A të kujtohet?
A je kënaqur me leximin e numrave të fundit të Kullës së Rojës? Nëse po, do të jetë interesante të kujtosh sa vijon:
◻ Pse mund të kemi siguri në Jehovain, kur ai zgjedh individë për të udhëhequr popullin e tij?
Për disa përgjegjësi Jehovai zgjedh individë që kanë cilësitë e nevojshme për ta udhëhequr popullin e tij në rrugën që ai dëshiron të ecin, në atë kohë të veçantë.—15/8, faqe 14.
◻ Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jonait?
Jonai mendonte tepër shumë për veten dhe tepër pak për të tjerët. Ne mund të mësojmë nga Jonai, duke e kaluar veten dhe ndjenjat personale në plan të dytë.—15/8, faqe 19.
◻ Në ç’kuptim mund të thuhet se «emri i Jehovait është një kullë e fortë»? (Proverbat 18:10, BR)
Strehimi ynë në emrin e Perëndisë do të thotë të besojmë në vetë Jehovain. (Psalmi 20:1; 122:4) Do të thotë të mbështetim sovranitetin e tij, duke përkrahur ligjet dhe parimet e tij, duke pasur besim në premtimet e tij dhe duke i dhënë atij devocion të veçantë. (Isaia 50:10; Hebrenjve 11:6)—1/9, faqe 10.
◻ Si na siguron një shembull mënyra në të cilën Pavli dëshmoi para funksionarëve të lartë?
Kur iu drejtua Mbretit Agripa, Pavli përdori maturi, duke theksuar pika për të cilat ai dhe Agripa ishin dakord. Në mënyrë të ngjashme, ne duhet të theksojmë aspektet pozitive të lajmit të mirë, duke përmendur ato shpresa që kemi të përbashkëta. (1. Korintasve 9:22)—1/9, faqe 31.
◻ Cilët nxjerrin dobi nga durimi i Jehovait?
Për shkak të durimit të Jehovait, miliona vetave më shumë po u jepet mundësia për të shpëtuar gjatë «ditës së Jehovait» që po vjen. (2. Pjetrit 3:9-15, BR) Durimi i Tij po lejon edhe secilin prej nesh të ‘vazhdojë të bëjë çmos për të arritur shpëtimin e vet me druajtje dhe dridhje’. (Filipianëve 2:12, BR)—15/9, faqe 20.
◻ Sa i vlefshëm ishte përkthimi Septuaginta i Biblës?
Ky përkthim i kontribuoi shumë përhapjes së njohurisë për Perëndinë Jehova dhe për Mbretërinë e tij me Jezu Krishtin si Mbret. Me anë të Septuagintës, u hodh një themel i rëndësishëm që hebrenjtë që flitnin greqisht dhe johebrenjtë në shekullin e parë të pranonin lajmin e mirë të Mbretërisë.—15/9, faqe 30.
◻ Çfarë na mëson shëmbëlltyra e birit plëngprishës rreth Perëndisë?
Së pari, na mëson se Jehovai është «i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e në të vërtetë». (Dalja 34:6, BR) Së dyti, se ai është ‘i gatshëm që të falë’, kur një ndryshim zemre siguron një bazë ku ai të tregojë mëshirën. (Psalmi 86:5)—1/10, faqet 12, 13.
◻ Kur do të realizohen kushtet paqësore të premtuara në Isainë 65:21-25?
Si adhurues të bashkuar të Jehovait në parajsën frymore sot, të mirosurit dhe ata të «deleve të tjera» janë duke përjetuar tani paqen që jep Perëndia. (Gjoni 10:16) Një paqe e tillë do të shtrihet në Parajsën fizike, kur ‘vullneti i Perëndisë të bëhet në të gjithë tokën, ashtu siç bëhet në qiell’. Në atë kohë fjalët e profetit Isaia do të realizohen plotësisht. (Mateu 6:10)—15/10, faqe 24.
◻ Pse të krishterët kremtojnë përvjetoret e martesës dhe ditëlindjet jo?
Bibla nuk e konsideron martesën si diçka negative. Është një çështje krejt personale nëse të krishterët i kushtojnë vëmendje ditës së përvjetorit të martesës së tyre, duke medituar mbi gëzimin e rastit dhe mbi vendimin e tyre për të punuar që të kenë sukses si çift. Por, të vetmet festime ditëlindjesh të regjistruara në Bibël janë ato të paganëve dhe këto kremtime lidheshin me akte mizore.—15/10, faqet 30, 31.
◻ Në ilustrimin e Pavlit, të regjistruar në 1. Korintasve 3:12, 13, çfarë përfaqëson «zjarri» dhe për çfarë duhet të jenë të vetëdijshëm të krishterët?
Ka një zjarr me të cilin ballafaqohemi të gjithë në jetë: sprovat e besimit tonë. (Gjoni 15:20; Jakovit 1:2, 3) Secili nga ata, të cilëve ne u mësojmë të vërtetën, do të sprovohet. Nëse i mësojmë dobët, pasojat mund të jenë të trishtueshme, siç paralajmëroi Pavli. (1. Korintasve 3:15)—1/11, faqe 11.
◻ Si ‘eci me Perëndinë e vërtetë’ Noeja? (Zanafilla 6:9)
Noeja eci me Perëndinë e vërtetë në kuptimin se bëri atë që Perëndia i tha të bënte. Meqenëse ia kushtoi jetën e vet kryerjes së vullnetit të Perëndisë, Noeja gëzoi një marrëdhënie të ngrohtë intime me Perëndinë.—15/11, faqe 10.
◻ Çfarë mundësish hap para nesh fakti që nuk e dimë me saktësi se kur do të ekzekutohet hakmarrja e Perëndisë mbi të ligjtë?
Kjo na jep mundësinë të provojmë se e duam me të vërtetë Jehovain dhe se dëshirojmë të ecim përgjithmonë në udhët e tij. Kjo tregon edhe se i jemi besnikë Jehovait dhe se i besojmë mënyrës që përdor ai për trajtimin e çështjeve. Për më tepër, kjo na ndihmon për të qëndruar vigjilentë dhe zgjuar frymësisht. (Mateu 24:42-44)—15/11, faqe 18.
◻ Çfarë do të thotë të vësh besim «në emrin e Birit të Perëndisë»? (1. Gjonit 5:13)
Kjo shprehje do të thotë t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të Krishtit, duke përfshirë edhe urdhërimin e tij që ‘të duam njëri-tjetrin’. (Gjoni 15:14, 17) Dashuria përpiqet t’u bëjë mirë të tjerëve. Ajo ndalon çdo paragjykim racial, fetar dhe shoqëror.—1/12, faqe 7.
◻ Pse Dëshmitarët e Jehovait janë «objekt urrejtjeje»? (Mateu 10:22)
Dëshmitarët e Jehovait janë urryer padrejtësisht për të njëjtat arsye për të cilat u persekutuan edhe të krishterët e parë. Së pari, Dëshmitarët e Jehovait veprojnë në bazë të bindjeve të tyre fetare në mënyra që i bëjnë të papëlqyeshëm për disa. Së dyti, ata kanë qenë shënjestra të akuzave të rreme: gënjeshtra të drejtpërdrejta dhe paraqitje të shtrembëruara të bindjeve të tyre.—1/12, faqe 14.