Të mbajmë mbi supe përgjegjësinë e kujdesit për familjen
«BABALLARË, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Me këto fjalë të frymëzuara, apostulli Pavël e vuri qartësisht përgjegjësinë e kujdesit për familjen atje ku i takon: në supet e babait.
Në shumicën e familjeve, babai nuk kujdeset i vetëm për fëmijët e tij. Gruaja e tij, mamaja e fëmijëve, e ndan me gëzim peshën me burrin e saj. Kështu, mbreti Solomon deklaroi: «Dëgjo, biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos braktis ligjin e nënës sate.»—Fjalët e urta 1:8, BR.
Kujdesi material dhe frymor
Prindërit që i duan fëmijët e tyre, nuk i lënë me qëllim pas dore. Në fakt, nëse të krishterët do të vepronin kështu, do të ishte sikur të hidhnin poshtë besimin e tyre, siç nxjerrim përfundimin nga fjalët e Pavlit drejtuar Timoteut: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8) Të krishterët e kuptojnë se rritja e fëmijëve në «disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait» kërkon shumë më tepër sesa sigurimin e tyre në aspektin material.
Shqyrto nxitjen që i bëri Moisiu kombit të Izraelit, kur kishin fushuar në rrafshinën e Moabit, pikërisht para se të hynin në Tokën e Premtuar. Atje, ai u stërpërsëriti atyre ligjet e Perëndisë dhe i udhëzoi: «Duhet t’i skalitësh këto fjalë të miat në zemrën tënde dhe në shpirtin tënd.» (Ligji i përtërirë 11:18, BR) Më parë ai u kishte kujtuar se duhej ta donin Jehovain me gjithë zemrën e tyre, shpirtin dhe forcën jetësore të tyre, duke shtuar: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5, 6) Për prindërit izraelitë ishte jetësore që t’i linin fjalët e Ligjit të Perëndisë të depërtonin në zemrën e tyre. Me një zemër plot e përplot me çmueshmëri frymore, prindërit izraelitë mund t’u bindeshin me efektshmëri fjalëve të mëpasshme të Moisiut: «Duhet t’ia ngulitësh [fjalët e Ligjit të Perëndisë] birit tënd dhe duhet të flasësh për to kur ulesh në shtëpinë tënde, kur ecën në rrugë, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—Ligji i përtërirë 6:7, BR; Lp 11:19; krahaso Mateun 12:34, 35.
Vëre se baballarët duhej t’ua «ngulitnin» këto fjalë fëmijëve të tyre dhe «të flitnin për to». Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary e përkufizon foljen «ngulit» si «të mësosh dhe të ngulësh me anë të përsëritjeve ose të këshillave të shpeshta». Kur prindërit flitnin për Ligjin e Perëndisë përditë: në mëngjes, në drekë dhe në mbrëmje, kjo u transmetonte shumë gjëra fëmijëve të tyre. Ndërsa kuptonin dashurinë që prindërit e tyre kishin për Ligjin e Perëndisë, fëmijët nga ana e tyre ndikoheshin për të zhvilluar një afrimitet me Jehovain. (Ligji i përtërirë 6:24, 25) Interesant që Moisiu udhëzoi në mënyrë specifike baballarët që t’i mësonin fëmijët e tyre ‘kur uleshin në shtëpi’. Një mësim i tillë ishte pjesë e kujdesit për familjen. Po ç’të themi për sot?
«Kur ulesh në shtëpinë tënde»
«Nuk është e lehtë»,—shpjegon Zhanet, një nënë e krishtere me katër fëmijë.a «Duhet të ngulmosh»,—është i një mendjeje me të burri i saj, Pol. Ashtu si shumë prindër të tjerë Dëshmitarë, Pol dhe Zhanet përpiqen ta studiojnë Biblën me fëmijët e tyre, të paktën një herë në javë. «Ne përpiqemi ta bëjmë bisedën tonë biblike familjare çdo të hënë në mbrëmje, në një orar të caktuar,—shpjegon Pol, duke pranuar se «jo gjithmonë ia dalim». Si plak i emëruar në kongregacionin e tij, atë e kanë thirrur hera-herës për trajtimin e çështjeve urgjente. Dy fëmijët e tij të mëdhenj shërbejnë si shërbëtorë në kohë të plotë. Ata kanë vënë re se mbrëmjet janë periudha të frytshme për të kontaktuar njerëzit në shërbim. Kështu që si familje, e kanë përshtatur kohën për studimin e tyre familjar. «Herë pas here e bëjmë studimin menjëherë pasi hamë darkë»,—shpjegon Pol.
Megjithëse prindërit, me mençuri tregojnë elasticitet në lidhje me kohën e studimit të tyre familjar, ata përpiqen ta ruajnë rregullsinë e tij. «Nëse duhet ndryshuar orari dhe dita e studimit,—vëren e bija, Klara,—babi e vë orarin e ri në derën e frigoriferit, kështu që të gjithë ne e dimë se kur do të bëhet ai.»
Të mbledhurit së bashku për një studim të rregullt familjar të Biblës, siguron edhe një rast të shkëlqyer që anëtarët më të vegjël të familjes t’u shprehin shqetësimet dhe problemet e tyre prindërve. Një studim i tillë ka vlerë kur nuk është aq strikt, saqë fëmijët të bëjnë thjesht një lexim të përgjigjeve për pyetjet e drejtuara në librin mësimor biblik që përdorin. «Studimi ynë familjar është një mbledhje për të biseduar,—shpjegon Martini, që ka dy djem.—Kur mblidhesh me pjesëtarët e tjerë një herë në javë, për të trajtuar një temë biblike, ti zbulon se si po ecën familja jote frymësisht,—thotë ai.—Gjatë bisedës del çdo lloj gjëje. Ti merr vesh se ç’po bëhet në shkollë dhe ç’është më interesante, zbulon se cilat qëndrime po zhvillojnë fëmijët e tu.» Gruaja e tij, Sandra, është dakord dhe mendon se edhe ajo përfiton shumë nga studimi familjar. «Ndërkohë që burri im drejton studimin,—tregon ajo,—unë mësoj shumë duke dëgjuar se si u përgjigjen pyetjeve të tij djemtë e mi.» Pastaj Sandra i përshtat komentet e saj, për të ndihmuar djemtë. Ajo kënaqet më shumë gjatë studimit, sepse merr pjesë aktivisht në të. Po, periudhat e studimit familjar u ofrojnë prindërve mundësinë për të kuptuar mirë mënyrën e të menduarit të fëmijëve të tyre.—Fjalët e urta 16:23; 20:5.
Përshtatu dhe ngulmo
Kur vjen koha e studimit familjar, mund të vëresh se njëri prej fëmijëve është tërë sy e vesh dhe ka interes, ndërsa një tjetër duhet ta marrësh me të mirë që të përqendrohet dhe të nxjerrë dobi. Një nënë e krishterë thotë: «Kështu e ka jeta familjare! Ti e di se ç’duhet të bësh si prind. Kështu që, kur vazhdon ta bësh atë, Jehovai të ndihmon dhe ajo jep rezultate.»
Kohëzgjatja e vëmendjes së një fëmije mund të ndryshojë shumë në varësi të moshës së tij. Një prind me aftësi shquese e merr në konsideratë këtë fakt. Një çift ka pesë fëmijë të moshës 6 deri 20 vjeç. Babai, Majkëlli, thotë: «Jepuni fëmijëve më të vegjël mundësinë t’u përgjigjen të parët pyetjeve. Pastaj lërini fëmijët më të mëdhenj të shtojnë hollësira dhe të paraqesin pikat që kanë përgatitur.» Kjo mënyrë e trajtimit të fëmijëve të tyre me aftësi shquese, i aftëson prindërit që t’u mësojnë të tjerëve vlerën e marrjes në konsideratë të të tjerëve. «Një prej djemve tanë mund ta kuptojë,—vëren Martini,—por djali tjetër ka nevojë për shumë ndihmë që ta kuptojë të njëjtën pikë. Kam vënë re se periudha e studimit bëhet një terren stërvitjeje për të demonstruar durimin e krishterë dhe frytet e tjera të frymës.»—Galatasve 5:22, 23; Filipianëve 2:4.
Ji i përgatitur për t’iu përshtatur aftësive dhe shkallëve të ndryshme të rritjes së fëmijëve të tu. Simoni dhe Marku, tani adoleshentë, kanë vënë re se kur ishin më të vegjël, kënaqeshin me të vërtetë kur studionin me prindërit e tyre librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. «Babai na vinte të luanim pjesë të ndryshme, tamam si një dramë»,—kujtojnë ata. Babai i tyre kujton që ulej këmbadorazi për të luajtur shëmbëlltyrën e samaritanit miqësor bashkë me bijtë e tij. (Luka 10:30-35) «Ishte diçka reale dhe shumë zbavitëse.»
Shumë fëmijë rebelohen kundër rutinës së një studimi familjar. A duhet që kjo gjë t’i ndalë prindërit në drejtimin e studimit kur është planifikuar? Jo, sigurisht që jo. «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës»,—pohohet në Fjalët e urta 22:15. Një nënë beqare mendoi se po dështonte si drejtuese e studimit familjar kur, në shumë raste, dukej se shpërqendrimet e prishnin këtë studim. Por ajo ngulmoi. Tani fëmijët e saj kanë një respekt të madh për të dhe kanë arritur të vlerësojnë dashurinë dhe merakun që tregoi ajo, duke ngulmuar për drejtimin e një studimi të rregullt familjar.
Të ndihmojmë djemtë dhe vajzat «pa baba»
Pleqtë e krishterë duhet të «kullotin tufën e Perëndisë». (1. Pjetrit 5:2, 3, BR) Vizitat periodike në familjet e kongregacioneve të tyre, u ofrojnë atyre raste për t’i lavdëruar prindërit që mbajnë mbi supe përgjegjësitë e tyre të krishtere. Mbi supet e kujt bie përgjegjësia e mësimit të fëmijëve të prindërve beqarë? Mos harro kurrë se përgjegjësia për mësimin e fëmijëve i mbetet prindit.
Maturia e krishterë do t’i ndihmojë pleqtë të shmangin ato situata që lindin, në të cilat mund të thyhen parimet, nëse ata do të luanin rolin e prindit që mungon. Edhe pse dy vëllezër mund të vizitojnë një motër që është prind i vetëm, në çdo moment ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm në lidhje me rregullimet që vendosin për të mbështetur studimin familjar. Herë pas here, një ftesë që u bëhet fëmijëve (e natyrisht edhe prindit beqar) për të marrë pjesë në studimin familjar të një plaku, mund të jetë diçka ndërtuese dhe praktike. Megjithatë, mos harro kurrë se Jehovai është Ati ynë i dashur qiellor. Ai është patjetër i pranishëm për të udhëhequr dhe ndihmuar nënën, kur ajo drejton një studim me fëmijët e saj, edhe pse e bën këtë e vetme.
Ç’të themi për rastin kur një fëmijë e ka mendjen të drejtuar nga gjërat frymore, por prindërit e tij tregojnë pak ose aspak merak për përgjegjësitë e tyre frymore? Shërbëtorët besimplotë të Jehovait nuk duhet t’i lëshojë kurrë zemra. «Fatkeqi i ka shpresat te ti [Perëndia Jehova],—këndoi psalmisti;—ti je ai që ndihmon jetimin.» (Psalmi 10:14) Nga ana e tyre, pleqtë e dashur të kongregacionit do të bëjnë çmos për t’i inkurajuar prindërit, ndërsa kujdesen për fëmijët e tyre. Ata mund të sugjerojnë një bisedë familjare dhe më pas të marrin pjesë në të, për të ofruar disa sugjerime praktike mbi mënyrën e studimit së bashku. Sigurisht që ata nuk do të heqin përgjegjësinë e prindërve, mbi supet e të cilëve bie ajo, sipas Biblës.
Fëmijët, prindërit e të cilëve nuk përqafojnë besimin, kanë nevojë për shumë përkrahje. Përfshirja e tyre në studimin tënd familjar mund të dalë diçka dobiprurëse, nëse kjo është e pranueshme për prindërit e tyre. Roberti, tani i rritur dhe që ka familjen e vet, ndiqte bashkë me prindërit e tij mbledhjet e krishtere, kur ishte vetëm tre vjeç. Ai ka kujtime të shtrenjta nga ato mbledhje, madje edhe pasi prindërit e tij nuk u shoqëruan më me kongregacionin e krishterë. Kur ishte dhjetë vjeç, ai takoi një djalë Dëshmitar, që e merrte me vete në mbledhje. Prindërit e djalit Dëshmitar ishin të kënaqur të kujdeseshin për Robertin si për një jetim frymor dhe më vonë ai studioi bashkë me ta. Falë këtij kujdesi të dashur, ai bëri progres të shpejtë dhe tani shërben me gëzim si plak në kongregacion.
Edhe kur prindërit e kundërshtojnë progresin e fëmijëve të tyre, fëmijët nuk janë vetëm. Jehovai mbetet një At i besueshëm qiellor. «Baba i djemve pa baba . . . është Perëndia në vendin e tij të shenjtë»,—deklaron Psalmi 68:5, BR. Djemtë dhe vajzat që në aspektin frymor janë pa baba, e dinë se mund t’i drejtohen atij në lutje dhe ai do t’i mbështetë. (Psalmi 55:22; 146:9) Organizata e Jehovait, ngjashëm nënës, përmbush me zell përgjegjësinë e saj për të përgatitur ushqim të këndshëm frymor, që shërbehet me anë të botimeve dhe nëpër mbledhjet e më shumë se 85.000 kongregacioneve të krishtere anembanë botës. Kështu, me ndihmën frymore nga Ati ynë, Jehovai, dhe nga organizata e tij ngjashëm nënës, edhe «ata pa baba» do ta ndiejnë në njëfarë mase gëzimin e studimit të Biblës.
Prindërit e krishterë që drejtojnë studime të rregullta biblike familjare me fëmijët e tyre vlen të lavdërohen. Prindërit beqarë që këmbëngulin për stërvitjen e fëmijëve të tyre në rrugët e Jehovait, meritojnë vëmendje dhe lavdërim të veçantë për përpjekjet e tyre. (Fjalët e urta 22:6) Të gjithë ata që tregojnë shqetësim për fëmijët, të cilët në aspektin frymor janë pa baba, e dinë se kjo i pëlqen Atit tonë qiellor, Jehovait. Të kujdesesh për nevojat frymore të familjes është një përgjegjësi e rëndë. Por, ‘mos u dorëzo, sepse nëse nuk lodhesh, do të korrësh në stinën e duhur’.—Galatasve 6:9, BR.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 23]
Studimi familjar siguron një rast të shkëlqyer që anëtarët më të vegjël të familjes t’u shprehin shqetësimet e tyre prindërve
[Burimi i figurës në faqen 20]
Harper’s