A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Cilat janë disa arsye se përse ka kaq shumë ligësi sot në botë?
Një arsye është prirja e njeriut për të bërë të keqen. (Zanafilla 8:21) Një tjetër është se shumë njerëz nuk kanë njohuri të saktë për vullnetin e Perëndisë. Për më tepër, Satanai, nismëtari i ligësisë vazhdon të ndërhyjë në çështjet njerëzore.—1/1, faqet 4-6.
• Çfarë të mirash mund të sjellë një fjalë e mirë e thënë në kohën e duhur? (Proverbat 12:25)
Mund t’i japë siguri dikujt, e inkurajon, e motivon dhe e bën të ndihet i pranuar nga të tjerët. Përveç këtyre, kur përpiqemi t’i lavdërojmë të tjerët, kjo na ndihmon të shohim anët e tyre pozitive.—1/1, faqet 16, 17.
• Çfarë kishte në arkën e besëlidhjes?
Aty ishin dy pllakat prej guri që kishin Ligjin dhe një sasi mane. Pas rebelimit të Korahut, shkopi i Aaronit u vendos në Arkë, që të shërbente si dëshmi kundër brezit të asaj kohe. (Hebrenjve 9:4) Shkopi dhe mana mund të jenë hequr nga Arka para kushtimit të tempullit të Solomonit.—15/1, faqja 31.
• Pse në ditët e Nehemisë judenjtë duhej të sillnin dru në tempull?
Ligji i Moisiut nuk kërkonte një ofertë drush. Por në ditët e Nehemisë ishte e nevojshme që drutë të mos mungonin asnjëherë për të djegur flijimet në altar.—1/2, faqja 11.
• Çfarë është Fragmenti Muratorian?
Është pjesë e një dorëshkrimi në latinisht. Teksti origjinal u shkrua në greqisht aty rreth fundit të shekullit të dytë të erës sonë. Ai përmban listën më të vjetër të librave të Shkrimeve të Krishtere Greke që konsiderohet si e besueshme, si dhe komente për librat dhe shkrimtarët e këtyre librave.—15/2, faqet 13-14.
• Pse nuk pranonte mbretëresha perse Vashti të shkonte para mbretit? (Estera 1:10-12)
Bibla nuk i tregon motivet e saj. Disa studiues mendojnë se ajo nuk pranonte të bindej sepse nuk donte që ta ulte veten para mysafirëve të dehur të mbretit. Ose ndoshta kjo mbretëreshë e bukur nga pamja e jashtme, në të vërtetë nuk ishte e nënshtruar, duke lënë kështu një shembull të keq për gratë e tjera në Perandorinë Perse.—1/3, faqja 9.
• Në ç’mënyrë na çliron shpërblesa?
Flijimi i Jezuit na çliron nga mëkati i trashëguar dhe nga pasojat e tij vdekjeprurëse. (Romakëve 6:23) Ky flijim i çliron të krishterët e vërtetë nga një ndërgjegje fajtore. Dhe duke treguar besim te kjo shpërblesë çlirohemi nga frika lidhur me qëndrimin tonë para Perëndisë. (1 Gjonit 2:1)—15/3, faqja 8.
• Çfarë mësojmë nga fakti që Ligji e ndalonte zierjen e kecit në qumështin e nënës së tij? (Eksodi 23:19)
Ky akt mund të ketë qenë një rit pagan që bëhej për të ndjellë shiun. (Levitiku 20:23) Perëndia e siguroi qumështin e dhisë për të ushqyer kecin e vet dhe për ta ndihmuar që të rritej. Të zieje kecin në qumështin e nënës do të tregonte përbuzje për lidhjen që Perëndia ka vendosur midis prindit dhe të voglit. Ligji kundër kësaj gjëje dëshmon për dhembshurinë e butë të Perëndisë.—1/4, faqja 31.