Gëzoni në shpresën e Mbretërisë!
NJË rast i gëzuar mblodhi së bashku auditorin prej 5.784 vetash më 10 mars 2001, në tri komplekset e shtetit të Nju-Jorkut, të përdorura nga familja e madhe Bethel. Rasti ishte diplomimi i klasës së 110-të të shkollës misionare të Galaadit.
Keri Barberi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, u uroi mirëseardhjen të gjithëve dhe e hapi programin me fjalët: «Jemi shumë të gëzuar që 110 klasa me studentë të Galaadit janë stërvitur tashmë si misionarë dhe janë caktuar nëpër territore anembanë globit.»
Si ta ruajmë gëzimin?
Pas komenteve hyrëse të vëlla Barberit, Don Adamsi mbajti një fjalim për auditorin—ku përfshiheshin 48 studentët që po diplomoheshin—me temën «Bekimi i Jehovait na bën të pasur». Duke e bazuar fjalimin te Fjalët e urta 10:22, ai i kujtoi auditorit se Jehovai i mbështet dhe i bekon shërbëtorët e tij, kur këta i vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën e tyre. I nxiti studentët t’i pranonin caktimet e tyre të reja me të njëjtën frymë të gatshme që shfaqi apostull Pavli kur mori ftesën për të ‘kaluar në Maqedoni dhe për të ndihmuar’. (Veprat 16:9) Ndonëse i duhej të kapërcente vështirësi, gatishmëria e Pavlit për të predikuar atje ku e drejtonin solli shumë bekime të gëzueshme.
Pjesëtarët e klasës që po diplomohej kishin mbaruar pesë muajt e studimit të Biblës dhe të stërvitjes për t’u përgatitur për veprën misionare. Megjithatë, Daniel Sidliku, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, i nxiti që të vazhdonin të merrnin mësim. Duke folur për temën «Jini dishepuj të vërtetë», ai komentoi: «Të jesh dishepull do të thotë t’u bindesh vazhdimisht fjalëve të Jezuit. Përfshin të jemi gjithnjë të gatshëm t’i dëgjojmë fjalët e tij, mesazhin e tij, mësimin e tij.» Ai theksoi se dishepujt e Krishtit nuk marrin vendime pa dëgjuar zërin e Zotërisë; mençuria e Perëndisë është e lidhur ngushtë me jetën e Krishtit. (Kolosianëve 2:3) Asnjëri prej nesh nuk mund t’i dëgjojë fjalët e Jezuit vetëm një herë dhe të nxjerrë përfundimin se di gjithçka për të, prandaj, vëlla Sidliku i nxiti të diplomuarit që të vazhdonin ta mësonin, ta zbatonin dhe t’ua mësonin të tjerëve të vërtetën e krishterë, e cila sjell lirinë.—Gjoni 8:31, 32.
Që të ruajë gëzimin në shërbim të Perëndisë, një person duhet të jetë i gatshëm të pranojë disiplinën dhe ndreqjen. «A do t’ju ndreqin veshkat tuaja?»—ishte pyetja që ngriti Lorenc Boueni, instruktor i Galaadit. Ai tregoi se në Bibël, veshkat figurative lidhen me mendimet dhe ndjenjat më të thella të personit. Ato mund të shërbejnë për ta ndrequr një person, nëse këshillat e frymëzuara nga Fjala e Perëndisë kanë depërtuar në pjesët më të brendshme të personalitetit të tij. (Psalmi 16:7; Jeremia 17:10) Madje, drejtimi besnik i një personi mund ta prekë Jehovain në mënyrë të thellë. Pasi lexoi Fjalët e urta 23:15, 16, oratori pyeti: «A do t’ju ndreqin veshkat tuaja?» Ai shtoi: «Lutemi që ta bëjnë këtë, pasi kështu do ta bëni Jehovain të provojë kënaqësinë më të thellë brenda tij. Do të nxitni ndjenjat e tij më të thella. Po, do t’i bëni veshkat e Perëndisë të ngazëllejnë, ndërsa qëndroni me besnikëri në caktimet tuaja.»
Fjalimi i fundit për këtë pjesë të programit u mbajt nga Mark Numari, i cili shërbeu si misionar në Kenia para se të bëhej instruktor i Galaadit. Fjalimi i tij me titull «Më mirë është të shohin sytë» theksoi rëndësinë që të kultivojmë të qenët të kënaqur. Në harmoni me Predikuesin 6:9, vëlla Numari këshilloi: «Shiheni realitetin në sy. Kjo do të thotë ‘të shohin sytë’. Në vend që të fantazoni për diçka që dëshironi të bëni, por nuk jeni duke e bërë, përqendrohuni që të bëni më të mirën në rrethanat në të cilat ndodheni. Të jetoni në një botë me ëndrra, të keni pritje të paarsyeshme ose të përqendroheni në faktorët negativë të caktimit tuaj, vetëm sa do t’ju bëjë të pakënaqur.» Po, pavarësisht se ku mund të jemi ose cilatdo qofshin rrethanat, duke kultivuar kënaqjen që bazohet në marrëdhënien tonë me Perëndinë në rrethanat në të cilat ndodhemi, do të kemi një frymë të gëzuar në shërbim të Krijuesit tonë të Madh.
Përvoja të gëzueshme në shërbimin e Mbretërisë dhe në Galaad
Pas këshillave të tilla praktike të këtyre fjalimeve, studentët treguan disa përvoja që kishin pasur kur kishin marrë pjesë në shërbimin publik gjatë kursit të tyre pesëmujor. Nën drejtimin e Uollas Livërënsit, sekretari administrativ i Shkollës së Galaadit, studentët që po diplomoheshin treguan se si e kishin rekomanduar veten si shërbëtorë të Perëndisë. (2 Korintasve 4:2) Kishin pasur mundësi t’i bënin thirrje ndërgjegjes së dhënë nga Perëndia të disa personave. Përvojat e studentëve treguan se si u filluan studime biblike me persona të sinqertë që i takuan në rrugë, nga shtëpia në shtëpi dhe në rrethana të tjera. Në disa raste, njerëzit e interesuar thanë se botimet e bazuara në Bibël të organizatës së Jehovait kishin tingullin e së vërtetës. Një pronare shtëpie reagoi shumë pozitivisht ndaj një vargu të veçantë nga Bibla. Tani ajo po studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.
Më pas, Joel Adamsi intervistoi të diplomuar të Galaadit nga vitet e kaluara. Tema e tij ishte: «Kurrë mos pushoni së mësuari, kurrë mos pushoni së shërbyeri Jehovait.» Ata që u intervistuan kishin këshilla aktuale për misionarët e rinj. Duke kujtuar ditët që kaloi si pjesëtar i klasës së 26-të të Galaadit, Herri Xhonsoni tha: «Na u mësua se Jehovai e ka udhëhequr gjithnjë popullin e tij dhe do ta udhëheqë atë gjithnjë. Kjo siguri më ka dhënë zemër gjatë viteve.» Uilliam Nonkësi, pjesëtar i klasës së 53-të të Galaadit, i këshilloi të diplomuarit: «Mbi të gjitha, mbani parasysh parimet biblike dhe zbatojini ato për të gjitha vendimet që ju duhet të merrni në jetë tani e përgjithmonë. Për pasojë, do të jeni në gjendje të qëndroni në caktimin tuaj dhe do të keni bekimin e pasur të Jehovait.»
«Të forcuar për të kryer vullnetin e Jehovait» ishte tema që kishte zgjedhur Riçard Rajani për pjesën e tij në program. Njëri nga ata që intervistoi ai ishte Xhon Kurtzi, i diplomuar në klasën e 30-të, i cili kaloi më shumë se 41 vjet në Spanjë si misionar. Kur e pyetën për atë që studiohet në Galaad, vëlla Kurtzi tha: «Libri kryesor i studimit është Bibla. Pastaj kemi mjetet ndihmëse për studimin e Biblës, që na ndihmojnë ta kuptojmë atë. Këto mjete janë në dispozicion të të gjithëve. Në Galaad nuk sigurohet asnjë informacion i fshehtë. Nuk pushoj kurrë së theksuari këtë, sepse të gjithë Dëshmitarët e kanë në dispozicion me lehtësi informacionin që sigurohet në Galaad.»
Vëlla Gerrit Loshi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e përmbylli bukur programin frymor duke folur për temën «Mbi dhe nën krahët e Jehovait». Ai shpjegoi se si mbrojtja dhe përkrahja që Perëndia u jep shërbëtorëve të tij besnikë ilustrohen në Bibël me krahët e një shqiponje. (Ligji i përtërirë 32:11, 12; Psalmi 91:4) Shqiponja e rritur disa herë i mban krahët të hapura për orë të tëra, që të mbrojë të vegjlit e saj. Nganjëherë, një shqiponjë nënë i mbështjell të vegjlit me krahët e saj për t’i mbrojtur nga erërat e ftohta. Në mënyrë të ngjashme dhe në harmoni me qëllimin e tij, Jehovai mund t’u vijë në ndihmë shërbëtorëve të tij besnikë, e në veçanti, kur këta hasin sprova frymore. Jehovai nuk lejon që shërbëtorët e tij të tundohen përtej asaj që mund të mbajnë, por u siguron rrugëdaljen që të jenë në gjendje ta durojnë sprovën. (1 Korintasve 10:13) Vëlla Loshi përfundoi me fjalët: «Për të mbetur të mbrojtur frymësisht, duhet të mbetemi nën krahët e Jehovait. Kjo do të thotë se nuk duhet të zhvillojmë frymën e pavarësisë. Le të qëndrojmë gjithnjë afër Jehovait dhe organizatës së tij ngjashëm nënës, duke mos u ndarë nga drejtimi dhe këshillat e tyre të dashura.»
Drejtuesi lexoi telegrame dhe përshëndetje nga vëllezër e motra përreth globit. Më pas u bë paraqitja e diplomave. Kur u ngrit Shkolla e Galaadit, ishte menduar që të kishte vetëm një numër të kufizuar klasash gjatë një periudhe pesëvjeçare. Por, për 58 vjet, Perëndia Jehova ka bërë që shkolla të vazhdojë të funksionojë. Siç e tha vëlla Barberi në komentet hyrëse: «Çfarë historie vërtet të mrekullueshme kanë bërë të diplomuarit e Galaadit që nga viti 1943, kur u përurua Galaadi! Përpjekjet e tyre të bashkuara kanë bërë që në kuptim të mirëfilltë qindra mijë njerëz zemërbutë në tokë t’i shtohen organizatës së lavdishme të Jehovait.» Po, kjo shkollë misionare ka dhënë ndihmesë që miliona veta të gëzohen me shpresën e Mbretërisë.
[Kutia në faqen 24]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 8
Numri i shteteve ku u caktuan: 18
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 34
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 18
Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13
[Figura në faqen 25]
Diplomimi i klasës së 110-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Vacek, E.; Madelin, L.; Evans, G.; Watanabe, K. (2) Trafford, P.; Turfa, J.; Wilson, P.; Williams, R.; Weber, A. (3) Johnson, T.; Hanau, K.; Mourlhou, F.; Charpentier, F.; Peckham, R.; Androsoff, P. (4) Seegers, T.; Seegers, D.; Bailey, P.; Bailey, M.; Madelin, K.; Lippold, E.; Lippold, T. (5) Evans, N.; Gold, R.; Bollmann, I.; Vacek, R.; Oundjian, J.; Wilson, N. (6) Turfa, J.; Zuidema, L.; Zuidema, R.; Bengtsson, C.; Bengtsson, J.; Galano, M.; Galano, L. (7) Peckham, T.; Mourlhou, J.; Charpentier, C.; Gold, M.; Bollmann, R.; Oundjian, F. (8) Weber, R.; Johnson, B.; Hanau, D.; Watanabe, Y.; Williams, R.; Trafford, G.; Androsoff, T.