepruan ata ngaqë nuk e çmuan favorin e Perëndisë] do të dëshmojë kundër tyre, . . . Unë e njoh mirë prirjen që po zhvillojnë ata sot, para se t’i çoj në vendin që u jam betuar.» (Është për t’u vërejtur se aftësia e Perëndisë për të dalluar pasojat e sjelljes së tyre, nuk do të thoshte se ai ishte përgjegjës ose se kështu donte që t’u ndodhte. Përkundrazi, duke u bazuar në gjërat që bënin ata, ai mund të parashikonte pasojat. Në mënyrë të ngjashme duke u bazuar në vëzhgime, parashikuesi i motit mund të parathotë me një shkallë të madhe saktësie se si do të jetë moti, por ai nuk e shkakton atë ose nuk është e thënë që t’i pëlqejë.)
A tregon aftësia e Perëndisë për të ditur që më përpara ngjarjet dhe për t’i paracaktuar ato se ai e ushtron këtë aftësi në lidhje me tërë veprimet e të gjitha krijesave të tij?
Zbul. 22:17: «Kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» (Ajo që do të zgjedhë një individ, nuk është paracaktuar, por është lënë në dorë të tij.)
Rom. 2:4, 5: «Apo e përbuz bollëkun e mirëdashjes, vetëpërmbajtjes dhe shpirtgjerësisë së tij, ngaqë nuk e di se hiri i Perëndisë po përpiqet të të çojë në pendim? Por me ngurtësinë tënde dhe me zemrën tënde të papenduar, po grumbullon zemërim mbi vete për ditën e zemërimit e të zbulimit të gjykimit të drejtë të Perëndisë.» (Individët nuk janë të detyruar të ndjekin një udhë të caktuar. Por secili është përgjegjës për atë që bën.)
Sof. 2:3: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut; . . . kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.» (A do t’i nxiste njerëzit një Perëndi i drejtë dhe i dashur që të bënin atë që është e drejtë, me shpresën për t’u shpërblyer, nëse ai do ta dinte se ishte paracaktuar që ata të mos ia dilnin mbanë?)
Ilustrim: Dikush që ka një radio, mund të dëgjojë lajme nga e gjithë bota. Por fakti që ai mund të dëgjojë një stacion radiofonik, nuk do të thotë që do ta dëgjojë patjetër. Së pari duhet të ndezë radion, dhe pastaj të zgjedhë stacionin. Në të njëjtën mënyrë, Jehovai ka aftësinë për të ditur që më përpara ngjarjet, por Bibla thotë se ai e përdor këtë aftësi në mënyrë përzgjedhëse dhe jo të pakufizuar, duke respektuar vullnetin e lirë me të cilin i ka pajisur njerëzit.—Krahaso Zanafillën 22:12; 18:20, 21.
Kur Perëndia krijoi Adamin, a e dinte se Adami do të mëkatonte?
Ja se çfarë mundësie u dha Perëndia Adamit dhe Evës: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» «Pastaj Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’» (Zan. 1:28; 2:16, 17) A do t’i nxitnit fëmijët tuaj të ndërmerrnin një projekt me një të ardhme të mrekullueshme, nëse do ta dinit që në fillim se përpjekjet e tyre do të shkonin kot? A do t’i paralajmëronit për ndonjë rrezik, ndërkohë që me vetëdije kishit planifikuar gjithçka, kastile që të kishin telashe? Atëherë, a është e arsyeshme të mendojmë një gjë të tillë për Perëndinë?
Mat. 7:11: «Nëse ju, edhe pse të ligj [«që jeni të këqij», Dio], dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë!»
Në rast se Perëndia do të kishte paracaktuar dhe do ta dinte që më përpara se Adami do të mëkatonte, si dhe gjithçka që do të vinte si pasojë e kësaj, atëherë kjo do të kishte nënkuptuar se, me krijimin e Adamit, Perëndia me dashje i ka dhënë jetë tërë ligësisë që është kryer në historinë njerëzore. Ai do të ishte Burimi i të gjitha luftërave, krimeve, imoralitetit, shtypjes, gënjeshtrave, hipokrizisë dhe sëmundjeve. Por Bibla e thotë qartë: «Ti nuk je një Perëndi që pëlqen ligësinë.» (Psal. 5:4) «Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» (Psal. 11:5) «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë.» (Titit 1:2) «Nga shtypja dhe dhuna, [Ai që është caktuar nga Perëndia si Mbreti Mesianik] do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.» (Psal. 72:14) «Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:8) «Ai e do të drejtën dhe drejtësinë.»—Psal. 33:5.
A ua kishte paracaktuar Perëndia fatin Jakobit dhe Esaut?
Zan. 25:23: «Jehovai i tha [Rebekës]: ‘Dy kombe janë në barkun tënd, dy popuj do të dalin nga pjesët e tua të brendshme. Njëri komb do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi [Esau] do t’i shërbejë më të voglit [Jakobit].’» (Jehovai ishte në gjendje të lexonte modelin gjenetik të binjakëve që s’kishin lindur ende. Ai mund të ketë marrë parasysh këtë kur parashikoi cilësitë që do të zhvillonte secili nga djemtë dhe paratha si do të shkonin gjërat me ta. [Psal. 139:16] Por asgjë nuk tregon këtu që ai caktoi fatet e tyre të përjetshme ose që paracaktoi se si do të shkonte çdo ndodhi e jetës së tyre.)
A ishte paracaktuar Juda Iskarioti që të tradhtonte Jezuin?
Psal. 41:9: «Edhe miku që ishte në paqe me mua, që i besoja dhe që hante bukën time, ka ngritur thembrën kundër meje.» (Është për t’u vënë re se profecia nuk e tregon në mënyrë specifike se cili mik i ngushtë i Jezuit do të ishte. Jehovai e dinte se Djalli kishte përdorur këshilltarin e Davidit, Ahithofelin, që ta tradhtonte atë, dhe Ai bëri që të dokumentohej kjo ngjarje, sepse tregonte se si veproi Djalli dhe çfarë do të bënte në të ardhmen. Nuk ishte Perëndia, por «Djalli [që] i kishte futur tashmë në zemër Judë Iskariotit, të birit të Simonit, ta tradhtonte [Jezuin]». [Gjoni 13:2] Në vend që t’i rezistonte, Juda u dorëzua përpara këtij ndikimi satanik.)
Gjoni 6:64: «Jezui e dinte që nga fillimi se . . . kush do ta tradhtonte.» (Jo që nga fillimi i krijimit dhe as që nga koha e lindjes së Judës, por «që nga fillimi» i sjelljes së tij të pabesë. Krahaso Zanafillën 1:1, Lukën 1:2 dhe 1 Gjonit 2:7, 13, ku në secilin nga këto vargje fjala «fillim» është përdorur në kuptimin përkatës. Vër re edhe Gjonin 12:4-6.)
A nuk thotë apostulli Pavël se të krishterët janë «paracaktuar»?
Rom. 8:28, 29: «Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha veprat e tij të bashkëpunojnë për të mirën e atyre që e duan Perëndinë, të atyre që janë thirrur sipas qëllimit të tij, sepse ata, ndaj të cilëve e drejtoi vëmendjen së pari, ai i paravendosi [«i ka paracaktuar», Dio] që të modeloheshin sipas shëmbëlltyrës së Birit të tij, që ai të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve.» (Shih edhe Efesianëve 1:5, 11.) Megjithatë, po për këta persona, te 2 Pjetrit 1:10 thuhet: «Bëni çmos që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i bëni këto gjëra, nuk do të dështoni kurrsesi.» (Nëse individët do të ishin paracaktuar për shpëtim, ata nuk do të mund të dështonin, pavarësisht se çfarë do të bënin. Meqë nga ana e individëve kërkohen përpjekje, atëherë ajo që është paracaktuar, duhet të jetë klasa e këtyre individëve. Perëndia kishte si qëllim që e tërë klasa të përputhej me modelin e vendosur nga Jezu Krishti. Por ata që zgjidhen nga Perëndia si pjesë e kësaj klase, duhet të tregohen të besueshëm, po qe se duan të fitojnë shpërblimin që u është vënë përpara.)
Efes. 1:4, 5: «[Ai] na zgjodhi në unitet me të [Jezu Krishtin] përpara themelimit të botës, që ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri. Sepse, ai paravendosi që të na birësonte nëpërmjet Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet.» (Është për t’u vërejtur se te Luka 11:50, 51, Jezui bën një paralelizëm midis «themelimit të botës» dhe kohës së Abelit. Abeli ishte njeriu i parë që vazhdoi të kishte miratimin e Perëndisë gjatë gjithë jetës. Pra, ishte pas rebelimit në Eden, por përpara ngjizjes së Abelit që Perëndia vuri si qëllim të sillte ‘një farë’ nëpërmjet së cilës do të sigurohej çlirimi. [Zan. 3:15] Perëndia kishte si qëllim që bashkë me Farën kryesore, Jezu Krishtin, të ishte edhe një grup ithtarësh të tij besnikë që do të merrnin pjesë me të në qeverinë e re mbi tokë, në Mbretërinë Mesianike.)
A ndikojnë yjet dhe planetët në ngjarjet e jetës sonë ose a na japin ogure që duhet t’i kemi parasysh kur marrim vendime?
Cila është origjina e astrologjisë?
«Origjina e astrologjisë perëndimore lidhet drejtpërdrejt me teoritë dhe zakonet e kaldeasve dhe të babilonasve të mijëvjeçarit të tretë p.e.s.»—The Encyclopedia Americana (1977), vëll. 2, f. 557.
«Astrologjia bazohej në dy ide babilonase: në zodiakun dhe në hyjninë e trupave qiellorë. . . . Babilonasit mendonin se planetët kishin atë ndikim që mund të priste një njeri të kishin hyjnitë e tyre përkatëse.»—Great Cities of the Ancient World (Nju-Jork, 1972), L. Sprejg de Kamp, f. 150.
«Si në Babiloni, ashtu edhe në Asiri, si një degëzim i drejtpërdrejtë i kulturës babilonase . . . astrologjia bënte pjesë në kultin zyrtar si një nga dy mjetet kryesore në dispozicion të priftërinjve . . . për të zbuluar vullnetin dhe qëllimin e perëndive, dhe mjeti i dytë ishte hetimi i mëlçisë së kafshëve të flijuara. . . . Lëvizjet e diellit, të hënës dhe të pesë planetëve mendohej se përfaqësonin veprimtarinë e pesë perëndive në fjalë, bashkë me perëndinë-hënë Sin dhe perëndinë-diell Shamash, të cilët përgatitnin ngjarjet që duhej të ndodhnin në tokë.»—Encyclopædia Britannica (1911), vëll. II, f. 796.
Cila është pikëpamja e Krijuesit të njerëzimit për këto zakone?
Ligj. 18:10-12: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata që . . . hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure. . . . Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»
Ai u tha babilonasve: «Le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz. Ja, ato do të jenë si kashta. . . . Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet dhe askush nuk do të të shpëtojë.»—Isa. 47:13-15, Dio.