Ç’do të thotë të njihet Perëndia i vërtetë?
1, 2. Sipas Isaisë 2:3, çfarë ftese bëhet në ditët e fundit dhe për kë?
PROFECIA prekëse e Isaisë mbi ditët e fundit, përmban një ftesë që duhet t’u interesojë njerëzve të çdo kombi. Ftesa ka të bëjë me njohjen personale të Perëndisë së vërtetë: «Dhe shumë popuj do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, le të ngjitemi lart në Malin e ZOTIT, në Shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; që të mund të na mësojë në rrugët e Tij dhe të mund të ecim shtigjeve të Tij.»a—Isaia 2:3.
2 Kjo profeci tregon se në ditët e fundit, njerëz të shumë kombeve në mbarë botën, do të udhëhiqeshin drejt një burimi të përbashkët mësimi që do t’i ndihmonte për të njohur Perëndinë e vërtetë. Cilat janë të vërtetat që do të mësojnë dhe që shërbejnë për t’i bashkuar në lidhjet e paqes së vërtetë?
3. Si ka mundësi që një karakteristikë e rëndësishme e Biblës, të jetë gati e panjohur për shkak të traditës?
3 Një karakteristikë e jashtëzakonshme e Biblës, gati e panjohur për shkak të traditës, është vendosja e një marrëdhënieje me Perëndinë, Atin dhe Krijuesin tonë qiellor, një marrëdhënie kaq personale, sa t’i drejtohesh atij në emër. Cili është ai njeri që ka një mik të ngushtë dhe të dashur dhe refuzon të përdorë emrin e tij, madje edhe të mos e përmendë kur e pyesin për të? Zakonisht, vetëm një armik përbuzet aq sa të mos i përmendet edhe emri. Marrëdhënia e veçantë që ekzistonte në mes të Izraelit të vjetër dhe Perëndisë së tij—përmes së cilës ata e njihnin me emër—është shprehur bukur nga psalmisti i vjetër: «Për shkak se është besnik ndaj Meje, do ta çliroj; do ta mbaj të sigurt, sepse e njeh emrin Tim.»—Psalmi 91:14.
A duhet ta përdorim emrin hyjnor?
4, 5. Cila është domethënia e emrit të Perëndisë?
4 Për sa i takon Biblës, kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë pyetje mbi emrin e Perëndisë së vërtetë. Kur i foli Moisiut, Perëndia shpjegoi se do ta përdorte [Moisiun] për të nxjerrë Izraelin nga robëria egjiptase. Moisiu bëri një pyetje logjike: «Kur të shkoj tek izraelitët dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar tek ju’ dhe ata të më pyesin: ‘Si është emri i tij?’, çfarë t’u them atyre?» Perëndia u përgjigj: «Kështu do t’u thuash izraelitëve: ‘ZOTI [hebraisht יהוה = YHWH = Yahweh apo që nga shekulli i 13-të i e.s., Jehova], Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar tek ju: Ky do të jetë emri Im përgjithmonë, ky është emërtimi [përkujtimi, JP] Im për gjithë përjetësinë.»—Të Dalët 3:13, 15, kursivi është yni.
5 Ky emër është plot kuptim për këdo që di hebraisht. Vjen nga rrënja hebreje הוה = hwh, që do të thotë «të bëhet». Megjithatë, emri është në formën shkakore, Hiph·ʽilʹ, sipas gramatikës hebreje. Prandaj, kuptimi i tij themelor nuk lidhet me ekzistencën e përhershme të Perëndisë, por më mirë të themi me faktin se ai i sjell gjërat në ekzistencë apo bën që ato të ndodhin. Në mënyrë të veçantë, kjo është e vërtetë në lidhje me qëllimet e tij. Në përputhje me qëllimin e tij për të çliruar nga skllavëria egjiptase popullin e vet të zgjedhur, ai shkaktoi që kjo të bëhej. Asnjë forcë nuk mundi t’i qëndronte vullnetit të tij të shprehur. Jehovai është Perëndia që bën të plotësohen qëllimet e veta. Prandaj, ai e bën vetveten Plotësuesin e premtimeve të veta. Dhe kjo është e vërtetë edhe me qëllimin e tij për të çliruar kombin e vet nga robëria egjiptase. Njësoj është edhe me qëllimin e tij për të sjellë kushte parajsore në tokë. Vetëm emri i tij u jep kuptim këtyre premtimeve dhe është garanci për to.—Isaia 41:21-24; 43:10-13; 46:9, 10.
6-9. (a) Si e dimë se Perëndia nuk e ndalon përdorimin e emrit të vet? (b) Si dhe kur u bë pjesë e judaizmit, ndalimi i përdorimit të emrit të Perëndisë?
6 Por, a nuk e ndalojnë të Dhjetë Urdhrat shqiptimin e emrit të Perëndisë? Aspak! Edhe pse shumica e ka interpretuar urdhrin e tretë në këtë mënyrë, vërej se çfarë komenti bën Encyclopaedia Judaica: «Shmangia në shqiptimin e emrit YHWH . . . është shkaktuar nga keqkuptimi i Urdhrit të Tretë (Të Dalët 20:7; Ligji i përtërirë 5:11) që nënkuptohej si: ‘Nuk duhet ta përdorësh kot emrin e YHWH, Perëndisë tënd’, ndërsa në të vërtetë ai do të thotë: ‘Nuk duhet të betohesh rrejshëm në emrin e YHWH, Perëndisë tënd.’ »5 Vërej se teksti nuk e ndalon «përdorimin» apo shqiptimin e emrit të Perëndisë. Megjithatë, edhe po të kishte kuptimin që të mos përmendet emri i Perëndisë «kot», vërej se ç’thotë Fjalori hebre i Koehlerit dhe Baumgartnerit, në lidhje me termin hebre të përkthyer «kot» [hebraisht lashshawʹʼ]: «Të shqiptohet një emër pa arsye . . . të keqpërdoret një emër.»6 Prandaj, ky urdhër nuk ndalon përdorimin e emrit të Perëndisë, por më mirë të themi që ndalon përdorimin e gabuar të tij.
7 Por, ç’të themi për pohimin se emri i Perëndisë është «tepër i shenjtë për t’u shqiptuar»? E po mirë, a nuk duket e arsyeshme të mendohet se, sikur ta konsideronte emrin e vet tepër të shenjtë për t’u shqiptuar nga njeriu, Perëndia në radhë të parë as që kishte për ta zbuluar atë? Vetë fakti që në tekstin origjinal të Shkrimeve Hebreje, emri i Perëndisë shfaqet mbi 6.800 herë, tregon se ai dëshiron që njerëzit ta njohin dhe ta përdorin emrin e tij. Në kundërshtim me atë se ai e ndalon përdorimin e emrit të vet, për ta mbrojtur nga çnderimi, Perëndia e ka nxitur, madje e ka urdhëruar popullin e vet që ta përdorë emrin e tij dhe ta bëjë të njohur atë. Kjo do të ishte një shenjë e lidhjes së tyre të ngushtë me të, si dhe e dashurisë së tyre për të. (Psalmi 91:14) Profeti Isaia tregoi qartë se cili është vullneti i Perëndisë në këtë pikë, kur tha: «Lavdërojeni ZOTIN [יהוה = YHWH = Jehova], shpalleni emrin e tij. Bëni të njohura veprat e tij nëpër popuj; shpallni se emri i tij është i lartë.»—Isaia 12:4; shiko edhe Mikea 4:5; Malakia 3:16; Psalmet 79:6; 105:1; Proverbat 18:10.
8 Sikur Jehovai të mos dëshironte që njerëzit ta shqiptonin emrin e tij, do ta kishte ndaluar hapur këtë gjë. Megjithatë, Bibla në asnjë vend nuk e ndalon përdorimin me vend apo shqiptimin e emrit të tij. Njerëz besnikë të kohërave biblike, e përdornin lirisht emrin e tij. (Zanafilla 12:8; Rutha 2:4; 4:11, 14) Në fakt, Jehovai gjithnjë i ka dënuar ata që e bënin popullin e tij të harronte emrin e shenjtë të Perëndisë.—Jeremia 23:26, 27; Psalmet 44:21, 22; (44:20, 21, NW).
9 Por, si u bë ky ndalim pjesë e mendimit hebre, kur është aq e qartë se nuk ishte pjesë e Biblës? Komentet e dr. A. Cohen, rabin dhe autor i librit Everyman’s Talmud, tregojnë se kjo traditë u zhvillua gradualisht, gjatë një periudhe shumëshekullore. Dr. Cohen shkroi: «Në periudhën biblike, duket se nuk ka pasur asnjë ngurrim në përdorimin e tij në të folurin e përditshëm. Shtesa Jah apo Jahu në emrat personalë, që mbeti si shprehi në mes të hebrenjve, madje edhe pas robërisë babilonase, është një tregues se nuk ka pasur asnjë ndalesë në përdorimin e Emrit prej katër shkronjash. Por, në periudhën e hershme rabine, shqiptimi i emrit u kufizua në shërbimin në tempull.» Në përputhje me ngjarje të mëtejshme gjatë kësaj periudhe, ai vëren: «Në vend të JHVH, gjatë shërbimit në sinagogë emri shqiptohej Adonai (Zoti im); por ekziston një traditë sipas së cilës, kohë pas kohe njerëzit e ditur u transmetonin shqiptimin origjinal nxënësve të tyre—një apo dy herë çdo shtatë vjet. (Kiddushin 71a) Por edhe kjo praktikë pushoi pas një farë kohe dhe mënyra e shqiptimit të Emrit nuk njihet më me siguri.»7 Ja, çfarë efekti pati «urdhri i njeriut».—Isaia 29:13; Ligji i përtërirë 4:2; shiko faqen 9, paragrafët 15, 16.
Kërkesa për ata që e mbajnë Emrin
10-14. (a) Ç’kërkon Perëndia nga ata që mbajnë emrin e tij? (b) Cilat forma pastërtie kërkohen nga ata që dëshirojnë t’i pëlqejnë Perëndisë? (c) Cili ndikim i huaj pagan la gjurmë të thella në judaizëm?
10 Është e qartë, se vetëm njohja apo edhe përdorimi i emrit të Perëndisë nuk mjaftojnë që një njeri t’i pëlqejë Perëndisë. Mbajta e emrit të Perëndisë, si një adhurues i tij i vërtetë, është një privilegj i pashoq, sikurse deklaroi profeti Jeremia: «Fjala jote më solli kënaqësinë dhe gëzimin të di se emri yt është i lidhur me mua.» (Jeremia 15:16) Por ky privilegj i madh, sjell me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Në mënyrë të veçantë, Jehovai u tha mbretërve të kombeve pagane: «Do ta sjell ndëshkimin, së pari mbi qytetin që mban emrin Tim.» (Jeremia 25:29) Kur e çliroi kombin e Izraelit nga robëria 70-vjeçare në Babiloni, Jehovai e kish paralajmëruar tashmë popullin e vet, përmes profetit Isaia: «Kthehuni, kthehuni, mos prekni asgjë të papastër, ndërsa largoheni prej atje; qëndroni të pastër, ndërsa dilni prej atje, ju që mbartni enët e ZOTIT [יהוה]!» (Isaia 52:11) Çfarë do të thotë sot të qëndrosh i pastër si adhurues i vërtetë, si mbajtës i emrit të Perëndisë më të shenjtë, Jehova?
11 Sigurisht, një njeri që dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë me adhurimin e vet, duhet të qëndrojë i pastër në sjellje, veçanërisht në lidhje me kriteret morale të vendosura nga vetë Perëndia. Në kontrast me kriteret që lejon shoqëria e sotme, Shkrimet nuk lënë vend për dyshime apo interpretime, kur shprehin dënimin e Perëndisë për gënjeshtrën, vjedhjen, kurvërinë, tradhtinë bashkëshortore, homoseksualizmin, vrasjen dhe për çdo lloj mashtrimi. (Të Dalët 20:12, 13 [Da 20:12-16, NW]; Da 23:1, 2; Levitiku 5:1; 19:35, 36; 20:13) Shkrimet dënojnë jo vetëm veprimet e gabuara, por edhe mendimet e gabuara që të çojnë deri tek një sjellje e gabuar.—Të Dalët 20:14 (Da 20:17, NW); Levitiku 19:17; Psalmi 14:1-5; Jobi 31:1, 9.
12 Përveç pastërtisë morale, prej atyre që mbajnë emrin e Jehovait, sigurisht që kërkohet edhe pastërti fetare. Vazhdimisht, Jehovai e paralajmëroi kombin e vjetër izraelit që të mos ndikohej nga mendime, veprime dhe shprehi fetare të kombeve fqinj, të cilët adhuronin perëndi të tjera. Në fakt, ata mund të qëndronin në Tokën e premtuar vetëm me këtë kusht—nuk duhej të imitonin adhurimin e rremë të kombeve. (Levitiku 18:24-30; Ligji i përtërirë 12:29-31) Jo vetëm idhujtaria ishte e ndaluar në mënyrë të qartë, por edhe të gjitha format e veprimit dhe besimit supersticioz, si astrologjia, spiritizmi, hedhja e fallit, magjia dhe lutja apo pyetja e të vdekurve, ishin të ndaluara.—Të Dalët 20:3-5; 22:17 [22:18, NW]; Levitiku 20:27; Ligji i përtërirë 18:9-13; Isaia 8:19, 20; 47:13; Jeremia 10:2.
13 Çështja e pastërtisë doktrinale, ishte e lidhur ngushtë me pastërtinë fetare. Paralajmërimi për të mos imituar moralin dhe adhurimin e kombeve përreth, nuk u zbatua vetëm në kohën kur Izraeli mori tokën e kananitëve. Jehovai i kishte zbuluar të vërtetën fetare popullit të vet. Vetëm ata adhuronin Perëndinë e vërtetë Jehova. (Të Dalët 19:5, 6; Ligji i përtërirë 4:32-37; Psalmi 147:19, 20) Vetëm ata e njihnin këtë Perëndi personalisht dhe duke qenë dëshmitarë të tij, ishin në gjendje të mësonin edhe të tjerët mbi të. (Isaia 43:9-12; Psalmi 105:1) Përkundrazi, zakonet dhe praktikat fetare të kombeve të tjera pasqyronin një mungesë themelore në njohjen e Perëndisë.—Isaia 60:2.
14 Edhe pse e filloi mirë, kombi izraelit u tërhoq vazhdimisht prej ideve të huaja fetare. (Gjyqtarët 2:11-13; 1. Mbretërit 18:21; Jeremia 2:11-13; Ezekieli 8:14-18) Megjithëse kultura kananite dhe babilonase la vulën e vet, sfida më e madhe me të cilën u ballafaqua judaizmi erdhi gjatë periudhës së helenizimit nga perandoria greke.b Duke përmbledhur këtë periudhë të gjatë të ndikimit kulturor grek, që zgjati nga shekulli i katërt p.e.s., deri në shekujt e hershëm të erës sonë, autori hebre Max Dimont vërejti: «Të pasuruar me mendimin platonik, logjikën aristoteliane dhe shkencën euklidiane, mendimtarët hebrenj iu afruan Torës me mjete të reja. . . . Ata vazhduan t’ia shtonin arsyen greke zbulimit hebre.»
A ka njeriu një shpirt të pavdekshëm?
15-17. (a) Çfarë mëson Bibla mbi vdekjen dhe shpirtin? (Shiko kutinë, faqe 22.) (b) Çfarë shprese përmban Bibla për të vdekurit?
15 A u ndikuan doktrinat dhe bindjet fetare të judaizmit gjatë kësaj periudhe? Encyclopaedia Judaica pranon hapur: «Doktrina e pavdekshmërisë së shpirtit në judaizëm, mund të ketë ardhur nëpërmjet ndikimit grek.»8 Shkrimet Hebreje mësojnë thjesht dhe qartë, se në fillim Perëndia kishte ndër mend që njeriu të jetonte përgjithmonë, me shëndet të përsosur në tokë. (Shiko faqe 11-12, paragrafët 2 deri 4.) Në Zanafillën 2:7, lexojmë: «ZOTI Perëndia e krijoi njeriun nga pluhuri i dheut dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës; dhe njeriu u bë shpirt i gjallë.» (JP) Vërej që teksti nuk konstaton se njeriut iu dha shpirti, por përkundrazi, ai u bë shpirt. Pasi nuk u bind dhe u rebelua kundër Perëndisë, njeriu i parë, Adami, u dënua me vdekje. Prandaj, Adami, si një shpirt njerëzor, vdiq. Asnjë pjesë e tij nuk vazhdoi të jetonte më në ndonjë mbretëri tjetër. Pra, koncepti i pavdekshmërisë së shpirtit nuk është mësim biblik.c Bibla thotë qartë: «Shpirti që mëkaton, do të vdesë.»—Ezekieli 18:4, JP.
16 Ajo çka zbulojnë Shkrimet mbi gjendjen e të vdekurve është në harmoni me mësimin biblik, se shpirti vdes. Tek Eklisiastiu kreu 9, vargjet 5 dhe 10, lexojmë: «Të gjallët e dinë se do të vdesin. Por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Sepse nuk ka as veprimtari, as arsyetim, as mësim, as mençuri në Sheol [varr i përbashkët i njerëzimit], ku do të shkosh.» (Krahaso Psalmi 146:3, 4.) Vdekja u dha si dënim nga Perëndia. (Zanafilla 2:17) Ajo është e kundërta e jetës dhe jo një formë tjetër e jetës. Pasi kjo është e vërtetë, nuk duhet të befasohemi kur zbulojmë se Shkrimet nuk flasin në asnjë vend për dënimin me djegie në zjarrin e ferrit (geh hinnomʹ). Edhe ky është një koncept i përvetësuar nga filozofia greke dhe doktrinat pagane. Në lidhje me besimin mistik hebre të ritrupëzimit, The New Standard Jewish Encyclopedia kostaton: «Duket se ideja ka zënë fill në Indi. . . . Në Kabbalah [libër mistik i judaizmit] shfaqet së pari në librin Bahir dhe pastaj, nga Zohari e më tej, u pranua në përgjithësi nga mistikët, duke luajtur një rol të rëndësishëm në besimin dhe literaturën hasidike.»9
17 Pasi vdekja është e kundërta e jetës dhe shpirti nuk jeton në ndonjë mbretëri tjetër, çfarë shprese kanë atëherë të vdekurit? Fjala e Perëndisë mëson qartësisht, se pas ripërtëritjes së kushteve parajsore për njerëzimin në tokë, përmes ndërhyrjes së Mbretit Mesianik të emëruar nga Perëndia, pjesa më e madhe e të vdekurve do të rikthehet në jetë. Ky mësim biblik, shpeshherë përmendet si «ringjallja e të vdekurve». Ndër të ringjallurit do të jenë jo vetëm ata që i kanë shërbyer besnikërisht Perëndisë, por edhe miliona, madje miliarda njerëz që kurrë nuk kanë pasur mundësinë e plotë për të mësuar mbi të dhe për t’i shërbyer në të vërtetë.—Danieli 12:2, 12 (13, NW, JP); Isaia 26:19; Jobi 14:14, 15.
18, 19. Përse një njeri duhet ta njohë Perëndinë e vërtetë dhe si mund ta bëjë këtë?
18 A nuk është shpresa biblike e ringjalljes në një jetë të përsosur mbi tokë, një nxitje e fuqishme për njerëzit e të gjitha kombeve që të kërkojnë dhe të njohin Perëndinë e vërtetë? Po, ku gjendet burimi i vërtetë i udhëzimeve nga Jehovai, për këto ditë të fundit, siç përmendet tek Isaia 2:2, 3? Kush mund t’i mësojë njerëzit në rrugët e Jehovait, që të «mund të ecin shtigjeve të tij»? Nën dritën e informatave biblike të shqyrtuara deri tani, cili mund të na sigurojë një mësim të tillë, judaizmi apo krishterimi?
19 Sipas profecisë, do të kishte një grup njerëzish që do ta mbanin me pastërti emrin e Perëndisë, që do të shërbenin me të vërtetë si Dëshmitarë të tij dhe si burim i një drite frymore për kombet.—Isaia 60:2, 3.
[Shënimet]
a Një lexim i sipërfaqshëm i kësaj profecie, mund të japë përshtypjen se në ditët e fundit do të ketë një kthim masiv në judaizëm. Megjithatë, vetë konteksti, si dhe ngjarjet e tanishme, tregojnë se kjo nuk është një pikëpamje e drejtë. Argumentet e diskutuara në këtë pjesë dhe në atë që vijon, do të jenë të dobishme për të kuptuar edhe se përse kemi arritur në këtë përfundim.
b Prej kohës së sundimit të Aleksandrit të Madh (336-323 p.e.s.), grekët bënë përpjekje të përbashkëta për të përhapur filozofinë, kulturën dhe gjuhën e tyre në të gjitha vendet e përfshira në Perandorinë greke. Ata që adoptuan kulturën dhe mendimin grek, konsideroheshin të helenizuar. Kjo përpjekje, për të mposhtur kulturat e tjera me anë të asaj greke, vazhdoi edhe nën Perandorinë romake, e cila edhe pse e mundi Greqinë, e pëlqeu kulturën dhe filozofinë e saj. Madje edhe ndërmjet atyre që luftuan dukshëm dhe në mënyrë energjike për t’i bërë ballë kësaj vale të madhe të ndikimit grek, gjejmë dëshmi të qarta se kanë adoptuar ide, bindje dhe doktrina filozofike greke.
c Në hebraishten biblike, fjala e përkthyer «shpirt» është nephesh. Megjithatë, sipas judaizmit të sotëm, fjala hebreje neshamahʹ shpeshherë tregon atë pjesë të njeriut që vazhdon të ekzistojë pas vdekjes. Por, një studim i kujdesshëm i Shkrimeve, zbulon se fjala neshamahʹ nuk ka pasur kurrë një kuptim të tillë; ajo në mënyrë të thjeshtë i referohet procesit të frymëmarrjes apo një krijese që merr frymë, njeriut apo kafshës.—Zanafilla 7:22; Ligji i përtërirë 20:16; Josiu 10:39, 40; 11:11; Isaia 2:22.
[Kutia në faqet 20, 21]
EMRI I PERËNDISË NË BIBËL—ÇFARË THA PERËNDIA
«Veç kësaj, Perëndia i tha Moisiut: ‘Kështu duhet t’u thuash fëmijëve të Izraelit: ZOTI [יהוה = YHWH = Jehova], Perëndia i etërve tuaj, . . . më ka dërguar tek ju; ky është emri Im përgjithmonë dhe ky është përkujtimi Im në të gjithë brezat.’»—Të Dalët 3:15, JP, kursivi është yni.
«Së shpejti Boazi erdhi në Betlehem. I përshëndeti korrësit: ‘ZOTI [יהוה] qoftë me ju!’ Dhe ata iu përgjigjën: ‘ZOTI [יהוה] të bekoftë!’ »—Rutha 2:4.
«Falënderojeni ZOTIN [יהוה], shpalleni emrin e Tij. Bëni të njohura veprat e tij në mesin e popujve; shpallni se emri i tij është i lartësuar.»d—Isaia 12:4, kursivi është yni; Psalmi 105:1.
«Sepse atëherë do t’i bëj popujt të flasin pastër, në mënyrë që të gjithë ata ta thërrasin ZOTIN [יהוה] me emër dhe t’i shërbejnë njëzëri.»—Zefania 3:9, kursivi është yni.
«Derdhe tërbimin tënd mbi kombet që Ti nuk i njeh, mbi mbretëritë që nuk e thërrasin emrin Tënd.»—Psalmi 79:6, kursivi është yni.
EMRI I PERËNDISË NË TALMUD—ÇFARË THANË NJERËZIT
«Ishte urdhëruar që secili t’i përshëndeste miqtë e vet, duke përmendur Emrin.»—Berakhot 9:5.
«Atëherë, ai [Kryeprifti në Ditën e Faljes së mëkatit] tha: O JHVH, populli Yt, Shtëpia e Izraelit, ka bërë ligësi, ka shkelur ligjin, ka mëkatuar para Teje. Të lutem Ty me Emrin JHVH . . . Dhe kur priftërinjtë dhe populli që qëndronin në Oborr dëgjuan Emrin e lavdishëm dhe të nderuar, tek shqiptohej lirisht nga goja e Kryepriftit, në shenjtëri e pastërti, u gjunjëzuan dhe u shtrinë përmbys, duke rënë me faqe përdhe, duke bërtitur: I bekuar qoftë Emri i Tij i lavdishëm, sovran, përherë e gjithmonë.»—Joma 6:2.
«Në Shenjtore shqiptohej dhe shkruhej Emri i tij; por jashtë saj përdorej Emri tjetër.»—Sotah 7:6.
«Së pari, Kryeprifti e shpallte Emrin me zë të lartë; por kur u shumuan njerëzit e shfrenuar, ai e shpallte atë me zë të ulët.»—The Jerusalem Talmud, Joma 40d.
«[Në mes të atyre që janë përjashtuar nga bota e ardhme është] ai që e shqipton Emrin sipas shkronjave.»—Sanhedrin 10:1.
«Kushdo që e shqipton qartë Emrin është fajtor për shkelje të madhe.»—Pesikta 148a.
[Shënimi]
d Shprehja «shpalleni emrin e tij» (hebraisht, קראו בשמו), mund të përkthehet edhe «thirreni atë me emër». (Krahaso The New English Bible.) I njëjti konstruksion hebre gjendet në Zanafillën 12:8, ku është përkthyer sipas përkthimit Tanakh: «[Abramami] e thirri ZOTIN me emër.»
[Kutia në faqen 22]
VDEKJA DHE SHPIRTI: Ç’JANË ATO?
ÇFARË THONË SHKRIMET:
«Atëherë ZOTI Perëndia e formoi njeriun nga pluhuri i dheut, dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës; dhe njeriu u bë shpirt i gjallë [neʹphesh].» (Zanafilla 2:7, JP, kursivi është yni.) Vërej se njeriut nuk iu dha një shpirt, por u bë një shpirt.
«Por, sa për pemën e njohjes të së mirës e së keqes, ju nuk duhet të hani nga ajo; sepse sapo të hani nga ajo, do të vdisni.» (Zanafilla 2:17) Vërej se njeriut të parë, Adamit, vdekja iu përmend vetëm si një dënim për mosbindje.
«Me djersën e ballit do ta fitosh bukën për t’u ushqyer, derisa të kthehesh në dhe, sepse prej tij je marrë. Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.»—Zanafilla 3:19.
«Në qytetet e këtyre popujve, . . . nuk të lësh asnjë shpirt [neshamahʹ] të gjallë.»—Ligji i përtërirë 20:16.
«Dhe ata e morën dhe e goditën me teh të shpatës, . . . të gjithë shpirtrat [neʹphesh] që ishin atje; nuk la asnjë të mbetej, . . . por e shkatërroi krejtësisht atë dhe të gjithë shpirtrat [neʹphesh] që ishin atje.»—Josiu 10:37, JP.
«Ata ndoqën dhe vunë në shpatë çdo njeri në të. Asnjë shpirt [neshamahʹ] nuk përjetoi.»—Josiu 11:11.
«Vështro, të gjithë shpirtrat janë të Mitë; si shpirti i atit, ashtu edhe shpirti i birit është Imi; shpirti [neʹphesh] që mëkaton, do të vdesë.»—Ezekieli 18:4, JP, kursivi është yni.
«Të gjallët e dinë se do të vdesin. Por, të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Sepse nuk ka veprim, as arsye, as mësim, as mençuri në Sheolin [varri i përbashkët i njerëzimit] ku po shkon.»—Eklisiastiu 9:5, 10.
Ç’KANË THËNË RABINËT:
«Në qiellin e shtatë, Araboth, janë grumbulluar frymërat dhe shpirtrat që duhet të krijohen.»—Hagigah 12b, Talmudi.
«Një shpirt plotësues i jepet njeriut në vigjilje të Sabatit, dhe i hiqet në përfundim të Sabatit.»—Taanit 27b, Talmudi.
«Për 12 muaj të plotë [pas vdekjes] trupi vazhdon të ekzistojë dhe shpirti ngrihet dhe bie.»—Shabbat 152b, Talmudi.
«Krimbat u shkaktojnë aq dhembje të vdekurve, sa gjilpëra në trupin e të gjallëve.»—Shabbat 13b, Talmudi.
«Nëse është thënë ndonjë deklaratë në emër të një njeriu në këtë botë, pas vdekjes buzët e tij do të lëvizin në varr.»—Sanhedrin 90b, Talmudi.
«Judaizmi është ‘feja që siguron pavdekshmërinë e shpirtit, pas vdekjes së trupit.’»—The Kuzari 1:103, Judah Halevi, rabin i shekullit të 12-të.
[Figura në faqen 23]
Kjo dysheme e vjetër e sinagogës në Tiberi, Izrael, është vetëm një shembull i ndikimit që pati mbi Judaizmin mendimi dhe kultura greke. Vëreni shenjat e zodiakut me emrat e tyre të shkruara në hebraisht. Figura në qendër është perëndia i diellit Heliosi