Së shpejti liri e lavdishme për fëmijët e Perëndisë
«Krijimi i ishte nënshtruar kotësisë . . . mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijimi do të lirohet nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»—ROMAKËVE 8:20, 21, BR.
1. Si ishte tipizuar flijimi i Jezuit në Ditën e Shlyerjes?
JEHOVAI dha Birin e tij të vetëmlindur si një flijim shpërblerës, i cili hapi rrugën drejt jetës qiellore për 144.000 njerëz, si dhe perspektiva të përjetshme tokësore për pjesën tjetër të njerëzimit. (1. Gjonit 2:1, 2) Siç u vu re në artikullin e mëparshëm, flijimi i Jezuit për të krishterët e lindur nga fryma ishte tipizuar kur kryeprifti i Izraelit flijonte një dem si ofertë për mëkatin, për veten, për shtëpinë e tij dhe për fisin e Levit në Ditën vjetore të Shlyerjes. Në të njëjtën ditë, ai flijonte një cjap si ofertë për mëkatin për të gjithë izraelitët e tjerë, ashtu si flijimi i Krishtit do t’i sjellë dobi njerëzimit në përgjithësi. Një cjap i gjallë, në mënyrë simbolike merrte mëkatet kolektive të popullit për vitin e kaluar, duke u zhdukur në shkretëtirë.a—Levitiku 16:7-15, 20-22, 26.
2, 3. Ç’domethënie ka pohimi i Pavlit në Romakëve 8:20, 21?
2 Pasi përmblodhi shpresën e njerëzve që do të bëheshin ‘bij qiellorë të Perëndisë’, apostulli Pavël tha: «Pritja e paduruar e krijimit po pret zbulimin e bijve të Perëndisë. Sepse krijimi i ishte nënshtruar kotësisë, jo me anë të vullnetit të vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijimi do të lirohet nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:14, 17, 19-21, BR) Cila është domethënia e këtij pohimi?
3 Kur stërgjyshi ynë, Adami, u krijua si njeri i përsosur, ishte një «bir [ose fëmijë] i Perëndisë». (Luka 3:38) Meqenëse mëkatoi, ai u vu në «skllavërim ndaj korruptimit» dhe ia kaloi këtë gjendje racës njerëzore. (Romakëve 5:12) Perëndia lejoi që njerëzit të lindnin me «kotësinë» që i priste për shkak të papërsosmërisë së tyre të trashëguar, por ai dha shpresë nëpërmjet «farës», Jezu Krishtit. (Zanafilla 3:15; 22:18; Galatasve 3:16) Zbulesa 21:1-4 flet për një kohë kur ‘vdekja, mbajtja zi, klithma dhe dhimbja nuk do të jenë më’. Meqenëse ky është një premtim që i është bërë «njerëzimit», na siguron se një shoqëri e re tokësore njerëzish që do të jetojnë nën sundimin e Mbretërisë, do të përjetojë ripërtëritjen e mendjes dhe të trupit deri në shëndet të plotë, si dhe jetën e përhershme si ‘fëmijë tokësorë të Perëndisë’. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, njerëzit e bindur ‘do të lirohen nga skllavërimi ndaj korruptimit’. Pasi të jenë provuar besnikë ndaj Jehovait gjatë një prove të fundit, ata do të jenë përgjithmonë të lirë nga mëkati dhe nga vdekja e trashëguar. (Zbulesa 20:7-10) Atëherë, ata që janë në tokë do të ‘kenë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.
Ata po thonë: «Eja!»
4. Ç’do të thotë të ‘marrësh falas ujin e jetës’?
4 Ç’shpresë e mrekullueshme është vënë përpara njerëzimit! S’është për t’u habitur që ata të krishterë të lindur nga fryma që janë ende në tokë, po marrin me zell drejtimin për t’u folur të tjerëve për këtë shpresë! Si ata që do të bëhen pjesë e «nuses» së Qengjit të lëvduar, Jezu Krishtit, pjesëtarët e mbetjes së mirosur janë të përfshirë në përmbushjen e këtyre fjalëve profetike: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kushdo që ka etje, le të vijë; kushdo që dëshiron, le ta marrë falas ujin e jetës.» (Zbulesa 21:2, 9; 22:1, 2, 17, BR) Jo, dobitë e flijimit shpërblerës të Jezuit nuk kufizohen te 144.000 të mirosurit. Fryma e Perëndisë vazhdon të punojë nëpërmjet atyre që kanë mbetur në tokë nga klasa e nuses, për të thënë «eja». Kushdo që dëgjon dhe që është i etur për drejtësi, është i ftuar të thotë «eja», duke përfituar nga masat e bollshme të Jehovait për shpëtim.
5. Kë janë të lumtur të kenë mes tyre Dëshmitarët e Jehovait?
5 Dëshmitarët e Jehovait kanë besim në masat e Perëndisë për jetën nëpërmjet Jezu Krishtit. (Veprat 4:12) Ata janë të lumtur që kanë mes tyre persona me zemër të ndershme, të cilët dëshirojnë të mësojnë mbi qëllimet e Perëndisë dhe të bëjnë vullnetin e tij. Sallat e tyre të Mbretërisë janë të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të ‘vijnë dhe të marrin falas ujin e jetës’ në këtë «kohë të fundit».—Danieli 12:4, BR.
Ndryshime me kalimin e kohës
6. Si ka vepruar fryma e Perëndisë mbi shërbëtorët e Jehovait, gjatë periudhave të ndryshme kohore?
6 Perëndia ka një kohë për të përmbushur qëllimet e tij dhe kjo ndikon në mënyrën se si vepron me njerëzit. (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:1; Veprat 1:7) Megjithëse fryma e Perëndisë zbriti mbi shërbëtorët e tij të kohëve para krishterimit, ata nuk ishin të lindur si bij të tij frymorë. Por, duke filluar me Jezuin, kishte ardhur koha e Jehovait për ta përdorur frymën e shenjtë, që të lindte burra dhe gra të dedikuar për një trashëgimi qiellore. Por ç’të themi për ditët tona? E njëjta frymë po vepron mbi «delet e tjera» të Jezuit, por nuk po ngjall në ta shpresën dhe dëshirën për jetë qiellore. (Gjoni 10:16) Duke pasur si shpresë të dhënë nga Perëndia jetën e përhershme në një tokë parajsore, ata mbështetin me gëzim mbetjen e mirosur në dhënien e dëshmisë, gjatë kësaj periudhe kalimi nga bota e vjetër në botën e re të drejtë të Perëndisë.—2. Pjetrit 3:5-13.
7. Në cilën vepër korrjeje ishin angazhuar Studentët e Biblës, por çfarë dinin ata për parajsën?
7 Perëndia filloi ‘të çojë shumë bij në lavdi’ me derdhjen e frymës së shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe me sa duket, caktoi një kohë për plotësimin e ‘Izraelit frymor të Perëndisë’, ku gjithsej janë 144.000 persona. (Hebrenjve 2:10; Galatasve 6:16; Zbulesa 7:1-8) Duke filluar nga viti 1879, në revistën Kulla e Rojës përmendej shpesh një vepër korrjeje, në të cilën ishin angazhuar të krishterët e mirosur. Por Studentët e Biblës (që tani quhen Dëshmitarë të Jehovait) dinin, gjithashtu, se Shkrimet ofrojnë shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Për shembull, Kulla e Rojës e korrikut 1883 thoshte: «Kur Jezui të ketë vendosur mbretërinë e tij, të ketë shkatërruar të ligën, etj., kjo tokë do të bëhet një parajsë, . . . dhe të gjithë ata që ndodhen në varre do të hyjnë në të. Duke iu bindur ligjeve të saj, ata mund të jetojnë përgjithmonë në këtë parajsë.» Ndërsa kalonte koha, korrja e të mirosurve pakësohej dhe gradualisht, individë që nuk kishin shpresë qiellore korreshin për të hyrë në organizatën e Jehovait. Ndërkohë, Perëndia u dha shërbëtorëve të tij të mirosur, të krishterëve të lindur përsëri, një mendjehollësi që binte në sy.—Danieli 12:3; Filipianëve 2:15; Zbulesa 14:15, 16.
8. Si u zhvillua një kuptueshmëri mbi shpresën tokësore, në fillimin e viteve 30?
8 Sidomos që prej vitit 1931, ata me shpresë tokësore janë duke u shoqëruar me kongregacionin e krishterë. Atë vit, Jehovai ndriçoi mbetjen e të krishterëve të lindur nga fryma, që të kuptonin se kapitulli 9 i Ezekielit i referohet kësaj klase tokësore, pjesëtarët e së cilës po shënohen për mbijetesë për në botën e re të Perëndisë. Në vitin 1932, u arrit në përfundimin se persona të tillë ngjashëm deleve në ditët e sotme, ishin parafytyruar nga shoku i Jehut, Jonadabi (Jehonadabi). (2. Mbretërve 10:15-17) Në vitin 1934 u bë e qartë se «Jonadabët» duhet t’i «kushtohen» apo t’i dedikohen Perëndisë. Në vitin 1935, «turma e madhe», apo «shumica e madhe», për të cilën më parë mendohej se ishte një klasë frymore dytësore, pjesëtarët e së cilës do të ishin «shokë» të nuses së Krishtit në qiell, u identifikua si delet e tjera, që kanë shpresë tokësore. (Zbulesa 7:4-15; 21:2, 9; Psalmi 45:14, 15) Veçanërisht që prej 1935-s, të mirosurit kanë qenë duke drejtuar kërkimin për gjetjen e njerëzve të drejtë, që dëshirojnë fort të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore.
9. Pse pas vitit 1935 disa të krishterë pushuan së marri emblemat në Darkën e Zotërisë?
9 Pas vitit 1935, disa të krishterë që kishin marrë nga buka dhe nga vera në Darkën e Zotërisë, pushuan së bëri këtë gjë. Pse? Sepse e kuptuan që shpresa e tyre ishte tokësore, jo qiellore. Një grua që ishte pagëzuar në vitin 1930, tha: «Megjithëse marrja e bukës dhe e verës konsiderohej si diçka e drejtë për t’u bërë, sidomos për shërbëtorët e zellshëm në kohë të plotë, nuk isha kurrë e bindur se kisha shpresë qiellore. Më pas, në vitin 1935, na u bë e qartë se po grumbullohej një shumicë e madhe, me shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë. Shumë prej nesh u gëzuam kur kuptuam se ishim pjesë e kësaj shumice të madhe dhe pushuam së marri emblemat.» Edhe botimet e krishtere e ndryshuan natyrën e tyre. Ndërsa botimet e viteve të mëparshme ishin hartuar kryesisht për ithtarët e lindur nga fryma të Jezuit, që prej vitit 1935 e këtej Kulla e Rojës dhe literatura tjetër e ‘skllavit të besueshëm’, siguroi ushqim frymor të përshtatshëm si për nevojat e të mirosurve, ashtu edhe për ato të shokëve të tyre, që kanë shpresë tokësore.—Mateu 24:45-47, BR.
10. Si mund të zëvendësohet një i mirosur i pabesueshëm?
10 Ta zemë se një i mirosur bëhet i pabesueshëm. A do të ketë një zëvendësim? Pavli e tregoi një gjë të tillë në trajtimin që bëri në lidhje me pemën simbolike të ullirit. (Romakëve 11:11-32) Nëse një i lindur nga fryma duhet zëvendësuar, ka të ngjarë që Perëndia t’ia japë thirrjen qiellore dikujt, besimi i të cilit ka qenë shembullor në shërbimin e shenjtë që i ka bërë atij për shumë vite.—Krahaso Lukën 22:28, 29; 1. Pjetrit 1:6, 7.
Arsye të shumta për mirënjohje
11. Pavarësisht nga natyra e shpresës sonë, për çfarë na siguron Jakovit 1:17?
11 Kudo që t’i shërbejmë Jehovait me besim të plotë, ai do të përmbushë nevojat dhe dëshirat tona të drejta. (Psalmi 145:16; Luka 1:67-74) Qoftë kur kemi shpresë të vërtetë qiellore, qoftë kur perspektiva jonë është tokësore, kemi shumë arsye të shëndosha për mirënjohje ndaj Perëndisë. Ai bën gjithmonë gjëra që janë në më të mirën e atyre që e duan. Dishepulli Jakov tha se «çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore», Perëndia Jehova. (Jakovit 1:17, BR) Le të vërejmë disa prej këtyre dhuratave dhe bekimeve.
12. Pse mund të themi se Jehovai i ka dhënë secilit prej shërbëtorëve të tij besimplotë një shpresë të mrekullueshme?
12 Jehovai i ka dhënë secilit prej shërbëtorëve të tij besimplotë një shpresë të mrekullueshme. Ai i ka thirrur disa në jetën qiellore. Dëshmitarëve të tij të parakrishterimit, Jehovai u dha shpresën e shkëlqyer të ringjalljes për një jetë të përhershme në tokë. Për shembull, Abrahami pati besim te ringjallja dhe priti «qytetin që ka themele të vërteta», Mbretërinë qiellore nën të cilën ai do të ringjallet në jetën tokësore. (Hebrenjve 11:10, 17-19, BR) Edhe një herë, në këtë kohë të fundit, Perëndia po u jep miliona vetave shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Luka 23:43; Gjoni 17:3) Sigurisht, kushdo, të cilit Perëndia i ka dhënë një shpresë të tillë të madhe, duhet të jetë thellësisht mirënjohës për të.
13. Si ka vepruar fryma e shenjtë e Perëndisë mbi popullin e tij?
13 Jehovai i jep popullit të tij frymën e shenjtë si dhuratë. Të krishterët, të cilëve u është dhënë shpresë qiellore, janë të mirosur me frymën e shenjtë. (1. Gjonit 2:20; 5:1-4, 18) Por megjithatë, shërbëtorët e Perëndisë që kanë perspektiva tokësore, kanë ndihmën dhe udhëheqjen e frymës. Mes këtyre ishte Moisiu, i cili pati frymën e Jehovait, ashtu siç e patën edhe 70 burrat që u emëruan për ta ndihmuar atë. (Numrat 11:24, 25) Nën ndikimin e frymës së shenjtë, Betsaleeli shërbeu si zejtar ekspert në lidhje me tabernakullin e Izraelit. (Dalja [Eksodi] 31:1-11) Fryma e Perëndisë zbriti mbi Gideonin, Jeftain, Samsonin, Davidin, Elijan, Eliseun dhe të tjerë. Megjithëse këta individë të kohëve të lashta nuk do të çohen kurrë në lavdi qiellore, ata u udhëhoqën dhe u ndihmuan nga fryma e shenjtë, ashtu siç udhëhiqen dhe drejtohen sot delet e tjera të Jezuit. Kështu, pra, pasja e frymës së Perëndisë nuk do të thotë se kemi patjetër thirrjen qiellore. Megjithatë, fryma e Jehovait siguron udhëheqje, na ndihmon të predikojmë dhe të përmbushim caktime të tjera të dhëna nga Perëndia, na jep fuqi përtej asaj që është normale dhe prodhon te ne frytin e saj të dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtmadhësisë, dashamirësisë, mirësisë, besimit, butësisë dhe vetëkontrollit. (Gjoni 16:13; Veprat 1:8; 2. Korintasve 4:7-10; Galatasve 5:22, 23) A nuk duhet të jemi mirënjohës për këtë dhuratë të hirshme nga Perëndia?
14. Si përfitojmë nga dhurata të tilla të Perëndisë, si njohuria dhe mençuria?
14 Njohuria dhe mençuria janë dhurata prej Perëndisë, për të cilat duhet të jemi mirënjohës, qoftë qiellore ose tokësore shpresa jonë. Njohuria e saktë e Jehovait na ndihmon të ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’ dhe ‘të ecim denjësisht për Jehovain, me qëllimin për t’i pëlqyer plotësisht atij’. (Filipianëve 1:9-11; Kolosianëve 1:9, 10, BR) Mençuria hyjnore shërben si mbrojtje dhe si udhërrëfyese në jetë. (Proverbat [Fjalët e urta] 4:5-7; Eklisiastiu 7:12, BR) Njohuria dhe mençuria e vërtetë janë të bazuara në Fjalën e Perëndisë dhe të mirosurit e paktë të mbetjes janë sidomos të tërhequr drejt asaj që thuhet në të rreth shpresës së tyre qiellore. Megjithatë, dashuria për Fjalën e Perëndisë dhe një kuptueshmëri e mirë e saj, nuk përbëjnë mënyrën e përdorur nga Perëndia për të treguar se jemi thirrur për jetën qiellore. Burrat si Moisiu dhe Danieli shkruan madje pjesë të Biblës, por ata do të ringjallen në jetën në tokë. Është qiellore ose tokësore shpresa jonë, të gjithë ne marrim ushqim frymor nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur» të miratuar të Jehovait. (Mateu 24:45-47, BR) Sa mirënjohës jemi të gjithë ne për njohurinë e fituar në këtë mënyrë!
15. Cila është një prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë dhe si e konsideron ti atë?
15 Një prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë është sigurimi i dashur i flijimit shpërblerës të Jezuit, nga i cili përfitojmë pavarësisht nga fakti nëse kemi perspektivë qiellore ose shpresë tokësore. Perëndia e deshi botën e njerëzimit «aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16, BR) Dashuria e motivoi Jezuin «ta jepte shpirtin e tij si shpërblim në shkëmbim për shumë». (Mateu 20:28, BR) Siç e shpjegoi apostulli Gjon, Jezu Krishti «është një flijim pajtues për mëkatet tona [ato të të mirosurve], por megjithatë, jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës». (1. Gjonit 2:1, 2, BR) Pra, të gjithë ne duhet të jemi thellësisht mirënjohës për këtë sigurim të dashur për shpëtim drejt jetës së përhershme.b
A do të jesh i pranishëm?
16. Cila ngjarje e jashtëzakonshme do të përkujtohet pas perëndimit të diellit, më 11 prill 1998 dhe cilët duhet të jenë të pranishëm?
16 Mirënjohja për shpërblerjen e siguruar nga Perëndia me anë të Birit të tij, duhet të na nxitë të jemi të pranishëm në Sallat e Mbretërisë apo në vendet e tjera, ku Dëshmitarët e Jehovait do të mblidhen pas perëndimit të diellit, më 11 prill 1998, për të përkujtuar vdekjen e Krishtit. Kur ai themeloi këtë ceremoni me apostujt e tij besimplotë natën e fundit të jetës së vet tokësore, Jezui tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19, 20; Mateu 26:26-30, BR) Të mirosurit e paktë që kanë mbetur, do të marrin nga buka pa maja, që përfaqëson trupin e pamëkat të Jezuit, dhe nga vera e kuqe pa lëndë shtesë, që ka domethënien e gjakut të tij të derdhur në flijim. Vetëm të krishterët e lindur nga fryma mund të marrin pjesë, sepse vetëm ata janë në besëlidhjen e re dhe në besëlidhjen e Mbretërisë, si dhe kanë dëshminë e pakundërshtueshme të frymës së shenjtë të Perëndisë se shpresa e tyre është shpresë qiellore. Me miliona të tjerë do të jenë të pranishëm si vëzhgues që tregojnë respekt, të cilët janë mirënjohës për dashurinë e treguar nga Perëndia dhe Krishti në lidhje me flijimin Jezuit, i cili bën të mundur jetën e përhershme.—Romakëve 6:23.
17. Çfarë nuk duhet të harrojmë për sa i përket mirosjes me frymë?
17 Bindjet e mëparshme fetare, emocionet e forta që lindin nga vdekja e një njeriu të dashur, vështirësitë që hasen në jetën e përditshme, apo ndjenja se kanë marrë ndonjë bekim të veçantë nga Jehovai, mund t’i bëjë disa të supozojnë në mënyrë të gabuar se kanë thirrje qiellore. Por të gjithë ne nuk duhet të harrojmë se Shkrimet nuk na urdhërojnë të marrim nga emblemat e Përkujtimit, që të tregojmë mirënjohjen tonë për fljimin shpërblerës të Jezuit. Për më tepër, mirosja me frymë «nuk varet as nga ai që e dëshiron, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia», nga Ai që e lindi Jezuin si Bir frymor dhe që çon në lavdi vetëm 144.000 bij të tjerë.—Romakëve 9:16, BR; Isaia 64:8.
18. Çfarë bekimesh shtrihen përpara për shumicën e atyre që i shërbejnë sot Jehovait?
18 Jeta e përhershme në një tokë parajsore, është shpresa e dhënë nga Perëndia për pjesën më të madhe të njerëzve që i shërbejnë Jehovait në këto ditë të fundit. (2. Timoteut 3:1-5) Së shpejti, ata do të gëzojnë këtë parajsë të mrekullueshme. Në atë kohë, princërit do të administrojnë çështjet tokësore nën sundimin qiellor. (Psalmi 45:16) Ndërsa banorët e tokës veprojnë në përputhje me ligjet e Perëndisë dhe mësojnë më shumë rreth rrugëve të Jehovait, do të ekzistojnë kushte paqësore. (Isaia 9:6, 7; Zbulesa 20:12) Do të ketë plot punë për të bërë, duke ndërtuar shtëpi dhe duke nënshtruar tokën. (Isaia 65:17-25) Mendo për bashkimet e lumtura familjare, ndërsa të vdekurit kthehen në jetë! (Gjoni 5:28, 29) Pas një prove të fundit, çdo ligësi do të zhduket. (Zbulesa 20:7-10) Pas kësaj, toka do të jetë përgjithmonë e mbushur me njerëz të përsosur, që ‘janë liruar nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe që kanë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.
[Shënimet]
a Shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqet 225-226, anglisht.
b Shiko Kullën e Rojës, 15 mars 1991, faqet 19-22, anglisht.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’do të thotë ta ‘marrësh falas ujin e jetës’?
◻ Qoftë qiellore ose tokësore shpresa jonë, çfarë arsyesh kemi për mirënjohje ndaj Perëndisë?
◻ Në cilin kremtim vjetor duhet të jemi të pranishëm të gjithë ne?
◻ Çfarë rezervon e ardhmja për shumicën e popullit të Jehovait?
[Figura në faqen 18]
Me miliona po e ‘marrin falas ujin e jetës’. A je mes tyre?