KAPITULLI 6
Fuqi shkatërruese: «Jehovai është një luftëtar burrëror»
1-3. (a) Cilin kërcënim hasën izraelitët nga egjiptianët? (b) Si luftoi Jehovai për popullin e tij?
IZRAELITËT ishin zënë ngushtë, pasi gjendeshin të rrethuar nga shkëmbinj të thepisur e të rrezikshëm dhe nga deti që s’kishin si ta kalonin. Ushtria egjiptiane, një makinë e pamëshirshme e krijuar për të vrarë, po i ndiqte këmba-këmbës, e vendosur për t’i zhdukur.a Gjithsesi Moisiu e nxiti popullin e Perëndisë që të mos e humbnin shpresën. «Jehovai vetë do të luftojë për ju»,—i siguroi ai.—Dalja 14:14.
2 Megjithatë, duket se Moisiu i thërriti Perëndisë Jehova, i cili iu përgjigj: «Përse vazhdon të më thërrasësh? . . . Ngrije shkopin tënd dhe shtrije dorën mbi det e ndaje.» (Dalja 14:15, 16) Përfytyro se si rrjedhin më tej ngjarjet. Menjëherë Jehovai e urdhëron engjëllin e tij dhe shtylla e resë zhvendoset pas izraelitëve, ndoshta duke u përhapur si një mur e duke bllokuar vijën e frontit të egjiptianëve. (Dalja 14:19, 20; Psalmi 105:39) Moisiu shtrin dorën. Deti ndahet më dysh, i shtyrë nga një erë e fortë. Në njëfarë mënyre ujërat ngurtësohen dhe qëndrojnë si mure, duke hapur një rrugë mjaft të gjerë sa të kalojë i gjithë kombi.—Dalja 14:21; 15:8.
3 Përballë kësaj shfaqjeje të fuqisë, faraoni duhet t’i urdhërojë trupat e tij të tërhiqen, kurse ai me krenari i urdhëron të sulmojnë. (Dalja 14:23) Egjiptianët nxitojnë të hyjnë në shtratin e detit në ndjekje të izraelitëve, por sulmi i tyre shpejt kthehet në kaos, pasi rrotat e qerreve fillojnë të shkëputen. Pasi izraelitët kalojnë shëndoshë e mirë në anën tjetër, Jehovai e urdhëron Moisiun: «Shtrije dorën mbi det, që ujërat të kthehen mbi egjiptianët, mbi karrocat e tyre të luftës dhe mbi kalorësit e tyre.» Muret ujore shemben, duke varrosur nën to faraonin dhe ushtrinë e tij.—Dalja 14:24-28; Psalmi 136:15.
Në Detin e Kuq, Jehovai u bë «një luftëtar burrëror»
4. (a) Çfarë u bë Jehovai në Detin e Kuq? (b) Si mund të reagojnë disa ndaj këtij portretizimi të Jehovait?
4 Çlirimi i kombit izraelit në Detin e Kuq ishte një ngjarje e shënuar në historinë e marrëdhënieve të Perëndisë me njerëzimin. Atje Jehovai e tregoi veten se ishte «një luftëtar burrëror». (Dalja 15:3) Por, si reagon ti ndaj këtij portretizimi të Jehovait? Të flasim drejt, lufta i ka sjellë shumë dhembje e vuajtje njerëzimit. Mos ndoshta fakti që Perëndia përdor fuqinë e tij shkatërruese është më shumë një pengesë sesa një shtysë për t’iu afruar atij?
Luftërat e Perëndisë përkundrejt konflikteve njerëzore
5, 6. (a) Pse Perëndia quhet në mënyrë të përshtatshme «Jehovai i ushtrive»? (b) Si ndryshojnë luftërat hyjnore nga luftërat njerëzore?
5 Afro treqind herë në Shkrimet Hebraike dhe dy herë në Shkrimet Greke, Perëndisë i është dhënë titulli ‘Jehovai i ushtrive’. (1 Samuelit 1:11) Duke qenë Sundimtari Sovran, Jehovai komandon një ushtri të madhe forcash engjëllore. (Josiu 5:13-15; 1 Mbretërve 22:19) Potenciali shkatërrues i kësaj ushtrie na lë të shtangur. (Isaia 37:36) Natyrisht nuk është e këndshme të mendojmë për shkatërrimin e njerëzve. Por nuk duhet të harrojmë se luftërat që bën Perëndia nuk janë si konfliktet njerëzore që bëhen për hiçmosgjë. Udhëheqësit ushtarakë e politikë mund të përpiqen t’i veshin motive fisnike sulmit të tyre. Por luftërat njerëzore gjithmonë përfshijnë lakminë dhe egoizmin.
6 Ndryshe nga ata, Jehovai nuk drejtohet nga ndjenja e verbër. Te Ligji i përtërirë 32:4 thuhet: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi besnikërie, tek i cili nuk ka padrejtësi; i drejtë dhe i ndershëm është ai.» Fjala e Perëndisë e dënon tërbimin e shfrenuar, mizorinë dhe dhunën. (Zanafilla 49:7; Psalmi 11:5) Prandaj Jehovai nuk vepron kurrë pa ndonjë arsye. Fuqinë shkatërruese ai e përdor me kursim dhe vetëm si mundësinë e fundit. Është siç e tha ai nëpërmjet profetit të tij Ezekiel: «‘A gjej ndonjë kënaqësi në vdekjen e dikujt që është i lig’,—është shprehja e Zotërisë Sovran Jehova,—‘e jo që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të vazhdojë të jetojë?’»—Ezekieli 18:23.
7, 8. (a) Ç’përfundim të gabuar nxori Jobi lidhur me vuajtjet e tij? (b) Si e ndreqi Elihu arsyetimin e Jobit? (c) Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jobit?
7 Atëherë, përse e përdor Jehovai fuqinë shkatërruese? Para se të përgjigjemi, bëjmë mirë të sjellim ndër mend njeriun e drejtë Job. Satanai akuzoi se Jobi, e në të vërtetë çdo njeri, nuk do të qëndronte besnik nën sprova. Jehovai iu përgjigj kësaj akuze duke e lejuar Satanain që t’ia vinte në provë besnikërinë Jobit. Për pasojë, Jobi vuajti nga sëmundjet, humbi pasurinë dhe fëmijët e tij. (Jobi 1:1–2:8) Duke mos qenë në dijeni të çështjeve që përfshiheshin, gabimisht Jobi nxori përfundimin se vuajtjet e tij ishin ndëshkim i padrejtë nga Perëndia. E pyeti Perëndinë përse e kishte bërë një «shënjestër» e «një armik».—Jobi 7:20; 13:24.
8 Një i ri me emrin Elihu nxori në pah ku ishte i gabuar arsyetimi i Jobit, duke i thënë: «Ti ke thënë ‘drejtësia ime është më e madhe se e Perëndisë’.» (Jobi 35:2) Po, nuk është e mençur të mendojmë që dimë më shumë se Perëndia ose të guxojmë të mendojmë se ka bërë ndonjë padrejtësi. «Qoftë larg nga Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi dhe nga i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi»,—shpalli Elihu. Më pas tha: «Të Plotfuqishmin ne nuk e kemi zbuluar se si është; ai është i lartësuar për nga fuqia dhe nuk do ta përçmojë drejtësinë dhe bollëkun e së drejtës.» (Jobi 34:10; 36:22, 23; 37:23) Mund të jemi të sigurt se kur Perëndia lufton, ka një shkak të vlefshëm përse e bën këtë. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë disa nga arsyet pse Perëndia i paqes disa herë vesh mantelin e luftëtarit.—1 Korintasve 14:33.
Pse Perëndia i paqes detyrohet të luftojë?
9. Pse lufton Perëndia i paqes?
9 Pasi e lavdëroi Perëndinë si «një luftëtar burrëror», Moisiu shpalli: «Kush mes perëndive, o Jehova, është porsi ti? Kush është si ti, që tregohesh i fuqishëm në shenjtëri?» (Dalja 15:11) Në mënyrë të ngjashme profeti Habakuk shkroi: «Sytë e tu janë tepër të pastër për të parë atë që është e keqe dhe ti nuk e shikon dot ligësinë.» (Habakuku 1:13) Ndonëse Jehovai është Perëndi i dashurisë, ai është edhe Perëndi i shenjtërisë e i drejtësisë. Nganjëherë këto cilësi e shtrëngojnë të përdorë fuqinë shkatërruese. (Isaia 59:15-19; Luka 18:7) Pra, Perëndia nuk e njollos shenjtërinë e tij kur lufton, por, përkundrazi, lufton sepse është i shenjtë.—Dalja 39:30.
10. (a) Kur dhe si lindi fillimisht nevoja që Perëndia të luftonte? (b) Cila ishte e vetmja mënyrë për zgjidhjen e armiqësisë së parathënë te Zanafilla 3:15 dhe me cilat dobi për njerëzimin e drejtë?
10 Shqyrto situatën që u krijua pasi Adami dhe Eva, çifti i parë, u rebeluan kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-6) Po ta kishte toleruar padrejtësinë e tyre, Jehovai do të kishte minuar pozitën e tij si Sovran Universal. Si Perëndi i drejtë, ishte i detyruar t’i dënonte me vdekje. (Romakëve 6:23) Në profecinë e parë biblike, ai paratha se do të ekzistonte një armiqësi ndërmjet shërbëtorëve të tij dhe pasuesve të ‘gjarprit’, Satanait. (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:15) Përfundimisht kjo armiqësi mund të zgjidhej vetëm me shkatërrimin e Satanait. (Romakëve 16:20) Por ky akt gjykimi do të sillte si pasojë bekime të mëdha për njerëzimin e drejtë, duke e çliruar tokën nga ndikimi i Satanait dhe duke hapur rrugën për një parajsë mbarëbotërore. (Mateu 19:28) Deri në atë kohë, ata që do të ishin nga ana e Satanait do të përbënin një kërcënim të vazhdueshëm për mirëqenien fizike e frymore të popullit të Perëndisë. Me raste, Jehovait do t’i duhej të ndërhynte.
Perëndia vepron për të hequr ligësinë
11. Pse Perëndia u ndie i detyruar të sillte një përmbytje botërore?
11 Përmbytja e kohës së Noesë ishte një rast i kësaj ndërhyrjeje. Te Zanafilla 6:11, 12 thuhet: «Toka u prish para syve të Perëndisë së vërtetë dhe u mbush me dhunë. Perëndia, pra, pa tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish e kishte prishur udhën e tij në tokë.» A do t’i lejonte Perëndia të ligjtë që të zhduknin edhe gjurmët e fundit të vlerave morale që kishin mbetur në tokë? Jo. Jehovai u ndie i detyruar të sillte një përmbytje globale për ta pastruar tokën nga ata që ishin të vendosur për t’u përfshirë në dhunë e imoralitet.
12. (a) Çfarë paratha Jehovai për ‘farën’ e Abrahamit? (b) Pse duheshin shfarosur amorejtë?
12 Gjykimi i Perëndisë kundër kananejve ishte një gjë e ngjashme. Jehovai zbuloi se nga Abrahami do të vinte një ‘farë’ nëpërmjet së cilës do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës. Në harmoni me këtë qëllim, Perëndia dekretoi se pasardhësve të Abrahamit do t’u jepej toka e Kanaanit, një tokë e banuar nga një popull që quheshin amorej. Ç’justifikim do të kishte Perëndia për t’i dëbuar me forcë këta njerëz nga toka e tyre? Jehovai paratha që para se të ndodhte ky dëbim do të kalonin rreth 400 vjet, derisa «gabimi i amorejve» të ishte «plotësuar».b (Zanafilla 12:1-3; 13:14, 15; 15:13, 16; 22:18) Gjatë asaj periudhe kohore, amorejtë u bënë gjithnjë e më të mbrapshtë. Kanaani u bë një vend i mbushur me idhujtari, gjakderdhje dhe praktika të degraduara seksuale. (Dalja 23:24; 34:12, 13; Numrat 33:52) Banorët e vendit madje vritnin edhe fëmijë duke i flijuar në zjarr. A mund ta vinte një Perëndi i shenjtë popullin e tij përballë kësaj ligësie? Jo! Ai shpalli: «Vendi është i papastër dhe unë do të sjell ndëshkim për gabimin e bërë mbi të dhe toka do t’i vjellë banorët e saj.» (Levitiku 18:21-25) Megjithatë Jehovai nuk i vrau njerëzit pa asnjë dallim. Pati kananej të prirur siç duhet, si Rahaba dhe gibeonitët, të cilët u kursyen.—Josiu 6:25; 9:3-27.
Lufton për hir të emrit të tij
13, 14. (a) Pse ishte i detyruar Jehovai ta shenjtëronte emrin e tij? (b) Si e hoqi Jehovai sharjen nga emri i tij?
13 Duke qenë se Jehovai është i shenjtë, edhe emri i tij është i shenjtë. (Levitiku 22:32) Jezui i mësoi dishepujt e tij të luten: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Rebelimi në Eden përdhosi emrin e Perëndisë, duke vënë në dyshim reputacionin e Perëndisë dhe mënyrën se si sundon. Jehovai nuk mund ta falte kurrë një shpifje e rebelim të tillë. Ai ishte i detyruar të hiqte sharjen nga emri i tij.—Isaia 48:11.
14 Të mendojmë përsëri për izraelitët. Gjatë kohës kur ishin skllevër në Egjipt, premtimi që Perëndia i kishte bërë Abrahamit se nëpërmjet Farës së tij do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës dukej pa kuptim. Por duke i çliruar ata dhe duke i formuar si komb, Jehovai e hoqi sharjen nga emri i tij. Kështu, profeti Daniel përmendi në lutje: «O Jehova, Perëndia ynë, . . . [ti] e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me një dorë të fortë dhe . . . i bëre një emër vetes.»—Danieli 9:15.
15. Pse i çliroi Jehovai judenjtë nga robëria në Babiloni?
15 Është interesante se Danieli u lut në këtë mënyrë në një kohë kur judenjtë kishin nevojë që Jehovai të vepronte përsëri për hir të emrit të Tij. Judenjtë e pabindur gjendeshin në robëri, kësaj here në Babiloni. Kryeqyteti i tyre, Jerusalemi, ishte katandisur në rrënoja. Danieli e dinte se rivendosja e judenjve në atdheun e tyre do të madhëronte emrin e Jehovait. Prandaj ai u lut: «O Jehova, fal. O Jehova, kushto vëmendje dhe vepro. Mos u vono, për hirin tënd, o Perëndia im, sepse vetë emri yt është thirrur mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd.»—Danieli 9:18, 19.
Lufton për hir të popullit të tij
16. Shpjego pse interesi i Jehovait për të mbrojtur emrin e tij nuk do të thotë se ai është i ftohtë dhe egoist.
16 A nënkupton interesi i Jehovait për të mbrojtur emrin e tij se ai është i ftohtë dhe egoist? Jo, sepse duke vepruar në përputhje me shenjtërinë dhe me dashurinë e tij për drejtësi, ai e mbron popullin e tij. Të shqyrtojmë kapitullin 14 të Zanafillës. Atje lexojmë për katër mbretër pushtues që rrëmbyen Lotin, nipin e Abrahamit, bashkë me familjen e Lotit. Me ndihmën e Perëndisë, Abrahami shpartalloi në mënyrë mahnitëse forca ushtarake shumë më të mëdha. Tregimi për këtë fitore ka të ngjarë të ketë qenë i pari që është shënuar në «librin e Luftërave të Jehovait», me sa duket një libër ku janë dokumentuar disa ndeshje ushtarake që nuk janë përmendur në Bibël. (Numrat 21:14) Shumë fitore të tjera do të vinin më pas.
17. Çfarë tregon se Jehovai luftoi për izraelitët pasi hynë në tokën e Kanaanit? Jep shembuj.
17 Pak kohë para se izraelitët të hynin në vendin e Kanaanit, Moisiu i siguroi: «Jehovai, Perëndia juaj shkon përpara jush. Ai do të luftojë për ju, siç bëri me ju . . . në Egjipt.» (Ligji i përtërirë 1:30; 20:1) Duke filluar me Josiun, që zëvendësoi Moisiun, e duke vazhduar gjatë periudhës së gjykatësve dhe gjatë mbretërimit të mbretërve besnikë të Judës, Jehovai luftoi vërtet për popullin e tij, duke i dhënë shumë fitore mahnitëse mbi armiqtë.—Josiu 10:1-14; Gjykatësve 4:12-17; 2 Samuelit 5:17-21.
18. (a) Pse mund të jemi mirënjohës që Jehovai nuk ka ndryshuar? (b) Çfarë do të ndodhë kur armiqësia e përshkruar te Zanafilla 3:15 të arrijë kulmin?
18 Jehovai nuk ka ndryshuar dhe as qëllimi i tij për ta bërë këtë planet një parajsë paqësore nuk ka ndryshuar. (Zanafilla 1:27, 28) Perëndia ende e urren ligësinë e në të njëjtën kohë e do shumë popullin e tij dhe së shpejti do të veprojë për ta mbrojtur. (Psalmi 11:7) Në të vërtetë, pritet që në të ardhmen e afërt armiqësia e përshkruar te Zanafilla 3:15 të arrijë një kthesë vendimtare që do të jetë dramatike dhe e dhunshme. Për të shenjtëruar emrin e tij dhe për të mbrojtur popullin e tij, Jehovai do të bëhet përsëri «një luftëtar burrëror».—Zakaria 14:3; Zbulesa 16:14, 16.
19. (a) Ilustro pse fakti që Perëndia përdor fuqinë shkatërruese mund të na afrojë me të. (b) Ç’efekt duhet të ketë te ne gatishmëria e Perëndisë për të luftuar?
19 Shqyrto një ilustrim: ta zëmë se familjen e një burri e sulmon një bishë e egër dhe ai burrë ndërhyn dhe e vret. A do të pritje që gruas dhe fëmijëve të tij t’u ngjallte neveri ky veprim? Përkundrazi, do të pritje që ata të prekeshin nga dashuria e tij altruiste. Po ashtu nuk duhet të na ngjallë neveri fakti që Perëndia përdor fuqinë e tij shkatërruese. Gatishmëria e tij për të luftuar që të na mbrojë duhet të na e shtojë dashurinë për të. Duhet të na thellohet edhe respekti për fuqinë e tij të pakufishme. Në këtë mënyrë mund «t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë . . . me frikë Perëndie dhe nderim të thellë.»—Hebrenjve 12:28.
Afroju ‘luftëtarit burrëror’
20. Si duhet të reagojmë kur lexojmë tregime biblike për luftëra hyjnore të cilat mund të mos i kuptojmë plotësisht, dhe pse duhet të reagojmë kështu?
20 Natyrisht, Bibla nuk i shpjegon në çdo rast të gjitha hollësitë e vendimeve të Jehovait lidhur me luftërat hyjnore. Por mund të jemi gjithnjë të sigurt për këtë: Jehovai nuk e përdor kurrë fuqinë shkatërruese në mënyrë të padrejtë, keqdashëse ose mizore. Shpeshherë, shqyrtimi i kontekstit të një tregimi biblik ose ndonjë informacion shtesë do të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i duhur. (Proverbat 18:13) Edhe kur nuk i kemi të gjitha hollësitë, thjesht të mësojmë më shumë për Jehovain dhe të meditojmë për cilësitë e tij të çmuara mund të na ndihmojë të sqarojmë çdo dyshim që mund të lindë. Kur bëjmë këtë, arrijmë të kuptojmë se kemi arsye të bollshme për t’i besuar Perëndisë tonë, Jehovait.—Jobi 34:12.
21. Ndonëse disa herë është «një luftëtar burrëror», si është Jehovai në zemër?
21 Ndonëse Jehovai është «një luftëtar burrëror» kur e kërkon situata, kjo nuk do të thotë se thellë në zemër ai është luftëdashës. Në vegimin e Ezekielit për karrocën qiellore, Jehovai paraqitet sikur po përgatitet për të luftuar kundër armiqve të tij. Por, gjithsesi, Ezekieli e pa Perëndinë të rrethuar nga një ylber, që është simbol i paqes. (Zanafilla 9:13; Ezekieli 1:28; Zbulesa 4:3) Është e qartë se Jehovai është person i qetë e paqedashës. «Perëndia është dashuri»,—shkroi apostulli Gjon. (1 Gjonit 4:8) Të gjitha cilësitë e Jehovait janë në ekuilibër të përsosur. Sa të privilegjuar jemi, pra, që mund t’i afrohemi këtij Perëndie kaq të fuqishëm, por megjithatë të dashur!
a Sipas historianit jude Jozefit, hebrenjtë «i ndiqnin 600 qerre, 50.000 kalorës dhe një këmbësori e armatosur rëndë, e cila numëronte 200.000 ushtarë».—Jewish Antiquities, II, 324 [xv, 3].
b Me sa duket, termi ‘amorej’ këtu përfshin gjithë popujt e Kanaanit.—Ligji i përtërirë 1:6-8, 19-21, 27; Josiu 24:15, 18.