Libri biblik numër 3—Levitiku
Shkrimtari: Moisiu
Vendi ku u shkrua: shkretëtirë
Shkrimi përfundoi: 1512 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1 muaj (1512 p.e.s.)
1. (a) Përse është i përshtatshëm titulli Levitiku? (b) Ç’tituj të tjerë i kanë vënë Levitikut?
TITULLI më i zakonshëm për librin e tretë të Biblës është Levitiku, që vjen nga Leuitikόn, i përdorur në Septuagintën grek, përmes titullit «Leviticus» të Vulgatës latine. Edhe pse levitët përmenden vetëm shkarazi (25:32, 33), ky titull është i përshtatshëm, sepse libri përmban kryesisht rregulla për priftërinë levite që u zgjodh nga fisi i Levit dhe ligje që priftërinjtë i mësonin popullit: «Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë. Populli duhet ta kërkojë ligjin nga goja e tij.» (Mal. 2:7) Në tekstin hebraik, libri e merr titullin nga shprehja e tij hyrëse Vaijiqráʼ, fjalë për fjalë «Ai thirri». Më vonë, judenjtë e quajtën librin edhe Ligji i Priftërinjve dhe Ligji i Blatimeve.—Lev. 1:1, shënimi.
2. Cilat dëshmi tregojnë se shkrimtari i Levitikut ishte Moisiu?
2 S’ka ndonjë dyshim që librin e ka shkruar Moisiu. Në fund të tij thuhet: «Këto janë urdhërimet që i dha Jehovai Moisiut.» (27:34) Një pohim i ngjashëm gjendet edhe te Levitiku 26:46. Dëshmitë e përmendura më parë, të cilat provojnë se Moisiu ishte shkrimtari i Zanafillës dhe i Daljes, mbështetin faktin se edhe Levitikun e shkroi ai, përderisa me sa duket Pentateuku fillimisht ishte një rrotull e vetme. Për më tepër, në gjuhën origjinale Levitiku lidhet me lidhëzën «dhe» me librat që i paraprijnë. Dëshmia më e fortë nga të gjitha, është se Jezu Krishti dhe shërbëtorë të tjerë të frymëzuar të Jehovait citojnë vazhdimisht ligje dhe parime nga Levitiku ose u referohen atyre, dhe ia veshin autorësinë e tyre Moisiut.—Lev. 23:34, 40-43—Neh. 8:14, 15; Lev. 14:1-32—Mat. 8:2-4; Lev. 12:2—Luka 2:22; Lev. 12:3—Gjoni 7:22; Lev. 18:5—Rom. 10:5.
3. Cilën periudhë përkatëse mbulon Levitiku?
3 Ç’periudhë përkatëse mbulon Levitiku? Libri i Daljes përfundon me ngritjen e tabernakullit «muajin e parë, vitin e dytë, ditën e parë të muajit». Libri i Numrave (që vjen fill pas tregimit të Levitikut) hapet me fjalët që Jehovai i thotë Moisiut «ditën e parë të muajit të dytë, vitin e dytë pas daljes nga Egjipti». Nga kjo del se ato pak ngjarje të përmendura te Levitiku, pjesa më e madhe e të cilit përmban ligje dhe rregulla, kanë ndodhur brenda jo më shumë se një muaji hënor.—Dal. 40:17; Num. 1:1; Lev. 8:1–10:7; 24:10-23.
4. Kur u shkrua Levitiku?
4 Kur e shkroi Moisiu Levitikun? Është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se ai i ka dokumentuar ngjarjet ndërkohë që ndodhnin, dhe i ka shkruar udhëzimet e Perëndisë dora-dorës që i merrte. Kjo nënkuptohet nga urdhri që Perëndia i dha Moisiut për të shkruar dënimin kundër amalekitëve menjëherë pasi Izraeli i kishte mundur në betejë. Edhe disa çështje të trajtuara në libër tregojnë se ato janë shkruar menjëherë pasi ndodhën. Për shembull, izraelitët ishin urdhëruar t’i çonin kafshët që do t’i përdornin si ushqim në hyrje të tendës së mbledhjes, që t’i thernin. Një urdhër i tillë duhet të jetë dhënë dhe regjistruar pak pas emërimit të priftërisë. Shumë udhëzime u dhanë për t’i drejtuar izraelitët gjatë udhëtimit të tyre në shkretëtirë. Të gjitha këto argumente tregojnë se Moisiu e ka shkruar Levitikun gjatë vitit 1512 p.e.s.—Dal. 17:14; Lev. 17:3, 4; 26:46.
5. Për ç’qëllim shërbyen ligjet në lidhje me flijimet dhe papastërtinë ceremoniale?
5 Përse u shkrua Levitiku? Jehovai kishte për qëllim të formonte një komb të shenjtë, një popull të shenjtëruar, të ndarë veç për t’i bërë shërbim atij. Që nga koha e Abelit, njerëz besnikë të Perëndisë i kishin paraqitur flijime Jehovait, megjithatë, për herë të parë, Jehovai i dha kombit të Izraelit udhëzime të qarta për flijimet për mëkatin dhe për flijime të tjera. Sikurse shpjegohet hollësisht në librin e Levitikut, këto i bënë të vetëdijshëm izraelitët se deri ku kishte arritur mëkati, dhe u nguliti në mendje se sa të papëlqyeshëm i bënte në sy të Jehovait. Si pjesë e Ligjit, këto rregulla shërbyen si një edukator që t’i çonte judenjtë deri te Krishti, duke u treguar se kishin nevojë për një Shpëtimtar dhe, në të njëjtën kohë, ndihmuan që t’i mbanin si një popull të ndarë nga pjesa tjetër e botës. Sidomos për këtë qëllim shërbyen ligjet e Perëndisë në lidhje me pastërtinë ceremoniale.—Lev. 11:44; Gal. 3:19-25.
6. Përse tani ishte një nevojë e veçantë të merrej një drejtim i hollësishëm nga Jehovai?
6 Si një komb i ri që po udhëtonte drejt një toke të re, Izraeli kishte nevojë për drejtimin e duhur. Kishte kaluar më pak se një vit nga Dalja, prandaj i kishin ende të freskëta në mendje normat e jetesës dhe praktikat fetare të Egjiptit. Egjiptianët praktikonin martesën mes vëllait e motrës. Ishte i përhapur adhurimi i rremë i perëndive të shumta, shumë nga të cilat ishin perëndi-kafshë. Tanimë, kongregacioni i madh i Izraelit ishte në udhë për në Kanaan, një vend ku jeta dhe praktikat fetare ishin edhe më të degjeneruara. Por, hidhini përsëri një sy fushimit të Izraelit. Në kongregacion kishte plot nga ata që ishin krejtësisht ose pjesërisht egjiptianë, një turmë e përzier, të cilët jetonin mu në mes të izraelitëve. Ata kishin lindur nga prindër egjiptianë dhe ishin rritur e shkolluar me edukatën, fenë dhe patriotizmin egjiptian. Me siguri, deri pak kohë më parë, shumë nga ata praktikonin gjëra të pështira në atdheun e tyre. Sa e nevojshme ishte tani që të merrnin një drejtim të hollësishëm nga Jehovai!
7. Nga duket se rregullat që gjenden te Levitiku kanë vulën e autorësisë hyjnore?
7 Vula e frymëzimit hyjnor duket qartë në gjithë librin e Levitikut. Njerëzit nuk do të kishin pasur kurrë mundësi të sajonin ligjet dhe rregullat e mençura e të drejta që përmban libri. Ligjet e tij për dietën, sëmundjet, karantinën dhe trajtimin e trupave të vdekur, shpalosin një njohje të fakteve, që u kuptua nga përfaqësuesit jofetarë të fushës së mjekësisë vetëm mijëra vjet më vonë. Ligji i Perëndisë për kafshët e papastra do t’i mbronte izraelitët gjatë rrugëtimit të tyre. Do t’i mbronte nga trikinoza e derrave, tifoja dhe paratifoja e disa lloje peshqish dhe infeksionet nga kafshët e ngordhura. Ligje të tilla praktike do të drejtonin fenë dhe jetën e tyre, që të mbeteshin një komb i shenjtë dhe të arrinin e të banonin në Tokën e Premtuar. Historia tregon se rregullat që u dha Jehovai judenjve për shëndetin, u siguruan atyre një përparësi të dukshme mbi kombet e tjera.
8. Në ç’mënyrë përmbajtja profetike e Levitikut jep prova të mëtejshme se ai është i frymëzuar?
8 Përmbushja e profecive dhe e tipizimeve profetike të Levitikut provojnë edhe një herë se ai është një libër i frymëzuar. Qoftë historia biblike, qoftë ajo botërore, dokumentojnë përmbushjen e paralajmërimeve të Levitikut për pasojat e mosbindjes. Mes të tjerash, ai parathoshte se nënat do të hanin fëmijët e tyre për shkak të zisë së bukës. Jeremia tregon se kjo u përmbush gjatë shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Historiani Jozef tregon se kjo ndodhi përsëri gjatë shkatërrimit të mëvonshëm të qytetit në vitin 70 të e.s. Premtimi profetik se Jehovai do të kujtohej për ta po të pendoheshin, u përmbush kur u kthyen nga Babilonia në vitin 537 p.e.s. (Lev. 26:29, 41-45; Vajt. 2:20; 4:10; Ezd. 1:1-6) Dëshmi të tjera që Levitiku është i frymëzuar, gjenden në citimet që shkrimtarë të tjerë të Biblës i bënë atij si pjesë e Shkrimit të frymëzuar. Përveç citimeve që tashmë kemi vërejtur, për të përcaktuar se shkrimtari ishte Moisiu, ju lutemi të shihni edhe Mateun 5:38; 12:4; 2 Korintasve 6:16; dhe 1 Pjetrit 1:16.
9. Si e madhëron Levitiku emrin dhe shenjtërinë e Jehovait?
9 Libri i Levitikut madhëron vazhdimisht emrin dhe sovranitetin e Jehovait. Jo më pak se 36 herë ligjet e tij i atribuohen Jehovait. Vetë emri i Jehovait paraqitet mesatarisht dhjetë herë në çdo kapitull, dhe herë pas here bindja ndaj ligjeve të Perëndisë përforcohet nga fjalët përkujtuese «Unë jam Jehovai». Tema e shenjtërisë e përshkon Levitikun fund e krye, pasi e përmend këtë kërkesë më shpesh se çdo libër tjetër i Biblës. Izraelitët duhej të ishin të shenjtë, sepse Jehovai është i shenjtë. Disa njerëz, vende, objekte dhe periudha kohore, ishin ndarë veç si të shenjtëruar. Për shembull, Dita e Shlyerjes dhe viti i Jubileut ishin ndarë veç si periudha që duheshin respektuar në mënyrë të veçantë në adhurimin e Jehovait.
10. Çfarë theksohet për flijimet, dhe ç’dënime jepeshin për mëkatin?
10 Siç thekson shenjtërinë, libri i Levitikut thekson edhe rolin që luan në faljen e mëkateve derdhja e gjakut, domethënë, flijimi i një jete. Flijimet që bëheshin duhej të ishin vetëm kafshë shtëpiake dhe të pastra. Për disa mëkate, përveç flijimit, kërkohej edhe rrëfimi, kthimi i gjësë së marrë dhe pagesa e një gjobe. Për disa mëkate të tjera, dënimi ishte vdekja.
PËRMBAJTJA E LEVITIKUT
11. Ç’mund të themi për përmbajtjen e Levitikut?
11 Në pjesën më të madhe libri i Levitikut ka përmbajtje legjislative, shumë nga e cila është edhe profetike. Kryesisht, ndjek një skemë të bazuar në argumente dhe mund të ndahet në tetë pjesë, të cilat pasojnë njëra-tjetrën në mënyrë logjike.
12. Ç’lloj flijimesh me gjak kishte, dhe si duheshin paraqitur ato?
12 Rregulla për flijimet (1:1–7:38). Flijimet e shumta ndahen në dy kategori: me gjak, ku futen gjedhë, dele, dhi e shpendë; dhe pa gjak, ku futen drithëra. Flijimet me gjak paraqiten si (1) të djegura, (2) në bashkësi, (3) për mëkate ose (4) blatime për fajin. Këto katër grupe kanë tri gjëra të përbashkëta: ai që e paraqiste flijimin duhej ta sillte vetë në hyrje të tendës së mbledhjes, të vinte dorën mbi të, dhe pastaj të therej kafsha. Pasi të spërkatej gjaku, kufoma duhej të eliminohej sipas llojit të flijimit. Le të shohim tani me radhë flijimet me gjak.
13-16. (a) Rendit kërkesat për (1) blatimet e djegura, (2) flijimet në bashkësi, (3) blatimet për mëkatin, dhe (4) blatimet për fajin. (b) Çfarë ndalohet në mënyrë të vazhdueshme për sa u përket flijimeve me gjak?
13 (1) Si blatim i djegur mund të përdoret një dem i ri, një dash, një cjap, një pëllumb ose një turtull, në varësi të asaj që zotëron ai që bën flijimin. Flija duhet prerë copë-copë dhe, përveç lëkurës, duhet djegur plotësisht në altar. Një pëllumbi apo turtulli duhet t’i pritet gusha me thua, por nuk duhet t’i këputet koka, dhe gusha e puplat duhet t’i hiqen.—1:1-17; 6:8-13; 5:8.
14 (2) Flijimet në bashkësi mund të jenë qoftë meshkuj, qoftë femra, nga bagëtia e trashë ose e imët. Vetëm pjesët e dhjamura digjen në altar, një pjesë e merr prifti dhe pjesën që mbetet, e ha ai që bën flijimin. Ky quhet me të drejtë një flijim në bashkësi, sepse nëpërmjet tij ai që paraqit flijimin ndan një vakt, ose është bashkë, me Jehovain dhe priftin.—3:1-17; 7:11-36.
15 (3) Blatimi për mëkatin kërkohet për mëkatet e paqëllimshme ose për ato që bëhen pa dashje. Lloji i kafshës që do të flijohet, varet nga mëkatari për të cilin bëhet shlyerja: prifti, populli në tërësi, një prijës apo një njeri i zakonshëm. Në ndryshim nga blatimet e djegura vullnetare dhe flijimet në bashkësi, blatimi për mëkatin është i detyrueshëm.—4:1-35; 6:24-30.
16 (4) Blatimet për fajin kërkohen për të mbuluar fajet personale të bëra për shkak të pabesisë, mashtrimit apo grabitjes. Në disa raste, ai që ka bërë faj duhet të rrëfehet dhe të paraqitë një flijim në bazë të asaj që zotëron. Në raste të tjera, kërkohet një dëmshpërblim i barabartë me vlerën e dëmit plus 20 për qind, si edhe të flijohet një dash. Në këtë pjesë të Levitikut që merret me flijimet, përsëritet me forcë dhe vazhdimisht se ndalohet ngrënia e gjakut.—5:1–6:7; 7:1-7, 26, 27; 3:17.
17. Si duhen paraqitur blatimet pa gjak?
17 Blatimet pa gjak bëhen me drithë dhe duhen paraqitur ose të pjekur plotësisht, ose të bluar ashpër, ose si majë mielli; mund të përgatiten në mënyra të ndryshme: të pjekura, të bëra në tigan të cekët ose të skuqura në tigan të thellë. Ato paraqiten me kripë e vaj, dhe disa herë, me temjan të bardhë, por nuk duhet të kenë fare tharm ose mjaltë. Nga disa blatime, një pjesë i takon priftit.—2:1-16.
18. Cila shfaqje besimforcuese shënon kulmin e emërimit të priftërisë?
18 Emërimi i priftërisë (8:1–10:20). Tani vjen koha për një ngjarje të madhe në Izrael, emërimin e priftërisë. Moisiu e kryen këtë punë me çdo hollësi, ashtu siç e ka urdhëruar Jehovai. «Aaroni dhe bijtë e tij bënë gjithçka që urdhëroi Jehovai me anë të Moisiut.» (8:36) Pas këtyre shtatë ditëve kushtuar emërimit të priftërisë, i vjen radha një shfaqjeje të mrekullueshme dhe besimforcuese. Tërë asambleja është e pranishme. Priftërinjtë sapo kanë paraqitur flijimin. Aaroni dhe Moisiu kanë bekuar popullin. Kur ja! «Lavdia e Jehovait iu shfaq tërë popullit. Nga prania e Jehovait doli një zjarr që përpiu blatimin e djegur bashkë me pjesët e dhjamura mbi altar. Kur tërë populli e pa, lëshoi britma dhe u përkul me fytyrë përdhe.» (9:23, 24) Vërtet, Jehovai është i denjë që t’i binden e ta adhurojnë!
19. Ç’rast të shkeljes së ligjit kemi, dhe ç’ndodh më pas?
19 Gjithsesi, ka raste të shkeljes së ligjit. Për shembull, bijtë e Aaronit, Nadabi dhe Abihu, paraqitin para Jehovait zjarr të palejueshëm. «Sakaq, nga prania e Jehovait doli një zjarr që i përpiu, e ata vdiqën para Jehovait.» (10:2) Që të paraqitin flijime të pranueshme e të kenë miratimin e Jehovait, populli dhe priftërinjtë bashkë duhet të ndjekin udhëzimet e Jehovait. Fill pas kësaj ndodhie, Perëndia urdhëron që priftërinjtë të mos pinë pije alkoolike kur shërbejnë në tabernakull, dhe kjo na bën të mendojmë se shkaku për keqbërjen e dy bijve të Aaronit mund të ketë qenë dehja.
20, 21. Cilat rregulla jepen për pastërtinë dhe higjienën?
20 Ligje për pastërtinë (11:1–15:33). Kjo pjesë trajton pastërtinë ceremoniale dhe higjienën. Disa kafshë, shtëpiake dhe të egra, janë të papastra. Gjithë trupat e vdekur janë të papastër, dhe ata që i prekin, bëhen të papastër. Edhe lindja e një fëmije e bën një grua të papastër. Asaj i kërkohet të rrijë për ca kohë e veçuar dhe të paraqitë flijime.
21 Edhe disa sëmundje të lëkurës, si lebra, shkaktojnë papastërti ceremoniale, dhe në këtë rast duhet të pastrohen jo vetëm njerëzit, por edhe rrobat e shtëpia. Kërkohet edhe vënia në karantinë. Edhe menstruacionet dhe lëshimi i farës shkaktojnë papastërti, e po kështu edhe rrjedhjet e ndryshme. Në këto raste njerëzit e përfshirë duhet të qëndrojnë të veçuar, dhe, pasi të jenë sërish mirë, duhet që të lajnë trupin ose të paraqitin flijime, ose t’i bëjnë të dyja.
22. (a) Përse është i veçantë kapitulli 16? (b) Cila procedurë ndiqet në Ditën e Shlyerjes?
22 Dita e Shlyerjes (16:1-34). Ky është një kapitull i veçantë, pasi përmban udhëzime për ditën më të rëndësishme në Izrael, Ditën e Shlyerjes, e cila bie ditën e dhjetë të muajit të shtatë. Kjo është një ditë për të munduar shpirtin (ka shumë të ngjarë duke agjëruar), dhe gjatë asaj dite nuk lejohet asnjë lloj pune që s’ka lidhje me adhurimin. Dita fillon me flijimin e një demi të ri për mëkatet e Aaronit dhe të shtëpisë së tij, fisit të Levit, e më pas vazhdon me flijimin e një cjapi për mëkatet e pjesës tjetër të popullit. Pasi të djegin temjan, duhet të futin brenda Më të Shenjtës ca nga gjaku i çdo kafshe dhe të spërkatin vendin para kapakut të Arkës. Kafshët e ngordhura duhet të nxirren jashtë kampit dhe të digjen. Në këtë ditë duhet të paraqitin para Jehovait edhe një cjap të gjallë mbi të cilin të rrëfejnë të gjitha mëkatet e popullit, dhe më pas cjapin duhet ta dërgojnë në shkretëtirë. Pastaj, dy desh duhet të flijohen si blatime të djegura, një për Aaronin dhe shtëpinë e tij, një për pjesën tjetër të kombit.
23. (a) Ku gjendet një nga pohimet më të qarta të Biblës për gjakun? (b) Cilat rregulla të tjera jepen?
23 Ligje për gjakun dhe për çështje të tjera (17:1–20:27). Kjo pjesë përmban shumë ligje për popullin. Edhe një herë, në një nga pohimet më të qarta të Shkrimeve të Shenjta, përsëritet se ndalohet përdorimi i gjakut. (17:10-14) Gjaku mund të përdoret në mënyrë të përshtatshme mbi altar, por jo për t’u ngrënë. Praktika të neveritshme, si incesti, sodomia dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët, janë të ndaluara. Ka rregulla për të mbrojtur njerëzit e munduar, të përvuajturit dhe të ardhurit. Gjithashtu, jepet urdhri: «Duaje tjetrin si veten. Unë jam Jehovai.» (19:18) Jepen ligje për të ruajtur mirëqenien shoqërore dhe ekonomike të kombit, kurse rreziqet frymore, si adhurimi i Molekut dhe spiritizmi, shpallen të jashtëligjshme, dhe dënohen me vdekje. Perëndia thekson përsëri se populli i tij duhej të qëndrojë i ndarë nga të tjerët: «Jini të shenjtë për mua, sepse unë, Jehovai, jam i shenjtë, dhe po ju veçoj nga popujt, që të jeni të mitë.»—20:26.
24. Çfarë thotë Levitiku për kualifikimet e priftërinjve dhe festat periodike?
24 Priftëria dhe festat (21:1–25:55). Tre kapitujt vijues merren kryesisht me adhurimin formal të Izraelit: ligjet që drejtojnë priftërinjtë, kualifikimet e tyre fizike, me kë mund të martohen, kush mund të hajë gjërat e shenjta si dhe kërkesat për kafshët e shëndetshme që do të përdoren si flijime. Duhet të mbajnë tri festa periodike kombëtare, të cilat do t’u japin rast ‘të gëzojnë para Jehovait, Perëndisë së tyre’. (23:40) Në këtë mënyrë, si një trup i vetëm, kombi do ta drejtojë vëmendjen nga Jehovai, do ta lëvdojë e adhurojë, dhe kështu do të forcojë marrëdhënien me të. Këto janë festa për Jehovain, kongrese të shenjta vjetore. Pashka, bashkë me festën e Kuleçve të Ndormë mbahet në fillim të pranverës; festa e Ditës së Pesëdhjetë, ose festa e Javëve, mbahet në pranverën e vonë; Dita e Shlyerjes dhe festa e Kasolleve ose e Grumbullimit, që zgjat tetë ditë, mbahen në vjeshtë.
25. (a) Si e dimë se «Emri» duhej nderuar? (b) Cilat rregulla përfshijnë numrin «shtatë»?
25 Në kapitullin 24 jepen udhëzime për bukën dhe vajin që duhen përdorur gjatë shërbimit në tabernakull. Në këtë kohë ndodh një incident për shkak të të cilit Jehovai vendos rregullin që kushdo që keqpërdor «Emrin»—po, emrin Jehova—duhet të goditet me gurë për vdekje. Pastaj, ai jep ligjin për ndëshkimin me të njëjtin dëm që është shkaktuar, «sy për sy e dhëmb për dhëmb». (24:11-16, 20) Në kapitullin 25 gjenden rregulla për sabatin njëvjeçar, ose vitin e pushimit, i cili duhet mbajtur çdo vit të 7-të, kurse Jubileu çdo vit të 50-të. Vitin e 50-të, në të gjithë vendin do të shpallet liria, dhe pronat e trashëguara, që ishin shitur ose dorëzuar gjatë 49 vjetëve të shkuar, do t’i kthehen të zotit. Jepen edhe ligje për të mbrojtur të drejtat e të varfërve dhe të skllevërve. Në këtë pjesë të bie në sy përdorimi i numrit «shtatë»: dita e shtatë, viti i shtatë, festat shtatëditore, një periudhë prej shtatë javësh, dhe Jubileu që do të vinte pas shtatë vjetësh herë shtatë.
26. Ku arrin kulmin Levitiku?
26 Pasojat e bindjes dhe të mosbindjes (26:1-46). Në këtë kapitull, libri i Levitikut arrin kulmin. Jehovai rendit shpërblimet për bindjen dhe ndëshkimet për mosbindjen. Njëkohësisht, ai u jep izraelitëve këtë shpresë, nëse përulen: «Për hir të tyre, do të kujtoj besëlidhjen me të parët e tyre, që i nxora nga Egjipti, para syve të kombeve, për të qenë Perëndia i tyre. Unë jam Jehovai.»—26:45.
27. Si përfundon Levitiku?
27 Ligje të tjera (27:1-34). Levitiku përfundon me udhëzime për blatimet e zotimit, për të parëlindurit për Jehovain, dhe për të dhjetën që i shenjtërohet Jehovait. Pastaj, fundi i shkurtër: «Këto janë urdhërimet që i dha Jehovai Moisiut në malin e Sinait për bijtë e Izraelit.»—27:34.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
28. Ç’dobi sjell libri i Levitikut për të krishterët sot?
28 Si pjesë e Shkrimeve të frymëzuara, libri i Levitikut është shumë i dobishëm për të krishterët sot. Ai na ndihmon shumë që të njohim Jehovain, atributet e tij dhe mënyrën se si sillet me krijesat e veta, siç e tregoi aq qartësisht me Izraelin nën besëlidhjen e Ligjit. Levitiku përmban shumë parime bazë që do të zbatohen përherë, shumë modele profetike, si dhe profeci, që janë vërtet besimforcuese. Mjaft nga parimet e tij përsëriten te Shkrimet e Krishtere Greke, disa nga të cilat citohen drejtpërdrejt. Më poshtë, trajtohen shtatë pika të rëndësishme.
29-31. Si e thekson Levitiku respektin për (a) sovranitetin, (b) emrin, dhe (c) shenjtërinë e Jehovait?
29 (1) Sovraniteti i Jehovait. Ai është Ligjdhënësi, dhe ne i japim llogari, si krijesa të tij. Ai na urdhëron me të drejtë që t’i frikësohemi. Si Sovran i universit nuk lejon asnjë lloj rivaliteti, qoftë idhujtari, spiritizëm ose ndonjë aspekt tjetër demonizmi.—Lev. 18:4; 25:17; 26:1; Mat. 10:28; Vep. 4:24.
30 (2) Emri i Jehovait. Emri i tij duhet mbajtur i shenjtë, dhe ne s’guxojmë të sjellim sharje mbi të, me fjalë ose me veprime.—Lev. 22:32; 24:10-16; Mat. 6:9.
31 (3) Shenjtëria e Jehovait. Meqë ai është i shenjtë, edhe populli i tij duhet të jetë i shenjtë, domethënë, i shenjtëruar ose i ndarë veç për t’i shërbyer atij. Kjo përfshin të qëndrojmë të ndarë nga bota e paperëndishme që na rrethon.—Lev. 11:44; 20:26; Jak. 1:27; 1 Pjet. 1:15, 16.
32-34. Cilat parime nënvizohen për (a) mëkatin, (b) gjakun, dhe (c) relativitetin e fajit?
32 (4) Korruptimi i tejskajshëm i mëkatit. Perëndia e përcakton çfarë është mëkati, dhe ne duhet të luftojmë kundër tij. Mëkati kërkon gjithnjë një flijim që të shlyhet. Gjithashtu, nga ne kërkohet të rrëfehemi, të pendohemi dhe të japim njëfarë dëmshpërblimi aq sa kemi mundësi. Disa mëkate nuk mund të falen.—Lev. 4:2; 5:5; 20:2, 10; 1 Gjon. 1:9; Hebr. 10:26-29.
33 (5) Shenjtëria e gjakut. Meqë gjaku është i shenjtë, nuk duhet futur në trup në asnjë lloj mënyre. I vetmi rast kur përdoret gjaku, është për të shlyer mëkatin.—Lev. 17:10-14; Vep. 15:29; Hebr. 9:22.
34 (6) Relativiteti i fajit dhe i ndëshkimit. Jo të gjitha mëkatet dhe të gjithë mëkatarët konsideroheshin njësoj. Sa më e lartë pozita, aq më e lartë shkalla e përgjegjësisë dhe ndëshkimi për mëkatin. Mëkatet e vullnetshme ndëshkoheshin më ashpërsisht se ato që bëheshin pa dashje. Shpesh, dënimi varej nga sa mundësi kishin për të paguar. Parimi i relativitetit gjen zbatim edhe në fusha të tjera përveç mëkatit dhe ndëshkimit, si për shembull në rastin e papastërtisë ceremoniale.—Lev. 4:3, 22-28; 5:7-11; 6:2-7; 12:8; 21:1-15; Luka 12:47, 48; Jak. 3:1; 1 Gjon. 5:16.
35. Si e përmbledh Levitiku detyrimin tonë ndaj të tjerëve?
35 (7) Drejtësi dhe dashuri. Duke përmbledhur gjithë detyrimin tonë ndaj të tjerëve, Levitiku 19:18 thotë: «Duaje tjetrin si veten.» Këtu futet gjithçka. Ky urdhër përjashton anësinë, vjedhjen ose shpifjen, dhe kërkon respektimin e njerëzve me paaftësi fizike, të varfërve, të verbërve dhe të shurdhërve.—Lev. 19:9-18; Mat. 22:39; Rom. 13:8-13.
36. Nga duket që Levitiku është i dobishëm për kongregacionin e krishterë?
36 Prova të mëtejshme që Levitiku është jashtëzakonisht «i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi» brenda kongregacionit të krishterë, gjejmë edhe te referimet e vazhdueshme që i bën këtij libri Jezui dhe apostujt e tij, sidomos Pavli dhe Pjetri. Ata na drejtojnë vëmendjen nga modelet e shumta profetike dhe nga hijet e gjërave që do të vijnë. Sikurse vërejti Pavli «Ligji është një hije e gjërave që do të vijnë». Ai është një «pasqyrim simbolik dhe hije e gjërave qiellore».—2 Tim. 3:16; Hebr. 10:1; 8:5.
37. Cilat përmbushje të aspekteve simbolike përshkruan letra e Hebrenjve?
37 Tabernakulli, priftëria, flijimet dhe sidomos Dita vjetore e Shlyerjes, kishin domethënie simbolike. Në letrën drejtuar hebrenjve, Pavli na ndihmon të identifikojmë barasvlerësit e këtyre gjërave në ‘tendën e vërtetë’ të adhurimit të Jehovait. (Hebr. 8:2) Kryeprifti Aaron simbolizon Krishtin Jezu «si kryeprift i gjërave të mira që kanë ndodhur, nëpër tendën më të madhe dhe më të përsosur». (Hebr. 9:11; Lev. 21:10) Gjaku i kafshëve të flijuara paraqiste gjakun e Jezuit që siguroi «për ne një çlirim të përhershëm». (Hebr. 9:12) Ndarja më e brendshme e tabernakullit, Më e Shenjta, ku kryeprifti hynte vetëm Ditën vjetore të Shlyerjes për të paraqitur gjakun flijues, është «kopje e realitetit», e ‘vetë qiellit’ ku u ngjit Jezui «që të paraqitet para personit të Perëndisë».—Hebr. 9:24; Lev. 16:14, 15.
38. Si u përmbushën flijimet simbolike te Jezui?
38 Flitë që paraqiteshin, kafshë të shëndetshme, të patëmeta, qoftë si blatime të djegura apo për mëkatin, përfaqësonin flijimin e përsosur e të patëmetë të trupit njerëzor të Jezu Krishtit. (Hebr. 9:13, 14; 10:1-10; Lev. 1:3) Në mënyrë interesante, Pavli foli edhe për një aspekt tjetër të Ditës së Shlyerjes, për kufomat e kafshëve të paraqitura si blatime për mëkatin që nxirreshin jashtë kampit dhe digjeshin. (Lev. 16:27) «Prandaj,—shkroi Pavli,—edhe Jezui vuajti jashtë portës. Prandaj, le të dalim tek ai jashtë kampit dhe të mbajmë poshtërimin që mbajti ai.» (Hebr. 13:12, 13) Ky interpretim i frymëzuar u jep edhe më tepër domethënie procedurave ceremoniale të paraqitura te Levitiku. Kështu mund të fillojmë të kuptojmë në ç’mënyrë të mrekullueshme i paraqiti Jehovai këto hije për të treguar realitete që mund të qartësohen vetëm falë frymës së shenjtë. (Hebr. 9:8) Një kuptueshmëri e tillë e drejtë është jetësore për ata që duan të nxjerrin dobi nga masa që ka marrë Jehovai për jetën, nëpërmjet Krishtit Jezu, ‘priftit të madh mbi shtëpinë e Perëndisë’.—Hebr. 10:19-25.
39. Si ndërthuret libri i Levitikut me ‘gjithë Shkrimin’, që të bëjë të njohura qëllimet e Mbretërisë së Jehovait?
39 Sikurse ekziston shtëpia priftërore e Aaronit, edhe Jezu Krishti, si Kryeprift, ka nënpriftërinj që shoqërohen me të. Këta janë quajtur «priftëri mbretërore». (1 Pjet. 2:9) Levitiku tregon dhe shpjegon qartësisht veprën mëkatshlyese të Kryepriftit dhe Mbretit të madh të Jehovait, si edhe kërkesat për pjesëtarët e shtëpisë së Tij, për të cilët thuhet se janë ‘të lum e të shenjtë’ dhe se do të jenë «priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet». Sa bekime do të sjellë puna e kësaj priftërie, që do ta çojë njerëzimin e bindur deri në përsosmëri! Ç’gëzim do të sjellë kjo Mbretëri qiellore që do të rivendosë paqen dhe drejtësinë në tokë! Pa dyshim, duhet të falënderojmë Perëndinë e shenjtë, Jehovain, që na ka siguruar këtë Kryeprift e Mbret dhe një priftëri mbretërore, për të shpallur kudo shkëlqesitë e Tij dhe për të shenjtëruar emrin e Tij! Vërtet, libri i Levitikut ndërthuret për mrekulli me ‘gjithë Shkrimin’, që të bëjë të njohura qëllimet e Mbretërisë së Jehovait.—Zbul. 20:6.