Kapitulli 9
A ekziston me të vërtetë ferri?
1. Ç’mësojnë mbi ferrin shumë fe?
ME MILIONA njerëz kanë mësuar nga fetë e tyre, se ferri është një vend në të cilin njerëzit torturohen. Sipas Encyclopedia Britannica, «kisha katolike Romake mëson se ferri do të mbetet . . . përgjithmonë; vuajtjet e tij nuk do të kenë fund.» Në të njëjtën enciklopedi lexojmë se këtë mësim katolik «e përkrahin edhe shumë grupe konservatore protestante.» Hindusët, budistët dhe muhamedanët mësojnë gjithashtu se ferri është një vend torturimi. Nuk është për t’u habitur që njerëzit e mësuar kështu të thonë se, nëse ferri është një vend me të vërtetë kaq i keq, preferojnë më mirë të mos flasin mbi të.
2. Si mendonte Perëndia mbi djegien e fëmijëve në zjarr?
2 Kjo lind pyetjen: A ka krijuar Perëndia i Plotfuqishëm një vend të tillë torturimi? Çfarë qëndrimi ka mbajtur Perëndia kur izraelitët, ngjashëm popujve përreth, filluan t’i djegin fëmijët e tyre në zjarr? Në Fjalën e tij ai shpjegon: «Ngritën kodrat e Tofetit në rrafshirën Ben Hinom dhe i djegin në zjarr bijat dhe bijtë e tyre, gjë që unë kurrë nuk iu urdhërova e as që në mendje e kisha [as që më erdhi në zemër, NW].»—Jeremia 7:31, St.
3. Përse është jobiblike dhe e paarsyeshme të mendohet se Perëndia i mundon njerëzit?
3 Mendo pak mbi këtë: Nëse ideja e djegies së njerëzve në zjarr nuk ka qenë kurrë në zemrën e Perëndisë, a të duket e arsyeshme të ketë krijuar një ferr të zjarrtë për ata që nuk i shërbejnë? Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8) A thua, do t’i mundonte përgjithmonë njerëzit Perëndia i dashurisë? Po ti, a do ta bëje? Duke ditur se Perëndia është dashuri, duhet t’i drejtohemi Fjalës së tij që të vërtetojmë se ç’është në të vërtetë ferri? Kush shkon atje dhe për sa kohë?
SHEOLI DHE HADESI
4. (a) Cilat fjalë në hebraisht dhe greqisht përkthehen «ferr»? (b) Si përkthehet Sheol në përkthimet shqip?
4 Webster’s Dictionary (Fjalori i Webster-it) thotë se fjala anglisht «hell» (ferr) është ekuivalent i fjalës hebreje Sheol dhe i asaj greke Hades. Në Biblat gjermanisht, fjala që përdoret për «ferr» është Hoelle; në portugalisht dhe italisht fjala është inferno, në spanjisht infierno dhe në frëngjisht enfer. Përkthimi shqip i 1884-ës i katër librave të Shkrimeve Hebreje nga shtypshkronja «A. H. Bojaxhiani», dhe përkthimi i 1910-ës nga shtypshkronja «Bashkimi i Kombit» përdorën fjalën «varr» kur teksti origjinal përdor Sheol. Përkthimi i 1910-ës përdor gjithashtu fjalën «hadht» (prej greqishtes Hades) për të përkthyer fjalën hebraisht Sheol. Në Shkrimet Greke, përkthimi shqip i Don Simon Filipaj-t përdor 4 herë fjalën «ferr», 5 herë fjalën «nëntokë» dhe një herë «bota e të vdekurve» për të dhjetë herët kur në greqisht shfaqet fjala Hades.—Mateu 11:23; 16:18; Luka 10:15; 16:23; Veprat 2:27, 31; Zbulesa 1:18; 6:8; 20:13, 14.
5. Çfarë pyetjesh ngrihen mbi Sheolin dhe Hadesin?
5 Pyetja është: çfarë vendi është Sheoli apo Hadesi? Fakti se shumë përkthime të Biblës, duke përfshirë edhe ato në shqip, përdorin «varr», «nëntokë» dhe «ferr» për të përkthyer Sheol dhe Hades tregon se ato kanë kuptim të njëjtë. Nëse «ferri» nënkupton varrin e përbashkët njerëzor, atëherë nuk mund të nënkuptojë njëkohësisht edhe vendin e mundimeve të zjarrta. Mirë, pra atëherë, Sheoli dhe Hadesi nënkuptojnë varrin apo një vend mundimesh?
6. (a) Si tregon Bibla se Sheoli dhe Hadesi kanë kuptim të njëjtë? (b) Çfarë tregon fakti se Jezui ka qenë në Hades?
6 Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të qartësojmë nëse fjala hebreje Sheol dhe ajo greke Hades kanë të njëjtin kuptim. Kjo është e dukshme kur shohim Psalmin 16:10 në Shkrimet Hebreje dhe Veprat 2:31 në Shkrimet Greke të krishtere. Të dyja këto shkrime mund t’i shohësh në faqen përbri. Vërej se duke cituar Psalmin 16:10, ku në tekstin origjinal hebraisht gjendet fjala Sheol, Veprat 2:31 përdorin Hades. Në përkthimin shqip, Psalmi përdor «hadht» në vend të Sheol. Të dy fjalët Hades dhe Sheol, pra, kanë të njëjtin kuptim. Vërej gjithashtu, se Jezu Krishti ishte në Hades ose ferr. A duhet të besojmë se Perëndia e mundoi Krishtin në një ferr të zjarrtë? Në asnjë mënyrë! Jezui ishte thjesht në varrin e tij.
7, 8. Si na dëshmon ajo që thuhet mbi Jakobin dhe birin e tij Jozefin, si dhe Jobin, se Sheoli nuk është vend mundimesh?
7 Kur Jakobi ishte i pikëlluar për birin e vet të dashur, Jozefin, duke besuar se atë ia kishin vrarë, tha: «Do të zbres duke vajtuar pas birit tim në Sheol!» (Zanafilla 37:35) Le të ndalemi tani e të mendojmë për një çast. A besonte Jakobi, se biri i tij Jozefi kishte shkuar në një vend mundimesh përgjithmonë? A donte edhe ai të shkonte pas tij atje? Apo, mendonte më mirë, se biri i tij i dashur kishte vdekur, në varr, prandaj edhe ai vetë dëshironte të vdiste?
8 Po, edhe njerëzit e mirë shkojnë në ferrin biblik. Për shembull, Jobi i mirë iu lut Perëndisë: «Oh, sikur të doje të më fshihje në Sheol, . . . të më jepje afat e të më përmendje!» (Jobi 14:13) Tani mendo: Nëse Sheoli do të thotë një vend mundimesh të zjarrta, a do të dëshironte Jobi të shkonte dhe të mbetej atje, derisa Perëndia të kujtohej për të? Është e qartë, Jobi donte të vdiste e të shkonte në varr, për t’iu dhënë kështu fund vuajtjeve të veta.
9. (a) Në ç’gjendje janë të vdekurit në Sheol? (b) Çfarë janë, pra, Sheoli dhe Hadesi?
9 Në asnjë vend në Bibël fjala Sheol nuk vihet në lidhje me jetën, me veprimin apo mundimin. Përkundrazi, përmendet shpesh në lidhje me vdekjen dhe mosveprimin. Për shembull, të kujtojmë se ç’shkruhet në Eklisiastiun 9:10 «Çdo që gjen dora jote për të bërë, bëj-e me fuqinë t’ënde; sepse nukë ka punë, as mendim as dituri, as urtësi ndë varrt [Sheolin, NW] ndë të-cilët vete.» (Përkthim BK) Përgjigjja, pra, është shumë e qartë. Sheoli dhe Hadesi nuk nënkuptojnë vendin e mundimeve, por varrin e përgjithshëm njerëzor. (Psalmi 139:8) Si njerëzit e mirë, ashtu edhe ata të ligj shkojnë në ferrin biblik.
NGA FERRI MUND TË DILET
10, 11. Përse Jonai, kur u gjend në barkun e peshkut, tha se ishte në «ferr»?
10 A mund të dalin njerëzit nga «ferri»? Le të shqyrtojmë rastin e Jonait. Që ta shpëtonte nga fundosja, Perëndia shkaktoi që Jonain ta gëlltisë një peshk i madh. Nga barku i peshkut Jonai u lut: «Në pikëllim ngrita zërin tim nga Jehovai dhe më dëgjoi; nga barku i Sheolit [ferrit, Bibla Allioli, Douay, King James] bërtita, dhe ti e dëgjove zërin tim.»—Jonai 2:2.
11 Çfarë ka menduar Jonai, kur ka thënë «nga barku i ferrit»? Barku i atij peshku me siguri nuk ishte vend i mundimeve të zjarrta. Por, ai mund të bëhej varr i Jonait. Në fakt, Jezu Krishti ka thënë për veten: «Ashtu si Jonai qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri netë, edhe Biri i njeriut do të banoj në prehër të tokës tri ditë e tri netë.»—Mateu 12:40, St.
12. (a) Çfarë prove kemi se mund të dilet nga ferri? (b) Ç’fakte të tjera kemi, se me shprehjen «ferr» nënkuptohet «varri»?
12 Jezui qëndroi për tri ditë i vdekur në varr. Por Bibla thotë se ai «nuk u la në vendbanimin e të vdekurve [në ferr, Luter Bibla, botimi origjinal] . . . Atë, Jezuin pra, Perëndia e ka ringjallur.» (Veprat 2:31, 32, St) Po kështu edhe Jonai, nën drejtimin e Perëndisë u ngrit nga Sheoli, domethënë nga barku i peshkut, që mund të bëhej varri i tij. Kjo ndodhi, kur peshku e volli në tokë të thatë. Po, njerëzit mund të dalin nga ferri! Këtë mund ta shohim edhe te Zbulesa 20:13, ku thuhet: «Edhe deti dha të vdekurit që ishin në të edhe mortja [vdekja] edhe hadhi dhanë të vdekuritë që ishin ndër ata.»—Përkthim BK.
GEHENA DHE LIQENI I ZJARRTË
13. Cila fjalë tjetër greke, e përmendur në Bibël 12 herë, përkthehet me «ferr» apo «zjarr i ferrit» në disa Bibla?
13 Tani, ndokush mund të kundërshtojë: «Por Bibla flet mbi ‘zjarrin e ferrit’ dhe ‘liqenin e zjarrtë’. A nuk përbën kjo një provë që ferri është një vend mundimi?» Është e vërtetë, se disa përkthime të Biblës, si Besëlidhja e Re (Don Simon Filipaj), Përkthimi Daniçiq-Karaxhiq dhe parafrazimi Dhiata e Re dhe Psalmet flasin mbi «zjarrin e ferrit» dhe mbi hedhjen «në ferr, në zjarrin e pashuar.» (Mateu 5:22; Marku 9:43) Në Shkrimet Greke të krishtere gjejmë 12 citate në të cilat Bibla Luther fjalën greke Gehena e përkthen me «ferr» apo «zjarr i ferrit». A është Gehena me të vërtetë vend i mundimeve të zjarrta, përderisa Hades, kur përkthehet «ferr» paraqet vetëm «varrin»?
14. Çfarë është Gehena dhe ç’bëhej atje?
14 Është e qartë, se fjala hebreje Sheol dhe fjala greke Hades do të thonë «varr». Ç’është atëherë Gehena? Në Shkrimet Hebreje Gehena është «lugina Hinom». Mos harro, kështu quhej lugina jashtë mureve të Jeruzalemit, ku izraelitët flijonin fëmijët e tyre, duke i hedhur në zjarr. Më vonë, mbreti i mirë Josia e bëri të papërdorshme për një rit kaq të tmerrshëm. (2. Mbretërve 23:10) Atëherë, ajo u kthye në një plehërishtë të madhe.
15. (a) Për çfarë qëllimi shërbente Gehena në kohën e Jezuit? (b) Çfarë nuk është hedhur kurrë atje?
15 Pra, gjatë jetës së Jezuit në Tokë, Gehena ishte plehërishtë e Jeruzalemit. Me shtimin e squfurit mbahej i ndezur zjarri për djegien e hedhurinave. Smith’s Dictionary of the Bible (Fjalori biblik i Smith-it), volumi 1, shpjegon: «U bë plehërishtja e përbashkët e qytetit, ku hidheshin kufomat e kriminelëve dhe të kafshëve, si dhe çdo fëlliqësi tjetër.» Por, ama, asnjë krijesë e gjallë nuk është hedhur në të.
16. Çfarë dëshmie kemi se Gehena përdoret si simbol i shkatërrimit të përhershëm?
16 Duke e njohur plehërishtën e qytetit të tyre, banorët e Jeruzalemit e kuptuan se çka pasur ndër mend Jezui kur u tha udhëheqësve të ligj fetarë: «Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do t’i ikni gjyqit të Gehenës?» (Mateu 23:33) Jezui me siguri nuk ka menduar se ata udhëheqës fetarë do të mundohen. Sepse Perëndia, kur pa se si izraelitët i digjnin në atë luginë fëmijët e tyre të gjallë, tha se një gjë e tillë e tmerrshme kurrë nuk i kishte ardhur në zemër. Pra, Jezui e ka përdorur Gehenën si simbol të përshtatshëm të shkatërrimit të plotë dhe të përhershëm. Ai mendonte, se udhëheqësit e ligj fetarë nuk ishin të denjë për ringjallje. Dëgjuesit e Jezuit ishin në gjendje për të kuptuar, se ata që shkonin në Gehenë, do të shkatërroheshin përgjithmonë, ngjashëm hedhurinave.
17. Ç’është «liqeni i zjarrtë» dhe çfarë prove kemi për këtë?
17 Ç’është atëherë «liqeni i zjarrtë» që përmendet në librin biblik të Zbulesës? Ai ka një domethënie të ngjashme me Gehenën. Pra, ai nuk nënkupton një mundim të vetëdijshëm, por shkatërrimin apo vdekjen e përhershme. Vërej se ç’thotë vetë Bibla në lidhje me këtë, sipas Zbulesës 20:14: «Dhe vdekja dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrtë. Liqeni i zjarrtë do të thotë vdekja e dytë.» Po, liqeni i zjarrtë do të thotë «vdekja e dytë», vdekje nga e cila nuk ka ringjallje. Është e dukshme se liqeni i zjarrtë është simbolik, sepse në të hidhen vdekja dhe ferri (Hadesi). Vdekja dhe ferri nuk mund të digjen me të vërtetë. Mirëpo ato mund të eliminohen dhe të shkatërrohen, siç do të ndodhë në të vërtetë.
18. Çfarë nënkuptohet me atë se Djalli do të mundohet përgjithmonë në «liqenin e zjarrtë»?
18 Ndokush mund të thotë: «Por Bibla thotë, se Djalli «do të mundohet përgjithmonë në liqenin e zjarrtë.» (Zbulesa 20:10) Ç’do të thotë kjo? Në kohën kur jetonte Jezui në Tokë, rojtarët e burgut quheshin «mundues». Në një nga ilustrimet e tij, Jezui tha për dikë: «Atëherë, zotëria i tij, plot hidhërim, ia dorëzoi munduesve, derisa t’i kthente të gjithë borxhin.» (Mateu 18:34, St) Ata që hidhen në «liqenin e zjarrtë» shkojnë në «vdekjen e dytë», nga e cila nuk ka ringjallje. Mbeten, pra, përgjithmonë të burgosur në vdekje. Kjo është njësoj sikur të jenë përgjithmonë nën kujdesin e rojeve të burgut. Natyrisht, të ligjtë nuk do të mundohen me të vërtetë, sepse siç kemi vërejtur, ai që vdes nuk ekziston. Është në gjendje të pavetëdijshme.
I PASURI DHE LAZARI
19. Si e dimë se fjalët e Jezuit mbi të pasurin dhe Lazarin janë vetëm një ilustrim?
19 Por ç’kishte ndër mend Jezui, kur tha në një ilustrim: «Edhe i-vobeku vdiq, edhe u pru nga ëngjëjtë ndë gjit’ t’Avraamit. Vdiq edhe i pasuri, edhe ukall ndë varr. Edhe ndë hadht [në ferr, DSF] tek ishte ndë mundime, ngriti syt’ e ti, e sheh Avraaminë së-largu, edhe Llazarinë ndë gjit t’ati.» (Luka 16:19-31, BK) Pasi Hadesi, siç e kemi parë, ka të bëjë me varrin e përbashkët të njerëzimit e jo me vendin e mundimeve, është e qartë se këtu Jezui tregonte për një ilustrim apo tregim. Për ta qartësuar se bëhet fjalë për një ilustrim e jo për një tregim të vërtetë, mendo: A është ferri me të vërtetë aq afër qiellit, saqë ai që gjendet në të mund të bisedojë me ndokënd që është në qiell? Nëse i pasuri gjendej me të vërtetë në një liqen të zjarrtë, si mund atëherë Abrahami ta dërgonte atje Lazarin që vetëm me një pikë ujë në majë të gishtit t’i freskonte gjuhën të pasurit? Çfarë ka dashur, pra, të ilustrojë Jezui me këtë?
20. Çfarë paraqesin në këtë ilustrim (a) i pasuri? (b) Lazari? (c) vdekja e të dyve? (ç) mundimet e të pasurit?
20 I pasuri përfaqësonte udhëheqësit mendjemëdhenj fetarë që e kanë kundërshtuar dhe vrarë më vonë Jezuin. Lazari paraqet popullin e thjeshtë që e ka pranuar Birin e Perëndisë. Vdekja e të pasurit dhe Lazarit nënkupton një ndryshim në gjendjen e tyre. Ky ndryshim ndodhi atëherë, kur Jezui filloi në mënyrë frymore t’i ushqejë njerëzit e lënë pas dore, ngjashëm Lazarit, me ç’gjë ata arritën nën mëshirën e Abrahamit më të Madh, Perëndisë Jehova. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e rremë fetarë «vdiqën» në lidhje me mëshirën e Perëndisë. Pasi u dëbuan, duruan mundime, kur ithtarët e Jezuit zbuluan veprat e tyre të liga. (Veprat 7:51-57) Pra, ky ilustrim nuk mëson se disa njerëz të vdekur do të mundohen me të vërtetë në zjarrin e ferrit.
MËSIME TË FRYMËZUARA NGA DJALLI
21. (a) Çfarë gënjeshtrash ka përhapur Djalli? (b) Përse mund të jemi të sigurt se mësimi mbi purgatorin është i rremë?
21 Djalli i tha Evës: «Me siguri nuk do të vdesësh.» (Zanafilla 3:4; Zbulesa 12:9) Por, ajo megjithatë vdiq; asnjë pjesë e saj nuk jetoi më tej. Mësimi se shpirti jeton edhe pas vdekjes, është gënjeshtër që rrjedh nga Djalli. Gjithashtu, mësimi se shpirtrat e ligj mundohen në ferr apo purgator, është gënjeshtër, që e ka përhapur Djalli. Pasi Bibla tregon qartë se të vdekurit janë pa vetëdije, këto mësime nuk mund të jenë të vërteta. Është fakt, se në Bibël nuk gjejmë as fjalën «purgator» e as ndonjë ide mbi purgatorin.
22. (a) Çfarë kemi mësuar nga ky kapitull? (b) Si ka ndikuar te ty kjo njohuri?
22 Kemi parë se ferri është një vend prehje me shpresë për të vdekurit. Atje shkojnë dhe presin ringjalljen si njerëzit e mirë, ashtu edhe ata të ligj. Kemi mësuar se Gehena nuk është vend i mundimeve, por Bibla e përdor atë si simbol të shkatërrimit të përhershëm. Gjithashtu, «liqeni i zjarrtë» nuk është me të vërtetë një vend i zjarrtë, por paraqet «vdekjen e dytë» nga e cila nuk ka ringjallje. Ferri nuk mund të jetë vend mundimesh, sepse një mendim të tillë Perëndia nuk e ka pasur kurrë, as në mendje e as në zemër. Përveç kësaj, është kundër drejtësisë që ndokush të mundohet përgjithmonë, sepse ka gabuar vetëm disa vite në Tokë. Sa gjë e mirë është të dihet e vërteta mbi të vdekurit! Kjo me të vërtetë mund ta lirojë cilindo nga frika dhe bestytnia.—Gjoni 8:32.
[Kutia në faqen 83]
Fjala hebreje «Sheol» dhe fjala greke «Hades» kanë domethënie të njëjtë
Hadht (hadhi) = Sheol në hebraisht dhe Hades në greqisht
10 Sepse nukë dotë lësh shpirtinë t’ im ndë hadht, as dotë lësh Shënjtinë tënt të shohë prishje.
31 E pa që më përpara edhe foli për të-ngjallurit’ e Krishtit, se shpirti i ati nuk’ ula ndë hadht, as mishi i ati nukë pa prishje.
[Figura në faqet 84, 85]
Përse Jonai, pasi është gëlltitur nga peshku ka thënë: «Nga barku i ferrit bërtita?»
[Figura në faqen 86]
Gehena ishte një luginë jashtë Jeruzalemit. Është përdorur si simbol i vdekjes së përhershme