Diçka më e madhe se thesaret e Egjiptit
MOISIU është ndër figurat më të mëdha të historisë. Katër libra të Biblës, që nga Eksodi e deri te Ligji i përtërirë, trajtojnë pothuajse vetëm marrëdhëniet e Perëndisë me Izraelin, nën udhëheqjen e Moisiut. Ai udhëhoqi Daljen e tyre nga Egjipti, ndërmjetësoi besëlidhjen e Ligjit dhe e udhëhoqi Izraelin deri në kufirin e Tokës së Premtuar. Moisiu ishte rritur në shtëpinë e faraonit, por u bë udhëheqësi i autorizuar i popullit të Perëndisë, si edhe profet, gjykatës dhe shkrimtar i frymëzuar në mënyrë hyjnore. E megjithatë, ishte ‘më zemërbuti se të gjithë njerëzit’.—Numrat 12:3.
Pjesa më e madhe e asaj që thotë Bibla për Moisiun ka të bëjë me 40 vjetët e fundit të jetës së tij, duke përmbledhur periudhën që fillon me çlirimin e Izraelit nga skllavëria e deri në vdekjen e Moisiut, në moshën 120-vjeçare. Nga mosha 40 vjeç deri në 80 vjeç, ai ishte bari në Midian. Por, siç thotë një burim, «ndoshta pjesa më tërheqëse e jetës së tij, e megjithatë ajo që është më e errët» janë 40 vitet e para të jetës së tij, që nga lindja e deri në arratisjen nga Egjipti. Çfarë mund të kuptojmë për këtë periudhë? Si mund të kishin ndikuar në llojin e njeriut që u bë Moisiu rrethanat në të cilat u rrit? Çfarë ndikimesh do të kishte pasur? Cilat sfida do t’i ishte dashur të përballonte? E çfarë mund të na mësojë e gjithë kjo?
Skllavëria në Egjipt
Libri i Eksodit tregon se një nga faraonët filloi t’i kishte frikë izraelitët që ishin vendosur në Egjipt, sepse këta po shtoheshin shumë. Duke menduar se po vepronte «me dinakëri», ai u përpoq ta zvogëlonte numrin e tyre duke u dhënë të bënin një punë tiranike skllavëruese, nën kamxhikun e përgjegjësve. Puna e izraelitëve përfshinte të mbanin ngarkesa, të bënin llaç argjile, si edhe të plotësonin sasinë e përditshme të tullave.—Eksodi 1:8-14; 5:6-18.
Ky përshkrim i Egjiptit në të cilin lindi Moisiu përkon më së miri me dëshmitë historike. Papiruset e lashta, si edhe të paktën një vizatim në një varr, përshkruajnë se si i bënin skllevërit tullat prej balte në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. ose edhe më parë. Zyrtarët përgjegjës për furnizimin me tulla organizonin me qindra skllevër në grupe me 6 deri në 18 veta, nën një kryepunëtor ose udhëheqës grupi. Duhej ta gërmonin vetë argjilën për tullat dhe duhej ta transportonin vetë kashtën deri në vendin ku bëheshin tullat. Punëtorë me kombësi të ndryshme nxirrnin ujë dhe, duke përdorur shata, e përzienin atë me kashtën dhe me argjilën. Nga kallëpet drejtkëndëshe nxirreshin njëra pas tjetrës radhë të tëra me tulla. Më pas, punëtorët me zgjedhat e tyre i çonin tullat e thara në diell në vendin e ndërtimit, tek i cili disa herë shkonin nëpërmjet një rruge të pjerrët. Mbikëqyrësit egjiptianë, të armatosur me shkopinj, rrinin ulur ose ecnin ngadalë përkrah punëtorëve, duke mbikëqyrur punën që bëhej.
Në një fletë llogarie të lashtë, tregohet se 39.118 tulla ishin prodhuar nga 602 punëtorë dhe nga kjo del se çdo punëtor në një turn bënte 65 tulla. Gjithashtu, një dokument i shekullit të 13-të p.e.s., thotë: «Burrat plotësojnë . . . sasinë e tyre të përditshme të tullave.» E gjithë kjo na kujton qartësisht punën që u kërkohej izraelitëve, siç përshkruhet në librin e Eksodit.
Shtypja nuk arriti ta zvogëlonte popullsinë hebreje. Përkundrazi, «sa më tepër [egjiptasit] i shtypnin, aq më shumë shtoheshin [izraelitët] . . . ; prandaj egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit». (Eksodi 1:10, 12) Kështu, faraoni urdhëroi fillimisht mamitë hebreje dhe më pas gjithë popullin e tij që të vriste çdo foshnjë mashkull izraelit. Në këto rrethana të tmerrshme, Jokebedës dhe Amramit u lindi një djalë i bukur, Moisiu.—Eksodi 1:15-22; 6:20; Veprat 7:20.
E fshehin, e gjejnë dhe e adoptojnë
Prindërit e Moisiut nuk e morën parasysh urdhrin mizor të faraonit dhe e fshehën djalin e tyre të vogël. A iu desh ta bënin këtë edhe pse spiunët dhe inspektorët bënin kërkime nëpër shtëpi për të gjetur foshnja? S’mund ta themi me siguri. Sidoqoftë, pas tre muajsh prindërit e Moisiut nuk mund ta fshihnin dot më. Prandaj, e dëshpëruar nëna e tij bëri një shportë prej papirusi, e leu me katran që të mos fuste ujë dhe e vuri fëmijën brenda. Në njëfarë kuptimi, Jokebeda iu bind fjalëve të urdhrit të faraonit, edhe pse jo domethënies së vërtetë të tij, pra, për të hedhur në lumin Nil çdo të sapolindur mashkull hebre. Pastaj, Miriami, motra e madhe e Moisiut, qëndroi jo shumë larg shportës për ta vëzhguar.—Eksodi 1:22–2:4.
Nuk e dimë nëse Jokebeda e kishte menduar që Moisiun mund ta gjente e bija e faraonit kur të vinte në lumë për t’u larë, por kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Princesha e kuptoi se ky ishte një fëmijë hebre. Çfarë do të bënte? A do të urdhëronte vdekjen e tij duke iu bindur kështu babait të saj? Jo, ajo reagoi siç do të reagonte normalisht shumica e grave. Veproi me dhembshuri.
S’kaloi shumë dhe Miriami u gjend pranë saj. ‘A të kërkoj një grua hebreje që ta mëndë fëmijën për ty?’—e pyeti ajo. Disave u duket shumë paradoksal ky fragment. Bëhet një kontrast midis motrës së Moisiut dhe faraonit, i cili së bashku me këshilltarët e tij bëri plane që të vepronte «me dinakëri» me hebrenjtë. Sigurisht, mirëqenia e Moisiut u sigurua vetëm kur princesha e pranoi planin e motrës së tij. «Shko»,—u përgjigj e bija e faraonit dhe Miriami thirri menjëherë nënën e saj. Me një kontratë të mrekullueshme, Jokebedën e morën në punë për të rritur fëmijën e vet duke pasur mbrojtjen mbretërore.—Eksodi 2:5-9.
Dhembshuria e princeshës bie patjetër në kontrast me mizorinë e babait të saj. Ajo as nuk ishte në padije, as nuk u mashtrua lidhur me fëmijën. Mëshira e përzemërt e shtyu që ta adoptonte fëmijën dhe fakti që pranoi në punë një mëndeshë hebreje zbulon se nuk kishte paragjykime si babai i saj.
Rritja dhe arsimimi
Jokebeda «e mori fëmijën dhe e mëndi. Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj». (Eksodi 2:9, 10) Bibla nuk thotë se sa kohë jetoi Moisiu me prindërit e tij natyrorë. Disa mendojnë se duhet të ketë qëndruar të paktën derisa u zvordh, pra dy ose tre vjet, por mund të ketë qëndruar edhe më shumë. Tek Eksodi thuhet thjesht se «u rrit» me prindërit e tij dhe kjo mund të përfshijë çfarëdo moshe. Sidoqoftë, Amrami dhe Jokebeda pa dyshim e përdorën atë kohë për t’i bërë të qartë birit të tyre origjinën e tij hebreje dhe për ta mësuar rreth Jehovait. Vetëm koha do ta tregonte se sa mirë ia kishin dalë mbanë t’i ngulitnin në zemër Moisiut besimin dhe dashurinë për drejtësinë.
Pasi ia kthyen të bijës së faraonit, Moisiu u arsimua «me gjithë mençurinë e egjiptianëve». (Veprat 7:22) Kjo do të përfshinte stërvitjen me qëllim që Moisiu të kualifikohej për një post qeveritar. Njohuria e madhe e Egjiptit përfshinte matematikën, gjeometrinë, arkitekturën, ndërtimin dhe artet e shkencat e tjera. Mendohet se familja mbretërore do të ketë dashur që ai të merrte arsimim edhe në fenë egjiptiane.
Moisiu mund ta ketë marrë këtë arsimim të zgjedhur bashkë me pasardhës të tjerë të qarqeve mbretërore. Ndër ata që nxirrnin dobi nga ky arsimim i zgjedhur kishte edhe «fëmijë të sundimtarëve të huaj, të cilët ishin dërguar ose ishin marrë peng në Egjipt për t’u ‘civilizuar’ dhe pastaj ktheheshin që të sundonin si vasalë» besnikë të faraonit. (The Reign of Thutmose IV, nga Betsi M. Brajan) Kopshtet për fëmijët, të lidhura me pallatet mbretërore, duket se përgatitnin të rinj që të shërbenin si oborrtarë.a Mbishkrime që datojnë në periudhat e Mbretërisë së Mesme dhe të Re Egjiptiane, zbulojnë se disa nga këshilltarët personalë të faraonit dhe zyrtarët e lartë qeveritarë, edhe kur ishin të rritur, mbanin titullin e nderit «Fëmijë i Kopshtit».
Jeta e oborrit do ta vinte në provë Moisiun. Ajo ofronte pasuri, luks dhe pushtet. Paraqiste edhe rreziqe morale. Si do të reagonte Moisiu? Ndaj cilës gjë do të ishte besnik? Në zemrën e tij, a ishte adhurues i Jehovait dhe vëlla i hebrenjve të shtypur, apo pëlqente më shumë gjithçka që mund të ofronte Egjipti pagan?
Një vendim i rëndësishëm
Në moshën 40-vjeçare, moshë në të cilën mund të ishte bërë tërësisht egjiptian, Moisiu ‘doli për të parë punët e rënda që po bënin vëllezërit e tij’. Veprimet që ndërmori më tej treguan se kjo nuk ishte thjesht kureshtje, por se digjej nga dëshira për t’i ndihmuar. Kur pa një egjiptian që po rrihte një hebre, ai ndërhyri duke e vrarë shtypësin. Ky veprim tregoi se Moisiu e kishte zemrën te vëllezërit e tij. Ndoshta njeriu që vrau ishte një zyrtar, që vdiq në krye të detyrës. Për egjiptianët, Moisiu kishte çdo arsye për t’i qëndruar besnik faraonit. Megjithatë, Moisiun e shtyu dashuria për drejtësinë, një cilësi që e shfaqi më tej ditën tjetër, kur qortoi një hebre që po rrihte pa të drejtë shokun e tij. Moisiu donte t’i çlironte hebrenjtë nga skllavëria e rëndë, por kur faraoni mori vesh për tradhtinë e tij dhe u përpoq ta vriste, Moisiu u detyrua të ikte në Midian.—Eksodi 2:11-15; Veprat 7:23-29.b
Koha që kishte zgjedhur Moisiu për të çliruar popullin e Perëndisë nuk ishte e njëjtë me atë që kishte zgjedhur Jehovai. Megjithatë, veprimet e tij tregonin besim. Te Hebrenjve 11:24-26 thuhet: «Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, refuzoi të quhej biri i bijës së faraonit, duke zgjedhur të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të kishte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit.» Përse? «Sepse e konsideroi poshtërimin e Krishtit si pasuri më të madhe sesa thesaret e Egjiptit; sepse e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit.» Ky përdorim i pazakontë i fjalës «Krishtit», që do të thotë «i mirosuri», i përshtatet Moisiut në kuptimin që më vonë ai mori një detyrë të veçantë drejtpërdrejt nga Jehovai.
Vetëm mendoni! Moisiu u rrit në atë mënyrë që mund të rritej vetëm një aristokrat egjiptian. Pozita e tij i vinte përpara një karrierë të shkëlqyer dhe çdo kënaqësi të imagjinueshme, e megjithatë ai i hodhi poshtë të gjitha. Nuk i pajtonte dot këto dy gjëra, domethënë jetën në oborrin e faraonit, shtypësit, me dashurinë për Jehovain dhe për drejtësinë. Njohuria dhe meditimi për premtimet që Perëndia u kishte bërë etërve të tij, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit e bënë Moisiun që të zgjidhte të kishte miratimin hyjnor. Për pasojë, Jehovai mundi ta përdorte Moisiun në një rol shumë të privilegjuar për të përmbushur qëllimet e Tij.
Të gjithëve na duhet të zgjedhim se cilat gjëra janë më të rëndësishme. Ashtu si Moisiu, ndoshta edhe ju jeni përballë një vendimi të vështirë. A duhet të hiqni dorë nga disa praktika ose përfitime në dukje, pavarësisht se cila mund të jetë kostoja? Nëse jeni përpara një zgjedhjeje të tillë, mos harroni se Moisiu e quajti miqësinë me Jehovain më të vlefshme se të gjitha thesaret e Egjiptit dhe nuk u pendua për këtë.
[Shënimet]
a Ky arsimim mund të ketë qenë i ngjashëm me atë që morën Danieli dhe shokët e tij për të shërbyer si funksionarë shtetërorë në Babiloni. (Danieli 1:3-7) Krahaso librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, kapitulli 3, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Fakti që Moisiu kishte zell për drejtësinë tregohet më tej kur mbrojti bareshat e pambrojtura nga keqtrajtimi në Midian, ku ishte një ikanak.—Eksodi 2:16, 17.
[Kutia në faqen 11]
Kontratat për mëndesha
Normalisht nënat i ushqenin vetë me qumësht gjiri fëmijët e tyre. Mirëpo, studiuesi Brevard Çajlds thotë në Journal of Biblical Literature se «në disa raste, në familjet aristokrate [të Lindjes së Mesme] merrnin në punë një mëndeshë. Kjo praktikë ishte e zakonshme edhe në rastet kur nëna nuk ishte në gjendje ta ushqente fëmijën e saj ose kur nuk dihej se cila ishte nëna. Mëndesha merrte përsipër përgjegjësinë për ta rritur fëmijën, si edhe për ta ushqyer me qumësht gjiri gjatë periudhës brenda kontratës». Disa kontrata për mëndesha, të bëra në letra papirusi, kanë mbijetuar nga historia e lashtë e Lindjes së Mesme. Këto dokumente dëshmojnë për atë që ishte një praktikë e përhapur që nga periudha sumeriane e deri në periudhën e vonë helene në Egjipt. Veçori të përbashkëta të këtyre dokumenteve janë: një deklaratë e individëve të përfshirë, koha që mbulonte kontrata, kushtet e punës, hollësitë lidhur me ushqimin, gjobat për moszbatimin e kontratës, pagat dhe si do të paguheshin ato. Çajldsi shpjegon se normalisht, «puna e mëndeshës zgjaste për një periudhë prej dy ose tre vjetësh. Mëndesha e rriste fëmijën në shtëpinë e saj, por disa herë i kërkohej që ta çonte fëmijën te të zotët për ta parë».
[Figurat në faqen 9]
Siç shihet në vizatimin e lashtë, bërja e tullave në Egjipt nuk ka ndryshuar shumë që nga ditët e Moisiut
[Burimet]
Sipër: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.; poshtë: Erich Lessing/Art Resource, NY