Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Numrave
PAS daljes nga Egjipti, izraelitët u organizuan si një komb. Pak kohë më pas mund të kishin hyrë në Tokën e Premtuar, por nuk hynë. Në vend të kësaj u sorollatën për rreth 40 vjet në ‘një shkretëtirë të madhe e të tmerrshme’. (Ligji i përtërirë 8:15) Pse? Tregimi historik që gjendet në librin biblik të Numrave na thotë çfarë ndodhi. Ky tregim duhet të na ngulitë në mendje nevojën që t’i bindemi Perëndisë Jehova dhe të respektojmë përfaqësuesit e tij.
Libri i Numrave, të cilin e shkroi Moisiu në shkretëtirë dhe në rrafshinat e Moabit, përfshin një periudhë prej 38 vjetësh e 9 muajsh—që nga viti 1512 p.e.s. deri në vitin 1473 p.e.s. (Numrat 1:1; Ligji i përtërirë 1:3) Emrin e ka marrë nga dy numërimet apo regjistrimet e popullsisë së izraelitëve, të bëra rreth 38 vjet larg njëri-tjetrit. (Kapitujt 1-4, 26) Tregimi ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë na thotë çfarë ndodhi në malin Sinai. Pjesa e dytë trajton çfarë ndodhi gjatë endjes së izraelitëve nëpër shkretëtirë. Kurse pjesa e tretë trajton ngjarjet që ndodhën në rrafshinat e Moabit. Kur të lexoni këtë tregim, mund të pyesni veten: ‘Çfarë më mësojnë këto ngjarje? A ka ky libër parime që mund të më duhen sot?’
NË MALIN SINAI
Numërimi i parë bëhet ndërkohë që izraelitët janë rrëzë malit Sinai. Meshkujt nga mosha 20 vjeç e lart, përveç levitëve, janë gjithsej 603.550. Me sa duket, ky numërim bëhet për arsye ushtarake. I gjithë kampi, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe levitët, mund të jetë i përbërë nga më shumë se tre milionë veta.
Pas këtij regjistrimi, izraelitët marrin udhëzime lidhur me rendin sipas të cilit duhej të marshonin, hollësi për detyrat e levitëve dhe për shërbimin në tabernakull, urdhra për karantinën dhe ligje për rastet e xhelozisë e për betimet e nazirejve. Kapitulli 7 ka informacione për blatimet që bënë prijësit e fiseve në përurimin e altarit, kurse kapitulli 9 trajton mbajtjen e Pashkës. Asamblesë i jepen udhëzime edhe se si të vendosin kampin dhe si ta ngrenë atë kur ikin.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:1, 2, BR—Çfarë ishin «shenjat» përreth të cilave duhej të fushonin ndarjet trifisëshe në shkretëtirë? Bibla nuk jep një përshkrim të këtyre shenjave, nuk tregon se çfarë ishin. Megjithatë nuk shiheshin si simbole të shenjta e nuk u ishte dhënë ndonjë domethënie fetare. Shenjat përdoreshin për një qëllim praktik, domethënë për ta ndihmuar një njeri të gjente vendin që i takonte në kamp.
5:27—Në ç’kuptim një gruaje fajtore për tradhti bashkëshortore ‘do t’i dobësoheshin ijët’? Fjala «ijët» këtu është përdorur për të përshkruar organet e riprodhimit. (Zanafilla 46:26, DSF) ‘Dobësimi’ i tyre tregon prishjen e këtyre organeve, në mënyrë që të mos ishte më e mundur ngjizja.
Mësime për ne:
6:1-7. Nazirejtë nuk duhej të pinin asnjë lëng të prodhuar nga rrushi dhe çfarëdo pije dehëse, e kjo kërkonte vetëmohim. Duhej t’i linin flokët të gjatë, në shenjë nënshtrimi ndaj Jehovait, ashtu si gratë duhej të ishin të nënshtruara ndaj burrave të tyre ose ndaj etërve. Nazirejtë duhej të mbaheshin të pastër, duke qëndruar larg çdo trupi të vdekur, edhe sikur ky të ishte njeriu i tyre shumë i afërt. Sot shërbëtorët në kohë të plotë tregojnë një frymë vetëmohimi dhe nënshtrimi ndaj Jehovait e ndaj rregullave që ka vendosur ai. Disa caktime mund të përfshijnë që ata të shkojnë në një vend të largët, gjë që mund t’ua bëjë të vështirë ose edhe të pamundur të kthehen në shtëpi për funeralin e një familjari të tyre.
8:25, 26. Në mënyrë që detyrat në shërbimin e levitëve të kryheshin siç duhet, si edhe nga konsiderata për moshën e tyre, levitëve të moshuar u jepej urdhri të tërhiqeshin nga shërbimi i detyruar. Megjithatë mund të dilnin vullnetarë për të ndihmuar levitët e tjerë. Ndonëse sot nuk ka ndonjë urdhër për t’u tërhequr nga detyrimi si lajmëtar i Mbretërisë, parimi që nxjerrim nga ky ligj na jep një mësim të vlefshëm. Në qoftë se një i krishterë, për shkak të moshës së shkuar, nuk i përmbush dot disa detyrime, mund të merret me një formë shërbimi që e ka brenda fuqive për ta bërë.
NGA NJË VEND NË TJETRIN NË SHKRETËTIRË
Kur ngrihet reja mbi tabernakull, izraelitët fillojnë marshimin. Pas 38 vjetësh e një ose dy muajsh ky marshim do t’i çojë në rrafshinat e shkreta të Moabit. Ndoshta rrugën që bënë mund ta ndjekësh në hartën që ndodhet në faqen 9 të broshurës «Të shohim vendin e mirë», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Rrugës për në Kadesh, në shkretëtirën e Paranit ndodhin të paktën tri raste kur izraelitët ankohen. Rasti i parë merr fund kur Jehovai dërgon një zjarr për të gllabëruar disa nga ankuesit. Pastaj izraelitët ankohen se duan mish dhe Jehovai u jep për të ngrënë shkurta. E së fundi, ankimi i Miriamit dhe i Aaronit kundër Moisiut sjell si pasojë goditjen e Miriamit përkohësisht me lebër.
Ndërsa po fushonin në Kadesh, Moisiu dërgon 12 zbulues për të vëzhguar Tokën e Premtuar. Këta kthehen pas 40 ditësh. Ngaqë besojnë raportin e keq të 10 zbuluesve, njerëzit duan t’i vrasin me gurë Moisiun, Aaronin dhe zbuluesit besnikë Josiun dhe Kalebin. Jehovai thotë se do ta godasë popullin me murtajë, por Moisiu ndërhyn dhe Perëndia shpall se ata do të enden në shkretëtirë për 40 vjet, derisa të vdesin ata që janë numëruar.
Jehovai jep rregulla të tjera. Korahu bashkë me disa të tjerë rebelohen kundër Moisiut dhe Aaronit, por rebelët shkatërrohen nga zjarri ose i gëlltit toka. Një ditë më pas, e gjithë asambleja murmurit përsëri kundër Moisiut dhe Aaronit. Si pasojë, vdesin 14.700 veta nga një plagë që dërgon Jehovai. Për ta bërë të qartë se kë ka zgjedhur kryeprift, Perëndia bën që shkopi i Aaronit të çelë lule. Pastaj Jehovai jep ligje të tjera lidhur me detyrimet e levitëve dhe me pastrimin e popullit. Përdorimi i hirit të lopëve të kuqe paraqet pastrimin me anë të flijimit të Jezuit.—Hebrenjve 9:13, 14.
Bijtë e Izraelit rikthehen në Kadesh, ku vdes Miriami. Asambleja ankohet përsëri kundër Moisiut dhe Aaronit. Për ç’arsye? Nuk kanë ujë. Meqë Moisiu dhe Aaroni nuk shenjtërojnë emrin e Jehovait kur sigurojnë ujë me anë të një mrekullie, humbin mundësinë për të hyrë në Tokën e Premtuar. Izraeli ikën nga Kadeshi dhe Aaroni vdes në malin Hor. Ndërsa po i bien përqark Edomit, izraelitët lodhen dhe flasin kundër Perëndisë e kundër Moisiut. Jehovai dërgon gjarpërinj helmues për t’i ndëshkuar. Përsëri Moisiu ndërmjetëson dhe Perëndia i thotë të bëjë një gjarpër prej bakri e ta vendosë në një shtyllë, kështu ata që i ka kafshuar gjarpri e shohin dhe shërohen. Gjarpri paraqet vënien në shtyllë të Jezu Krishtit, që u bë për të na sjellë dobi të përjetshme. (Gjoni 3:14, 15) Izraeli mund mbretërit amoritë Sihonin dhe Ogun dhe merr në zotërim tokat e tyre.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
12:1—Pse u ankuan kundër Moisiut Miriami dhe Aaroni? Me sa duket, arsyeja e vërtetë e ankimit të tyre ishte dëshira e Miriamit për të pasur më shumë pushtet. Kur Zipora, e shoqja e Moisiut, erdhi tek ai në shkretëtirë, Miriami mund të ketë pasur frikë se nuk do të shihej më si gruaja më e rëndësishme në kamp.—Eksodi 18:1-5.
12:9-11—Pse u godit vetëm Miriami me lebër? Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë ajo që e nxiti ankimin dhe që e bindi Aaronin të bashkohej me të. Aaroni shfaqi qëndrimin e duhur duke rrëfyer gabimin e tij.
21:14, 15—Cili ishte libri që u përmend këtu? Shkrimet flasin për disa libra që shkrimtarët e Biblës i përdorën si burim materiali. (Josiu 10:12, 13; 1 Mbretërve 11:41; 14:19, 29) «Libri i luftërave të Zotit» ishte një nga këta libra. Përmbante një tregim historik për luftërat e popullit të Jehovait.
Mësime për ne:
11:27-29. Moisiu është një shembull i shkëlqyer që na tregon si duhet të reagojmë kur të tjerë marrin privilegje në shërbim të Jehovait. Në vend që me xhelozi të kërkonte lavdi për vete, Moisiu ishte i lumtur kur Eldadi dhe Medadi filluan të vepronin si profetë.
12:2, 9, 10; 16:1-3, 12-14, 31-35, 41, 46-50. Jehovai pret nga adhuruesit e tij që të tregojnë respekt për njerëzit të cilëve Ai u ka dhënë autoritet.
14:24. Mënyra kryesore për t’u rezistuar presioneve të botës ndaj keqbërjes është të zhvillojmë «një frymë tjetër» ose një qëndrim tjetër mendor. Duhet të jetë një frymë që është e ndryshme nga fryma e botës.
15:37-41. Thekët e veçantë që duhej të kishin veshjet e izraelitëve duhej t’u kujtonin atyre se ishin një popull i ndarë veç për të adhuruar Perëndinë dhe për t’iu bindur urdhërimeve të tij. A nuk duhet që edhe ne sot të jetojmë sipas normave të Perëndisë dhe të dallohemi si të ndryshëm nga bota?
NË RRAFSHINAT E MOABIT
Ndërkohë që bijtë e Izraelit fushojnë në rrafshinat e shkreta të Moabit, moabitët fillojnë të ndiejnë një frikë të madhe prej tyre. Prandaj, Balaku, mbreti i Moabit, dërgon të thërrasin Balaamin që të mallkojë izraelitët, duke i propozuar që ta paguajë për këtë. Mirëpo Jehovai e detyron Balaamin t’i bekojë izraelitët. Atëherë mbreti përdor gratë moabite dhe midianite për t’i joshur burrat izraelitë në imoralitet dhe në idhujtari. Si pasojë Jehovai shkatërron 24.000 keqbërës. Përfundimisht plaga mbaron kur Finehasi tregon se nuk toleron asnjë rivalitet ndaj Jehovait.
Numërimi i dytë i popullsisë tregon se asnjë nga burrat që u numëruan në regjistrimin e parë nuk janë më gjallë, përveç Josiut dhe Kalebit. Josiu ngarkohet si pasuesi i Moisiut. Izraelitët marrin udhëzime për procedurën e flijimeve të ndryshme, si edhe për betimet. Gjithashtu, populli i Izraelit hakmerret ndaj midianitëve. Rubeni, Gadi dhe gjysma e fisit të Manaseut vendosen në lindje të lumit Jordan. Izraelit i jepen udhëzime për kalimin e lumit Jordan dhe për të marrë në zotërim vendin. Përcaktohen me hollësi kufijtë e vendit. Trashëgimia do të vendoset me short. Levitëve u caktohen 48 qytete, 6 prej të cilave do të shërbejnë si qytete strehimi.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
22:20-22—Pse zemërimi i Jehovait u ndez kundër Balaamit? Jehovai i kishte thënë profetit Balaam të mos i mallkonte izraelitët. (Numrat 22:12) Gjithsesi profeti e kishte ndarë mendjen ta mallkonte Izraelin dhe shkoi me njerëzit e Balakut. Balaami donte t’i bënte qejfin mbretit të Moabit dhe të merrte një shpërblim prej tij. (2 Pjetrit 2:15, 16; Juda 11) Edhe atëherë kur u detyrua ta bekonte Izraelin, në vend që ta mallkonte, prapë Balaami u përpoq të kishte miratimin e mbretit dhe sugjeroi që gratë që adhuronin Baalin të përdoreshin për të joshur burrat izraelitë. (Numrat 31:15, 16) Prandaj, arsyeja pse Perëndia u zemërua me Balaamin ishte lakmia e paskrupull e këtij profeti.
30:6-8—A mundet një burrë i krishterë të anulojë betimet që ka bërë e shoqja? Për sa u përket betimeve, tani Jehovai i trajton individualisht adhuruesit e tij. Për shembull, kushtimi ndaj Jehovait është një betim individual. (Galatasve 6:5) Një burrë nuk ka autoritetin për të anuluar një betim të tillë. Megjithatë, gratë e martuara nuk duhet të bëjnë një betim që bie në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë ose me detyrat e tyre ndaj bashkëshortit.
Mësime për ne:
25:11. Sa shembull të bukur la për ne Finehasi për sa i përket zellit në shërbim të Jehovait! A nuk duhet që dëshira për ta mbajtur të pastër kongregacionin të na shtyjë t’u raportojmë pleqve të krishterë nëse jemi në dijeni të imoralitetit të rëndë?
35:9-29. Fakti që një njeri, i cili vriste pa dashje dikë, duhej të ikte nga shtëpia dhe të shkonte në një qytet strehimi për një periudhë kohe, na mëson se jeta është e shenjtë dhe se duhet të kemi respekt për të.
35:33. Për tokën e ndotur nga gjaku i derdhur i njerëzve të pafajshëm mund të bëhet shlyerje vetëm me gjakun e atyre që kanë derdhur këtë gjak të pafajshëm. Prandaj, është më se e përshtatshme që Jehovai t’i shkatërrojë të ligjtë para se ta kthejë tokën në parajsë.—Fjalët e urta 2:21, 22; Danieli 2:44.
Fjala e Perëndisë ushtron fuqi
Duhet të tregojmë respekt për Jehovain dhe për ata që ka emëruar në pozita përgjegjësie në popullin e tij. Libri i Numrave na e bën fare të qartë këtë të vërtetë. Sa mësim i rëndësishëm është ky për të ruajtur paqen dhe unitetin në kongregacion sot!
Ngjarjet e treguara në librin e Numrave theksojnë sa lehtë mund të bien në keqbërje të tilla, si murmuritja, imoraliteti dhe idhujtaria, ata që lënë pas dore gjendjen e tyre frymore. Disa nga shembujt e nga mësimet e këtij libri biblik mund të shërbejnë si bazë për nevojat lokale në Mbledhjen e Shërbimit në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Me të vërtetë, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi» në jetën tonë.—Hebrenjve 4:12.
[Figura në faqet 24, 25]
Jehovai e drejtonte vendosjen dhe ngritjen e kampit të izraelitëve me anë të një reje që qëndronte mbi tabernakull falë një mrekullie
[Figurat në faqen 26]
Jehovai e meriton bindjen tonë dhe pret nga ne që të respektojmë përfaqësuesit e tij