-
«Izraeli i Perëndisë» dhe «shumica e madhe»Kulla e Rojës—1995 | 1 Tetor
-
-
Një «Mbretëri priftërinjsh» tipike
7, 8. Deri në ç’masë ishte Izraeli i lashtë një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë nën besëlidhjen e Ligjit?
7 Kur Jehovai zgjodhi Izraelin si kombin e tij të veçantë, ai bëri një besëlidhje me ta, duke thënë: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Të Dalët 19:5, 6) Në bazë të besëlidhjes së Ligjit, Izraeli ishte populli i zgjedhur i Jehovait. Megjithatë, në ç’mënyrë do të plotësohej premtimi që përfshinte një mbretëri priftërinjsh dhe një komb të shenjtë?
8 Kur ishte akoma besnik, Izraeli pranoi sovranitetin e Jehovait dhe vetë atë si Mbretin e vet. (Isaia 33:22) Në këtë mënyrë, ata ishin një mbretëri. Por, siç u zbulua më vonë, premtimi për «një mbretëri» do të thoshte më shumë se kaq. Përveç kësaj, kur iu bindën Ligjit të Jehovait, ata ishin të pastër, të ndarë nga kombet përreth. Ata ishin një komb i shenjtë. (Ligji i përtërirë 7:5, 6) A ishin ata një mbretëri priftërinjsh? Në fakt, fisi i Levit në Izrael ishte veçuar për shërbimin në tempull dhe brenda atij fisi ishte priftëria levitike. Kur u inaugurua Ligji i Moisiut, meshkujt levitë u morën në shkëmbim për të parëlindurin e çdo familjeje jolevite.a (Të Dalët 22:29; Numrat 3:11-16, 40-51) Në këtë mënyrë, çdo familje në Izrael, si të themi, ishte përfaqësuar në shërbimin në tempull. Kjo mënyrë përfaqësimi ishte plotësimi më i afërt i arritjes së premtimit se kombi po bëhej një priftëri. Megjithatë, ata e paraqitën Jehovain para kombeve. Çdo i huaj që dëshironte të adhuronte Perëndinë e vërtetë, duhej të vepronte kështu në shoqëri me Izraelin.—2. Kronikave 6:32, 33; Isaia 60:10.
9. Ç’gjë e bëri Jehovain ta hidhte poshtë mbretërinë veriore të Izraelit ‘nga shërbimi ndaj tij si prift’?
9 Pas vdekjes së Solomonit, populli i Perëndisë u nda në kombin verior të Izraelit nën drejtimin e mbretit Jeroboam dhe në kombin jugor të Judës nën mbretin Rehoboam. Pasi tempulli, qendra e adhurimit të pastër, ishte në territorin e Judës, Jeroboami vendosi një formë të paligjshme adhurimi duke vënë figura viçash në territorin e tij kombëtar. Për më tepër, «ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit». (1. Mbretërve 12:31) Kombi verior u zhyt gjithnjë e më thellë në adhurimin e rremë, kur mbreti Akab lejoi që gruaja e tij e huaj, Jezabela, të vendoste në vend adhurimin e Baalit. Përfundimisht, Jehovai shpalli gjykimin mbi mbretërinë rebele. Përmes Hozeas ai tha: «Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im.» (Hozea 4:6) Shpejt më pas, asirianët shkatërruan mbretërinë veriore të Izraelit.
10. Si e përfaqësoi Jehovain përpara kombeve mbretëria jugore e Judës kur ishte akoma besnike?
10 Ç’mund të themi për kombin jugor të Judës? Në ditët e Hezekisë, Jehovai u tha atyre përmes Isaisë: «Dëshmitarët e mi jeni ju, . . . bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, . . . Populli që kam formuar për vete do të shpallë lëvdimet e mia.» (Isaia 43:10, 21; 44:21) Kur ishte akoma besnike, mbretëria jugore shërbeu për t’u shpallur kombeve lavdinë e Jehovait, për të tërhequr të përulurit në adhurimin e tij në tempull dhe për t’u shërbyer nga priftëria ligjore levite.
-
-
«Izraeli i Perëndisë» dhe «shumica e madhe»Kulla e Rojës—1995 | 1 Tetor
-
-
Kombi frymor
15. Çfarë rezultoi kur Izraeli natyror refuzoi të pranonte Mesinë?
15 Ligji u dha për ta mbajtur Izraelin të pastër dhe të ndarë nga kombet përreth. Megjithatë, shërbeu edhe për një qëllim tjetër. Apostulli Pavël shkroi: «Ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.» (Galatasve 3:24) Mjerisht, pjesa më e madhe e izraelitëve dështuan të udhëhiqeshin me anë të Ligjit tek Krishti. (Mateu 23:15; Gjoni 1:11) Prandaj, Perëndia Jehova e hodhi poshtë atë komb dhe bëri që të lindë «Izraeli i Perëndisë». Për më tepër, ai e shtriu tek johebrenjtë ftesën për t’u bërë qytetarë plotësisht të lirë në këtë Izrael të ri. (Galatasve 3:28; 6:16) Në këtë komb të ri e ka plotësimin e mrekullueshëm e përfundimtar, premtimi i Jehovait në Të Dalët 19:5, 6 lidhur me një priftëri mbretërore. Në ç’mënyrë?
16, 17. Në ç’kuptim të krishterët e mirosur në tokë janë «mbretërorë»? Një «priftëri»?
16 Pjetri citoi Të Dalët 19:6, kur u shkroi të krishterëve të mirosur të ditëve të tij: «Ju jeni ‘një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull për zotërim të veçantë’.» (1. Pjetrit 2:9) Çfarë do të thotë kjo? A janë mbretër të mirosurit e krishterë në tokë? Jo, mbretërimi i tyre është akoma në të ardhmen. (1. Korintasve 4:8) Megjithatë, ata janë «mbretërorë» në kuptimin se janë zgjedhur për privilegje të ardhshme mbretërore. Edhe tani ata janë një komb nën një mbret, Jezuin, i vendosur nga Sovrani i madh, Perëndia Jehova. Pavli shkroi: «[Jehovai] na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur.»—Kolosianëve 1:13.
17 A janë një priftëri të krishterët e mirosur në tokë? Në njëfarë mënyre, po. Si një kongregacion, ata i shërbejnë një funksioni priftëror të padiskutueshëm. Pjetri e shpjegoi këtë kur tha: «Edhe ju . . . ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë.» (1. Pjetrit 2:5; 1. Korintasve 3:16) Sot, mbetja e të krishterëve të mirosur si trup, është «skllavi besnik e i matur», kanali i shpërndarjes së ushqimit frymor. (Mateu 24:45-47, BR) Ashtu si në rastin e Izraelit të lashtë, kushdo që dëshironte të adhuronte Jehovain duhej ta bënte këtë duke u shoqëruar me këta të krishterë të mirosur.
18. Çfarë përgjegjësie kryesore ka kongregacioni i të krishterëve të mirosur në tokë si priftëri?
18 Për më tepër, të krishterët e mirosur morën nga Izraeli privilegjin për të dëshmuar për madhështinë e Jehovait mes kombeve. Konteksti tregon se kur Pavli i quajti të krishterët e mirosur një priftëri mbretërore, ai kishte në mendje veprën e predikimit. Në fakt, ai ndërthuri një citim të premtimit të Jehovait në Të Dalët 19:6 me fjalët e Tij drejtuar Izraelit në Isainë 43:21, kur tha: «Ju jeni . . . priftëri mbretërore, . . . që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.» (1. Pjetrit 2:9) Në përputhje me këtë, Pavli foli për shpalljen e mrekullive të Jehovait si një sakrificë tempulli. Ai shkroi: «Me anë të tij [Jezuit], pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.»—Hebrenjve 13:15.
Një plotësim qiellor
19. Cili është plotësimi i madh e përfundimtar i premtimit se Izraeli do të ishte një mbretëri priftërinjsh?
19 Megjithatë, Të Dalët 19:5, 6 përfundimisht ka një plotësim të lavdishëm më madhështor. Në librin e Zbulesës, apostulli Gjon dëgjon krijesa qiellore duke zbatuar këtë shkrim, ndërsa lavdërojnë Jezuin e ringjallur: «Ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.» (Zbulesa 5:9, 10) Në kuptimin e vet përfundimtar, priftëria mbretërore është Mbretëria qiellore e Perëndisë, autoriteti sundues për të cilin Jezui na tha të luteshim. (Luka 11:2) Të 144.000 të krishterët e mirosur që qëndrojnë besnikë deri në vdekje, do të kenë një pjesë në atë rregullim të Mbretërisë. (Zbulesa 20:4, 6) Çfarë plotësimi i mrekullueshëm i premtimit që ia dha kohë më parë Moisiut!
-