Beso në Jehovain dhe në Fjalën e tij
«Ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.»—PSALMI 9:10.
1. Përse mund të kemi ende besim në Jehovain dhe në Fjalën e tij, në botën tonë moderne?
NË BOTËN e sotme moderne, ftesa për të besuar në Jehovain dhe në Fjalën e tij, Biblën, mund të mos duket praktike dhe reale. Megjithatë, mençuria e Perëndisë i ka qëndruar provës së kohës. Krijuesi i burrit dhe i gruas është Nismëtari i martesës dhe i familjes dhe i njeh nevojat tona më mirë se askush tjetër. Pasi nevojat kryesore të njerëzve nuk kanë ndryshuar, edhe mënyrat thelbësore për t’i plotësuar ato kanë mbetur po të njëjtat. Këshilla e mençur e Biblës, edhe pse është shkruar shekuj më parë, siguron ende drejtimin më të mirë për të pasur sukses në jetë dhe në zgjidhjen e problemeve. Duke i vënë veshin asaj, do të kemi si rezultat një lumturi të bollshme edhe në këtë botë të sofistikuar e shkencore në të cilën jetojmë!
2. (a) Çfarë frytesh të mira ka prodhuar bindja ndaj urdhrave të Perëndisë në jetën e shërbëtorëve të Jehovait? (b) Ç’ka premtuar akoma Jehovai për ata që binden ndaj tij dhe Fjalës së tij?
2 Besimi në Jehovain dhe zbatimi i parimeve të Biblës sjell dobi praktike ditë për ditë. Prova për këtë gjejmë në jetën e miliona Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, të cilët kanë pasur bindjen dhe guximin të zbatojnë këshillat e Biblës. Për ta, besimi në Krijuesin dhe në Fjalën e tij ka dalë me një vlerë të madhe. (Psalmi 9:9, 10) Bindja ndaj urdhrave të Perëndisë i ka bërë ata njerëz më të mirë, për sa i përket pastërtisë, ndershmërisë, zellit për të punuar, respektit për jetën dhe gjërat e të tjerëve dhe për zakonet e përkora në të ngrënë e në të pirë. I ka bërë të kenë dashuri dhe stërvitje të përshtatshme brenda rrethit familjar, duke qenë mikpritës, të durueshëm, të mëshirshëm dhe falës, si edhe gjëra të tjera të shumta. Në një masë të madhe, ata kanë qenë në gjendje të shmangin frytet e këqija të zemërimit, urrejtjes, vrasjes, smirës, frikës, dembelizmit, krenarisë, gënjeshtrës, shpifjes, përzierjes seksuale dhe imoralitetit. (Psalmi 32:10) Por Perëndia bën më shumë, se vetëm një premtim për rezultate të mira për ata që mbajnë ligjet e tij. Jezui tha se ata që ndjekin udhën e krishterë tani, do të marrin «njëqindfish . . . nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje dhe në botën e ardhshme, jetën e përjetshme».—Marku 10:29, 30.
Të shmangim besimin në mençurinë botërore
3. Duke vazhduar të besojnë në Jehovain dhe në Fjalën e tij, me çfarë problemesh janë ballafaquar ndonjëherë të krishterët?
3 Një problem për njerëzit e papërsosur është se ata kanë prirjen të zvogëlojnë apo të harrojnë kërkesat e Perëndisë. Me lehtësi, ata fillojnë të mendojnë se mençuria e tyre është më e mirë apo se mençuria e inteligjencies së kësaj bote është më e lartë se ajo e Perëndisë, se është më e përditësuar. Edhe shërbëtorët e Perëndisë mund të zhvillojnë këtë qëndrim, pasi jetojnë mes kësaj bote. Prandaj, duke dhënë ftesën e dashur për t’i vënë veshin këshillës së tij, Ati ynë qiellor përfshin edhe paralajmërime të duhura: «Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja.»—Proverbat 3:1, 2, 5-7.
4. Sa e përhapur është «dituria e kësaj bote» dhe përse është «marrëzi pranë Perëndisë»?
4 Mençuria e kësaj është në dispozicion me bollëk dhe prej shumë burimesh. Ka shumë institucione mësimdhënëse dhe «shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë». (Eklisiastiu 12:12) Tani, i ashtuquajturi informacion «superstradë» i botës së kompjuterëve premton të sigurojë të dhëna pa kufi për gati çdo subjekt. Por edhe pse ka në dispozicion tërë këtë njohuri, bota nuk është më e mençur dhe nuk mund të zgjidhë problemet e saj. Përkundrazi, gjendja botërore keqësohet përditë e më shumë. Kuptohet përse Bibla na thotë se «dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë».—1. Korintasve 3:19, 20.
5. Ç’paralajmërime na jep Bibla në lidhje me «diturinë e kësaj bote»?
5 Gjatë kësaj pjese përfundimtare të këtyre ditëve të fundit, mund të presim vetëm që kryemashtruesi, Satana Djalli, të lëshojë një ortek me gënjeshtra në përpjekje për të minuar besimin në vërtetësinë e Biblës. Kritikë të mëdhenj kanë prodhuar një masë të madhe me libra spekulativë, të cilët sfidojnë vërtetësinë dhe besueshmërinë e Biblës. Pavli i paralajmëroi bashkë të krishterët: «O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë [njohuri, BR], të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi.» (1. Timoteut 6:20, 21) Më tej, Bibla paralajmëron: «Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:8.
Lufto prirjen për të dyshuar
6. Përse vigjilenca është e nevojshme për të mos lejuar që dyshimet të lëshojnë rrënjë në zemër?
6 Një taktikë tjetër dhelpërake e Djallit është mbjellja e dyshimeve në mendje. Ai është gjithmonë i gatshëm për të parë disa dobësi në besim e t’i shfrytëzojë ato. Kushdo që ka dyshime, nuk duhet të harrojë se ai që rri prapa këtyre dyshimeve është po ai që i tha Evës: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» Pasi kishte mbjellë dyshimin në mendjen e saj, hapi i dytë ishte t’i thoshte një gënjeshtër, të cilën ajo e besoi. (Zanafilla 3:1, 4, 5) Që të shmangim shkatërrimin e besimit tonë nga dyshimet, siç ndodhi me Evën, ne duhet të jemi vigjilentë. Nëse disa dyshime për Jehovain, për Fjalën e tij apo për organizatën e tij kanë filluar të zvarriten në zemrën tënde, ndërmerr hapa të shpejtë për t’i eliminuar përpara se të shndërrohen në diçka që mund të shkatërrojë besimin tënd.—Krahaso 1. Korintasve 10:12.
7. Ç’mund të bëjmë për të çrrënjosur dyshimet?
7 Çfarë mund të bësh? Përgjigjja është përsëri beso në Jehovain dhe në Fjalën e tij. «Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.» (Jakovit 1:5, 6; 2. Pjetrit 3:17, 18) Pra, lutja e sinqertë ndaj Jehovait është hapi i parë. (Psalmi 62:8) Pastaj, mos ngurro t’u kërkosh ndihmë mbikëqyrësve të dashur në kongregacion! (Veprat 20:28; Jakovit 5:14, 15; Judës 22) Ata do të të ndihmojnë të zbulosh burimin e dyshimeve të tua, të cilat mund të vijnë nga krenaria apo nga disa mendime të gabuara.
8. Si nisin shpeshherë mendimet apostate dhe cili është ilaçi?
8 A ka ndërfutur dyshime helmonjëse leximi dhe dëgjimi i ideve apostate dhe i filozofive botërore? Me mençuri, Bibla këshillon: «Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës. Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë.» (2. Timoteut 2:15-17) Është interesant fakti se shumë nga ata që kanë rënë viktima të apostazisë, e kanë nisur rrugën e gabuar duke u ankuar së pari ndaj mënyrës që ata mendojnë se janë trajtuar brenda organizatës së Jehovait. (Judës 16) Gjetja e gabimeve nëpër besime vjen më vonë. Ashtu si një kirurg vepron me shpejtësi për të hequr gangrenën, vepro me shpejtësi për të çrrënjosur nga mendja çdo prirje për t’u ankuar, për të qenë i pakënaqur me mënyrën se si bëhen punët në kongregacionin e krishterë! (Kolosianëve 3:13, 14) Hiq çdo gjë që mund të ushqejë dyshime të tilla!—Marku 9:43.
9. Në ç’mënyrë një rutinë e mirë teokratike na ndihmon të mbahemi të shëndoshë në besim?
9 Ngjitu fort pas Jehovait dhe organizatës së tij! Imito me besnikëri Pjetrin, i cili tha me vendosmëri: «Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.» (Gjoni 6:52, 60, 66-68) Ki një progam të mirë studimi të Fjalës së Jehovait, që të vazhdosh ta mbash të fortë besimin tënd, si një mburojë të madhe, e aftë për ‘të shuar të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’! (Efesianëve 6:16) Vazhdo të jesh aktiv në shërbimin e krishterë, duke ndarë me dashuri me të tjerët mesazhin e Mbretërisë! Çdo ditë, medito me çmueshmëri për bekimet që Jehovai ka derdhur mbi ty! Trego mirënjohje që ke njohuri për të vërtetën! Kryerja e të gjitha këtyre gjërave në një rutinë të mirë të krishterë, do të të ndihmojë të jesh i lumtur, të durosh e të lirohesh nga dyshimet.—Psalmi 40:4; Filipianëve 3:15, 16; Hebrenjve 6:10-12.
Të ndjekim drejtimin e Jehovait në martesë
10. Përse është veçanërisht e rëndësishme të kërkojmë drejtimin e Jehovait në martesën e krishterë?
10 Duke bërë përgatitjet që burri e gruaja të jetonin së bashku si një çift i martuar, Jehovai nuk kishte si qëllim vetëm të mbushte tokën në mënyrë të rehatshme, por edhe të rriste lumturinë e tyre. Sidoqoftë, mëkati dhe papërsosmëria kanë sjellë probleme serioze në lidhjen martesore. Të krishterët nuk përjashtohen, pasi edhe ata janë të papërsosur dhe provojnë presionet e jetës së sotme. Por, për aq sa të besojnë në Jehovain dhe në Fjalën e tij, të krishterët mund të kenë sukses të madh në martesë dhe në rritjen e fëmijëve të tyre. Në martesën e krishterë nuk ka vend për praktika dhe shprehje botërore. Fjala e Perëndisë na nxit: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.»—Hebrenjve 13:4.
11. Për të zgjidhur problemet martesore, çfarë duhet të pranojnë të dy bashkëshortët?
11 Martesa që është kryer sipas këshillave biblike, ka një klimë dashurie, angazhimi dhe sigurie. Si burri, ashtu edhe gruaja e kuptojnë dhe e respektojnë parimin e kryesisë. Kur dalin vështirësi, shpesh ato vijnë ngaqë lihet pas dore zbatimi i këshillave biblike. Për të zgjidhur ndonjë problem që ka mbetur, është jetësore që të dy bashkëshortët të përqendrohen me ndershmëri mbi problemin e vërtetë e të merren më mirë me shkaqet, sesa me shenjat. Nëse bisedat e fundit kanë sjellë pak ose aspak përputhje, çifti mund të kërkojë ndihmë të paanshme nga një mbikëqyrës i dashur.
12. (a) Për cilat probleme të zakonshme në martesë na këshillon Bibla? (b) Përse është e nevojshme që të dy bashkëshortët t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së Jehovait?
12 A ka të bëjë problemi me komunikimin, me respektin për ndjenjat e njëri-tjetrit, me respektin për kryesinë apo me mënyrën se si janë marrë vendimet? A ka të bëjë me rritjen e fëmijëve apo me drejtpeshimin e nevojave seksuale? Apo lidhet me buxhetin familjar, me pushimet, me shoqërinë, nëse duhet apo jo të punojë gruaja, apo se ku duhet të jetoni? Cilido qoftë problemi, Bibla jep këshilla praktike, drejtpërdrejt nëpërmjet ligjeve, ose tërthorazi nëpërmjet parimeve. (Mateu 19:4, 5, 9; 1. Korintasve 7:1-40; Efesianëve 5:21-23, 28-33; 6:1-4; Kolosianëve 3:18-21; Titit 2:4, 5; 1. Pjetrit 3:1-7) Kur të dy bashkëshortët e përmbajnë veten dhe nuk kanë kërkesa egoiste, por lejojnë që dashuria të gjejë shprehjen e saj të plotë në martesë, atëherë si rezultat do të vijë një lumturi edhe më e madhe. Nga ana e të dy bashkëshortëve duhet të ekzistojë dëshira e fortë për të bërë ndryshimet e nevojshme, për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së Jehovait. «Kush tregon mendjehollësi në një çështje do të gjejë mirë dhe i lumtur është ai që beson në Jehovain.»—Proverbat 16:20, BR.
Të rinj, dëgjoni Fjalën e Perëndisë!
13. Përse nuk është e lehtë për të rinjtë e krishterë të rriten me besim të fortë në Jehovain dhe në Fjalën e tij?
13 Nuk është e lehtë për të rinjtë e krishterë të rriten të fortë në besim, ndërkohë që janë të rrethuar nga një botë e ligë. Një arsye është sepse «gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit. (1. Gjonit 5:19, BR) Të rinjtë gjenden nën sulmet e këtij armiku të egër, i cili bën që e keqja të duket e mirë. Shprehitë për të qenë të parët, ambiciet egoiste, dëshira për gjërat imorale dhe mizore, dhënia jashtë normales pas kënaqësive, të gjitha këto mblidhen së bashku në një model të përbashkët, mbizotërues të menduari, të cilin Bibla e përshkruan si «fryma që vepron tani në bijtë e mosbindjes». (Efesianëve 2:1-3) Me dinakëri, Satanai e nxit këtë «frymë» në tekstet shkollore, në shumë prej muzikës që është në dispozicion, në sporte dhe në forma të tjera të zbavitjes. Prindërit duhet të jenë të gatshëm t’u kundërvihen këtyre ndikimeve, duke i ndihmuar fëmijët që të rriten me besimin te Jehovai dhe te Fjala e tij.
14. Në ç’mënyrë të rinjtë mund ‘të largohen nga pasionet rinore’?
14 Pavli i dha këshilla të mëtejshme shokut të tij të ri, Timoteut: «Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes, bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.» (2. Timoteut 2:22) Edhe pse jo të gjitha «pasionet rinore» nuk janë të këqija në vetvete, të rinjtë duhet ‘të largohen’, në kuptimin që nuk duhet t’i lejojnë këto gjëra të bëhen një fiksim, duke lënë pak, për të mos thënë aspak kohë për qëllimet e perëndishme. Sportet, bodybuilding, muzika, zvavitjet, qejfet dhe udhëtimet, edhe pse nuk janë domosdo të gabuara, mund të jenë një grackë nëse bëhen gjërat më të rëndësishme të jetës. Largohuni fare nga bisedat e kota, nga vërdallosjet, nga interesi i tepruar për seksin, nga plogështia dhe nga mërzia, si dhe mos u ankoni se prindërit nuk ju kuptojnë!
15. Ç’gjëra mund të ndodhin në ambientin privat të shtëpisë, duke bërë që i riu të zhvillojë një jetë të dyfishtë?
15 Edhe në ambientin privat të shtëpisë, për të rinjtë mund të përgjojë rreziku. Nëse shikojnë shfaqje televizive imorale apo të dhunshme, mund të rrënjoset dëshira për të bërë gjëra të këqija. (Jakovit 1:14, 15) Bibla këshillon: «Ju që e doni Zotin [Jehovain, BR] urreni të keqen!» (Psalmi 97:10; 115:11) Jehovai e di nëse dikush përpiqet të bëjë një jetë të dyfishtë. (Proverbat 15:3) Të rinj të krishterë, hidhini një sy dhomës! A dalloni fotografi të yjeve imoralë të sportit apo të botës së muzikës, apo dalloni gjëra të shëndetshme, që janë përkujtues të mirë? (Psalmi 101:3) Nëpër dollapët tuaj, a keni veshje modeste apo disa prej tyre pasqyrojnë stilin ekstrem të veshjes së kësaj bote? Duke vepruar nën rrogoz, Djalli mund t’ju zërë në çark nëse jepeni përpara tundimit për të ndjekur shembujt e këqinj. Bibla këshillon me mençuri: «Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, Djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.»—1. Pjetrit 5:8.
16. Si mund ta ndihmojnë këshillat biblike një të ri, në mënyrë që çdokush që ka rëndësi të jetë krenarë për të?
16 Bibla ju thotë të bëni kujdes me shoqëritë. (1. Korintasve 15:33) Shokët tuaj duhet të jenë ata që kanë frikë Jehovain. Mos u dorëzoni përpara presioneve të bashkëmoshatarëve! (Psalmi 56:11; Proverbat 29:25) Jini të bindur ndaj prindërve tuaj me frikë Perëndie! (Proverbat 6:20-22; Efesianëve 6:1-3) Drejtojuni pleqve për drejtim dhe inkurajim! (Isaia 32:1, 2) Mbajini sytë dhe mendjen në vlerat dhe në synimet frymore! Kërkoni mundësi për të përparuar frymësisht e për të marrë pjesë në aktivitetet e kongregacionit! Mësoni t’i bëni punët me duart tuaja! Rrituni të fortë e të shëndetshëm në besim dhe atëherë do të shihni se me të vërtetë jeni dikush, dikush që e meriton të jetojë në botën e re të Jehovait! Ati ynë qiellor do të jetë krenar për ju, prindërit tuaj do të kënaqen me ju dhe vëllezërit e motrat e krishtere do të inkurajohen nga ju. Kjo ka rëndësi!—Proverbat 4:1, 2, 7, 8.
17. Ç’dobi vijnë për ata që besojnë në Jehovain dhe në Fjalën e tij?
17 Me gjuhë poetike, profeti u frymëzua të shkruante: «Ai [Jehovai, BR] nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!» (Psalmi 84:11, 12) Po, lumturia dhe suksesi e jo zhgënjimi e dështimi, do të vijnë për të gjithë ata që besojnë në Jehovain dhe në Fjalën e tij, Biblën.—2. Timoteut 3:14, 16, 17.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse të krishterët nuk duhet ta vendosin besimin e tyre në «diturinë e kësaj bote»?
◻ Ç’duhet bërë nëse dikush ka dyshime?
◻ Në ç’mënyrë bërja e gjërave sipas mënyrës së Jehovait sjell sukses dhe lumturi në martesë?
◻ Si i ndihmon Bibla të rinjtë që ‘të largohen nga pasionet rinore’?
[Figura në faqen 23]
Të krishterët i drejtohen Jehovait dhe Fjalës së tij, edhe pse e hedhin si marrëzi «diturinë e kësaj bote»
[Figura në faqen 25]
Familjet që besojnë në Jehovain dhe në Fjalën e tij kanë sukses dhe lumturi të madhe