A ishte i drejtë Ligji që i dha Perëndia Izraelit?
DISA kohë më parë, gjykatat në një vend perëndimor pranuan provat që i nxirrnin fajtorë dy burra të akuzuar për vrasje dhe i dënuan me vdekje. Sapo dolën në dritë fakte të reja që i hidhnin poshtë këto prova, avokatët u përpoqën fort dhe arritën të fitonin lirinë për njërin nga të dënuarit. Por, për të dënuarin tjetër, as avokatët më të mirë nuk mund të bënin gjë—tashmë ishte ekzekutuar.
Meqenëse gjykime të gabuara mund të ndodhin në çdo sistem gjyqësor, Bibla nxit: «Drejtësinë dhe vetëm drejtësinë duhet të ndjekësh.» (Ligji i përtërirë 16:20) Kur gjykatësit ndjekin këtë urdhër, qytetarët nxjerrin dobi. Ligji i Perëndisë i dha Izraelit të lashtë një sistem gjyqësor që bazohej në paanësi dhe drejtësi. Le t’i hedhim një sy Ligjit për të parë nëse «të gjitha udhët [e Perëndisë] janë drejtësi».—Ligji i përtërirë 32:4.
GJYKATËS «TË MENÇUR, TË MATUR E ME PËRVOJË»
Interesat e popullit mbrohen më së miri kur gjykatësit janë të aftë, të drejtë dhe të pakorruptueshëm. Sipas Ligjit që Perëndia i dha Izraelit, ishte shumë e rëndësishme që gjykatësit të ishin të këtij niveli. Më parë, teksa endeshin në shkretëtirë, Moisiut iu tha të zgjidhte ‘burra të zotë, që i frikësoheshin Perëndisë, të denjë për besim dhe që e urrenin përfitimin e padrejtë’, me qëllim që të shërbenin si gjykatës. (Dalja 18:21, 22) Dyzet vjet më vonë, ai e theksoi përsëri nevojën për «burra të mençur, të matur e me përvojë» që të gjykonin çështje mes popullit.—Ligji i përtërirë 1:13-17.
Shekuj më vonë, Jehozafatia, mbreti i Judës, i urdhëroi gjykatësit: «Kini kujdes për gjërat që bëni, sepse nuk gjykoni për njeriun, por për Jehovain dhe ai është me ju kur gjykoni. E tani, tmerri nga Jehovai qoftë mbi ju! Veproni me kujdes, sepse te Jehovai, Perëndia ynë, nuk ka as padrejtësi, as anësi, as ryshfet.» (2 Kronikave 19:6, 7) Kështu, mbreti po u rikujtonte gjykatësve se po të ndikoheshin nga paragjykimi ose lakmia në vendimet që do të jepnin, Perëndia do t’i konsideronte përgjegjës për çdo dëm që do të vinte si rrjedhojë.
Kur gjykatësit në Izrael u përmbaheshin këtyre standardeve të larta, kombi ndihej i mbrojtur dhe i sigurt. Por, Ligji i Perëndisë siguronte edhe një sërë parimesh që i ndihmonin gjykatësit të jepnin vendime të drejta, madje edhe për çështje shumë të vështira. Cilat janë disa nga këto parime?
PARIME QË ÇONIN NË VENDIME TË DREJTA
Megjithëse gjykatësit e zgjedhur duhej të ishin të mençur dhe të aftë, ata nuk i gjykonin gjërat duke u bazuar vetëm tek aftësitë dhe mendjemprehtësia e tyre. Perëndia Jehova u dha parime ose udhëzime që i ndihmonin të merrnin vendime të drejta. Ja disa udhëzime që iu dhanë gjykatësve izraelitë.
Bëj një hetim të plotë. Nëpërmjet Moisiut, Perëndia i udhëzoi gjykatësit izraelitë: «Kur të dëgjoni një çështje gjyqësore mes vëllezërve tuaj, gjykoni me drejtësi.» (Ligji i përtërirë 1:16) Gjykatësit mund të marrin një vendim të drejtë vetëm nëse i kanë të gjitha faktet. Për këtë arsye, Perëndia i udhëzoi ata që merreshin me çështje gjyqësore: «Kërko, hulumto e pyet hollësisht.» Para se të jepnin një vendim, gjykatësit duhej të siguroheshin që ‘të dilte e vërteta’ në lidhje me akuzën për një krim.—Ligji i përtërirë 13:14; 17:4.
Dëgjo dëshmitarët. Ajo që thoshin dëshmitarët, ishte thelbësore për hetimin. Ligji i Perëndisë kërkonte: «Të mos dalë vetëm një dëshmitar kundër një njeriu për ndonjë faj a mëkat, për çfarëdo mëkati që mund të kryejë. Çështja duhet të vendoset me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve.» (Ligji i përtërirë 19:15) Ligji i Perëndisë i urdhëronte dëshmitarët: «Mos përhap një lajm të rremë. Mos bashkëpuno me të ligun, duke u bërë dëshmitar që kurdis të keqen.»—Dalja 23:1.
Kërko ndershmëri nga ata që dëshmojnë. Dënimi për ata që gënjenin në gjyq ishte një përkujtues i fortë për të gjithë personat e përfshirë: «Gjykatësit duhet të hetojnë imtësisht, e nëse dëshmitari është i rremë dhe ka ngritur padi të rreme kundër vëllait të vet, bëjini atij atë që ai kishte kurdisur kundër vëllait të vet dhe hiqeni të keqen nga gjiri juaj.» (Ligji i përtërirë 19:18, 19) Prandaj, nëse dikush gënjente në gjyq që të merrte trashëgiminë e një tjetri, ai duhej ta dëmshpërblente me të njëjtën gjë. Nëse gënjente për të dënuar me vdekje dikë që e dinte se ishte i pafajshëm, ai do ta paguante me jetën e tij. Ky udhëzim ishte një motiv i fortë për të thënë të vërtetën.
Ji i paanshëm në gjykim. Sapo të mblidhnin të gjitha provat e mundshme, gjykatësit duhej ta peshonin mirë çështjen dhe të merrnin një vendim. Në këtë pikë, bëhej tejet e rëndësishme një hollësi e jashtëzakonshme e Ligjit të Perëndisë: «Mos mbani anën e të varfrit, as mos anoni nga pasaniku. Duhet ta gjykosh shokun me drejtësi.» (Levitiku 19:15) Në të gjitha rastet, gjykatësit duhej ta gjykonin me drejtësi një çështje, jo në bazë të pamjes së jashtme ose të pozitës shoqërore.
Këto parime që janë thënë qartë shekuj më parë në Ligjin që Perëndia i dha Izraelit, mund të jenë ende të dobishme në gjyqet e sotme. Kur ndiqen këto parime, mund të shmangen gjyqet e pavlefshme dhe vendimet e padrejta.
POPULLI QË NXORI DOBI NGA DREJTËSIA E VËRTETË
Moisiu u bëri këtë pyetje izraelitëve: «Cili komb i madh ka rregulla dhe ligje të drejta, si të gjitha këto ligje që po ju vë përpara sot?» (Ligji i përtërirë 4:8) Vërtet, asnjë komb tjetër nuk i kishte këto ligje të dobishme. Nën mbretërimin e mbretit Solomon, i cili që në rini kërkoi të zbatonte ligjet e Jehovait, njerëzit «banonin të sigurt» dhe gëzonin paqe e begati, «hanin, pinin dhe gëzonin».—1 Mbretërve 4:20, 25.
Mjerisht, me kalimin e kohës izraelitët ia kthyen shpinën Perëndisë së tyre. Nëpërmjet profetit Jeremia, Perëndia shpalli: «Ja, ata kanë hedhur poshtë fjalën e Jehovait, e ç’mençuri kanë?» (Jeremia 8:9) Si rezultat, qyteti i Jerusalemit u bë me «faj gjaku», plot me ‘gjëra të pështira’. Në fund, ai u rrënua dhe mbeti i shkretuar për 70 vjet.—Ezekieli 22:2; Jeremia 25:11.
Profeti Isaia jetoi në kohë të trazuara të historisë së Izraelit. Duke menduar për të kaluarën, ai shpalli një të vërtetë të rëndësishme për Perëndinë Jehova dhe për Ligjin e Tij: «Kur jep vendime për tokën, banorët e vendit mësojnë drejtësinë.»—Isaia 26:9.
Isaia ishte i kënaqur që u frymëzua të profetizonte për sundimin e Mbretit mesianik, Jezu Krishtit, dhe tha: «Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.» (Isaia 11:3, 4) Sa e ardhme e mrekullueshme i pret të gjithë ata që bëhen nënshtetas të Mbretit mesianik nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë!—Mateu 6:10.
a Emri Jehozafat do të thotë «Jehovai është Gjykatës».