Të marrim parasysh ‘fundin që na pret’
UDHËTIMI i jetës na vë përpara shumë zgjedhje. Sigurisht, është e mençur të përpiqemi të kuptojmë cili do të jetë fundi i çdo rruge që marrim, para se të fillojmë të ecim në të. Disa janë penduar thellë për vendimet që kanë marrë. Ndoshta dhe ti ke thënë: «Po ta dija se do të përfundonte kështu, as do t’i kisha hyrë kësaj rruge.»
Një udhëtar me përvojë do të dijë se ku e çon çdo udhë. Ai mund të shikojë hartën dhe të flasë me ata që e njohin zonën. Patjetër që do të marrë parasysh dhe tabelat që vëren përgjatë rrugës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për udhëtimin e jetës, si mund të jesh i sigurt cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekësh? Në një rast kur po fliste për popullin e lashtë të Izraelit, Perëndia tha nëpërmjet Moisiut: «Ah, sikur të ishin të mençur! Do ta kishin bluar në mendje këtë gjë. Do ta kishin marrë parasysh fundin që i priste.»—Ligji i përtërirë 32:29.
Këshillat më të mira
Nuk ka pse të jemi në mëdyshje se ‘ç’na pret në fund’ të çdo rruge që mund të na dalë gjatë udhëtimit të jetës sonë. Në pozitën e tij të favorshme, Perëndia është më i afti të këshillojë të gjithë udhëtarët njerëzorë se cila është rruga më e mirë që duhet të marrin. Ai ka parë rrugët e shumta që kanë marrë njerëzit dhe ka vërejtur pasojat. Bibla thotë: «Udhët e njeriut janë përpara syve të Jehovait, dhe ai i shqyrton me kujdes të gjitha shtigjet e tij.»—Proverbat 5:21.
Jehovai kujdeset për ata që e duan. Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, u thotë cila është rruga më e mirë për ta. Aty lexojmë: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» Prandaj, para se të marrësh një rrugë, është e mençur të kërkosh drejtimin e Jehovait ashtu si bëri Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, i cili u lut: «Më trego udhën ku duhet të eci, sepse drejt teje e ngre shpirtin tim.»—Psalmi 32:8; 143:8.
Kur ndjekim rrugën që na ka treguar një udhëtar i besueshëm e me përvojë, ndihemi të qetë e të sigurt. Nuk shqetësohemi se ku do na çojë ajo. Davidi kërkoi dhe ndoqi udhëheqjen dhe drejtimin e Jehovait. Si rezultat, gëzoi atë paqe mendore për të cilën shprehet bukur në Psalmin 23. Davidi shkroi: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. Për hir të emrit të tij, më prin nëpër shtigjet e drejtësisë. Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe.»—Psalmi 23:1-4.
Ç’e ardhme i pret?
Teksa udhëtonte në rrugën e jetës, psalmisti Asaf ose ndonjë nga pasardhësit e tij e pranoi se ‘gati sa s’u largua’ nga udha e duhur. Çfarë kishte ndodhur? Ai kishte parë begatinë e njerëzve të pandershëm e të dhunshëm dhe kishte pasur zili ‘paqen e të ligjve’. I dukej sikur ata ishin «gjithmonë rehat». Ç’është më e keqja, psalmisti kishte filluar të dyshonte nëse ishte e mençur të vazhdonte në udhën e drejtësisë që kishte zgjedhur.—Psalmi 73:2, 3, 6, 12, 13.
Më pas, psalmisti hyri në shenjtëroren e Jehovait dhe shqyrtoi në lutje ç’i priste të ligjtë. Ai tha: «Doja të dija ç’e ardhme i priste.» Psalmisti meditoi për mundësitë e ardhme të atyre që kishte zili. Ai kuptoi se këta njerëz ishin «në vende të rrëshqitshme» dhe se ‘do të shkonin drejt rrënimit’. Ç’të themi për udhën e vetë psalmistit? Ai pranoi: «Pastaj [o Jehova] do të më çosh drejt lavdisë.»—Psalmi 73:17-19, 24.
Meditimi për pasojat e veprimeve të atyre që e arrinin begatinë përmes marifeteve ose metodave të diskutueshme, e siguroi psalmistin se ishte në rrugën e duhur. Ai nxori si përfundim: «Por për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.» Kur qëndrojmë afër Perëndisë Jehova, kemi gjithmonë bekime të pafundme.—Psalmi 73:28.
«Pesho të-ecurit’ e këmbëvet të tua»
Edhe sot mund të përballesh me zgjedhje të ngjashme. Mund të të ofrohet një kontratë biznesi tërheqëse, një ngritje në përgjegjësi ose një ftesë për të bashkëpunuar në një projekt shumë fitimprurës. Sigurisht, në çdo aktivitet të ri ekziston njëfarë rreziku. Megjithatë, a nuk ia vlen të shqyrtosh ‘ç’fund i pret’ zgjedhjet e tua? Cilat mund të jenë pasojat? A do të të kërkohet të jesh larg shtëpisë, e mbase t’i shkaktosh kështu stres vetes dhe bashkëshortit? A do të gjendesh mes një shoqërie jo të mirë me kolegë a me të tjerë që takon në hotele e gjetkë? Duke e shqyrtuar me kujdes rrugën që ke përpara, do të arrish të marrësh një vendim të mençur. Vëri veshin këshillës së Solomonit: «Pesho të-ecurit’ e këmbëvet të tua.»—Proverbat 4:26, Përkthimi i Kristoforidhit.
Të gjithë bëjmë mirë ta shqyrtojmë me kujdes këtë këshillë, por veçanërisht të rinjtë. Një i ri mori me qira një video që e dinte se përmbante mjaft skena ndjellëse. Më vonë tha se, pasi kishte parë videon, ishte ndezur kaq shumë nga pasioni, saqë kishte shkuar te një prostitutë që e dinte se banonte aty afër. Në fund mbeti me zemër të vrarë, me ndërgjegje fajtore dhe në ankth se mos kishte marrë ndonjë sëmundje. Ndodhi pikërisht siç përshkruhet në Bibël: «Befas ai shkon pas saj, si një dem që shkon të theret.» Ah, sikur ta kishte marrë parasysh ‘fundin që e priste’!—Proverbat 7:22, 23.
T’u besojmë tabelave rrugore
Shumica e njerëzve e pranojnë se nuk është e mençur të shpërfillen tabelat rrugore. Megjithatë, mjerisht disa veprojnë pikërisht kështu në udhëtimin e jetës kur nuk u pëlqen drejtimi që u jepet. Të marrim rastin e disa izraelitëve në kohën e Jeremisë. Populli ishte përballë një vendimi dhe Perëndia Jehova i këshilloi: «Pyetni për rrugët e kohëve më parë se ku është udha e mirë dhe ecni në të.» Por me kokëfortësi populli u përgjigj se ‘nuk do të ecte’ në atë rrugë. (Jeremia 6:16) Çfarë ‘fundi i priste’ ngaqë u rebeluan? Në vitin 607 p.e.s., babilonasit e shkatërruan krejt qytetin e Jerusalemit dhe banorët i çuan robër në Babiloni.
Po të shpërfillim ‘tabelat rrugore’ që na ka dhënë Perëndia, nuk do të na dalë asnjëherë për mirë. Shkrimet na nxitin: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»—Proverbat 3:5, 6.
Disa paralajmërime të Perëndisë janë si tabelat: «Ndalohet hyrja!» Për shembull, Bibla thotë: «Mos hyr në shtegun e të ligjve dhe mos shko drejt e në udhën e të këqijve.» (Proverbat 4:14) Një nga këto shtigje të dëmshme është ai që përshkruhet te Proverbat 5:3, 4: «Buzët e gruas imorale pikojnë si hoje mjalti dhe qiellza e saj është më e butë se vaji. Por pasoja e saj është e hidhur si pelini; është e mprehtë si një shpatë me dy tehe.» Disave mund t’u duket emocionuese një marrëdhënie imorale me një prostitutë apo me dikë tjetër. Por, të shpërfillësh tabelat «Ndalohet hyrja!» që vihen për të kontrolluar sjelljen e virtytshme, të sjell veç katastrofë.
Para se të fillosh të ecësh në një rrugë të tillë, pyet veten: «Ku do të më çojë?» Nganjëherë mjafton të ndalesh e të mendosh për ‘fundin’ e saj të mundshëm, që të mos marrësh një rrugë që mund të ketë pasoja serioze. SIDA dhe sëmundje të tjera të transmetuara me rrugë seksuale, shtatzënitë e padëshiruara, abortet, marrëdhëniet e prishura dhe ndërgjegjja fajtore mbushin rrugën e atyre që kanë zgjedhur të shpërfillin paralajmërimet e Perëndisë. Apostulli Pavël e tha qartë se ç’fund do të kishte rruga e atyre që praktikojnë imoralitetin. Ata «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—1 Korintasve 6:9, 10.
«Kjo është udha»
Ndonjëherë është e vështirë të kuptojmë ku po na çon një rrugë. Prandaj jemi shumë mirënjohës për kujdesin e dashur dhe drejtimin e qartë që na jep Perëndia. «Kjo është udha,—thotë Jehovai.—Ecni në të!» (Isaia 30:21) Çfarë ka në fund të udhës që na tregon Jehovai? Ndonëse rruga është e ngushtë dhe e vështirë, Jezui tha se çon në jetë të përhershme.—Mateu 7:14.
Ndalu e mendo pak për udhën ku po ecën. A është ajo e duhura? Ku po të çon? Kërko drejtimin e Jehovait në lutje. Orientohu me anë të ‘hartës’, Biblës. Mund të kesh nevojë të marrësh udhëzime edhe nga një udhëtar me përvojë, që po bën çmos të ecë në udhën e Perëndisë. Dhe, nëse e kupton se duhet të ndryshosh drejtim, vepro menjëherë.
Shpesh një udhëtar merr zemër kur shikon një tabelë rrugore që e siguron se është në udhën e duhur. Nëse një shqyrtim i drejtimit tënd në jetë zbulon se po ecën në rrugën e të drejtëve, vazhdo kështu. Pjesën më shpërblyese të udhëtimit e ke përpara.—2 Pjetrit 3:13.
Çdo udhë të çon diku. Kur të arrish në fund të rrugës që ke zgjedhur, ku do të të ketë çuar? S’do t’ia vlejë të rrish e të mendosh: «Ah, sikur të kisha zgjedhur një udhë tjetër!» Prandaj, para se të hedhësh hapin tjetër në udhën e jetës sate, pyet veten: «Çfarë ‘më pret në fund’ të saj?»
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
Cili do të jetë ‘fundi që të pret’?
Shpesh të rinjtë gjenden përballë tundimeve dhe presioneve për të provuar gjëra që duken normale. Ja disa situata që mund të lindin:
◼ Dikush të sfidon të pish një cigare.
◼ Një mësues me qëllime të mira të nxit të vazhdosh shkollën e lartë.
◼ Të kanë ftuar në një festë ku do të ketë me shumicë alkool e mbase drogë.
◼ «Pse nuk i fut të dhënat e tua në Internet?»—të sugjeron dikush.
◼ Një shok (shoqe) të fton për të parë një film me shumë skena dhune ose imoraliteti.
Nëse has ndonjë nga situatat e mësipërme, çfarë do të bësh? A do të dorëzohesh kollaj, apo do të shqyrtosh me kujdes se çfarë ‘fundi të pret’? Do të tregoje mençuri po të pyesje veten: «A mund të grumbullojë një burrë zjarr në gji e të mos i digjen rrobat? Ose, a mund të ecë një burrë mbi thëngjij e të mos i përcëllohen këmbët?»—Proverbat 6:27, 28.