Kapitulli katër
Ai për të cilin dhanë dëshmi të gjithë profetët
1. Çfarë tregojnë të dhënat rreth ekzistencës paranjerëzore të Jezuit për marrëdhënien e tij me Jehovain?
«ATI e ka për zemër Birin dhe i tregon atij gjithçka që ai vetë bën.» (Gjoni 5:20) Çfarë marrëdhënieje të përzemërt që kishte Biri me Atin e tij, Jehovain! Lidhja e tyre e afërt filloi që kur u krijua, mijëvjeçarë të panumërt para se të lindte si njeri. Ai ishte Biri i vetëmlindur i Perëndisë, i vetmi i krijuar drejtpërdrejt nga vetë Jehovai. Çdo gjë tjetër në qiell e në tokë u krijua nëpërmjet këtij Biri të parëlindur shumë të dashur. (Kolosianëve 1:15, 16) Ai shërbeu edhe si Fjala ose Zëdhënësi i Perëndisë, si Ai nëpërmjet të cilit vullneti i Perëndisë përcillej te të tjerët. Ky person, Biri që Perëndia e kishte veçanërisht për zemër, u bë njeriu Jezu Krisht.—Fjalët e urta (Proverbat) 8:22-30; Gjoni 1:14, 18; 12:49, 50.
2. Deri në ç’masë kanë folur për Jezuin profecitë e Biblës?
2 Para se Biri i parëlindur i Perëndisë të ngjizej me anë të një mrekullie si njeri, për të ishin shkruar shumë profeci të frymëzuara. Apostulli Pjetër i pohoi Kornelit: «Për të japin dëshmi të gjithë profetët.» (Veprat 10:43) Në Bibël u fol në një masë të tillë për rolin e Jezuit, saqë një engjëll i tha apostullit Gjon: «Dhënia e dëshmisë për Jezuin është ajo që frymëzon profetizimin.» (Zbulesa 19:10) Ato profeci e identifikuan atë në mënyrë të qartë si Mesia. E drejtuan vëmendjen te rolet e ndryshme që do të luante ai në përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë. E gjithë kjo duhet të na interesojë shumë sot.
Çfarë zbuluan profecitë?
3. (a) Kë përfaqëson gjarpri, ‘gruaja’ dhe ‘fara e gjarprit’ në profecinë e Zanafillës 3:15? (b) Përse ‘shtypja e gjarprit në kokë’ do të ishte me interes të madh për shërbëtorët e Jehovait?
3 E para nga këto profeci u shpall pas rebelimit në Eden. Jehovai i tha gjarprit: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Kjo profeci në të vërtetë iu drejtua Satanait, atij që u paraqit nga gjarpri. ‘Gruaja’ është organizata besnike qiellore e Jehovait, e cila për të është si një grua besnike. ‘Fara e gjarprit’ përfshin gjithë engjëjt dhe njerëzit që shfaqin frymën e Satanait, ata që i kundërvihen Jehovait dhe popullit të Tij. ‘Shtypja e gjarprit në kokë’ nënkupton shkatërrimin përfundimtar të Satanait rebel që shpifi për Jehovain dhe i solli shumë vuajtje njerëzimit. Por, cili është identiteti i pjesës kryesore të «farës» që do ta shtypte gjarprin në kokë? Për shekuj të tërë ky mbeti një ‘sekret i shenjtë’.—Romakëve 16:20, 25, 26.
4. Si ndihmoi prejardhja e Jezuit për ta përcaktuar atë si Fara e premtuar?
4 Pasi kishin kaluar rreth 2.000 vjet të historisë njerëzore, Jehovai dha hollësi të tjera. Ai tregoi se Fara do të shfaqej në linjën familjare të Abrahamit. (Zanafilla 22:15-18) Megjithatë linja që do të çonte deri te Fara nuk do të varej thjesht nga prejardhja trupore, por nga zgjedhja e Perëndisë. Ndonëse Abrahami e donte birin e tij Ismael, të cilin e kishte lindur Agara, Jehovai i tha: «Besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë.» (Zanafilla 17:18-21) Më vonë, kjo besëlidhje nuk u vërtetua tek Esau, i parëlinduri i Isakut, por te Jakobi, nga i cili erdhën të 12 fiset e Izraelit. (Zanafilla 28:10-14) Me kalimin e kohës u tregua se Fara do të lindte në fisin e Judës, në linjën e Davidit.—Zanafilla 49:10; 1 Kronikave 17:3, 4, 11-14.
5. Në kohën kur Jezui filloi shërbimin në tokë, çfarë e bëri të qartë se ai ishte Mesia?
5 Çfarë hollësish të tjera u dhanë për identitetin e Farës? Më shumë se 700 vjet më përpara, Bibla përcaktonte Betlehemin si vendin ku do të lindte si njeri Fara e premtuar. Gjithashtu zbulonte se Fara tashmë kishte ekzistuar që «nga ditët e përjetësisë», që nga koha kur ishte krijuar në qiell. (Mikea 5:2) Nëpërmjet profetit Daniel ishte parathënë edhe koha e saktë e shfaqjes së tij në tokë si Mesia. (Danieli 9:24-26) Dhe, kur Jezui u miros me frymën e shenjtë duke u bërë tamam i Mirosuri i Jehovait, vetë zëri i Perëndisë që nga qielli e identifikoi në mënyrë të qartë si Birin e Tij. (Mateu 3:16, 17) Fara u zbulua. Kështu që Filipi mund të thoshte me bindje: «Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët, Jezuin.»—Gjoni 1:45.
6. (a) Sipas Lukës 24:27, çfarë kuptuan ithtarët e Jezuit? (b) Kush është pjesa kryesore e ‘farës së gruas’ dhe çfarë nënkupton fakti që ai do t’i shtypë kokën gjarprit?
6 Pas kësaj, ithtarët e Jezuit kuptuan se në Shkrimet e frymëzuara ishin ndërthurur vërtet me dhjetra e dhjetra referime profetike për të. (Luka 24:27) U bë edhe më e qartë se Jezui është pjesa kryesore e ‘farës së gruas’, ai që do t’i shtypë kokën gjarprit, duke e zhdukur fare Satanain. Me anë të Jezuit do të përmbushen të gjitha premtimet që Perëndia i ka bërë njerëzimit, të gjitha gjërat që ne i dëshirojmë me zjarr.—2 Korintasve 1:20.
7. Ç’gjë tjetër është e dobishme të kuptohet, përveç identitetit të Atij për të cilin flasin profecitë?
7 Si duhet të ndikojë te ne kjo njohuri? Bibla flet për një eunuk etiopas, i cili kishte lexuar disa nga këto profeci për Shpenguesin dhe Mesinë që do të vinte. I pështjelluar, ai e pyeti ungjillëzuesin Filip: «Për kë e thotë profeti këtë?» Gjithsesi, duke marrë përgjigjen eunuku nuk e la çështjen me kaq. Pasi e dëgjoi me vëmendje shpjegimin që i dha Filipi, ai e kuptoi se kuptueshmëria dhe çmueshmëria për këtë profeci të përmbushur kërkonte që të vepronte. E kuptoi se duhej të pagëzohej. (Veprat 8:32-38; Isaia 53:3-9) A reagojmë edhe ne në mënyrë të ngjashme?
8. (a) Çfarë përfaqësoi fakti që Abrahami u mat të flijonte Isakun? (b) Përse Jehovai i tha Abrahamit se të gjitha kombet do të bekoheshin me anë të Farës dhe si zbatohet kjo për ne sot?
8 Shqyrto edhe tregimin prekës për Abrahamin që u mat të flijonte Isakun, birin e vetëm që i kishte lindur Sara. (Zanafilla 22:1-18) Kjo gjë përfaqësoi atë që do të bënte Jehovai, pra që do të flijonte Birin e tij të vetëmlindur: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Kjo na jep sigurinë se, ashtu si dha Birin e tij të vetëmlindur për të përmbushur qëllimin e Tij, Jehovai gjithashtu do të «na japë me mirësi edhe të gjitha gjërat e tjera». (Romakëve 8:32) Çfarë kërkohet nga secili prej nesh? Siç është shkruar në Zanafillën 22:18, Jehovai i tha Abrahamit se të gjitha kombet do të bekoheshin me anë të Farës, ‘sepse [Abrahami e kishte] dëgjuar zërin [e Perëndisë]’. (BR) Edhe ne duhet ta dëgjojmë Jehovain dhe Birin e tij: «Ai që ushtron besim te Biri, ka jetë të përhershme; ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.»—Gjoni 3:36.
9. Çfarë do të bëjmë, në qoftë se e kuptojmë dhe e çmojmë shpresën e jetës së përhershme që bëri të mundur flijimi i Jezuit?
9 Në qoftë se e kuptojmë dhe e çmojmë shpresën e jetës së përhershme që bëri të mundur flijimi i Jezuit, do të duam të bëjmë gjërat që Jehovai na ka thënë nëpërmjet Jezuit. Këto gjëra lidhen ngushtë me dashurinë që kemi për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mateu 22:37-39) Jezui tregoi se dashuria për Jehovain duhet ta nxitë secilin prej nesh që t’u mësojë të tjerëve «të zbatojnë të gjitha gjërat që [Jezui na ka] urdhëruar». (Mateu 28:19, 20) Duam t’u tregojmë këtë dashuri edhe bashkëshërbëtorëve të Jehovait, duke ‘u mbledhur së bashku’ me ta rregullisht. (Hebrenjve 10:25; Galatasve 6:10) Veç kësaj, ndërsa dëgjojmë Perëndinë dhe Birin e tij nuk duhet të mendojmë se ata kërkojnë përsosmëri prej nesh. Te Hebrenjve 4:15 thuhet se Jezui, duke qenë Kryeprifti ynë, mund të ‘bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’. Sa ngushëlluese është kjo, sidomos kur i afrohemi Perëndisë në lutje nëpërmjet Krishtit, për të na ndihmuar që të kapërcejmë dobësitë!—Mateu 6:12.
Të tregojmë besim te Krishti
10. Përse nuk ka shpëtim në asnjë tjetër përveç Jezu Krishtit?
10 Pasi i shpjegoi gjyqit të lartë judaik në Jerusalem se profecitë biblike ishin përmbushur te Jezui, apostulli Pjetër përfundoi me bindje: «Në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka emër tjetër nën qiell të dhënë mes njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë.» (Veprat 4:12) Meqenëse të gjithë pasardhësit e Adamit janë mëkatarë, vdekja e tyre s’ka asnjë vlerë që mund të përdoret si shpërblesë për dikë. Por Jezui ishte i përsosur dhe jeta e tij kishte vlerë shlyese. (Psalmi 49:6-9; Hebrenjve 2:9) Ai i paraqiti Perëndisë një shpërblesë që kishte pikërisht të njëjtën vlerë me jetën e përsosur që kishte humbur Adami. (1 Timoteut 2:5, 6) Kjo hapi rrugën që ne të marrim jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë.
11. Shpjego se si flijimi i Jezuit mund t’i sjellë shumë dobi secilit prej nesh.
11 Veç kësaj, shpërblesa hapi rrugën që të marrim edhe dobi të tjera që tani. Për shembull, ndonëse jemi mëkatarë, flijimi i Jezuit na jep mundësi që të kemi një ndërgjegje të pastër në sajë të faljes së mëkateve. Kjo është shumë më tepër se ajo që kishin arritur ndonjëherë izraelitët me flijimet në kafshë që kërkonte Ligji i Moisiut. (Veprat 13:38, 39; Hebrenjve 9:13, 14; 10:22) Gjithsesi, fakti që marrim këtë falje kërkon që me ndershmëri të pranojmë se sa shumë kemi nevojë për flijimin e Krishtit: «Nëse deklarojmë: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është te ne. Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është i besueshëm dhe i drejtë për të na i falur mëkatet dhe për të na pastruar nga çdo padrejtësi.»—1 Gjonit 1:8, 9.
12. Përse pagëzimi në ujë është i rëndësishëm për të fituar një ndërgjegje të mirë para Perëndisë?
12 Si mund ta shprehin mëkatarët besimin te Krishti dhe te flijimi i tij? Në shekullin e parë, kur njerëzit bëheshin besimtarë e tregonin botërisht këtë. Si? Duke u pagëzuar. Përse e bënin këtë? Sepse Jezui urdhëroi që të gjithë dishepujt e tij të pagëzoheshin. (Mateu 28:19, 20; Veprat 8:12; 18:8) Kur zemra e një personi është prekur me të vërtetë nga dhurata e dashur që bëri Jehovai nëpërmjet Jezuit, ai nuk do të përmbahet. Do të bëjë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm në jetën e tij, do t’i kushtohet Perëndisë në lutje dhe do ta simbolizojë kushtimin e tij me pagëzimin në ujë. Pikërisht duke e treguar besimin në këtë mënyrë, ai i bën ‘kërkesë Perëndisë për një ndërgjegje të mirë’.—1 Pjetrit 3:21.
13. Çfarë duhet të bëjmë nëse e kuptojmë se kemi kryer një mëkat, dhe përse?
13 Natyrisht që edhe pas pagëzimit disa tipare mëkatare do të shfaqen ende. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Apostulli Gjon tha: «Po jua shkruaj këto gjëra që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin. E ai është një flijim pajtues për mëkatet tona.» (1 Gjonit 2:1, 2) A do të thotë kjo se pavarësisht nga ajo që bëjmë, po t’i lutemi Perëndisë për falje, çdo gjë do të jetë në rregull? Jo medoemos. Çelësi për faljen është pendimi i vërtetë. Veç kësaj mund të kemi nevojë për ndihmë nga personat më të mëdhenj në moshë e më me përvojë në kongregacionin e krishterë. Duhet ta kuptojmë se sa e gabuar është ajo që kemi bërë dhe të ndiejmë keqardhje të sinqertë për të, në mënyrë që të bëjmë përpjekje të zellshme për të mos e përsëritur. (Veprat 3:19; Jakovit 5:13-16) Në qoftë se veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se do të kemi ndihmën e Jezuit dhe do të fitojmë përsëri miratimin e Jehovait.
14. (a) Shpjego një mënyrë të rëndësishme se si kemi nxjerrë dobi të gjithë nga flijimi i Jezuit. (b) Çfarë do të bëjmë nëse kemi vërtet besim?
14 Flijimi i Jezuit ka hapur rrugën për jetën e përhershme në qiell për një ‘kope të vogël’, e cila është pjesa dytësore e farës për të cilën flitet te Zanafilla 3:15. (Luka 12:32; Galatasve 3:26-29) Gjithashtu, ka hapur rrugën për jetën e përhershme në një tokë parajsore për miliarda njerëz të tjerë. (Psalmi 37:29; Zbulesa 20:11, 12; 21:3, 4) Jeta e përhershme është «dhurata që jep Perëndia . . . me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë». (Romakëve 6:23; Efesianëve 2:8-10) Në qoftë se kemi besim te kjo dhuratë dhe çmueshmëri për mënyrën në të cilën u bë e mundur ajo, do ta bëjmë të dukshme këtë. Duke kuptuar se në ç’mënyrë të mrekullueshme e ka përdorur Jehovai Jezuin për të kryer vullnetin e Tij dhe se sa jetësore është që të ndjekim me kujdes gjurmët e Jezuit, do ta bëjmë shërbimin e krishterë një nga veprimtaritë më të rëndësishme të jetës. Besimi ynë do të jetë i dukshëm nga bindja me të cilën u flasim të tjerëve për këtë dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë.—Veprat 20:24.
15. Në ç’mënyrë besimi te Jezu Krishti ka ndikim bashkues?
15 Çfarë ndikimi të shkëlqyer dhe bashkues që ka ky besim! Me anë të tij afrohemi më shumë me Jehovain, me Birin e tij dhe me njëri-tjetrin në kongregacionin e krishterë. (1 Gjonit 3:23, 24) Ai na bën të gëzohemi për faktin që Jehovai me dashamirësi i ka dhënë Birit të tij «emrin që është mbi çdo emër tjetër [përveç emrit të Perëndisë], në mënyrë që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë, i atyre nën tokë dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit».—Filipianëve 2:9-11.
Pyetje për rishikim
• Në kohën kur u shfaq Mesia, përse identiteti i tij ishte i qartë për ata që besonin me të vërtetë në Fjalën e Perëndisë?
• Cilat janë disa gjëra që duhet të bëjmë për të treguar çmueshmërinë për flijimin e Jezuit?
• Në cilat mënyra kemi nxjerrë tashmë dobi prej flijimit të Jezuit? Si na ndihmon kjo kur i lutemi Jehovait për faljen e mëkateve?
[Figura në faqen 36]
Jezui u tha ithtarëve të tij se duhej t’u mësonin të tjerëve që të zbatonin urdhërimet e Perëndisë