«Gjykatësi i gjithë tokës» bën gjithmonë atë që është e drejtë
«Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi.»—LIGJ. 32:4.
1. Si shprehu siguri të plotë Abrahami te ndjenja e drejtësisë së Jehovait? (Shih figurën hapëse.)
«A NUK do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?» (Zan. 18:25) Me këtë pyetje, Abrahami shprehu sigurinë e plotë se Jehovai do të gjykonte me drejtësi të përsosur në rastin e Sodomës dhe Gomorrës. Abrahami ishte i bindur se Jehovai s’do të vepronte kurrë padrejtësisht duke ‘vrarë të drejtin bashkë me të ligun’. Për Abrahamin, kjo ‘as që mund të mendohej kurrë’. Rreth 400 vjet më vonë, Jehovai frymëzoi të thuhej për Atë vetë: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.»—Ligj. 31:19; 32:4.
2. Pse mund të thuhet se Jehovai e ka të pamundur të bëjë padrejtësi?
2 Pse Abrahami mund të shprehte sigurinë se Jehovai do të gjykonte gjithmonë me drejtësi? Sepse Jehovai është shembulli më i shkëlqyer i drejtësisë. E meqë Jehovai është standardi më i lartë i drejtësisë, mënyra si e sheh ai një çështje do të jetë gjithnjë e drejtë. Veç kësaj, siç thotë Fjala e tij e shkruar, «ai e do të drejtën dhe drejtësinë».—Psal. 33:5.
3. Jepni një shembull të padrejtësive që ndodhin sot në botë.
3 Njerëzve që e duan ndershmërinë u ngrohet zemra nga fakti që Jehovai është gjithmonë i drejtë, sepse kjo botë është fundosur në padrejtësi. Si pasojë, hera-herës njerëzit kanë rënë viktimë e padrejtësive skandaloze. Për shembull, disa janë dënuar dhe burgosur padrejtësisht. Vetëm pasi filluan të përdoreshin analizat e ADN-së për të rishqyrtuar çështjet gjyqësore, disa u liruan pasi kishin kaluar dekada të tëra në burg për krime që s’i kishin bërë. Burgosje të tilla të padrejta ngjallin acarim, e madje edhe zemërim. E megjithatë, për shërbëtorët e Perëndisë mund të jetë akoma më e vështirë të durojnë një lloj tjetër padrejtësie.
BRENDA KONGREGACIONIT
4. Si mund të vihet në provë besimi ynë?
4 Shërbëtorët e Perëndisë presin të përballen me disa padrejtësi jashtë kongregacionit të krishterë. Mirëpo, besimi ynë mund të vihet në provë nëse vërejmë ose përjetojmë diçka që na duket padrejtësi brenda kongregacionit. Si do të reagosh ti nëse mendon se të është bërë ndonjë padrejtësi në kongregacion ose në marrëdhëniet me një bashkëbesimtar? A do të lejosh që kjo të bëhet shkak pengese?
5. Pse s’duhet të habitemi nëse vërejmë ose përjetojmë padrejtësi brenda kongregacionit?
5 Meqë të gjithë jemi të papërsosur dhe robër të mëkatit, e dimë se ekziston mundësia që ose të na bëjnë një padrejtësi, ose t’i bëjmë ne vetë padrejtësi dikujt në kongregacion. (1 Gjon. 1:8) Ndonëse këto janë raste të rralla, të krishterët besnikë nuk habiten ose nuk pengohen kur ngjasin padrejtësi. Jo më kot Jehovai na jep këshilla praktike në Fjalën e tij për të na ndihmuar të mbajmë integritetin edhe nëse na trajtojnë me padrejtësi bashkëbesimtarët.—Psal. 55:12-14.
6, 7. Ç’padrejtësi përjetoi brenda kongregacionit një vëlla, dhe çfarë cilësish e ndihmuan që ta përballonte siç duhej atë situatë?
6 Mendo për përvojën e Uilli Dilit. Që nga viti 1931, vëlla Dili shërbeu me besnikëri në Bethelin e Bernës në Zvicër. Më 1946, ai ndoqi klasën e tetë të Shkollës së Galaadit në Nju-Jork, SHBA. Pak pas diplomimit, e caktuan në veprën qarkore në Zvicër. Në jetëshkrimin e tij, vëlla Dili tregonte: «Në maj të vitit 1949, e njoftova zyrën e Bernës se po planifikoja të martohesha.» Përgjigjja nga zyra e Bernës? «Asnjë privilegj tjetër përveç shërbimit si pionier i rregullt.» Vëlla Dili shpjegonte më tej: «Nuk më lejohej të mbaja fjalime . . . Shumë veta nuk na përshëndetnin më, duke na trajtuar si të ishim të përjashtuar.»
7 Si e përballoi atë situatë vëlla Dili? Ai thoshte: «Megjithatë, e dinim se të martoheshe nuk ishte diçka që binte ndesh me Shkrimet, prandaj gjetëm strehë te lutjet dhe u mbështetëm me besim te Jehovai.» Me kalimin e kohës, pikëpamja e gabuar për martesën që i dha shtysë asaj padrejtësie u ndreq, dhe vëlla Dilit iu kthyen privilegjet e shërbimit. Besnikëria e tij ndaj Jehovait u shpërblye.a Bëjmë mirë të pyesim veten: «Po të më bëhej një padrejtësi e tillë, a do t’i shihja edhe unë gjërat me sytë e besimit? A do të pritja me durim Jehovain, apo do të kisha prirjen ta merrja vetë situatën në dorë?»—Prov. 11:2; lexo Mikenë 7:7.
8. Pse mund të nxjerrësh gabimisht përfundimin se ti ose dikush tjetër keni qenë viktimë e një padrejtësie?
8 Nga ana tjetër, ka mundësi të kesh nxjerrë gabimisht përfundimin se ti ose një pjesëtar tjetër i kongregacionit keni qenë viktimë e një padrejtësie. Kjo mund të ndodhë ngaqë mënyra si i shohim gjërat është e papërsosur ose ngaqë nuk i dimë të gjitha faktet. Sido që të jetë, pavarësisht në e kemi kuptuar saktë apo gabim një situatë, mbështetja te Jehovai me anë të lutjeve, e ndërthurur me besnikërinë, do të na ndihmojë që kurrë të mos ‘tërbohemi kundër Jehovait’.—Lexo Proverbat 19:3.
9. Cilët shembuj do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në tjetrin?
9 Le të reflektojmë për tre raste padrejtësish që ndodhën mes popullit të Jehovait në kohët biblike. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë shembullin e Jozefit, stërnipit të Abrahamit, dhe çfarë vuajti ai për shkak të vëllezërve të tij. Në artikullin tjetër, do të ndalemi te mënyra si e trajtoi Jehovai Akabin, mbretin e Izraelit, si edhe te përvoja e apostullit Pjetër në Antioki të Sirisë. Ndërsa shqyrtojmë këta shembuj, përpiqu të nxjerrësh mësime që do të të ndihmojnë t’i përqendrosh sytë te Jehovai dhe të ruash marrëdhënien me të, sidomos kur mendon se ke qenë pre e një padrejtësie.
JOZEFI—VIKTIMË E PADREJTËSIVE
10, 11. (a) Cilat padrejtësi pësoi Jozefi? (b) Çfarë mundësie u krijua kur Jozefi ishte në burg?
10 Jozefit, një shërbëtori besnik të Jehovait, i bënë padrejtësi jo vetëm njerëz të huaj por, ç’ishte më e dhimbshmja, edhe vëllezërit e gjakut. Kur ishte nga fundi i adoleshencës, vëllezërit e rrëmbyen dhe e shitën si skllav. Pastaj, kundër vullnetit të tij, Jozefin e çuan në Egjipt. (Zan. 37:23-28; 42:21) Pas njëfarë kohe në atë vend të huaj, e akuzuan pa të drejtë për tentativë përdhunimi dhe e burgosën pa gjyq. (Zan. 39:17-20) Peripecitë që hoqi si skllav dhe si i burgosur zgjatën rreth 13 vjet. Çfarë mësimesh gjejmë te përvoja e Jozefit që mund të na ndihmojnë nëse na bën padrejtësi një bashkëbesimtar?
11 Jozefit iu krijua mundësia t’ia paraqiste çështjen e vet një të burgosuri tjetër. Ai i burgosur kishte qenë kreu i kupëmbajtësve të mbretit. Gjatë kohës që Jozefi dhe kupëmbajtësi ishin në burg së bashku, kupëmbajtësi pa një ëndërr që e interpretoi Jozefi. Ai sqaroi se kupëmbajtësi do të kthehej në pozitën e mëparshme në oborrin e faraonit. Kur i tregoi këtë interpretim të frymëzuar nga Perëndia, Jozefi shfrytëzoi rastin që t’i shpjegonte situatën e vet. Mund të nxjerrim mësime me vlerë jo vetëm nga ajo që tha Jozefi, por edhe nga ajo që nuk tha.—Zan. 40:5-13.
12, 13. (a) Si e tregojnë fjalët që i tha Jozefi kupëmbajtësit se ai nuk i pranonte në mënyrë pasive padrejtësitë që pësoi? (b) Cilat hollësi nuk përfshiu Jozefi në bisedën me kupëmbajtësin?
12 Lexo Zanafillën 40:14, 15. Vërejmë se, kur foli për veten, Jozefi tha se e kishin «rrëmbyer». Në kuptimin e mirëfilltë, termi i gjuhës origjinale do të thotë e kishin «vjedhur». Pa dyshim që ai ishte viktimë e padrejtësive. Gjithashtu, Jozefi e tha qartë se nuk ishte fajtor për krimin që e kishin burgosur. Nisur nga kjo, i kërkoi kupëmbajtësit që t’i fliste faraonit për të. Pse? Siç shpjegoi ai, synimi ishte që ‘ta nxirrnin nga ajo shtëpi’.
13 A ishin fjalët e Jozefit ato të një njeriu që e pranon në mënyrë pasive situatën e vet? Aspak. Ai e dinte për bukuri se ishte viktimë e shumë padrejtësive. Ia shpjegoi qartë faktet kupëmbajtësit, që më vonë ndoshta do të ishte në gjendje ta ndihmonte. Sidoqoftë, vërejmë se asgjë në Shkrime nuk tregon që Jozefi t’i ketë rrëfyer ndonjëherë dikujt—as edhe faraonit—se ata që e rrëmbyen ishin vëllezërit e vet. Në fakt, kur vëllezërit e tij shkuan në Egjipt dhe u pajtuan me Jozefin, faraoni i mirëpriti dhe i ftoi të banonin në Egjipt e të gëzonin «gjithë të mirat e vendit».—Zan. 45:16-20.
14. Çfarë do të na mbrojë që të mos biem në grackën e të folurit negativ, edhe nëse na bëhet padrejtësi në kongregacion?
14 Kur një i krishterë mendon se është viktimë e një padrejtësie duhet të bëjë kujdes të mos përfshihet në thashetheme të dëmshme. Pa diskutim që është krejtësisht me vend të kërkojë ndihmë nga pleqtë dhe t’i njoftojë nëse një pjesëtar i kongregacionit ka kryer një gabim serioz. (Lev. 5:1) Megjithatë, në shumë raste ku nuk përfshihet një mëkat i rëndë, është e mundur që mosmarrëveshja të zgjidhet pa përfshirë askënd tjetër, madje as pleqtë. (Lexo Mateun 5:23, 24; 18:15.) Le t’i përballojmë situata të tilla me besnikëri, në harmoni me parimet e Biblës. Në disa raste, mund të arrijmë të kuptojmë se në fund të fundit nuk ishim viktimë e një padrejtësie. Sa të kënaqur do të ndihemi që nuk e rënduam më keq situatën duke shpifur për një bashkëbesimtar! Të mbajmë ndër mend se, pavarësisht në kemi të drejtë apo jo, fjalët lënduese kurrë nuk e përmirësojnë situatën. Besnikëria ndaj Jehovait dhe ndaj vëllezërve tanë do të na mbrojë që të mos e bëjmë një gabim të tillë. Kur përshkroi njeriun «që ecën në mënyrë të patëmetë», psalmisti tha se ai «nuk shpif me gjuhën e tij, . . . nuk i bën asnjë të keqe shokut, dhe nuk thotë asgjë poshtëruese për atë që ka mik».—Psal. 15:2, 3; Jak. 3:5.
KUJTO MARRËDHËNIEN MË TË RËNDËSISHME PËR TY
15. Si u bë një bekim për Jozefin marrëdhënia që kishte me Jehovain?
15 Një mësim akoma më të rëndësishëm e gjejmë te marrëdhënia e Jozefit me Jehovain. Gjatë gjithë peripecisë së tij 13-vjeçare, Jozefi tregoi se i shihte gjërat nga pikëpamja e Jehovait. (Zan. 45:5-8) Nuk ia hodhi kurrë fajin Jehovait për situatën e tij. Edhe pse nuk i harroi padrejtësitë që hoqi, ai nuk u mbush me vrer prej tyre. Ç’është më e rëndësishmja, nuk lejoi që papërsosmëritë dhe veprimet e gabuara të të tjerëve ta ndanin nga Jehovai. Falë besnikërisë, Jozefi pati mundësi të shihte dorën e Jehovait kur i ndreqi padrejtësitë dhe kur e bekoi atë vetë e familjen e tij.
16. Pse duhet të afrohemi akoma më shumë me Jehovain nëse na bëhet padrejtësi në kongregacion?
16 Në mënyrë të ngjashme, ne duhet ta çmojmë si thesar dhe ta mbrojmë marrëdhënien me Jehovain. Kurrë të mos lejojmë që papërsosmëritë e vëllezërve tanë të na ndajnë nga Perëndia që duam dhe adhurojmë. (Rom. 8:38, 39) Në vend të kësaj, nëse një bashkadhurues na bën padrejtësi, le të imitojmë Jozefin dhe të afrohemi akoma më shumë me Jehovain, duke u përpjekur fort që t’i shohim gjërat siç i sheh Ai. Pasi të kemi bërë gjithë sa mundemi sipas parimeve biblike për ta zgjidhur problemin, duhet ta lëmë çështjen në dorë të Jehovait, të sigurt se ai do ta ndreqë në kohën dhe në mënyrën e tij.
KI BESIM TE «GJYKATËSI I GJITHË TOKËS»
17. Si mund të tregojmë se kemi siguri të plotë te «Gjykatësi i gjithë tokës»?
17 Për sa kohë të jetojmë në këtë sistem, mund të presim që të na bëhen padrejtësi. Në raste të rralla, ti ose dikush që njeh mund të përjetoni ose të vëreni diçka që duket si padrejtësi në kongregacion. Mos lejo që kjo të të pengojë. (Psal. 119:165) Në vend të kësaj, si shërbëtorë besnikë të Perëndisë, plot besim ne mbështetemi gjithmonë tek ai me lutje. Në të njëjtën kohë, e pranojmë me modesti se ka shumë të ngjarë të mos i dimë të gjitha faktet. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se problemi mund të jetë këndvështrimi ynë i papërsosur. Siç mësuam nga shembulli i Jozefit, duam ta shmangim të folurit negativ, pasi e dimë se kjo vetëm sa e rëndon më tepër një situatë të keqe. E së fundi, në vend që ta marrim vetë situatën në dorë, le të jemi të vendosur të tregohemi besnikë dhe të presim me durim që Jehovai t’i ndreqë gjërat. Kur ndjekim këtë rrugë, është e sigurt se do të shijojmë miratimin dhe bekimin e Jehovait, ashtu siç ndodhi me Jozefin. Po, mund të jemi të bindur se Jehovai, «Gjykatësi i gjithë tokës», do të bëjë gjithmonë atë që është e drejtë, «sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi».—Zan. 18:25; Ligj. 32:4.
18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
18 Në artikullin vijues, do të ndalemi te dy raste të tjera trajtimesh të padrejta që ndodhën mes popullit të Jehovait në kohët biblike. Shqyrtimi i këtyre tregimeve do të nxjerrë në pah si lidhen përulësia dhe gatishmëria për të falur me pikëpamjen e Jehovait për drejtësinë.
a Shih jetëshkrimin e Uilli Dilit, «Jehovai është Perëndia im, tek i cili do të kem besim», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1991, anglisht.