Ç’do të thotë të duash Perëndinë?
POTHUAJSE gjashtë mijë vjet më parë, lindi foshnja e parë njerëzore. Pas lindjes, e ëma, Eva, tha: «Bëra një burrë me ndihmën e Jehovait.» (Zanafilla 4:1, BR) Pohimi i saj zbulon se, pavarësisht nga dënimi me vdekje që tashmë kishin marrë, Eva dhe burri i saj, Adami, ishin ende të vetëdijshëm për Hyjninë e Jehovait. Më vonë ata bënë edhe një djalë tjetër. Emrat e djemve ishin Kain dhe Abel.
Ndërsa rriteshin, djemtë mësonin pa dyshim shumë gjëra mbi Jehovain, vetëm duke shqyrtuar krijimin e tij. Ata kënaqeshin me ngjyrat e bukura të natyrës dhe me shumëllojshmërinë e kafshëve e të bimëve. Perëndia nuk u kishte dhënë vetëm jetën, por edhe aftësinë për të gjetur kënaqësi në jetë.
Ata mësuan se prindërit e tyre ishin krijuar të përsosur dhe se qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që njerëzit të jetonin përgjithmonë. Ka mundësi që Adami dhe Eva t’u kenë përshkruar atyre kopshtin e mrekullueshëm të Edenit dhe në njëfarë mënyre u është dashur t’u shpjegojnë edhe përse ishin përzënë nga një shtëpi e tillë parajsore. Gjithashtu, Kaini dhe Abeli mund të kenë ditur mbase edhe profecinë hyjnore të shënuar në Zanafillën 3:15. Me anë të asaj profecie, Jehovai shprehu qëllimin e tij për t’i rregulluar çështjet në kohën e duhur, për të mirën e atyre që e duan atë dhe që tregohen besnikë ndaj tij.
Duke mësuar mbi Jehovain dhe cilësitë e tij, tek Kaini dhe Abeli duhet të ketë lindur dëshira për favorin e Perëndisë. Prandaj, ata iu afruan Jehovait, duke i paraqitur flijime. Tregimi i Biblës thotë: «Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre.»—Zanafilla 4:3, 4.
Dëshira për të pasur favorin e Perëndisë, hodhi tek ata themelin për një marrëdhënie me të. Së fundi, Kaini u rebelua kundër Perëndisë, ndërsa adhurimi i Abelit vazhdoi të nxitej nga dashuria e sinqertë për Perëndinë. Abeli s’do të kishte zhvilluar kurrë një marrëdhënie të tillë me Perëndinë, sikur fillimisht të mos kishte fituar njohuri mbi personalitetin e Jehovait dhe mbi qëllimet e tij.
Edhe ti mund të fillosh ta njohësh Jehovain. Për shembull, në Bibël mund të mësosh se Perëndia është një person i vërtetë, jo vetëm një forcë pa jetë, e cila i krijon gjërat nga një ndodhi e rastësishme. (Krahaso Gjonin 7:28; Hebrenjve 9:24; Zbulesa 4:11.) Gjithashtu, Bibla mëson se Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e të vërtetë».—Dalja 34:6.
«Bindja është më e mirë se flijimi»
Siç është ilustruar nga tregimi i Kainit dhe Abelit, nuk mjafton vetëm të kesh njohuri për Perëndinë dhe dëshirën për një marrëdhënie të ngushtë me të. Vërtet, të dy vëllezërit iu afruan Perëndisë me flijime. Megjithatë, «Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar».—Zanafilla 4:3-5.
Përse nuk e pranoi Jehovai ofertën e Kainit? A kishte diçka të gabuar në cilësinë e ofertës së tij? A u ofendua Jehovai, ngaqë Kaini ofroi «fruta të tokës», në vend të një flijimi me kafshë? Mbase jo. Më vonë, Perëndia pranoi me gëzim oferta në grurë dhe fruta të tjera të dheut nga shumë adhurues të tij. (Levitiku 2:1-16) Duket, pra, se kishte diçka që s’shkonte me zemrën e Kainit. Jehovai mund ta lexonte zemrën e Kainit dhe e paralajmëroi: «Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë, a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje.»—Zanafilla 4:6, 7.
Dashuria e sinqertë për Perëndinë është diçka më shumë se vetëm ofrimi i flijimeve. Ja, përse Jehovai e nxiti Kainin që ‘të bënte mirë’. Perëndia dëshironte bindje. Kjo bindje ndaj Perëndisë do ta ndihmonte Kainin që të formonte një themel të mirë për një marrëdhënie të dashur me Krijuesin. Bibla e thekson vlerën e bindjes me këto fjalë: «Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.»—1. Samuelit 15:22.
Ky koncept u përforcua më vonë me fjalët e 1. Gjonit 5:3: «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» S’ka rrugë më të mirë për të treguar dashurinë tonë për Jehovain, sesa duke iu nënshtruar autoritetit të tij. Kjo do të thotë bindje ndaj kodit moral të Biblës. (1. Korintasve 6:9, 10) Do të thotë të duash të mirën e të urresh të keqen.—Psalmi 97:10; 101:3; Proverbat 8:13.
Një shfaqje e rëndësishme e dashurisë sonë për Perëndinë është dashuria që kemi për të afërmit. Bibla na thotë: «Po të thotë dikush: ‘Unë e dua Perëndinë’ dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?»—1. Gjonit 4:20.
Intimiteti me Perëndinë është i mundur
Disa mund të thonë: «Unë e adhuroj Jehovain. U bindem ligjeve të tij. Sillem me drejtësi me të tjerët. I bëj të gjitha. Megjithatë, nuk ndihem vërtet i afërt me Jehovain. Nuk ndiej ndonjë dashuri të fortë për të dhe kjo më bën të ndihem fajtor.» Disa mund të mendojnë se nuk e meritojnë të kenë një marrëdhënie të tillë intime me Jehovain.
Pothuajse pas 37 vjetësh në shërbimin e dedikuar ndaj Jehovait, një i krishterë shkroi: «Shumë herë në jetën time kam menduar se ndoshta kam qenë mekanik në shërbimin e Jehovait, që mbase zemra ime s’ka qenë aty. Por e kam ditur se shërbimi ndaj Jehovait ka qenë gjëja më e drejtë për t’u bërë dhe s’ia kam lejuar vetes të ndaloj. Megjithatë, sa herë lexoja që dikush thoshte se ‘zemra e tij apo e saj ishte plot me dashuri për Jehovain’, pyesja veten: ‘Çfarë nuk shkon me mua, që nuk jam ndier kurrë kështu?’» Si mund ta gjejmë intimitetin me Perëndinë?
Kur do vërtet dikë, mendon shpesh për atë person. Ke një dëshirë të fortë që të jesh pranë tij, pasi të është i dashur. Sa më shumë e sheh, i flet dhe mendon për të, aq më shumë dashuria jote për të rritet. Ky parim gjen zbatim edhe në kultivimin e dashurisë sate për Perëndinë.
Në Psalmin 77:12, shkrimtari i frymëzuar thotë: «Do të mendohem thellë [meditoj, BR] për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.» Meditimi është jetësor në kultivimin e dashurisë për Perëndinë. Kjo është veçanërisht e vërtetë, duke vërejtur edhe faktin se ai është i padukshëm. Por sa më shumë të mendosh për të, aq më i vërtetë do të bëhet ai për ty. Vetëm atëherë mund të zhvillosh një marrëdhënie me zemër e të ngrohtë me të; sepse ai për ty është i vërtetë.
Prirja për të medituar vazhdimisht mbi rrugët dhe veprimet e Jehovait, do të varet nga fakti se sa shpesh do ta dëgjosh atë. E dëgjon nëpërmjet leximit dhe studimit të rregullt të Fjalës së tij, Biblës. Psalmisti flet për një njeri të lumtur, si për dikë që «gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij».—Psalmi 1:1, 2.
Një element tjetër i rëndësishëm është lutja. Ja, përse Bibla na nxit vazhdimisht të lutemi, «në çdo kohë», ‘që t’i kushtohemi lutjes’, «këmbëngulës në lutje» dhe ‘të lutemi pa pushim’. (Efesianëve 6:18; 1. Korintasve 7:5; Romakëve 12:12; 1. Selanikasve 5:17) Lutjet tona pa pushim ndaj Jehovait, do të na bëjnë të dashur para tij dhe siguria që ai na dëgjon, do të na lidhë më ngushtë me të. Këtë e vërtetoi edhe psalmisti, kur deklaroi: «Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia. Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.»—Psalmi 116:1, 2.
Të imitojmë Perëndinë e dashurisë
Jehovai është i mirë me ne. Duke qenë Krijuesi i universit, ai ka sigurisht shumë gjëra për të mbajtur në mendje dhe për t’u kujdesur. Megjithatë, Bibla na thotë se megjithë madhështinë e tij, ai prapë kujdeset për krijesat e tij njerëzore. Ai na do. (1. Pjetrit 5:6, 7) Psalmisti e vërteton këtë me fjalët: «O Jehova, Zotëria ynë, sa madhështor është emri yt në të gjithë tokën, ti, dinjiteti i të cilit rrëfehet mbi qiejt! Kur shoh qiejt e tu, veprat e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që i përgatite ti, çfarë është njeriu vdekatar që ti ta mbash ndër mend dhe biri i njeriut tokësor që ti të kujdesesh për të?»—Psalmi 8:1, 3, 4, BR.
Si e ka mbajtur Jehovai ndër mend njeriun vdekatar? Bibla përgjigjet: «Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen [si flijim shpërblerës, BR] e mëkateve tona.»—1. Gjonit 4:9, 10.
Në ç’mënyrë, flijimi shpërblerës është dëshmia më e madhe e dashurisë së Perëndisë? Le të shqyrtojmë se ç’ndodhi në kopshtin e Edenit. Adami dhe Eva gjendeshin përballë vendimit nëse do t’i nënshtroheshin ligjit të Jehovait me perspektivën e jetës së përsosur të përhershme apo do të rebeloheshin kundër Jehovait, duke pasur si rrjedhojë vdekjen. Ata zgjodhën të rebeloheshin. (Zanafilla 3:1-6) Me këtë veprim, ata dënuan me vdekje gjithë njerëzimin. (Romakëve 5:12) Me fodullëk, ata na hoqën mundësinë që të vendosim për veten tonë. Askush prej nesh s’ka ç’të thotë për këtë çështje.
Megjithatë, Jehovai e ka mbajtur me dashuri në mendje njeriun vdekatar, duke e ditur gjendjen e tij. Nëpërmjet vdekjes flijuese të Birit të Tij, Jezu Krishtit, Jehovai ka siguruar bazën ligjore për secilin prej nesh, që të zgjedhim vetë jetën ose vdekjen, bindjen ose rebelimin. (Gjoni 3:16) Është njësoj, sikur Jehovai të ketë lejuar që ne të gjykohemi në bazë të zgjedhjes sonë, duke na dhënë në mënyrë figurative mundësinë që të kthehemi në Eden e të marrim vendimin tonë personal. Kjo është shfaqja më e madhe e dashurisë që është bërë ndonjëherë.
Mund të përfytyrojmë dhimbjen që ndjeu Jehovai tek pa birin e tij të vetëmlindur që u sha, u torturua dhe u var në dru si një kriminel. Perëndia i duroi këto për hatrin tonë. Pasi jemi të vetëdijshëm se Jehovai mori i pari iniciativën për të na dashur, kjo duhet të na japë arsye që ta duam e të na nxisë që ta kërkojmë atë. (Jakovit 1:17; 1. Gjonit 4:19) Bibla na fton: «Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij.»—Psalmi 105:4, 5.
Të kesh një afrimitet personal dhe një marrëdhënie të dashur me Perëndinë, të jesh mik i tij, nuk është diçka joreale. Mund të arrihet. Vërtet, nuk mund ta barazojmë në mënyrë strikte dashurinë tonë për Perëndinë me marrëdhëniet njerëzore. Dashuria që ndiejmë për bashkëshortin tonë, për prindërit, vëllezërit e motrat apo për miqtë, ndryshon nga dashuria që kemi për Perëndinë. (Mateu 10:37; 19:29) Dashuria për Jehovain përfshin devotshmërinë tonë, adhurimin, si dhe një dedikim pa kushte ndaj tij. (Ligji i përtërirë 4:24) Asnjë marrëdhënie tjetër nuk përfshin të tilla gjëra. Megjithatë, ne mund të zhvillojmë emocione të forta e të thella për Perëndinë, me nderim të thellë e me frikë.—Psalmi 89:7.
Edhe pse i papërsosur, ashtu si Kaini dhe Abeli, ti ke aftësinë për ta dashur Perëndinë. Kaini e bëri zgjedhjen e tij, duke u bashkuar me Satanain dhe u bë vrasësi i parë njerëzor. (1. Gjonit 3:12) Përkundrazi, Abeli do të mbetet në kujtesën e Jehovait si një njeri me besim dhe drejtësi dhe do të shpërblehet me jetë në Parajsën që po vjen.—Hebrenjve 11:4.
Edhe ti ke një zgjedhje për të bërë. Me ndihmën e frymës së Perëndisë e të Fjalës së tij, ti mund të arrish ta duash me të vërtetë Perëndinë «me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde». (Ligji i përtërirë 6:5) Në shkëmbim, Jehovai do të vazhdojë të të dojë, sepse ai është «shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë».—Hebrenjve 11:6.
[Figura në faqen 7]
Sakrifica e Abelit ishte e pranueshme për Perëndinë