Cila do të jetë e ardhmja jote?
NËSE Perëndia i Gjithëpushtetshëm është i gjithëdijshëm, duke ditur gjithçka të kaluar, të tashme dhe të ardhme, a nuk janë të gjitha gjërat të paracaktuara të ndodhin tamam siç i ka parashikuar Perëndia? Nëse Perëndia ka parashikuar dhe ka dekretuar rrugën dhe përfundimin e çdo njeriu, a mund të thuhet me të vërtetë se jemi të lirë për ta zgjedhur rrugën tonë të jetës, të ardhmen tonë?
Për këto pyetje është debatuar shekuj të tërë. Kjo polemikë përçan ende fetë e mëdha. A mund të pajtohet aftësia e Perëndisë për të ditur më parë të ardhmen, me vullnetin e lirë të njeriut? Ku duhet t’i kërkojmë përgjigjet?
Miliona njerëz përreth globit do të ishin dakord se Perëndia ka komunikuar me njerëzimin me anë të Fjalës së tij të shkruar, siç është shprehur nëpërmjet zëdhënësve të tij, profetëve. Për shembull, Kurani u referohet zbulimeve si të vinin nga Perëndia: Taurāh (Torah, Ligji ose pesë librat e Moisiut), Zabūr (Psalmet) dhe Injīl (Ungjilli, Shkrimet e Krishtere Greke apo «Besëlidhja e Re»), si dhe asaj që iu zbulua profetëve të Izraelit.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, lexojmë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.» (2. Timoteut 3:16) Qartë, çdo udhëheqje ose ndriçim që marrim, duhet që në fund të fundit të vijë prej vetë Perëndisë. A nuk do të ishte e mençur, pra, të shqyrtonim shkrimet e profetëve të hershëm të Perëndisë? Çfarë zbulojnë ato në lidhje me të ardhmen tonë?
E ardhme e shkruar më parë
Kushdo që ka lexuar Shkrimet e Shenjta, e di se ato përmbajnë realisht qindra profeci. Ngjarje të tilla historike, si: rënia e Babilonisë së lashtë, rindërtimi i Jerusalemit (nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e pestë p.e.s.), si edhe ngritja dhe rënia e mbretërve të lashtë të Medio-Persisë dhe të Greqisë, ishin parathënë të gjitha me hollësi. (Isaia 13:17-19; 44:24–45:1; Danieli 8:1-7, 20-22) Përmbushja e profecive të tilla është një prej provave më të forta se Shkrimet e Shenjta janë me të vërtetë Fjala e Perëndisë, sepse vetëm Perëndia ka aftësinë, si për të parashikuar, ashtu edhe për të përcaktuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Në këtë kuptim, Shkrimet e Shenjta dokumentojnë në të vërtetë të ardhmen e shkruar më parë.
Vetë Perëndia deklaron: «Unë jam Hyjnori dhe nuk ka asnjë Perëndi tjetër, as edhe një si unë; Ai që thotë përfundimin që në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk janë bërë; Ai që thotë: ‘Këshilla ime do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që është kënaqësia ime.’ . . . unë e kam thënë atë; unë edhe do ta sjell. Unë e kam formuar dhe po unë do ta bëj.» (Isaia 46:9-11; 55:10, 11, BR) Vetë emri me të cilin Perëndia iu identifikua profetëve të tij të lashtë është Jehova, i cili fjalë për fjalë do të thotë «Ai shkakton të bëhet».a (Zanafilla 12:7, 8; Eksodi 3:13-15; Psalmi 83:18, BR) Perëndia e zbulon veten si ai që bëhet Përmbushësi i fjalës së tij, Ai që gjithmonë i çon deri në realizim qëllimet e tij.
Kështu, Perëndia e përdor aftësinë e tij për të ditur më parë, në përmbushjen e qëllimeve të tij. Shpesh ai e ka përdorur këtë aftësi për t’i paralajmëruar të ligjtë mbi gjykimin që po vinte, si dhe për t’u dhënë shërbëtorëve të tij shpresë për shpëtim. Por, a e përdor Perëndia këtë aftësi në një mënyrë të pakufizuar? A ekziston ndonjë dëshmi në Shkrimet e Shenjta, për gjëra që Perëndia ka zgjedhur të mos i dijë përpara?
A e di gjithçka më parë Perëndia?
Të gjitha argumentet në mbështetje të paracaktimit janë të bazuara në supozimin se përderisa Perëndia ka në mënyrë të pamohueshme aftësinë për të ditur më parë dhe për të përcaktuar ngjarjet e ardhshme, ai duhet të dijë më parë çdo gjë, përfshirë edhe veprimet e ardhshme të çdo individi. Por, a qëndron ky supozim? Ajo që Perëndia zbulon në Shkrimet e tij të Shenjta tregon diçka tjetër.
Për shembull, Shkrimet thonë se «Perëndia e vuri në provë Abrahamin», duke e urdhëruar ta flijonte birin e tij, Isakun, si një ofertë të djegur. Kur Abrahami gati po e flijonte Isakun, Perëndia e ndali dhe i tha: «Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke.» (Zanafilla 22:1-12) A do ta kishte bërë këtë pohim Perëndia, nëse e dinte më përpara se Abrahami do t’i bindej këtij urdhri? A do të kishte qenë kjo një provë e ndershme?
Për më tepër, profetët e shenjtë thonë se Perëndia foli herë pas here për veten si të ‘ndiente keqardhje’ për diçka që kishte bërë ose që po mendonte ta bënte. Për shembull, Perëndia tha se «i erdhi keq [nga hebraishtja na·chamʹ] që e kishte bërë Saulin mbret mbi Izraelin». (1. Samuelit 15:11, 35, BR; krahaso Jeremian 18:7-10; Jonai 3:10, BR.) Meqenëse Perëndia është i përsosur, këto vargje nuk mund të kenë domethënien se Perëndia bëri një gabim, duke e zgjedhur Saulin për të qenë mbreti i parë i Izraelit. Përkundrazi, ato duhet të tregojnë se Perëndia ndjeu keqardhje që Sauli doli se qe pa besim dhe i pabindur. Përdorimi që i bën Perëndia një shprehjeje të tillë, duke iu referuar vetes, do të ishte pa kuptim po t’i kishte ditur më parë veprimet e Saulit.
I njëjti term shfaqet në shumicën e Shkrimeve të lashta ku, duke iu referuar ditëve të Noes, thuhet: «Jehovai ndjeu keqardhje që kishte bërë njerëzit në tokë dhe ndjeu dhembje në zemër. Kështu, Jehovai tha: ‘Do t’i fshij nga faqja e dheut njerëzit që kam krijuar . . . sepse më vjen keq që i kam bërë.’» (Zanafilla 6:6, 7, BR) Përsëri këtu, kjo tregon se veprimet e njeriut nuk janë të paracaktuara nga Perëndia. Ai ndjeu keqardhje, pikëllim dhe madje dhembje, jo sepse veprimet e tij ishin të gabuara, por sepse ligësia e njeriut u bë tepër e madhe. Krijuesi ndjeu keqardhje që ishte bërë e nevojshme të shkatërronte të gjithë njerëzimin, me përjashtim të Noes dhe të familjes së tij. Perëndia na siguron: ‘Unë nuk gjej kënaqësi në vdekjen e të ligut.’—Ezekieli 33:11, BR; krahaso Ligjin e përtërirë 32:4, 5.
Pra, a e dinte më parë dhe madje a e dekretoi Perëndia rënien e Adamit në mëkat, si dhe pasojat katastrofike që kjo do të sillte mbi familjen njerëzore? Ajo që kemi marrë në shqyrtim tregon se kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Për më tepër, nëse Perëndia e dinte më parë të gjithë këtë, ai do të ishte bërë autori i mëkatit kur bëri njeriun dhe do të ishte përgjegjës i vullnetshëm për të gjithë ligësinë dhe vuajtjet njerëzore. Qartë, kjo nuk mund të pajtohet me atë që Perëndia zbulon për veten në Shkrimet. Ai është një Perëndi dashurie dhe drejtësie, që e urren ligësinë.—Psalmi 33:5; Fjalët e urta 15:9; 1. Gjonit 4:8.
Dy përfundimet e njeriut
Shkrimet e Shenjta nuk zbulojnë se e ardhmja jonë si individë, është disi e përcaktuar më parë ose e paracaktuar nga Perëndia. Përkundrazi, ajo që zbulojnë ato është se Perëndia ka parathënë vetëm dy përfundime të mundshme për njeriun. Perëndia i jep çdo njeriu vullnetin e lirë për të zgjedhur se cili përfundim do të jetë i tiji. Profeti Moisi, kohë më parë u deklaroi izraelitëve: «Kam vendosur përpara jush jetën dhe vdekjen, . . . ju duhet të zgjidhni jetën, që të mund të jetoni ju dhe pasardhja juaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij dhe duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta juaj dhe gjatësia e ditëve tuaja.» (Ligji i përtërirë 30:19, 20, BR) Profeti i Perëndisë, Jezui, paralajmëroi më parë: «Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi, sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që të çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë.» (Mateu 7:13, 14) Dy rrugë, dy përfundime. E ardhmja jonë varet nga veprimet tona. T’i bindesh Perëndisë do të thotë jetë, të mos i bindesh do të thotë vdekje.—Romakëve 6:23.
Perëndia «po i thotë njerëzimit se të gjithë ata, kudo, duhet të pendohen, sepse ai ka caktuar një ditë, në të cilën ka për qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar». (Veprat 17:30, 31, BR) Ashtu si pjesa më e madhe e njerëzimit në kohën e Noes zgjodhi të mos i bindej Perëndisë dhe u shfaros, po kështu sot, shumica nuk i binden urdhërimeve të Perëndisë. Por megjithatë, Perëndia nuk ka përcaktuar tashmë se kush do të shkatërrohet dhe kush do të marrë shpëtimin. Në fakt, Fjala e Perëndisë thotë se ai «dëshiron që të mos shkatërrohet asnjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9, BR) Edhe njerëzit shumë të ligj mund të pendohen, të bëhen të bindur dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme, për të fituar favorin e Perëndisë.—Isaia 1:18-20; 55:6, 7; Ezekieli 33:14-16; Romakëve 2:4-8.
Atyre që janë të bindur, Perëndia u premton jetën e përhershme në një parajsë paqësore, një tokë të pastruar nga çdo ligësi, dhunë dhe luftë, një botë ku nuk do të ketë më uri, vuajtje, sëmundje dhe vdekje. (Psalmi 37:9-11; 46:9; Isaia 2:4; 11:6-9; 25:6-8; 35:5, 6; Zbulesa 21:4) Edhe të vdekurit do të ringjallen dhe do t’u jepet mundësia t’i shërbejnë Perëndisë.—Danieli 12:2; Gjoni 5:28, 29.
«Vëzhgo të paqortueshmin dhe mbaje para syve të drejtin,—thotë psalmisti,—sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore. Por shkelësit vetë do të asgjësohen patjetër së bashku; e ardhmja e njerëzve të ligj do të hiqet me të vërtetë.» (Psalmi 37:37, 38, BR) Cila do të jetë e ardhmja jote? E gjitha varet prej teje. Botuesit e kësaj reviste do të ishin të lumtur të të ofronin informacion të mëtejshëm, për të të bërë të mundur t’i sigurosh vetes një të ardhme të lumtur dhe paqësore.
[Shënimi]
a Emri Jehova shfaqet më shumë se 7.000 herë në Shkrimet e Shenjta; shiko fletushkën Emri më i madh, botuar në vitin 1995 nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
[Diçitura në faqen 6]
Perëndia e përdor aftësinë e tij për të ditur më parë, në përmbushjen e qëllimeve të tij
[Diçitura në faqen 8]
Perëndia «dëshiron që të mos shkatërrohet asnjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». 2. Pjetrit 3:9, BR.
[Figura në faqen 7]
Nëse Perëndia e dinte më parë se Abrahami do të ishte i gatshëm ta flijonte birin e tij, a do të kishte qenë kjo një provë e ndershme?