Kjo është trashëgimia jonë frymore
«Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait.»—ISA. 54:17.
1. Çfarë ka ruajtur me dashuri Jehovai për dobinë e njerëzimit?
JEHOVAI, ‘Perëndia i gjallë e i përjetshëm’, e ka ruajtur mesazhin e tij jetëdhënës për njerëzimin. S’ka pikë dyshimi që ky mesazh do të mbetet, sepse «fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë». (1 Pjet. 1:23-25) Sa mirënjohës i jemi Jehovait që i ka ruajtur me dashuri këto informacione jetësore në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël!
2. Çfarë ka ruajtur Perëndia në Fjalën e tij të shkruar që ta përdorë populli i vet?
2 Në Fjalën e tij, Perëndia ka ruajtur emrin e tij që zgjodhi vetë, që ta përdorë populli i tij. Shkrimet e përmendin për herë të parë ‘Perëndinë Jehova’ kur tregojnë për ‘historinë e qiejve dhe të tokës’. (Zan. 2:4) Emri i Perëndisë u skalit disa herë në pllakat e gurit me Dhjetë Urdhërimet me anë të një mrekullie. Për shembull, urdhërimi i parë niste kështu: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt.» (Dal. 20:1-17) Emri i Perëndisë rron ngaqë Zotëria Sovran Jehova i ka ruajtur Fjalën dhe emrin e tij pavarësisht nga të gjitha përpjekjet satanike për t’i shuar.—Psal. 73:28.
3. Çfarë ka ruajtur Perëndia, ndonëse shtrembërimet fetare gjenden me bollëk?
3 Në Fjalën e tij, Jehovai ka ruajtur edhe të vërtetën. Ndonëse shtrembërimet fetare gjenden me bollëk në mbarë botën, i jemi mirënjohës Perëndisë që na ka dhënë dritën frymore dhe të vërtetën. (Lexo Psalmin 43:3, 4.) Ndërsa pjesa dërrmuese e njerëzimit ecën në errësirë, ne vazhdojmë të ecim me gëzim në dritën frymore që na jep Perëndia.—1 Gjon. 1:6, 7.
KEMI NJË TRASHËGIMI QË DUHET ÇMUAR
4, 5. Cilin privilegj të veçantë kemi që nga viti 1931?
4 Si të krishterë kemi një trashëgimi të vyer. Një fjalor thotë: «Trashëgimia e një vendi përfshin tërë cilësitë, traditat ose aspektet e jetës që kanë vazhduar për shumë vjet dhe kanë kaluar brez pas brezi.» (Collins Cobuild English Dictionary) Trashëgimia jonë frymore përfshin bekimin që kemi njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë dhe një kuptueshmëri të qartë për të vërtetën për Të e për qëllimet e tij. Gjithashtu, ajo përfshin një privilegj shumë të veçantë.
5 Ky privilegj u bë pjesë e trashëgimisë sonë frymore më 1931, në kongresin në Kolumbus, Ohajo, SHBA. Në programin e kongresit ishin shkruar germat «JW». Një motër tha: «Shumë hamendeshin për kuptimin e inicialeve JW.» Deri atëherë quheshim Studentë të Biblës, por të dielën, më 26 korrik 1931, me anë të një rezolute, morëm emrin Dëshmitarë të Jehovait (Jehovah’s Witnesses në anglisht). Sa drithëruese ishte të merrnim këtë emër biblik! (Lexo Isainë 43:12.) Një vëlla kujtonte: «Kurrë nuk do t’i harroj brohoritjet dhe duartrokitjet e fuqishme që kumbuan në vendin ku ishim mbledhur.» Askush tjetër në botë nuk e ka dashur atë emër, por Perëndia na ka bekuar që ta përdorim për më tepër se tetë dekada. Ç’privilegj i veçantë të jemi Dëshmitarë të Jehovait!
6. Cilat informacione të sakta përfshin trashëgimia jonë frymore?
6 Trashëgimia jonë frymore përfshin një pasuri me informacione të sakta dhe të vlefshme nga e kaluara. Për shembull, të mendojmë për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Këta patriarkë dhe familjet e tyre duhet të kenë diskutuar se si t’i pëlqenin Jehovait. Prandaj, s’habitemi që Jozefi i ndershëm hodhi poshtë imoralitetin seksual që të mos ‘mëkatonte kundër Perëndisë’. (Zan. 39:7-9) Po ashtu, u përcollën gojarisht ose me anë të shembullit edhe tradita të krishtere. Midis tyre ishin disa detaje për Darkën e Zotërisë që apostulli Pavël ua kaloi kongregacioneve të krishtere. (1 Kor. 11:2, 23) Sot, hollësitë që na nevojiten për ta adhuruar Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë» janë pjesë e Fjalës së tij të shkruar. (Lexo Gjonin 4:23, 24.) Bibla është për ndriçimin e gjithë njerëzimit, por ne si shërbëtorë të Jehovait e çmojmë në veçanti.
7. Cilin premtim zemërdhënës përfshin trashëgimia jonë?
7 Pjesërisht, trashëgimia jonë frymore përbëhet nga tregimet e botuara në kohët moderne që provojnë se ‘Jehovai është në krahun tonë’. (Psal. 118:7) Kjo na bën të ndihemi të sigurt edhe kur na përndjekin. Një pjesë zemërdhënëse e trashëgimisë sonë frymore që shtohet gjithnjë e më tepër është edhe ky premtim: «‘Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait dhe drejtësia e tyre vjen nga unë’,—thotë Jehovai.» (Isa. 54:17) Asnjë armë nga arsenali i Satanait nuk mund të na shkaktojë dëm të përhershëm.
8. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë vijues?
8 Satanai është orvatur të asgjësojë Fjalën e Perëndisë, të shuajë emrin Jehova dhe të mbytë të vërtetën. Por, sigurisht ai s’mund të matet me Jehovain, që i ka bërë të shkojnë huq të gjitha këto përpjekje. Në këtë artikull dhe në atë vijues do të shohim (1) si e ka ruajtur Perëndia Fjalën e tij; (2) si është kujdesur Jehovai të ruajë emrin e tij dhe (3) në ç’kuptim Ati ynë qiellor është Burimi dhe Ruajtësi i së vërtetës që kemi.
JEHOVAI E KA RUAJTUR FJALËN E TIJ
9-11. Cilët shembuj tregojnë se Bibla u ka mbijetuar sulmeve të ndryshme?
9 Jehovai e ka ruajtur Fjalën e tij ndonëse dukej e pamundur. Enciklopedia Katolike (Enciclopedia Cattolica) thotë: «Më 1229, Këshilli i Tuluzës i ndaloi laikët t’i përdornin [Biblat në gjuhën amtare] për shkak të luftës kundër albigezëve dhe valdezëve. . . . Asambleja e mbajtur më 1234 në Tarragonë, Spanjë, nën drejtimin e Haimes I nxori një ndalim të ngjashëm. . . . Selia e papës ndërhyri në këtë çështje për herë të parë më 1559 kur në Treguesin e Palit IV u ndalua shtypja dhe zotërimi i Biblave amtare pa lejen e Zyrës së Shenjtë.»
10 Pavarësisht nga sulmet e ndryshme kundër saj, Bibla është ruajtur. Rreth vitit 1382, Xhon Uajklifi dhe bashkëpunëtorët e tij nxorën përkthimin e parë të Biblës në anglisht. Një përkthyes tjetër i Biblës ishte Uilliam Tindali, të cilin e ekzekutuan më 1536. Thuhet se, kur ishte i lidhur në shtyllë, ai thirri: «O Zot, hapja sytë mbretit të Anglisë!» Pas kësaj e mbytën dhe e dogjën.
11 Bibla ka mbijetuar përballë kundërshtimit. Për shembull, më 1535, doli në qarkullim përkthimi në anglisht i Biblës nga Majls Koverdali. Ky përdori përkthimin e Tindalit të «Dhiatës së Re» dhe të «Dhiatës së Vjetër» nga Zanafilla deri te librat e Kronikave. Ai përktheu pjesë të tjera të Shkrimeve nga latinishtja dhe nga Bibla e Martin Luterit në gjermanisht. Sot, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re vlerësohet për qartësinë, për besnikërinë ndaj tekstit biblik dhe për dobinë në shërbim. Gëzojmë që asnjë fuqi demonike ose njerëzore nuk do të pengojë kurrë ruajtjen e Fjalës së Jehovait.
JEHOVAI E KA RUAJTUR EMRIN E TIJ
12. Ç’rol ka luajtur Përkthimi Bota e Re në ruajtjen e emrit të Perëndisë?
12 Perëndia Jehova është kujdesur që emri i tij të ruhet në Fjalën e vet. Në këtë aspekt, Përkthimi Bota e Re po luan rol të rëndësishëm. Në hyrjen e tij, komiteti i përkthyesve të kushtuar shkroi: «Veçoria parësore e këtij përkthimi është rivendosja e emrit të Perëndisë në vendin e duhur në tekstin e Biblës. Forma gjerësisht e pranuar në shqip ‘Jehova’, është përdorur 6.973 herë në Shkrimet Hebraike dhe 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke.» Përkthimi Bota e Re tani është në dispozicion, i tëri ose pjesërisht, në më tepër se 116 gjuhë dhe janë shtypur më shumë se 178.545.862 kopje.
13. Pse mund të thuhet se njerëzit e kanë ditur emrin e Perëndisë që kur u krijuan?
13 Njerëzit e kanë ditur emrin e Perëndisë që kur u krijuan. Adami dhe Eva e njihnin atë dhe dinin mirë si ta shqiptonin. Kur Kami nuk tregoi respekt për të atin pas Përmbytjes, Noeja tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Semit, ndërsa Kanaani [biri i Kamit] u bëftë skllavi i tij!» (Zan. 4:1; 9:26) Vetë Perëndia shpalli: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.» Gjithashtu, Perëndia tha: «Unë jam Jehovai, dhe nuk ka asnjë tjetër. Veç meje, nuk ka tjetër Perëndi.» (Isa. 42:8; 45:5) Jehovai është siguruar që emri i tij të ruhet dhe të bëhet i njohur në mbarë tokën. Sa të privilegjuar jemi që përdorim emrin Jehova dhe shërbejmë si Dëshmitarë të tij! Në fakt, ne thërrasim: «Në emër të Perëndisë tonë do të valëvitim flamuj.»—Psal. 20:5.
14. Përveç Biblës, ku tjetër mund të gjendet emri i Perëndisë?
14 Emri i Perëndisë nuk del vetëm në Bibël. Të marrim si shembull Gurin e Moabit, gjetur në Diban (Dibon), 21 kilometra në lindje të Detit të Vdekur. Në gur përmendet mbreti i Izraelit, Omri, si dhe jepet versioni i mbretit moabit, Mesha, për revoltën e tij kundër Izraelit. (1 Mbret. 16:28; 2 Mbret. 1:1; 3:4, 5) Gjithsesi, Guri i Moabit është me interes të veçantë ngaqë emri i Perëndisë shfaqet në të në formën e Tetragramit. Gjithashtu, Tetragrami del vazhdimisht në Letrat e Lakishit, copa qeramike të gjetura në Izrael.
15. Çfarë është Septuaginta dhe pse u bë?
15 Përkthyes të hershëm të Biblës bënë pjesën e tyre për të ruajtur emrin e Perëndisë. Shumë judenj nuk u kthyen në Judë dhe në Izrael pas mërgimit në Babiloni nga viti 607 p.e.s. deri në vitin 537 p.e.s. Në shekullin e tretë p.e.s., Aleksandria e Egjiptit ishte bërë shtëpia e shumë judenjve, të cilët kishin nevojë për një përkthim të Shkrimeve Hebraike në greqisht, në atë kohë një gjuhë ndërkombëtare. Ky version është Septuaginta dhe përfundoi në shekullin e dytë p.e.s. Disa kopje të saj përmbajnë emrin Jehova në formën hebraike.
16. Jepni një shembull të përdorimit të emrit të Perëndisë në një libër të botuar për herë të parë më 1640.
16 Emri i Perëndisë gjendet në Librin e Psalmeve të Gjirit (Bay Psalm Book), botimi i parë në kolonitë amerikane të Anglisë. Botimi i tij origjinal (shtypur më 1640) përmban Psalmet, të përkthyera nga hebraishtja në anglishten e asaj kohe. Aty përdoret emri i Perëndisë në fragmente të tilla, si Psalmi 1:1, 2, ku thuhet se «një njeri i bekuar» nuk ndjek këshillat e të ligjve, «por gjen kënaqësi të thellë në ligjin e Iehovait». Për më tepër informacione rreth emrit të Perëndisë, shihni broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë (angl.).
JEHOVAI RUAN TË VËRTETËN FRYMORE
17, 18. (a) Si do ta përkufizonit fjalën «e vërteta»? (b) Çfarë përfshin ‘e vërteta e lajmit të mirë’?
17 Ne i shërbejmë me gëzim ‘Jehovait, Perëndisë të së vërtetës’. (Psal. 31:5) Një fjalor thotë: «E vërteta për diçka përfshin të gjitha faktet për të dhe jo gjërat e imagjinuara ose të sajuara.» (Collins Cobuild English Dictionary) Në hebraishten e Biblës, termi i përkthyer shpesh «e vërteta» lidhet me diçka që është e vërtetë, e besueshme, e saktë ose faktike. Fjala greke e përkthyer «e vërteta» tregon diçka që përputhet me faktet ose me atë që është e duhur dhe e drejtë.
18 Jehovai e ka ruajtur të vërtetën frymore. Njohurinë për të na e ka vënë në dispozicion me bollëk dhe ajo vazhdon të shtohet. (2 Gjon. 1, 2) Kuptueshmëria jonë për të vërtetën bëhet gjithnjë e më e qartë, sepse «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë». (Prov. 4:18) Natyrisht, jemi plotësisht dakord me Jezuin që i tha në lutje Perëndisë: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Fjala e shkruar e Perëndisë përmban ‘të vërtetën e lajmit të mirë’, e cila përfshin tërë mësimet e krishtere. (Gal. 2:14) Ndër të tjera përfshihen fakte rreth emrit të Jehovait, sovranitetit të tij, flijimit shpërblyes të Jezuit, ringjalljes dhe Mbretërisë. Tani le të shqyrtojmë se si e ka ruajtur Perëndia të vërtetën, pavarësisht nga orvatjet e Satanait për ta mbytur.
JEHOVAI BËN TË DËSHTOJË NJË SULM NDAJ SË VËRTETËS
19, 20. Kush ishte Nimrodi? Cila orvatje dështoi në ditët e tij?
19 Pas Përmbytjes doli një thënie: «Ashtu si Nimrodi, një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait.» (Zan. 10:9) Si kundërshtar i Perëndisë Jehova, në të vërtetë Nimrodi adhuronte Satanain dhe ishte si ata kundërshtarë, të cilëve Jezui u tha: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai . . . nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën.»—Gjoni 8:44.
20 Mbretëria e Nimrodit përfshinte Babelin e qytete të tjera mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. (Zan. 10:10) Ndoshta nën drejtimin e tij nisi ndërtimi i Babelit dhe i kullës së tij, rreth vitit 2269 p.e.s. Në kundërshtim me vullnetin e Jehovait që njerëzit të shpërndaheshin në mbarë tokën, ata ndërtues thanë: «Oburra! Le të ndërtojmë një qytet dhe një kullë, maja e së cilës të arrijë deri në qiej, e të bëjmë emër, që të mos shpërndahemi në gjithë faqen e tokës.» Por iu desh të hiqnin dorë nga ai plan kur Perëndia «ngatërroi gjuhën e gjithë tokës» dhe i shpërndau ata që donin të ndërtonin kullën. (Zan. 11:1-4, 8, 9) Kështu, nëse Satanai kishte planifikuar të niste një fe të re ku të gjithë ta adhuronin, komploti i tij dështoi krejt. Gjatë gjithë historisë, adhurimi i Jehovait ka ngadhënjyer dhe po merr hov ditë pas dite.
21, 22. (a) Pse feja e rreme nuk e ka kërcënuar kurrë seriozisht adhurimin e vërtetë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 Feja e rreme nuk e ka kërcënuar kurrë seriozisht adhurimin e vërtetë. Pse? Sepse Mësuesi ynë i Madh është kujdesur të ruajë Fjalën e tij të shkruar, ia ka bërë vazhdimisht të ditur njerëzimit emrin e tij dhe ka qenë Burimi i pashtershëm i së vërtetës frymore. (Isa. 30:20, 21) Adhurimi i Perëndisë në përputhje me të vërtetën na sjell gëzim, por kjo kërkon të qëndrojmë vigjilentë frymësisht, duke u mbështetur plotësisht te Jehovai dhe duke ndjekur drejtimin e frymës së tij të shenjtë.
22 Në artikullin vijues, do të përshkruajmë zhvillimin e disa doktrinave të rreme. Do të shohim se ato shemben kur vihen në provë nën dritën e Shkrimeve. Për më tepër, do të shohim se si Ruajtësi i pakrahasueshëm i së vërtetës, Jehovai, na ka bekuar me mësime të vërteta që i çmojmë si pjesë të trashëgimisë sonë frymore.